A NA ’’NGRËNI’’ UJKU PËR NIME, APO JEMI NË ËNDËRR

A është opozita e kërcënuar nga SHIK-u?

Shkruan: Shefqet Jashari-Strofci

Ezopi i famshëm është i njohur për fabulat e tija të shkurta por me porosi dhe këshilla të arta! Gomari i lodhur nga dimri i gjatë, tregon Ezopi, mezi dual në pranverë nga mungesa e ushqimit e mundimet e shumta të zotëriut të tij! Ishte i gjori duke kullotur barin pranveror, të butë dhe plot gjelbërim. Asgjë nuk mendonte tjetër përpos ta mbushte barkun me barin e njomë. I kishte harruar i gjori grushtat kresë dhe shkelmat barkut, e nënçmimet tjera të zotëriut. Dhe pa pritur ju gju ujku në shpinë dhe menjëherë filloi t’ia kafshoj kofshët. Gomari i gjorë ishte thelluar aq shumë në fantazmën e kënaqësisë së ushqimit. I kishte harruar të gjitha të ligat që i solli dimri i gjatë dhe i vështirë, sa që edhe kafshimet e ujkut nuk i konsideronte të vërteta, por vetëm përjetime të një ëndrre të ligë. Dhe kur e kuptoj i ngrati të vërtetën e hidhur se më nuk kishte shpëtim, ia filloi të pëllet me tërë fuqinë që kishte, por atëherë u bë vonë, tepër vonë për t’i dalë ndokush në ndihmë.

A jemi apo nuk jemi ne shqiptarët e gjorë të shtetit të’’pavarur’’ të Kosovës në të njëjtën gjendje, siç ndodhej gomari në tregimin e Ezopit, do të na tregojnë deputetët e Parlamentit të Kosovës, në ditët e para të pranverës. Fjala është për iniciativën e Kryetarit të Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës(AIK), Florin Krasniqit, i cili para dy ditësh ankohet në kolegët e tij, se nuk po e përkrahin atë, duke i dhënë nënshkrimet, për’’krijimin e një Komisioni parlamentar hetimor’’për të hetuar veprimtarinë e SHIK-ut.

Po ashtu ai e njofton opinionin publik se e ka’’ të vështirë punën për ruajtjen e AKI-së, që të mos bie në duart e pushtetit aktual, me vetë faktin se PDK-ja ’’ i ka sjellë dy ish-agjentët e SHIK-ut në Komisionin e Kuvendit ’’që kanë emision të veçantë’’.

Se duhet të përkrahet zotëri Florin Krasniqi nga të gjithë deputetët e pozitës dhe të opozitës për krijimin e atij komisioni parlamentar ka shumë argumente. Ne do t’i cekim disa prej tyre:

a) Arsyeja e parë: Të vihet te e vërteta e plotë se janë apo nuk janë të vërteta akuzat e shumicës së opinionit publik se SHIK-u ka kryer vepra penale kundër qytetarëve të Kosovës. Po qe gjenden faktet se SHIK-u nuk ka kryer vepra penale, opinioni ynë nuk do të vazhdonte edhe më tutje me akuza të tilla. Por, po qe se është e vërtet se SHIK-u ka kryer punë dhe vepra të liga ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj, atëherë në bazë të konstatimit të Komisionit hetimorë, do të detyrohen organet kompetente të drejtësisë t’i fillojnë hetimet kundër kriminelëve të mëdhenj( urdhëruesit e krimit) dhe kriminelëve të vegjël ( ekzekutorëve). Fakte këto që do të dëshmojnë para opinionit tonë dhe faktorit ndërkombëtarë se Kosova po bëhet shtet ligjor. Qendrat e vendosjes ndërkombëtare do të ndërrojnë bindjet ndaj lidershipit të Kosovës, por edhe tek qytetarët tanë do të rritet besimi dhe shpresa se Kosova do të ecë përpara drejt fitoreve të reja.

b) Ekzistojnë fakte të pa mohueshme se SHIK-u është krijuar nga Xhavit Haliti me ndihmën e ekspertëve të Sigurimit të Enver Hoxhës.( shih: Intervisten e Xh. Halitit të botuar në’’ Zëri’’më 5 -10shkurt 2001, dhe intervisten tjetër poashtu në ‘’Zëri’’më 24 mars 2003 deri më 9 prill 2003). Pasi që Xhavit Haliti është nënkryetar i Kuvendit të Kosovës e bënë të domosdoshëm formimin e atij Komisioni.

c) Po ashtu gjenden faktet e pa mohueshme se SHP i UÇK-së e ka pasur SHIK-un, dhe se ai ka bashkëpunuar me të gjitha Sigurimet Informative që kanë vepruar në Kosovë, pra edhe me Sigurimin sekret serb.( Shih intervisten e Jakup Krasniqit të botuar në’’Epoka e re’’më 28 korri 2005, si dhe deklaratat e Kadri Veselit)

