NË PËRKUJTIMIN E 13 VJETORIT TË PAVDEKËSISË SË METUSH KRASNIQIT

 

IDEOLOGJIA E TIJ-NACIONALIZMI SHQIPTAR

 

 Viti 1999 për popullin shqiptar ishte viti i tragjedive të mëdha familjare dhe kombëtare, por edhe viti që solli prerjen e prangave të robërisë serbe për shqiptarë të Kosovës, dhe hapi perspektivë të shkëlqyer  për kurorizimin e aspiratave të natyrshme të popullit tonë për çlirim dhe bashkim kombëtar.  Më në fund pas shumë përpjekjeve të vazhdueshme, gjeneratë pas gjenerate, në mënyra dhe mjete të ndryshme që lejuan kushtet dhe rrethanat e brendshme dhe ato të jashtme, puna dhe mundi me përkushtim i Burrave të Mëdhenj të kombit dhanë frytin e suksesshëm, që solli çlirimin e Kosovës. Shkijet gjakatarë u detyruan të ikin me bisht për këmbe kah kanë ardhur, pas dajakut që muarën nga NATO-ja dhe luftëtarët trima të UÇK-së, duke shkretuar dhe lënë pas vetes shkatrrime, kallje, djegie dhe varre masive, siç di të bëjë vetëm dora katile e shkaut.

 Mësuesi i atdhedashurisë

 Sot kur Kosova ka filluar t’i shërojë plagët e rënda dhe po i bën hapat e parë kah Pavarësia e saj, nuk mund të mos i përkujtojmë me nderimet më të mëdha Prijësit e Lëvizjes sonë Kombëtare, që punuan dhe vepruan tërë jetën e tyre me përkushtim, për të mbajtur të ndezur zjarrin e rezistencës sonë kombëtare, të cilët shkuan në botën e amshueshme me sy çelur, pa ditur se si dhe kur do të zgjidhen çështjet madhore kombëtare; nuk mund të mos i përkujtojmë luftëtarët trima të cilët e luftuan pushtuesin serb, qëkur shkeli thundra e tyre në tokën shqiptare.  Kosova, që nga kohërat e lashtësisë së largët, ka dhënë Burra të Dheut, të cilët kundërshtuan dhe luftuan synimet e fqinjve tanë, për të na i gllabëruar trojet tona dhe për të na zhdukur si popull nga faqja e dheut. Njëri ndër Burrat e Dheut, që dallohej me kjartësinë politike dhe orientimin properendimor që kishte, me ideologjinë kombëtare që udhëhiqej, dhe me punën konkrete që kreu, është Metush Krasniqi i cili me plot të drejtë nga bashkëveprimtarët e tij quhej: Mësues i atdhedashurisë dhe ideolog i nacionalizmit shqiptar.  Njëri ndër faktorët kryesorë që ndikuan në krijimin e personalitetit të Metush Krasniqit pa dyshim është faktori i familjes, që e rriti, e edukoi dhe e shkolloi, për tu bërë një burrë i zoti që do ta vazhdonte dhe do ta çonte më përpara punën e pakryer të shumë gjeneratave, punën e lënë gjysmë nga babai i tij Asllani, i cili kishte marrë pjesë në aradhat e Idriz Seferit për pavarësinë e Shqipërisë, ndërsa më vonë edhe në aradhat e Mulla Idriz Gjilanit për ta luftuar robërinë serbo-sllave dhe komunizmin rus. Faktori i dytë që ndikoi fuqishëm në shpirtin liridashës të Metushit për ta urryer çdo gjë serbo-sllavo-komuniste ishte tradhtia që komunistët serbë ia bënë Konferencës së Bujanit, ndërsa faktori i tretë që ndikoi shumë në Metush Krasniqin ishte njohja e tij me mësuesin atdhetar dhe ideologun e NDSH-së, Gjon Sereçin, që u bënë shokë dhe bashkëveprimtarë. Pushkatimi i Gjon Sereçit nga komunistët çetnikë dhe dënimi me burgje të gjata të shumë anëtarëve të Organizatës së NDSH-së, e trazuan dhe e prekën thellë shpirtin e Metush Krasniqit, por i dhanë edhe forcë dhe energji të pashtershme për ta vazhduar punën dhe veprën e nisur të Gjon Sereçit me përkushtim.  Se me të vërtetë Metushi Krasniqi meriton të quhet Mësues i Atdhedashurisë, tregojnë shumë fakte, por mbi të gjitha duhet cekur punën e tij të palodhshme në edukimin dhe arsimimin e brezit të ri në baza të shëndosha kombëtare. Ai kudo që shkonte i trajtonte problemet që kishin të bënin me çështjet kombëtare. U shpjegonte njerëzve se robëria serbo-sllave është shkaktare e të gjitha të ligave, vuajtjeve, mjerimeve dhe varfërisë që mbretëronin kudo në Kosovë. U tregonte rrugën që do të na sillte lirinë dhe drejtësinë. Ishte i afërt me të gjitha shtresat e popullsisë pasi që kishte një thjeshtësi të natyrshme. Prezenca e tij në oda burrash, në takime intelektualësh apo në takime rasti me njerëz të moshave dhe profesioneve të ndryshme, të linte përshtypjen e një personaliteti të jashtëzakonshëm, që ishte krejtësisht i veçantë prej të tjerëve në sjellje, në biseda dhe në qëndrimin e tij të sinqertë e korrekt ndaj bashkëbiseduesit, me kjartësinë e trajtimit të problemeve, me tolerancën që kishte ndaj bashkëbiseduesit, i cili kishte botëkuptime dhe mendime të ndryshme për çështjet për të cilat bisedohej.

