EDHE SA KOHË DUHET TA PRESIM DËNIMIN E KRIMINELËVE QË E VRAN AHMET KRASNIQIN

Shkruan: Shefqet JASHARI-STROFCI

Për pak javë mbushën plot nëntë vite që kriminelët ia murën jetën, ashtu siç dashti Beogradit, në qendër të Tiranës kolonel Ahmet Krasniqit, njërit ndër ushtarakut më të zotë që i kishte kombi ynë, Ministrit të Mbrojtjes dhe Komandantit të FARK-ut, Burrit të fortë të shqiptarisë, Atdhetarit të shquar të Kosovës, i cili u vra në vlugin e punëve, që kishte për qëllim bashkimin e faktorit politik dhe ushtarak të Kosovës, çka ishte parakusht për formimin e ushtrisë më të madhe dhe më të fuqishme të Gadishullit Ilirik, punë kjo që do t’i paraprinte çlirimit të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare. Siç dihet pehlivanët e nanosit dhe bajraktarët e farës ruse, të komanduar nga qendrat antishqiptare, e penguan realizimin e këtij qëllimi, i cili ishte amaneti më sublim i burrave të fortë të kombit shqiptar, që punuan sa ishin gjallë me të gjitha mundësitë për realizimin e këtyre synuimeve. Vrasja e tij, siç po shihet tash së fundi edhe prej argatëve të argatëve të Nanosit, që i ka lëshuar pija e egjres komunisto-staliniste, pati pasoja tepër të rënda për UÇK-në, pati dhe do të ketë pasoja edhe mëtutje shumë të rënda për Kosovën dhe çështjen madhore kombëtare.
Siç dihet, vrasja e Ahmet Krasniqit u parapriu shumë vrasjeve tjera politike që ndodhën gjatë luftës dhe pas luftës në Kosovë. E kuptojmë hallin e familjeve, shokëve dhe dashamirëve të tyre dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës që kanë ndie dhimbje për këta burra të fortë të shqiptarisë, të cilët u vranë në mënyrë të ligë, pas shpine dhe me tradhti. Duhet shpresuar se së shpejti do të vijë dita kur drejtësia e Kosovës do të aftësohet, ndërgjegjësohet dhe të trimërohet për të bërë hetime të tërsishme dhe serioze për t’i ulur në bankën e zezë kriminelët që i bënë këto krime të rënda, duke i vrarë këta veprimtarë të shquar të Kosovës siç ishin: Ali Ukaj , Ahmet Krasniqi, Ilir Konushefci, Enver Maloku, Xhemajl Mustafa, Ismet Raci, Ekrem Rexha- Komandant ”Drini”, Smajl Hajdaraj, Shaban Manaj, Tahit Zemaj, me të birin Enisin dhe Hasan Zemajn, Rexhep Lucajn, Besim Dajaku, Bekim Kastrati, Bardhyl Ajeti, Shefki Popova. Po ashtu do të dënohën edhe kriminelët që dhanë urdhër të vrahet Ukë Bytyqit. Nuk vjen në pyetje amnestimi i kriminelëve që i plagosën rënd Sabri Hamitin, Gani Gecin, Fetah Rudin, Agim Veliun, Ejup Visokën, Sejdi Kocin e shumë të tjerë që u vranë në mënyrë të njejtë me atentate, numri i të cilëve e kalon numrin treshifror.
Sa i përket vrasjes së Ahmet Krasniqit, edhe pse është njëra ndër vrasjet më të rënda, është vrasja që më së lehti mund të ndiqohet nga organet e drejtësisë të Shqipërisë, kur dihet se Prokuroria e Tiranës e ka dosjen e gatshme për këtë vrasje, të cilën ia kanë dorëzuar kompetentit e Ministrisë së Punëve të Bendshme të Republikës së Kosovës. Opinioni ynë është i njohur me deklaratën e magjistër Januz Tërstenës, ish-ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Republikës së Kosovës, i cili në një tubim që e pati me shqiptarët me qëndrim dhe punë në Austri, pat thënë: ”Ne e dimi saktsisht se kush e ka vrarë kolonel Ahmet krasniqin. Ne i kemi ofruar Prokurisë së Tiranës të gjitha të dhënat e sakta për personat që kanë gisht në këtë vrasje, por kjo Prokuri ka pezulluar hetimet rreth kësaj vrasje. Dhe ne e dimë pse janë pezulluar këto hetime, sepse prapa këtij akti terrorist fshihet një klan i madh politik shqiptar në Shqipëri dhe në Kosovë”.( Shiqo: ”Bota sot” 22 qershor 1999.)
Pra, siç po shihet, në vrasjen e Ahmet Krasniqit kanë marrë pjesë edhe një numër i caktuar i politikajve të Kosovës dhe të Shqipërisë. Në bazë të deklaratës të zotëri Tërrstenës nuk e kemi të qartë se në dosjen për vrasjes së Ahmet Krasniqit a ka të dhëna se në vrasjen e tij kanë gisht edhe disa kolegë dhe ”shokë” të tij që kishin zënë pozita të larta në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Shtabin e FARK-ut. Ne do t’i cekim disa fakte që dëshmojnë atë që e tham më parë për kolegët e tij.