ç) Ka fakte të shumta, nga burimet e vendit dhe ato ndërkombëtare, se Xhavit Haliti, ësht babai i SHIK-ut të LPK-PDK-së dhe se ajo organizatë ilegale-gjysmilegale ka marrë në pyetje ’’informative’’ djem e burra dhe gra e vasha të bukura, dhe e ka keqpërdorë fuqinë e tij në shumë raste.

d) Nuk mund të injorohen faktet se SHIK-u, ka kërcënuar, ka burgosur e maltretuar shumë burra vetëm se i njihnin institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës, të krijuara me mund e sakrifica të mëdha nga populli ynë.

dh) Nuk mund të mohohen faktet se SHIK-u ka vrarë veprimtarë të dalluar të Kosovës.

e) Është e ditur edhe nga ‘’zogjtë e malit’’ se SHIK-u dhe argatët e tij kanë përvetësuar pasuri shoqërore dhe private e kanë bërë shumë punë tjera të liga.

ë) Dhe së fundi rasti i ndërgjegjësimit të zotëri Agim Hotit, i cili ka kuptuar se ka qenë i manipuluar nga babai i SHIK-ut, Xhavit Haliti dhe argatët e tij: Artan Nimani e Agron Hajradinaj, të cilët e kanë urdhëruar dhe e kanë ndihmuar finansisht t’i bëjë dy atentate ndaj Kryetarit të parë të Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova.

Opinioni ynë e ka të njohur deklaratën e Xhavit Halitit, i cili ka premtuar se do të kërkon nga ’’ organet e drejtësisë’’ të bëhen hetime ’’për paditë e zotëri Hotit’’ ndaj tij. Është e qartë se nga ajo deklaratë nuk është bërë asgjë konkrete. Po të kishte qenë i sinqertë në deklaratën e tij Xhavit Haliti, ai do të jepte dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Parlamentit, për t’u zhvilluar hetime të drejta dhe të paanshme. Por deklarata e tij ishte sa për ta mashtruar opinionin publik dhe asgjë tjetër.

Së paku Xhavit Haliti në pozitën që ndodhet, si udhëheqës i Kuvendit dhe si i akuzuar drejtpërdrejt nga Agim Hoti, për krim të orgaizuar, do të duhej ta përkrahte zotëri Florinin, jo vetëm gojarisht, duke kërkuar nga kolegët e partisë së tij që ta përkrahin nismën për krijimin e ati Komisioni, por edhe praktikisht duke e vënë nënshkrimin e tij pas nënshkrimit të Florinit në listën e deputetëve që kërkojnë të themelohet ai Komision hetimor. Me siguri po të ishte i pastër nga akuzat Xhavit Haliti, edhe do të jepte dorëheqje deri sa të zhvillohen hetimet, edhe do të kërkonte themelimin e Komisionit hetimor parlamentar, që të hetohet veprimtaria e SHIK-ut. Por pasi është i ’’krymur’’ i ka shti ‘’veshët në lesh’’ për të mos dëgjuar se çka flitet për te e për SHIK-un e tij.

Fundi i fundit, në rrethanat që i ka krijuar SHIK-u në të gjitha institucionet shtetërore të Kosovës, pra edhe në Parlament e tij, nuk duhet pritur që Xhavit Haliti dhe pionët e tij, deputetët e PDK-së, do të pranojnë të themelohet një komision që do të hetonte veprimtarinë kriminele të SHIK-ut dhe themeluesit të tij Xhavit Halitit.

Shtrohet pyetja: Po ku janë deputetët e partive opozitare? Pse deputetët e atyre partive e bllokojnë iniciativën e zotëri Florinit? Shtrohet pyetja tjetër: Janë të kërcënuar nga SHIK-u i PDK-së, apo janë të përkëdhelur e të blerë nga Xhaviti, siç blihen bagëtitë në pazar, që të mos japin pëlqimin për formimin e ati Komisioni? A thua janë të vetëdijshëm deputetët e partive opozitare, se në rast se e bllokojnë iniciativën e zotëri Florinit, do të konsiderohen tradhtarë të partisë së tyre, do të konsiderohen tradhtarë të elektoratit dhe tradhtarë të Kosovës. E mbi të gjitha do të konsiderohen pjesëmarrës në krimin e organizuar, pasi që po pengojnë luftimin e atij krimi që e shëmtoi Kosovën dhe qytetarët e saj.

Po qe se brenda një kohe shumë të shkurtë, deputetët e partive opozitare nuk e përkrahin iniciativën e zotëri Florin Krasniqit, duke i dhanë nënshrimet e tyre për themelimin e Komisionit parlamentar hetimor për veprimtarinë e SHIK-ut, shqiptarët e Kosovës do ta kenë të qartë se gjendja e tyre faktike është e njëjtë si gjendja e gomarit të Ezopit, pra, ’’ ujku’’ na ka’’ngrënë’’përnime, e jo në ëndërr.

Bota sot 15 mars 2013

Loading