 Metush Krasniqin e thërisnin me epitetin"Nacionalisti"

 Metush Krasniqi për dallim nga shumica e udhëheqësjes dhe prijësve të Lëvizjes sonë kombëtare për çlirim dhe bashkim kombëtar, nuk kishte bindje marksiste-leniniste, por kishte bindje nacionaliste, por shpirti i tij i madh dhe zemërgjërësia e pakufishme bënte që ndaj njerëzve me bindje komuniste, por që thonin se interesat e atdheut i venin mbi interesa ideologjike, i konsideronte shokë të mirë, duke ndier dhimbje për ta, që ishin aq shumë të manipuluar nga kjo ideologjia e djallit të mallkuar, siç e quante shpesh ai marksizëm-leninizmin. Përkundrazi, shumica e ish të burgosurve politikë duke ndier "epërsinë" e tyre që kishin bindje komuniste, Metush Krasniqin e quanin me epitetin "Nacionalisti", që kishte një domethënie "nënçmimi" për ta, me që sipas tyre, nacionalistët ishin njerëz të "prapambetur", ashtu siç ishin të "prapambetur" edhe njerëzit fetarë, që i besonin Zotit. Ai i çmonte lart të arriturat demokratike të Evropës Perendimore, ndërsa pluralizmin partiak e shihte si mekanizëm që zhvillimet demokratike i çon përpara e nuk lejon degjenerimin e shoqërisë, korrupsionin politik dhe atë ekonomik. Ishte një demokrat i vërtetë, human, zemërbardhë, i cili iu ndihmonte shumë njerëzve me të gjitha mundësitë që kishte.  Me siguri, Metush Krasniqi kur është përcaktuar për profesionin e mësuesit, kishte për qëllim edukimin dhe arsimimin e brezit të ri në baza të shëndosha kombëtare, sepse popullit i duhen djem dhe vasha të dijshme dhe trime, për t’i dalë zot popullit dhe tokës mëmë, çdo herë kur e lyp nevoja. Viti shkollor 1947/48 e gjeti mësues në Shipashnicë dhe pastaj pasi e kreu Shkollën Normale në Gjakovë, më 1950, punoi edhe në shumë fshatëra tjera të Anamoravës, si në Hogosht, Korotin, Shipashnicë, Muqivërc, Roganë, Srezofcë etj, ku përpos mësimit të rregullt organizonte edhe shumë kurse për të rriturit, për t’ua mësuar shkrim-leximin analfabetëve, që numri i tyre ishte i madh në vendlindjen e tij si kudo në Kosovë.  Në vitin 1950 Metush Krasniqi përpos punës që kryente në procesin mësimor e muar nismën me disa anëtarë të NDSH-së, siç ishin Mark Gashi, Sejdi Kryeziu, Qemail Kallaba, Mehmet Dërmaku etj, për formimin e Organizatës ilegale, që faktikisht ishte vazhdim i organizatës së NDSH-së, por për shkaqe të konspiracionit iu dha emri: "Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë". Veprimtaria kryesore e Metush Krasniqit me shokët e Organizatës ishte që ta pengojnë shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi, por kryenin edhe punë tjera organizative dhe strategjike, që kishin rëndësi afatgjate. Autoriteti i Metush Krasniqit i cili rritej çdo ditë e më tepër, dhe puna e suksesshme në arsimimin dhe edukimin jo vetëm të brezit të ri por edhe të të rriturve për t’u bërë luftëtarë trima të çështjes madhore kombëtare, iu bie në sy këlyshve të Beogradit dhe- më 5 tetor 1956- e burgosën për herë të parë, por për munges faktesh dënohet vetëm me dy muaj burg për delikt verbal. Duke qenë i vetëdijshëm se përcillej nga këlyshët e UDB-ës, detyrohet të shesë një pjesë të pasurisë së patundshme për të blerë shtëpi në Shkup, me qëllim që atje ta vazhdonte më lehtë veprimtarinë e nisur ilegale, por edhe të mbillte farën e atdhedashurisë në rrethin e Shkupit, ku për dy vjet punoi mësues. Më 5 nëntor 1958 Metush Krasniqi burgoset në Shkup për të dytën herë, dhe me 7 