PAS NGJARJES SË STRELLCIT RAMUSH HARADINAJ DUHET TA THOTË TË VËRTETËN EDHE PSE ËSHTË E HIDHUR

 

  Me kthimin e Ramush Haradinajt në Prishtinë nga Spitali i Ushtrisë Amerikane që ia mjekoi plagët e marra para pragut të derës së shtëpisë së Ramë Musajt në Strellc, përfundoi akti i dytë i dramës tragjike shqiptare, duke qitur në shesh edhe për të verbërit të vërtetën e hidhur se lufta e fundit serbo-shqiptare ka lënë pasoja tepër të rënda tek shqiptarët, çka duhet trajtuar sa më parë me zgjuarsi dhe drejtësi, po qe se ia duam të mirën pasardhësve tanë, po qe se e duam Pavarësinë e Kosovës, po qe se duam zgjidhjen drejt të çështjes madhore shqiptare. Akti i parë i dramës tragjike shqiptare filloi të luhet me daljen e UÇK-së në skenën politike, ku bajraktarët e LPK-së dhe të LBDK-së i përdorën të gjitha mjetet komplotiste për ta përvetësuar dhe privatizuar atë për qëllimet e tyre karrieriste. Siç dihet, këto forca të djallit të mallkuar e prishën marrveshjen e arrijtur për bashkimin e UÇK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes të arritur në maj të 1998 në mes Adem Demaçit dhe Ahmet Krasniqit, dhe kështu u krijuan dy krahë të UÇK-së. Njëri që ishte nën udhëheqjen e Ahmet Krasniqit dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, që donte krijimin e një ushtrie kombëtare të departizuar, të institicionalizuar, të profesionalizuar dhe të komanduar sipas hierarkisë ushtarake bashkarisht nga komandantët e parë të UÇK-së dhe ushtarakët madhorë që i kishin kryer akademitë ushtarake, dhe krahu tjetër, që udhëhiqej nga Xhavit Haliti, Rexhep Qosja, Fatos Nanosi, Hydajet Hyseni, Bardhyl Mahmuti, Hashim Thaçi dhe Ibrahim Kelmendi me Kompani, që donin të bëhet UÇK-ja ushtri e LPK-së dhe LBDK-së, qëllimi i të cilëve ishte marrja e pushtetit mbi shqiptarët e Kosovës pas përfundimit të luftës. Kjo politikë antikombëtare e kryekuqaloshëve shqiptarë solli likuidimin fizik të shumë luftëtarëve dhe veprimtarëve, që kundërshtuan politikën e tyre destruktive dhe antikombëtare, ku në mesin e të zhdukurëve janë edhe katër ushtarë të Brigadës "Mërgimi" të Kolonel Tahir Zemës, të cilët u kidnapuan nga ushtarët e besueshëm të Ramush Haradinajt, në mesin e të cilëve ishte edhe Sinan Musaj nga Strellci. Me çlirimin e Kosovës shumë familje kërkojnë shpjegim nga "komandantët" e vetëshpallur të UÇK-së për t’i zbardhur rastet e zhdukjeve të bijve të tyre, që ishin rrëmbyer nga "Policia sekrete" e UÇK-së. Këtë gjë e bëri me të drejtë edhe kryefamiljari Ramë Musaj nga Strellci duke kërkuar nga Ramush Haradinaj shpjegime dhe informata të hollësishme për rastin e rrëmbimit dhe zhdukjes pa shej të djalit të tij, Sinanit. Familja Haradinaj, në vend që t’i përgjigjet sipas zakoneve shqiptare familjes Musaj, zgjodhën mënyrën më të keqe duke iu mos u përgjegjur fare kërkesave legjitime të saj. Çka është më e keqja, vëllezërit Haradinaj organizohen për ta zgjidhur problemin me familjen Musaj në mënyrën e kaubojve të perëndimit të egër, dhe më 7 korrik të këtij viti- me një numër të madh njerëzish të armatosur, pas mesit të natës- sulmojnë familjen e Ramë Musajt. Ndihma e të Madhit Zot ishte në anën e familjes Musaj, pasi që sulmuesit detyrohen të ikin kah kanë ardhur, të marruar dhe të përgjakur, pa e realizuar planin e tyre mafioz dhe të shëmtuar.  