Fillimi i shtatorit të 1998 për Ahmet Krasniqin dhe një numër të konsiderueshëm të oficerëve që ishin nën komandën e tij ishte i mbushur me aktivitete të ngjeshura ushtarake, sepse bëheshin përgaditjet përfundimtare për të hyrë në frontin e luftës në Kosovë. Derisa Ahmet Krasniqi dhe njerëzit e tij përgaditeshin për të hyrë në Kosovë me brigadat e tyre, edhe armiqtë e shqiptarëve dhe veglat e tyre bënin përgaditje të përshpejtuara për vrasjen e tij, që të pamundësohet hyrja e tij dhe e njësive operative të UÇK-së në Kosovë. Dihet se hyrja e tij do të ndërronte raportin e forcave në të mirë të shqiptarëve, në të mirë të UÇK-së dhe në të mirë të Kosovës. Në anën tjetër disa nga kolegët dhe ”shokët” e tij, siç thonë ata ”për shkaqe sigurie” ia ndrruan banesën Ahmet Krasniqit, që e kishte në qendër të Tiranës, menjëherë pas Piramidës, me një banesë tjetër që ishte në një rrugicë të ngusht, e pa ndriçuar me drita në lagjën e ”Shtrëpisë së Partisë” .
Arsyetimi i kolegëve të tij për ndrrimin e banesës është i paarsyeshëm dhe i pa logjikshëm, kur dihet se të vritet njeriu në qendër të Tiranës është punë më e vështirë për kriminelët, sepse është e pamundur të mos shihën kriminelët së paku nga këmbësorët e rastit. Kurse atje ku ia siguruan banesën Ahmet Krasniqit, ”shokët” dhe kolegët e tij siç thonë ata – për ”shkaqe sigurie”, ishte vendi ideal për kriminelë për zënien e pritës, sepse ishte larg qendres së Tiranës dhe ndërtesa gjendej në thellsi të një rrugicë të ngusht, që ishte e paasfaltuar, njëkahshe dhe pa drita, vend shumë i përshtatshëm për kriminelët për ta kryer krimin pa pengesa.
Se nuk i është ndrruar banesa Ahmet Krasniqit për ”shkaqe të sigurisë” është i mjaftueshëm ky fakt, edhe pse ka edhe fakte tjera. Ai është lënë pa rojen e tij personale nga përgjegjësit e Ministrisë. Siç dihet nga opinioni, në mbrëmjen e 21 shtatorit të vitit 1998, Ahmet Krasniqi organizoi darkë pune me ushtarakët më të shquar të Ministrisë së Mbrojtjes Salih Çekun, Agim Ramadanin e të tjerë, qëllimi i të cilit ishte për ta marrë pëlqimin e tyre që, në afatin sa më të shkurtër, të dërgohën në frontin e luftës në Kosovë kuadri komandues dhe brigadat të cilat i kishin kryer të gjitha përgaditjet e nevojshme për të kryer detyra operative në Kosovë. Atë natë u vendos që brenda një jave të realizohet plani për hyrje në Kosovë. Përfundimi i ati takimi ishte i suksesshëm, por armiqtë e kombit tonë i kishin bërë përgaditjet e fundit që të pamundësohet realizimi i atij plani. Atë natë, në vend se të bëhet mbrojtje e posaçme për Ahmet Krasniqin, kolegët dhe ”shokët ” e tij e kishin lën pa rojen e tij personale. Pasi u shpërndan ushtarakët çdonjëri nëpër banesat e tyre, Ahmet Krasniqin e shoqronin për në vendin e krimit shoferi i automjetit dhe një ushtarak që- edhe ai- banonte në ndërtesën ku banonte edhe komandanti i tij. Pra vetëm tre veta, pa asnjë armë, pa as një mbrojtje. Pra ky është një fakt i fortë që i akuzon tepër rënd shokët dhe kolegët e tij.
Më në fund, duhet cekur se Shqipëria, organet e Drejtësisë dhe veçmas kryeministri i Qeverisë së Shqipërisë, zotëri Salih Berisha, ia ka borxh Kosovës, ua ka boxh qytetarëve të saj, ua ka borxh familjarve të të vrarëve, veçmas familjes së Ahmet Krasniqit, t’i zbulojnë dhe t’i dënojnë të gjithë kriminelët që patën gisht në vrasjen e Ahmet Krasniqit, Ali Ukës dhe të Ilir Konushefcit. Atë ditë që do të ndriçohen vrasjet e këtyre personaliteteve të shquara të kombit tonë, do të zhvillohet lëmshi i të gjitha vrasjeve tjera politike që u bënë në Kosovë gjatë luftës dhe pas luftës.
Pra Shqipria e ka për detyrë ta japi kontributin e saj të pa kursyer për zhdukjen e krimit të organizuar, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë dhe Viset tjera shqiptare, sepse e kanë një qendër komanduese dhe kanë synime të njëjta. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë dhe kushtet që atë rrënjë të keqe ta shkuli nga hapsira jonë kombëtare, që rrënjët e saj t’i thaj dilli, që kurrë më të mos zënë vend dhe të mos forcohën në tokën shqiptare.
Fatkeqësishtë pasojat e këtyre vrasjeve do të vazhdojn deri atëherë kur Kosova dhe Shqipëria të bëhën shtete ligjore. Vetëm atëherë kur organet e drejtësisë të shtetit të Kosovës dhe të Shqipërisë ta fitojnë betejën kundër kriminelëve me damkë, (që sot po ju shkon fjala) të cilët nuk lejuan bashkimin e faktorit politik dhe ushtarak të Kosovës, dhe bënë shumë punë të liga në dëm të Kosovës dhe qytetarëve të saj, mund të shpresohet se shqiptarët do të ecin përpara në rrugën e të Madhit Zotë, çka do t’u sjellë shqiptarëve paqë, qetësi shpirtërore dhe përparim e suksese në të gjitha lëmitë e jetës.
Botuar: ”Bota sot” 25 gusht 2007

 604 total views