Botuar në Librin “Pse jemi kështu siç jemi?” – botimi i parë – 2002
Ndryshimi i rrethanave në Kosovë ndikoi që të bëheshin ndryshime edhe në diasporë. Formimi i Degës së LDK-së gjatë vitit 1990, e la pa kurrëfarë ndikimi pararojën staliniste të LPK-së. Anëtarësia e tyre zvogëlohej çdo ditë. Më nuk kishin mundësi të manipulojnë me njerëz. Në këto kushte LPK-ja gjatë vitit 1991 mbajti Mbledhjen e Tretë të Përgjithshme, në Kosovë. Në atë mbledhje LPK-ja u përcaktua si subjekt politik legal, por pararoja staliniste nuk i përfilli vendimet e asaj mbledhjeje. Në këto rrethana njerëzit më autoritativ të kryesisë së LPK-së si Hydajet Hyseni, Gani Syla e të tjerë u detyruan të japin dorëheqje. Pararoja staliniste e LPK-së duke ditur se në Kosovë nuk kishte kurrëfarë ndikimi, edhe formalisht e shuajti aktivitetin e LPK-së, dhe tërë aktivitetin e saj e kaluan tek dega j.v. në Zvicër nën udhëheqjen e një kryesie që përbëhej nga kryetari Fazli Veliu, nënkryetari Muhamet Kelmendi, sekretar Emrush Xhemajli, përgjegjës financiar Gafurr Elshani dhe anëtarëve Ali Ahmeti, Xhavit Haliti, dhe Agush Buja, që në mbledhjen e katërt të përgjithshme, ky i fundit u zëvendësua me Adem Grabofcin. Muhamet Kelmendi në librin e tij “Pse nuk u ndërtua Fronti për Çlirimin e Kosovës” shpjegon tërë aktivitetin e LPK-së, veçmas të kryesisë për përvetësimin e njësive guerile që vepronin në Kosovë. Ai thotë: “Iu futëm punës si Kryesi për një organizim tjetër në fushën ushtarake, krahas në vazhdimin e punës për ndërtimin e LPK-së e cila parashikohej si bazë politike”. Pra, një grusht njerëzish të burokratizuar nga disa privilegje që i kishin fituar më parë, në saje të demogagjisë së tyre perfide në LPK, ia vunë vetes për detyrë të krijonin një “subjekt ushtarak” për të cilin nuk kishin dije, nuk kishin mundësi, as autoritet dhe as kredibilitet. Kësaj punë populli i thotë: “luaje mizë kryet e buallit’’. Krijimi i një subjekti ushtarak në Evropën Perëndimore në mënyrë ilegale ishte një punë e lehtë, pasi nuk duhej shumë mund dhe harxhime të mëdha materiale. Duhej një fletore e formatit A3, që do të shërbente si procesverbal i mbledhjeve, që do t’i mbante Kryesia e LPK-së. “Vendimet” që i merrte Kryesia e LPK-së dhe proces-verbalet e përpikta që i shkuanin kalemxhinjtë profesionalistë nëpër kthinat e restoranteve të stacioneve të trenit në Zvicër dhe Gjermani, duke i dhënë detyra dhe poste udhëheqëse njëri-tjetrit, e që sot po i përdorin si “dokumente” për shtrembërimin e të vërtetave historike, po i përdorin për falsifikimin e ngjarjeve me rëndësi kombëtare, duke e shpallur vetveten si “krijues’’ të UÇK-së, si ’’shpëtimtarë’’ të Kosovës dhe të kombit shqiptar. Muhamet Kelmendi në librin e tij, të cekur më lart, jep shumë hollësi se si kanë shkuar punët në përvehtësimin e njësive guerile që i krijuan Adem Jashari, Hamzë Jashari, Zahir Pajaziti dhe Sali Çeku me bashkëveprimtarët e tyre. Kelmendi ka një “meritë” të jashtëzakonshme, pasi i vuri bazat e falsifikimit dhe përvehtësimit të njësive guerile nga ana e LPK-së, pasi ishte përpiluesi pothuajse i të gjitha “rregulloreve”, “vendimeve”, “rezolutave” dhe “qëndrimeve” për përvehtësimin e njësive guerile të Republikës së Kosovës, që vepronin në Drenicë, Llap dhe Dukagjin. M.Kelmendi në librin e tij shpjegon, “në këtë kohë (maji i vitit 1993, pra pas lidhjes së Marrëveshjes së Cyrihit, vrejtja ime) nxorëm disa sektorë: 1.Sektori politiko-juridik me udhëheqës Muhamet Kelmendin, anëtarë: Fazli Veliun, Emrush Xhemajlin. Ky sektor nxirrte projektvendime, rezoluta, qëndrime e rregullore, dhe i nxirrte para organeve për miratim. 