MBI KEND BIE PËRGJEGJËSIA PËR VRASJEN E AHMET KRASNIQIT

 

 Një Qendër antishqiptare dha urdhërin.  Një dorë e zgjatur katile e Serbisë bëri krimin.  E vranë kolonel Ahmet Krasniqin, Ministrin e Mbrojtjes dhe Komandantin e Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, se në Të panë zotësinë për ta riorganizuar UÇK-në dhe për ta bërë atë forcë të pathyeshme ushtarake, me të gjitha parametrat e një ushtrie moderne dhe profesionale, që do të ishte e aftë për ta çliruar çdo pëllëmbë të robëruar të tokës shqiptare.  Po, e vranë ushtarakun madhor Ahmet Krasniqin armiqtë tanë, se ai do t’ua prishte planet e tyre djallëzore, se ai do t`i shkatërronte planet antishqiptare të Beogradit, Athinës, Shkupit dhe aleatëve të tyre.  Vdekja në këto momente tragjike të kombit tonë, të strategut të luftës, veprimtarit dhe atdhetarit të dalluar, që me përkushtim punoi përpos punëve profesionale ushtarake, edhe për bashkimin e të gjitha forcave politike e ushtarake shqiptare, do të jetë një humbje e madhe për popullin tonë e UÇK-në, e cila aq shumë ka nevojë për kuadro të larta ushtarake, për atdhetarë të mirëfilltë, që janë të painfektuar nga sëmundjet partiake, ideologjike, karrieriste dhe klanore, siç ishte Ahmet Krasniqi.  T’i përgjigjesh pyetjes që sot shtrohet kudo ndër shqiptarë,-se kush e vrau Ahmet Krasniqin-, nuk është lehtë dhe thjeshtë. Një gjë është e sigurtë, se urdhërin për këtë atentat politik e ka dhënë Qendra antishqiptare, serbo-sllavo-greke, e cila vitin që shkoi e realizoi pjesën e parë të skenarit antishqiptar, duke e kallur Shqipërinë dhe institucionet e Shtetit të saj nëpërmjet stalinistve shqiptarë, dhe solli në pushtet forcat prosllavo-greke. Pjesa e dytë e skenarit antishqiptar filloi me burgosjet dhe atentatet politike gjatë këtij viti të atdhetarëve demokratë, atentate që kanë për qëllim ndezjen e luftës qytetare në mes Veriut dhe Jugut të Shqipërisë në njërën anë dhe lënien e Kosovës nën kthetrat dhe mëshirën e çetnikve të Beogradit në anën tjetër. Zhdukja fizike me atentate e Azem Hajdarit dhe Ahmet Krasniqit në Tiranë dhe plagosja e Sabri Hamitit në Prishtinë tregon qartë se këto atentate janë përgatitur nga një Qendër komanduese, që patën për qëllim arritjen e efekteve politike, e në rend të parë, për t`i dobësuar forcat e shëndosha kombëtare, dhe mbjelljen e frikës ndër shqiptarë, që të mos e kundërshtojnë linjën antikombëtare, që sot e gjithë ditën po punon për interesa të armiqve tanë në Shqipëri, Kosovë dhe në Viset tjera shqiptare, si dhe në diasporën tonë.  Për vrasjen e Ahmet Krasniqit do të jenë përgjegjës, përpos armiqve tanë shekullorë, edhe: Liderët e partive politike shqiptare të Kosovës, që popullin e gjorë e përçanë në baza ideologjike partiake dhe klanore, të cilët po mundohen t`ia nxerrin sytë njëri- tjetrit për pozita udhëheqëse shtetërore pa e bërë ende shtetin.  Do të jenë përgjegjës para historis për vrasjen e Ahmet Krasniqit udhëheqësit e subjekteve shtetërore të Republikës së Kosovës, të cilët po bëjnë luftë të pa kompromis për t`i mbajtur sa të jenë gjallë pozitat dhe kolltuqet e fituara më parë.  Do të jenë përgjegjës para historisë për vrasjen e Ahmet Krasniqit edhe pararoja komuniste e LPK-së, që po sillet nëpër rrugët e Tiranës dhe Evropës Perendimore duke i thelluar përçarjet e shqiptarëve në baza ideologjike dhe duke penguar bashkimin e tyre në baza të shëndosha kombëtare.  Por përgjegjësinë më të madhe për vrasjen e Ahmet Krasniqit do ta ketë Qeveria e Kosovës dhe në veçanti Kryeministri, që Ministrin e Mbrojtjes e ngarkoi me detyra dhe përgjegjësi të mëdha kombëtare, por pa ia dhënë pavarësinë për të vepruar dhe mundësinë për t`i vënë në veprim të gjitha aftësitë e tij ushtarake e organizative, për ta forcuar faktorin ushtarak të Republikës së Kosovës- UÇK-në. Një UÇK e institucionalizuar me siguri do ta detyronte klasën politike të Kosovës të bëhet e ndërgjegjshme për përgjegjësinë historike dhe kombëtare që ka; por as nuk do t’u lejonte ta çojnë Kosovën në këtë gjendje të mjerë që e çuan si pasojë e përçarjeve të tyre partiake dhe klanore. Eshtë dashtë të kallet e të bëhet rrafsh me tokë Drenica dhe Dukagjini! Eshtë dashtë të mbeten pa kulm mbi krye një e katërta e popullsisë së Kosovës, të cilët u detyruan të gjejnë shpëtimin nga masakrat serbe duke u fshehur nëpër male, apo për t’u shpërngulur jashtë Kosovës, nëpër katër anët e botës! Është dashtë të masakrohen, të vriten e të zhdukën me mijëra shqiptatë, gra, fëmijë, pleq dhe njerëz të paarmatosur! Është dashtë, më në fund, të vritet edhe Ahmet Krasniqi nga dora e zgjatur e Serbisë, për t’u legalizuar Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, të cilën Ahmet Krasniqi e udhëhoqi në kushte jashtëzakonisht të vështira, pa përkrahjen e duhur të Kryeministrit, me pengesa të mëdha që i krijonin sigurimet e huaja të infiltruara në SHIK-un e Shqipërisë, me pengesa të mëdha të krijuara nga pararoja staliniste e LPK-së, e cila e pengoi bashkimin e forcave të armatosura ushtarake, dhe me punën e tyre pa përgjegjësi i sollën dëme të mëdha UÇK-së dhe çështjes sonë kombëtare.  Opinioni shqiptar kërkoi nga organet shtetërore të Qeverisë së Shqipërisë dhe të Qeverisë së Kosovës t`i zbulojnë dorasit e atentateve politike, që u kryen në Tiranë dhe Prishtinë kundër Hajdarit, Krasniqit dhe Hamitit. Por, të shpresosh se SHIK-u do t`i zbardhë këto atentate që u kryen në Tiranë, është papjekuri politike, kur është më se e sigurt se njerëzit e saj kanë qenë të përzier në përgatitjen e këtyre atentateve. Ndërsa të pritësh se Organet shtetërore të Republikës së Kosovës do t`i gjejnë sot kriminelët e dy atentateve politike që u bënë ndaj dy personaliteteve të rëndësishme të dy institucioneve shtetërore të Kosovës është jo reale.  Por një gjë duhet shpresuar, se një ditë drejtësia ka për të fituar, dhe kriminelët e këtyre atentateve, sëbashku me ideologët e tyre, do të zbulohen dhe Organet gjyqësore të Tiranës dhe Prishtinës do t’ua japin dënimet e merituara.

Botuar "Bota sot" 16 tetor 1998 dhe në "Rimëkëmbja" nëntor/98