DIASPORA SHQIPTARE NUK DUHET TË TJETËRSOHET

 

 Diaspora shqiptare luajti rol me rëndësi në të gjitha periudhat e rëndësishme të historisë sonë më të re. Ajo edhe tash e tutje duhet ta luajë rolin që i takon për t’u bërë një krah i fortë i çështjes sonë kombëtare. Detyrat e saj janë të shumta, por të pa realizueshme po qe se ajo nuk organizohet në baza kombëtare. Në dhjetëvjetshin e fundit të shekullit të 20-të ajo, edhe pse kreu shumë punë me rëndësi kombëtare, nuk qe e aftë t’i kryente edhe shumë detyra që i takonin për arsye se ishte e copëzuar në baza partiake dhe regjionale. Me çlirimin e Kosovës diaspora, në vend se të gjallërohet dhe të riorganizohet në baza kombëtare, ajo ka filluar të tjetërsohet pasi që shumica e mërgimtarëve kanë filluar të mirren vetëm me punët e tyre personale e familjare. Kuptohet se Kosova ëshë plagosur rëndë nga barbarët serbë dhe një pjesë e madhe e popullsisë së saj po mundohet t’i shërojë plagët e luftës. Shumë familje gjatë luftës kanë humbur të dashurit e tyre, kanë humbur shtëpi e pasuri. Kuptohet që mërgimtarët kanë detyrë parësore t’i ndihmojnë familjet dhe të afërmit e tyre, por shumë familje nuk kanë askend të punësuar jashtë vendit. Ato jo vetëm që kanë hallin e banimit por kanë hallin e mbijetesës fizike, sepse iu mungojnë gjërat elementare të jeteses. Më së keqi kanë mbetur familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës dhe pensionistët, për të cilët interesimi i shoqërisë shqiptare nuk është i mjafueshëm. Edhe pse dëshmorët dhe familjet e tyre po "mbrohen" nëpër tubime përkujtimore, në ndeja dhe biseda të rastit ato kanë mbetur në mëshirën e individëve me zemër të madhe dhe shoqatave të huaja humanitare. Nënë Tereza dhe ca shoqata tjera të vogla humanitare të shqiptarëve të Kosovës nuk kanë mundësi t’i përthekojnë të gjitha nevojat e shqiptarëve të Kosovës që kanë nevojë për ndihma humanitare. Ka ardhur momenti që Kosova, Shqipëria dhe Viset tjera shqiptare të ndërrmarin aksione të përbashkta në nivel kombëtar, e njëra ndër to është që sa më parë të jetësohet formimi i një fondacioni i cili do ta merrte barrën e kujdesit për familjet e dëshmorëve, për jetimët dhe invalidët e luftës dhe skamënorët në gjithë hapsirën kombëtare. A nuk u treguan shqiptarët e Shqipërisë solidarë me popullin vëlla të Kosovës kur Serbia me terror e largoi nga Kosova për ta bërë pastrimin etnik të saj. A nuk u treguan vëllezërit tanë që jetojnë në viset e tyre në Maqedoni solidarë dhe dorëshlirë ndaj vëllezërve të tyre në Kosovës dhe në Shqipëri çdo herë kur u kërkua ndihma e tyre.  Populli shqiptar është human dhe zëmërgjerë, por fatëkeqësishtë ka një të metë të madhe, mosaftësinë për t’u organizuar. Po qe se shqiptarët arrijnë ta formojnë një fondacion për ndihma humanitare në nivel kombëtar, problemet sociale do t’i tejkalojmë si është më së miri, dhe do të bëhen hapa të rëndësishëm për organizime tjera, që do të çonin në krijimin e kushteve që shqiptarët si komb të bëjnë edhe shumë punë tjera të mbara. Mendojmë se Krijimi i Fondacionit "Japim për Zotin" në Kosovë, Shqipëri, në Viset tjera shqiptare dhe në diasporë, që do të qeverisej nga njerëzit më autoritativë të shoqërisë shqiptare, do të krijonte një institucion mbarëkombëtar, i cili do të kujdeset për çdo familje dhe individ që i mungojnë mjetet e jetesës për të pasur një jetë normale. Familjet e dëshmorëve e të masakruarëve (martirëve), jetimët dhe invalidët e luftës në Kosovë dhe skamnorët në gjithë hapësirën kombëtare do të jenë nën kujdesin e atij Fondacioni. Po qe se në atë Fond çdo vit kryefamiljarët do të derdhnin së paku 10 DM, 10 FS, apo 10 dollarë për anëtarët e familjes së tyre, ndërsa pasanikët sipas mundësisë dhe zemrës, Fondacioni "Japim për Zotin" do t’i kryente me sukses detyrat humanitare në gjithë hapësirën tonë kombëtare. Po qe se ky organizim do të ketë sukses, rëndësia e tij do të jetë e shumëfishtë, pasi që do të jetë një shtytës i fortë i organizimeve tjera në nivel kombëtar, që do të sillte perparime në të gjitha fushat e jetës, por edhe begati dhe paqë në çdo familje shqiptare.  Shqiptarët nuk guxojnë të tjetërsohen si individ dhe si komb. Solidariteti ndërnjerëzor i tyre ka qenë i fortë gjatë shekujve. Ai luajti rol me rëndësi në ruajtjen e qenies sonë kombëtare, prandaj duhet të vazhdohet dhe të forcohet se është vyrtyt yni kombëtar. Edhe sot kur shqiptarët në gjithë hapësirën e tyre kombëtare po ballafaqohen me probleme të shumta të jetesës, solidariteti për ta ndihmuar njëri- tjetrin është i ngulitur në shpirtin e tyre, por sa më parë duhet krijuar institucioni ku shqiptari ta ketë besimin, që mjetet e tubuara do të shkojnë në vendin e duhur për çka edhe janë mbledhur.

Shkruar më 27.11. 2000. Botuar :"Bota sot", më 21 maj 2002.