2. Sektori për organizimin e radhëve të LPK-së brenda vendit që kishte udhëheqës Emrush Xhemajlin, anëtarë Gafur Elshanin dhe Ali Ahmetin. Këtij sektori i ndihmonte edhe Xhavit Haliti. 3. Sektori i rëndësisë së veçantë, me udhëheqës Xhavit Halitin dhe anëtarë Ali Ahmetin dhe Emrush Xhemajlin. Këta ishin përcaktuar si ndërlidhës midis kryesisë dhe radhëve të njësive çlirimtare në Kosovë”. Por M.Kelmendi nuk tregon se cilat njisi i kishte krijuar XH. Haliti, Ali Ahmeti dhe Emrush Xhemajli, që këta duhej të bëheshin edhe ndërlidhës në mes atyre njësive dhe Kryesisë së LPK-së. Kishte edhe sektor të tjerë, si sektori propagandistik, financiar, për agjitacion etj. Të gjithë këta sektor vepronin në kuadër të Kryesisë së Degës j.v. Të shikojmë çfarë na thotë Xhavit Haliti në intervistën e tij përkitazi me krijimin e UÇK-së: “Si vendim u muar në Mbledhjen e Tretë të Përgjithshme të LPK-së në Kosovë. Vendimet konkrete për ngritjen e saj janë marrë nga Kryesia. Kjo edhe ngarkoi Azem Sylën dhe Hashim Thaçin që të merren me organizimin e UÇK-së në Kosovë dhe Xhavit Haliti dhe Ali Ahmeti janë emëruar të veprojnë në Perëndim dhe në Shqipëri për organizimin e UÇK-së dhe për ndihmën që duhet t’i bëhet. Në këtë mbledhje nuk ka dalur Shtabi, sepse nuk do të ishte normale të bëhej Shtabi pa u krijuar struktura ushtarake’’. Për këtë çështje Muhamet Kelmendi në librin e tij të lartëpërmendur thotë : “…me organizimin e njësive të para nga viti 1990 u kalua në organizimin edhe të njësive të tjera, të cilat çojnë deri te ndërtimi i saj si ushtri. Kjo u arrit në vitin 1993 kur u strukturua organi udhëheqës, Shtabi Qendror, si dhe kur u emërua UÇK-ja nga Kryesia e Degës së LPK-së. Antarët e parë të këtij organi (pra, të Shtabit Qendror vrejtja ime) ishin nga Sektori i rëndësisë së veçantë të Degës jashtë vendit. Ndërsa si organ udhëheqës, me kompetenca politike, organizative, diplomatike, etj, mbeti Kryesia e Degës j.v. e cila e udhëhoqi atë deri më 01.05.1998. Në këtë kohë bëhet grushti politik ndaj këtij organi dhe nga ky moment kalohet në kooptimin e organit udhëheqës të UÇK-së si dhe të sektorëve tjerë”. Cilit t’i besojmë në këtë rast, M. Kelmendit i cili ishte nënkryetar i LPK-së dhe pohon se u krijua “Shtabi Qendror”, apo Xh.Halitit si udhëheqës i Sektorit me rëndësi të veçantë dhe antar i Kryesisë së LPK-së, që e mohon krijimin e Shtabit Qendror?! Se cili prej tyre ka të drejtë, apo që të dy po gënjejnë këtë do ta shohim kur t’i shqyrtojmë arsyet e daljes në opinion të LPK-së me komunikatën e parë për egzistimin e UÇK-së. Shtrohet pyetja, ishte LPK-ja ajo që i krijoi njësitë e para guerile në Kosovë në periudhën 1990-1993, apo ishin veprimtarët e dalluar të jetës politike dhe shoqërore të Kosovës, ata që i krijuan njësitë guerile në Drenicë, Llap dhe Dukagjin? Opinioni i gjërë është i njoftuar për njësitë guerile që i formuan Adem Jashari, Zahir