Për dy javë sa ishte Ramush Haradinaj në Spital u pa mjerimi intelektual dhe shpirtëror i shumë "intelektualëve", "politikanëve" dhe "gazetarëve" që edhe aktin e shëmtuar të vëllezërve Haradinaj e arsyetonin duke e fajësuar familjen Musaj për të vetmen arsye se u detyrua ta mbronte integritetin e familjes dhe integritetin e pragut të shtëpisë. Arsyetimet e vëllezërve Haradinaj se kanë shkuar në Strellc për "bisedime me familjen Musaj", nuk pijnë ujë fare. Për çfarë "bisedimesh" mund të bëhet fjalë kur dy palët nuk ishin të barabarta në asnjë mënyrë. Vëllezërit Haradinaj kishin me vete jo pleqnarë apo njerëz autoritativë, por kishin me vete argatët e tyre të mjerë, të armatosur dhe të gatshëm për të rrëmbyer e për të vrarë njerëz, që asnjë të keqe nuk i kishin bërë askujt, ndërsa kryefamiljari Ramë Musaj ishte vetëm me anëtarët e familjes së tij të ngusht që fatmirësisht i kishte pasur ca bomba dore sa për t’ia shpëtuar nderin e familjes. Po sikur vëllezërit Haradinaj të ishin ftuar në bisedime nga familja Musaj, me siguri zhvillimi i ngjarjeve kishte për të shkuar krejt ndryshe, pasi që dihet mirë se si zhvillohën bisedimet në mes dy familjeve shqiptare në ngatërresa apo të hasmuara kur nuk funksionon shteti dhe as ligji. Prandaj, variantin e mbrojtjes së vëllezërve Haradinaj, nuk e beson njeri i gjallë i nënqiellit shqiptar, e lere më opinioni i huaj. Ngjarja e Strellcit përfundoi siç është më së miri. Familja e Ramë Musajt u mbrojt si i ka hije shqiptarit, që dëshiron ta ruajë lirinë dhe nderin e tij, por që e respekton lirinë dhe nderin e tjetrit, që nuk i hyp kujt në qafë, por as nuk lejon t’i hypi njeri i gjallë në qafë. Vëllezërit Haradinaj dhe disa nga argatët e tyre u përgjakën dhe u bë shumë mirë, që e muarën denimin e merituar. Më së keqi e pësuan fëmijët që i zgjoi nga gjumi krisma e kallashëve të vëllezërve Haradinaj dhe argatëve të tyre dhe gratë e fisit, që u trishtuan për fatin e fëmijëve të tyre të paaftë për luftë. Plagët fizike të Ramush dhe Daut Haradinajt u shëruan shpejt. Po vallë kur do të shërohën plagët shpirtërore të familjes Musaj që u krijuan para një viti kur ia rrëmbyen njeriun e tyre të dashur argatët e vëllezërve Haradinaj dhe u ripërtërinë e u rihapën përsëri pas një viti kur u sulmua në pikë të natës familja e Ramë Musajt!  Fatkeqësisht "Ngjarja e Strellcit" nuk u trajtua siç duhej nga mjetet e informimit publik, pasi që asaj i dhanë karakter të njëanshëm, karakterin e një ngatërrese familjare. Po e vërteta u pa se ishte krejt tjetërfare. Familja Musaj e Strellcit dhe familja Haradinaj e Gllogjanit nuk kishin pasur kurrë ngatërresa familjare. Familja Musaj e Strellcit kërkon shpjegim nga Ramush Haradinaj për birin e tij të rrëmbyer dhe të zhdukur para një viti nga ushtarët e këtij? Në këtë rast Ramush Haradinaj është i detyruar ta zbardhi rastin e kidnapimit të katër ushtarëve të Tahir Zemës në mesin e të cilëve ishte edhe Sinani, i biri i Ramë Musajt nga Strellci. Pra, nga Ramushi lypet të tregojë të vërteten e plotë për rastin e ushtarëve të zhdukur.  Po qe se Ramush Haradinaj mendon se me një kërkim faljeje publike familjes Musaj, duke ia ngarkuar asaj edhe gjysmën e fajeve të tij për sulmin e 7 korrikut, do ta mbylli dosjen " Strellci " gabohet rëndë. Po qe se edhe më tutje Ramush Haradinaj e mbyll gojën për të mos treguar të vërtetën e plotë për rastin e ushtarëve të rrëmbyer e të zhdukur, kjo do të thotë se Ramushi është fajtor dhe përgjegjës për zhdukjen e tyre. Atëherë familja Haradinaj i ka në qafë katër gjaqe se edhe ushtarët tjerë nuk ishin kopila por kanë lënë dikend pas vetes. Po vallë, ishte vetëm ky rast i zhdukjes fizike të ushtarëve dhe veprimtarëve gjatë luftës, para luftës dhe pas luftës? Ngjarja e Strellcit e bëri aktuale emërtimin e njerëzve që janë përgjegjës