mars 1959 dënohet me 18 vite burg të rëndë dhe tri vjet kufizim i të drejtave qytetare pas vuajtjes së dënimit. Qëndrimi burrëror dhe trimëria për ta akuzuar pushtuesin serb në seancat gjyqësore, pa bërë përpjekje për ta mbrojtur vetveten, rritën autoritetin e Metush Krasniqit ndër bashkëkombas dhe e forcuan shpresen te popullsia e Anamoravës se Liria nuk është larg, se këmba e shkaut nuk do të ketë vend në Kosovën martire. Metush Krasniqi edhe në burgjet serbe tregoi karakterin e lartë të luftëtarit të pathyeshëm, edhe pse torturat serbe ishin të mëdha dhe të llojllojshme. Ai me krenari i mbajti prangat në këmbë prej 18 kilesh plot 18 muaj, ndërsa e duroi izolimin e plot 33 muaj. Metushin e provuan ta thyejnë edhe me uri, duke ia zvogëluar dyfish racionin që i takonte sipas Rregullores së burgut, por Metush Krasniqi mbeti i fortë dhe krenar sikur ditën e parë kur shkeli këmba e tij në burgun e shkaut.  Fatmirësisht, kur Kosova gjendej në rreziqet më të mëdha nga armiqtë tanë dhe popullsia jepte shenjat e demoralizimit, i Madhi Zot i krijonte situatat e favorshme për popullin e robëruar shqiptar. Plenumi i Brioneve i mbajtur kah mesi i vitit 1966, bëri që klani i Titos të fitonte mbi atë të Rankoviqit. Kosova filloi të frymon lirisht. Shqiptarët e larguan frikën dhe e forcuan shpresën e molisur. Të burgosurve politikë iu zvogëluan dënimet. Kështu Metushi, Demaçi dhe të gjithë të burgosurit politikë që ishin nëpër burgjet e Jugosllavisë përfituan nga kjo situatë, që u krijua në Jugosllavi. Festën e 28 Nëntorit të 1996 Metushi e feston në shtëpi, fatkeqësisht pa babain që i kishte vdekur tri ditë para se t`i kthehej në shtëpi biri i tij i dashur.  Si prind, Metushit i dolën detyra të mëdha. Duhej shkolluar fëmijët që ishin rritur pa përkëdheljen e tij, që ishin rritur në skamje dhe në përbuzje nga këlyshët e UDB-së. U punësua në Shkollën Teknike "19 Nëntori"në Prishtinë, referent për çështje nxënësish më 1967, ku gjatë kohës sa punoi, shumë të rinj i orientoi në rrugën që shpinte për t’u bërë luftëtarë të denjë të zgjidhjes së çështjes kombëtare, në mesin e të cilëve ishte Ahmet Krasniqi, një nxënës shembullor dhe i shkëlqyshëm, i cili i vazhdoi studimet e artit ushtarak me përkrahjen, porosinë dhe detyrën konkrete që ia ngarkoi Metush Krasniqi. Udbashët nuk e lënë të qetë edhe këtu Metushin. Më 1976 e largojnë nga puna me arsyetimin se ka bindje nacionaliste. Metushi nuk rrinte durkryq, ai iu përvishet studimeve në Fakultetin e Drejtësisë, dhe i kryen me kohë, edhe pse i shtyrë në moshë. Me ndihmën e shokëve pastaj punësohet në Drejtorinë e Transportit Hekurudhor në Fushë -Kosovë.  Në organizimin e demonstratave të para që i organizoi Grupi i të rinjve më 1968 pati hise edhe Metush Krasniqi, duke ua dhënë këshillat e tij të vleshme të Rinjve nëpërmjet Sabri Novoselës. UDB-ja e burgosi Metush Krasniqin dy ditë pasi u kryen demonstratat, por pas 24 orëve e lëshojnë duke mos pasur kurrfarë provash për ta mbajtur më tepër në burg. Metush Krasniqi ishte edhe largpamës. Ai parashihte se me vdekjen e Titos, nuk do të ketë personalitet që do ta mbante nën kontroll shovinizmin serb dhe nacionalizmin kroat, prandaj i muar të gjitha masat për formimin e një Organizate që do të bënte përgatitjet e duhura që, në momentin e përshtatshëm, populli ynë të jetë i gatshëm dhe i aftë për t’i prerë prangat e robërisë, për ta fituar lirinë. Pas konsultimeve dhe përgatitjeve të duhura në mbarim të 1976 dhe në fillim të vitit 1977 formohet "Lëvizja Nacional Çlirimtare e Kosovës dhe e Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi" (LNÇKVSHJ), ku punët më të mëdha i kryen Metush Krasniqi, Sabri Novosella dhe Jusuf Gërvalla.  