Pajaziti dhe Salih Çeku me bashkëveprimtarët e tyre, pasi i kryen ushtrimet ushtarake në Shqipëri në vjeshtë të vitit 1991. Siç dihet, pas formimit të njësive guerile dhe aksioneve të para që pasuan në fund të vitit 1991 dhe fillimit të vitit 1992, udhëheqja e Kosovës për shkaqe strategjike pati kërkuar nëpërmjet Fehmi Aganit, nga udhëheqësit e njësive guerile ta pushojnë aktivitetin luftarak për një kohë. Shumë pjestarë të njësive ushtarake e patën lëshuar Kosovën për t’i ikur ndjekjeve dhe burgosjeve, në mesin e të cilve ishte edhe Salih Çeku, komandanti i parë i njësisë së parë të ushtrisë së Kosovës, njësi e formuar në Shqipëri për ta sjellur armatimin e nevojshëm për njësitë e para që u formuan në Llap, Drenicë dhe Dukagjin. Edhe Rifat Jashari u detyrua të qëndrojë në Gjermani disa vjet. Adem e Hamëz Jashari, Zahir Pajaziti e të tjerë mbetën në Kosovë për t’i mbajtur gjallë njësitë guerile, duke i plotësuar me ushtarë të rinj.
Formimi i Këshillit Koordinues në përbërje të Salih Çekut, Zenun Idrizit, Saim Tahirit, dhe Ismet Avdullahut në fillim të vitit 1993 luajti rol me rëndësi për rritjen dhe zgjerimin e njësive guerile të Republikës së Kosovës, pasi që ai Këshill bëri furnizimin e njësive guerile me armatime dhe materiale ushtarake nga ndihmat që i tubonin prej anëtarëve të njësive guerile që u detyruan ta lëshojnë Kosovën dhe veprimtarëve të dalluar. Në maj të vitit 1993 në Gjermani pat shkuar Fehmi Agani. Këshilli Kordinues në takimin që pati me të, kërkoi perkrahjen e tij, që njësitë guerile të fillojnë me aksione të armatosura në Kosovë, pasi policia serbe maltretonte shumë shqiptarë në pjesë të ndryshme Kosovës me pretekstin e “kërkimit të armëve pa leje”. Agani u pajtua me domosdoshmërinë e aksioneve guerile, por kërkoi nga Këshilli Koordinues, që aksionet të ishin të kontrolluara për faktin se Republika e Kosovës, as për së afërmi nuk ishte bërë gati për luftë. Edhe Bukoshi përkrahu propozimin e Këshillit Kordinues, që drejtohej nga Salih Çeku dhe premtoi se do të jepte të holla për blerjen e armatimeve të nevojshme. Pas kësaj marrëveshjeje njësitë guerile kryen disa aksione në Llap, Drenicë dhe Dukagjin. U vranë ca policë dhe spiuj, u sulmuan shtëpitë e kolonëve në ndërtim dhe aty ku banonin nepër konvikte të shkollave të Kosovës (Podujevë, Prishtinë, Deçan etj). Aksionet arritën sukses të plotë pasi që policia serbe uli bishtin për tokë. Nuk guxonte më të shkonte shlirët nëpër katundet shqiptare për të rrahur shqiptarë, por edhe serbët e ardhur nga Kraina e Kroacisë dhe Bosnja në Kosovë, filluan të kthehen në Serbi. Bukoshi i dha Këshillit Kordinues 10.000 DM. si ndihmë të parë.Tjera mjete Bukoshi nuk i ka dhënë këtij Këshilli Kordinues për njësitet guerile të Republikës së Kosovës, madje as Rifat Jasharit që ishte lidhja e drejpërdrejtë e njësive guerile që i komandonte Adem dhe Hamzë Jashari. Njësitë guerile kishin nevoja të mëdha për mjete materiale dhe material ushtarak. Antarët e njësive guerile që ishin larguar nga Kosova dhe qëndronin në Evropën Perëndimore bënë përpjekje të sigurojnë mjete nga kursimet e tyre personale dhe nga shokët e tyre të besueshëm, por ato mjete që i siguronin ata, as për së afërmi nuk i plotësonin nevojat e njësive guerile.