për përpilimin e listave dhe dhënien e urdhërit për vrasje politike. Me ngjarjen e Strellcit duhet të përfundojë akti i dytë i dramës tragjike të luajtur nga kryekuqaloshët shqiptarë, që filloi me çlirimin e Kosovës, kur ata i futën në veprim maskat për t’i vrarë kundërshtarët e tyre politikë që kishin mbetur pa u zhdukur gjatë luftës, por edhe për të krijuar psikozën e frikës tek shqiptarët, që të mos flasin për të ligat dhe krimet e tyre, dhe kështu t’u lihen duart e lira të bëjnë çka të donë jo vetëm me pasurinë shoqërore të Kosovës por edhe me jetën e qytetarëve të saj. Me përfundimin e aktit të dytë të dramës tragjike duhet të fillojë akti i tretë i zbërthimit në detaje të aktit të parë dhe aktit të dytë të dramës tragjike shqiptare para organeve të drejtësisë. Organet e administratës ndërkombëtare të vëndosura në Kosovë dhe Gjygji i Hagës kanë mjaft fakte dhe prova për t’i burgosur dhe për t’i qitur para drejtësisë shumë kriminelë shqiptarë, që vranë shqiptarë vetëm pse këta shqiptarë i njihnin legjitime institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës, që i përkisnin krahut institucional të UÇK-së dhe që kishin autoritet në rrethin ku jetonin e punonin për veprimtarinë e tyre kombëtare.  Por, e mira e së mirës është për Ramush Haradinajn të tregojë jo vetën për rastin e katër ushtarëve të rrëmbyer të UÇK-së po edhe për likuidimet që i ka bërë krimineli me damkë njëfarë Idriz Balaj i njohur me pseodenimin "Togeri " që ishte dora e djathtë e tij. Po qe se Ramush Haradinaj dhe "komandantët" e "udhëheqësit" e vetëshpallur të UÇK-së, që ishin nën urdhërin e Nanoisit mendojnë se pozitat dhe gradat që ia dhanë vetes apo që ua dhanë klanet e tyre pas çlirimit të Kosovës do t’u shërbejnë si alibi për shfajësim nga përgjegjësia që kanë për vrasjet politike, gabohen shumë rëndë. Çdo ditë që po kalon, po dalin në shesh fakte të reja që i akuzojnë ata për komplotistë dhe vrasës. Sado që e hidhur është e vërteta, gjithseqysh është më e mirë se gënjeshtra, se ajo nuk mund të fshihet dhe as të vritet. Pranimi i fajit dhe pendimi i sinqertë për fajet e bëra do t’ua zbusin zemrat njerëzve që ua kanë tharë zemrën dhe i kanë veshur në të zeza. Populli shqiptar është një popull zemërgjërë dhe zemërbardhë. Veçmas u tregua se është popull zemërmadh dhe me vetëdije të lartë kombëtare në të gjitha periudhat historike që bëheshin përgatitjet për luftë çlirimtare duke i falur ngatërresat dhe gjaqet. Këtë gjë e bëri edhe në fillim të viteve ``90-ta kur fali më tepër se njëmijë gjaqe në emër të Zotit për Kosovën, se ishte i bindur që ka ardhur koha për t’u bërë gati për t’i prerë prangat e robërisë shekullore. Edhe tash populli ynë do të vepronte në të njëjtën mënyrë, po qe se Rexhep Qosja, Hydajet Hyseni, Xhavit Haliti, Azem Syla, Bardhyl Mahmuti, Ibrahim Kelmendi, Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi, Salih Veseli, Bislim Zurapi, Jakup Krasniqi, Nasim Haradinaj, Naim Maloku, e të tjerë, do të pranonin fajet dhe do të pendoheshin sinqerisht për fajet e tyre të rënda, që i bënë me vetëdije dhe pa vetëdije, me kusht që të mos i pengojnë proceset e Pavarësisë së Kosovës, dhe të mos i pengojnë njerëzit që dijnë dhe dëshirojnë të punojnë për realizimin e interesave madhore kombëtare, me zgjuarësi dhe trimëri, duke i përdorur me përpikëri mjetet e demokracisë së Evropës Perëndimore.

Shënim i autorit: Është shkruar më, 21.7.2000 në La Chaux-de-Fonds. Ky shkrim i është dërguar menjëherë Redaksisë së "Bota sot" për botim, por, për arsye të asaj kohe, nuk është botuar.