Më 1979 Sabri Novosela dhe Jusuf Gërvalla detyrohen ta lëshojnë Kosovën për shkak të mundësisë së burgosjes së tyre, ndërsa Kryetari i Organizatës Metush Krasniqi me pjesën me të madhe të Udhëheqësisë së Organizatës mbetën në Kosovë për të kryer detyrat që parashihte Statuti i saj. Ishin fillimet e viteve 1980-ta, kur Lëvizja jonë Kombëtare kishte marrë hov të madh në Kosovë dhe Viset tjera Shqiptare. Ekzistonin grupe dhe Organizata me programme dhe statute të ndryshme. Metush Krasniqi u vu në ballë të përpjekjeve për bashkimin e tyre në një Qendër organizimi dhe veprimi, por enveristët kosovarë nuk e donin atë bashkim i cili më parë nuk ua siguronte udhëheqjen e Lëvizjes, dhe më vonë edhe marrjen e pushtetit në Kosovë prej tyre, dhe kështu Lëvizja mbeti e ndarë në baza ideologjike. Metushi burgoset pas demonstratave të ``81-it dhe mbahet në burgun hetues të Gjilanit tetë muaj. Për mungesë faktesh, detyrohen ta lirojnë, pasi që Metush Krasniqi, si çdo herë më parë, ishte memec para hetuesve dhe kriminelëve udbashë. Ndërsa përpjekjet e Jusuf Gërvallës për t’i bashkuar shqiptarët në baza kombëtare, pa marrë parasysh bindjet e tyre ideologjike dhe besimin fetar, i kushtoi me jetë. U bë atentat në veturën ku ishtin Jusufi, Bardhoshi dhe Kadriu më 17 janar të vitit 1982.  Me 4 nëntor 1985, Metush Krasniqi burgoset për të pesten herë, ku për dallim prej herave tjera, nuk e keqtrajtojnë çetnikët e Beogradit, por veglat e tyre të verbëra, Selim Brosha dhe Zymber Zymberi me kompani. Dhe sot këta udbashë nderohen prej shqiptarëve, në vend se të leqitën prej tyre, jo vetëm rrethi që i njeh, por edhe pasardhësit dhe familja e gjërë e tyre, kur dihet se Metush Krasniqin e kanë mbytur me dru këta kriminel të pjellës shqiptare, dhe për t’i fshehur këmbet e gjarprit tinzar, e lëshuan Metushin si të " pafajshëm" pasi mjeku i burgut kishte konstatuar se jeta e tij numërohet në ditë. Vendimin e "pafajësisë" e lëshoi Gjyqi i Qarkut të Prishtinës, pasi i kishte marrë urdhërat nga UDB-ja e Prishtinës, edhe pse gjatë hetimeve disa të burgosur kishin pohuar se kanë punuar me Metush Krasniqin punë ilegale. Edhe pse Metush Krasniqi u shtri në Spitalin e Prishtinës, mjekët nuk mundën t’ia shpëtojnë jetën që ia kishin shkatërruar sa burgjet e mëparshme aq edhe burgosja e fundit. Më 15 tetor të vitit 1986 ndërroi jetë, për të shkuar në botën e amshueshme, ndërsa Lëvizja jonë Kombëtare mbeti pa udhëheqësin e saj më largëpamës, ideologun e nacionalizmit shqiptar, mësuesin e Atdhedashurisë dhe veteranin e shkollës shqipe të Kosovës, që kishte një kjartësi politike e aftësi të jashtëzakonshme organizative dhe besim të madh në të gjitha shtresat e popullsisë së Kosovës dhe Viseve tjera shqiptare.  Me zhdukjen fizike të Jusuf Gërvallës dhe Metush Krasniqit, dhe para një viti edhe të ushtarakut madhor kolonel Ahmet Krasniqit, që i kreu studimet e artit ushtarak me porosinë e Metush Krasniqit e pastaj u bë edhe anëtar i LNÇKVSHJ, populli ynë përjetoi goditjet më të rënda, ku pasojat e asaj goditjeje po i shohim sot të gjithë.

Botuar :"Bota sot" më 18 tetor 1999 PS. Nëntitujt i ka vënë redaksia.