KAH PO SHKON KOSOVA

Shkruan: Shefqet JASHARI-STROFCI

Kosova e pasluftës me halle të mëdha për shumicën e qytetarëve të saj për të siguruar kafshatën e gojës. Kosova e pasluftës me politikanët me të komprimituar në historinë e saj, me pakë përjashtime. Kosova me pasanikë që u bënë të pasur sa çel e mshel sytë gjatë luftës dhe menjëherë pas luftës me punë të pista.

Kosova me akademi dhe pa akademi, me intelektualë dhe me shumë pseudointelektualë, por askush nga ”paria” e vendit nuk po i bënë ”hesap” për asgjë, edhepse pseudointelektualët shtirën se janë të rëndësishëm shumë, ngaqë padronët e tyre ua kanë dhënë ca kolltuqe sa për dekor politik dhe për asgjë tjetër.

Kosova me shumë ”gazeta” dhe pa gazeta, me shumë ”gazetarë” dhe me pak gazetarë, Kosova me shumë kanale televizive dhe me shumë burime të informimit, por shumë pak prej tyre merren me të vërtetën, me hallet e vërteta të qytetarëve, shumë pak merren me kurrthet dhe humnerat që po ia përgadisin Kosovës dhe qytetarve të saj të ”sertit”, të ”merituarit”, mafiozët, ata të cilët e ndanë Kosovën në sfera të interesit, për ta kullotur, sikur të ishte livadh që ua kanë lënë trashigim prindërit.

Kosova me shumë policë dhe pa policë, Kosova me shumë prokurorë dhe pa prokurorë, Kosova me ”sistem gjyqësor” dhe pa sistem gjyqësor, Kosova me ”drejtësi ” e pa drejtësi, Kosova me ”pushtet” e me pa pushtet, Kosova me një Qeveri dhe me shumë Qeveri ! Kosova me kontraste dhe dallime të mëdha. Kosova e veshur me skanla nga skamja, Kosova e cullakosur nga ”moda” dhe pasja.

Kosova me kriminelë të llojllojshëm, kriminelë urdhërues dhe kriminelë dorasë. Kosova me kriminelë serbë, me kriminelë shqiptarë dhe me kriminel rumunë. Kosova me kriminelë të priviligjuar, por më të priviligjuarit prej të gjithëve po shihet se janë kriminelët ”patriotë”. Ata që u vunë nën urdhëratë e partiakëve të ”shtirë” , xhahilë dhe të ”sertë”. Ata që për hatër të partisë dhe ”pogllavicës” bën krime në pikë të ditës të maskuar me maska por të shumtën e rasteve edhe pa maska, duke pushkatuar veprimtarë të dalluar të Kosovës, për të vetmin shkak se ata kishin autoritet ku jetonin dhe ku punonin, se ishin veprimtarë të dalluar, pra i donte populli. Sa çudi, çfarë kohe kemi mbërrri, për këta burra të fortë të kombit që u vranë vetëm pse e donin Kosovën më tepër se jetën e tyre, nuk interesohet askush nga kompetentët, së paku për t’i zbuluar kriminelët për t’ua dhënë dënimin e merituar që ua shuajtun jetën. Po këta kriminelë, të zgjedhur nga mafia për ”trimëri”, shëtisin të lirë kah ua donë zemra, syri dhe këmba, për të bërë ahengje nëpër vende turistike, sepse kanë bërë pasuri, kanë zënë pozita, kanë bërë ”emër”, besa edhe i kanë ”pastruar” biografoitë e pista me ”nishane” në kraharor, apo me ”tituj” të lartë shkencorë, që ua siguroi funksioni.

Kosova me kriminelë të ”Cërrna rukes serbe” të cilët vranë, dhunuan dhe masakruan qytetarë të pafajshëm të Kosovës, por as drejtësia e vendit as ajo ndërkombëtare, nuk po kanë kohë të mirren me ta, se ashtu po e do ”politika” dhe ”siguria ” e vendit !?

Kosova e lodhur nga skamja dhe mjerimi, por e shastrisur nga gënjeshtrat dhe premtimet e kota të xhambazëve politik, dhe ”bijve të zgjedhur” të malësisë e të rrafshit, të xhunglës dhe moçalit, të partive ”nënë” dhe partive ”njerkë”.

Kosova me një Qeveri zyrtare, Kosova me një qeveri nën hije, Kosova me shumë qeveri, Kosova me shumë pushtet e pa pushtet !

Kosova në kryqin e rrugëve qe sa kohë nuk po luan nga vendi. A thua cilën rrugë do ta marrë?! Ka mbetur shumë punë për ta kryer dhe shumë mund për ta bërë njerëzit e devotshëm të Kosovës martire, që ajo ta marrë rrugën e shpëtimit, rrugën e drejtërsisë dhe të vërtetës, Rrugën e të Madhit Zot, Atë rrugë që do të sjelli ndryshime të mëdha në Kosovë, ku qytetarët e saj do ta ndrrojnë vetveten, duke mos qenë më robë të zotërave njeri, parakusht ky i rëndësishëm për të merituar mëshirën e Mëshiruesit, Zotit të botëve, që të na ndrrojë gjerndjen e mjerë në të cilën gjindemi. Pra, Kosova do të marr rrugën e suksesit dhe përparimit, rrugën e faqës së bardhë, vetëm atëherë kur në Kosovë dhe në gjithë hapsirën tonë kombëtare të forcohën forcat e të vërtetës, forcat që ia donë të mirën vendit, besimtarët e sinqertë që i basojnë Një Zoti, All-llahut të Gjithfuqishëm dhe të Gjithdijshëm, forcat që nuk ua kanë frigën kriminelëve dhe as mafiozëve, por përkundrazi, do të kanë aftësi dije dhe forcë dhe trimëri për t’ua treguar se ku e kanë vendin këta plëngprishës të Kosovës.

Vetëm atëherë kur Kosova të gjejë forca për t’ua dhënë denimin e merituar forcave të territ, forcave të faqeve të zeza, forcave të krimit, forcave të manipulimeve të llojllojshme, bashkësia ndërkombëtare do të detyrohet( miqtë dhe armiqtë tanë) ta pranojnë pavarësinë e plotë të Kosovës. Pra vetëm atëherë kur shqiptarët tregojnë zotësi për të krijuar shtet ligjor, do të çmohen dhe do të konsiderohen aleatë të denjtë të qendrave të vendosjes ndërkombëtare. Pra, vetëm atëherë duhet shpresuar se gjaku i derdhur i bijëve më të mirë të kombit, gjaku i dëshmorve nuk do të shkoj huq. Vetëm atëherë duhet shpresuar se Kosova do ta gëzojë dhe do ta fitojë pavarësinë e plotë dhe të merituar, pavarësinë për të cilën shumë gjenerata dhe burra të fortë nuk kursyen asgjë nga jeta e tyre.

Kriminelët janë të humbur! Përfundim i keq po i pret!

Botuar: ”Bota sot” 21 gusht 2007.

 402 total views