MBETËM PA SHOKUN TONË TË VJETËR

 

 Na la shoku ynë i vjetër. Na la shoku ynë i rinisë së hershme me plotë iluzione dhe ëndrra. Na la shoku ynë i burrërisë së fortë dhe i fjalës. Na la shoku ynë i përvuajtur, i thjeshtë e zemërgjërë Avdyl Lahu.  Sa shpejt kaluan vitet, sa shpejt kaloi koha nga ato ditët e bukura të shtatorit të vitit 1960, kur i filluam mësimet e mesme në Prishtinë. Thonë se rastet i takojnë njerëzit për t’u bërë shokë të pandashëm, shokë për t’i ndarë së bashku gëzimet dhe hidhërimet, për ta luftuar të keqen dhe të shëmtuarën sëbashku. Po ishte ai rasti i një refuzimi për të bajtur parulla ku i thurej lëvdatë tradhtisë, ku lavdohej robëria. Po ai rast na i bashkoi mendimet, na i bashkoi veprimet simbolike të vazhdimit të Asaj rrezistencës së gjatë me shekuj nga gjenerata të shumta. Nuk donim t’i përcillnim përshendetje dhe gëzime Atij që, pasi kishte bërë përpjekje të na zhdukë si komb, na futi nën zgjedhën e tij. Ne nuk kishim për t’i përcjellë as përshëndetje dhe as gëzime Atij! Po shoku ynë, patëm shumë halle e shumë gajle. Po, edhe gëzime kemi pasur! Gëzime edhe të mëdha bile. Shpresa për ta mundur të keqen; shpresa se gjeneratës tonë do t’i takojë privilegji i flijimit për Qëllime të larta kombëtare e njerëzore, për ta realizuar Endrrën e kahmotshme të popullit tonë, na gëzonte shumë. Edhe rezistenca simbolike, edhe sukseset e bashkëkombësve tanë në arritjen e dijës; në fitimin e titujve të lartë shkencorë, na gëzonin pa masë.  Ishim ulur në oborrin e shkollës me shumë shokë. Ishin me ne edhe Hajradini dhe Ruzhdiu. Nuk kishim mundësi çdo njëri prej nesh ta blenim Rilindjen, por kishim mundësi ta blejmë me radhë. Po, ishte organizimi ynë i parë, për ta pasur çdo ditë në duart tona gazetën tonë të përditshme me emrin i saj të madh. Lajmi më i gëzuar i asaj dite të bukur pranverore ishte se profesor Dervish Rezhaja u bë doktori më i ri në Evropë, nga lamia e biologjisë. Gëzim dhe krenari të përziera së bashku. Ty, shoku ynë i dashur të qeshte fytyra më tepër se ne. Si duket gëzimi yt ishte më i madh, apo kishe edhe një gëzim tjetër atë ditë, por ne nuk e dinim. Numri i nxënësve shqiptarë ishte i vogël. Edhe tekstet dhe lektyra shkollore na mungonin shumë. Shënimet që na i diktonin profesorët tanë i huazonim nga njëri tjetri. Sa shkrim të bukur që kishe! Po, sa i vështirë ishte për ta lexuar! Edhe ato libra të pakta, me prozë e poezi që i siguronim, i huazonim mes nesh. Pritnim në radhë për t’i lexuar ato, për një natë, apo për dy ditë si: "Lulja e Kujtimit", "Sikur të isha djalë", "Gjarpnijt e gjakut". Po "Lahuten e Malësisë"- disa blej, i patëm lexuar së bashku në një banesë të një shoku. Ti lexoje bukur e rrjedhshëm, prandaj atë natë lexove më së tepërmi. Më vonë na u botuan përmbledhjet e veprave të Çajupit, Migjenit, Naimit në nga një libër. Këto vepra u bënë ushqim shpirtëror për shpirtin e rinisë shqiptare që kishte aq vullnet të madhë per të zënë dije. Kishte aq shumë dëshirë për ta larguar errësirën që na i kishte mbuluar Trojet tona, njerëzit tanë.  Po, shoku ynë, sa ëndrra të bukura thurrnim për Kosovën dhe Viset tjera Shqiptare! Sa ëndrra të bukura thurnim për Shqipërinë! Edhe Qyqavicën edhe Gollakun e mbillnim me lloj-lloj pemësh, për ta furnizuar me fryte jo vetëm Shqipërinë, por edhe Evropën. E, sa rrugë të gjëra bënim plan t’i ndërtonim, kur të bashkohet kombi ynë, kur t’i bashkojmë trojet tona, të copëtuara me thikë nga kasapët e Evropës dhe fqinjve tanë. Nuk përtoje të sillje edhe shifra, sa do të bëhemi ne këtë vit, e sa në atë vit. Sa do të bëhemi të fortë dhe sa do të kemi begati në këtë vit, e sa në atë vit. Varëfërinë e patëm dënuar me vdekje! Tradhtinë po ashtu. Sa të lumtur bëheshëmi në ato çaste! Çfarë gëzimi përjetonim ne, me fantazirat tona të bukura e të pastra si loti. Dëshira e përzier me fantazinë, për tu bërë realitet duhej punë e madhe. Po, ishim të vetëdijshëm se të gjitha ato të mira që i gjakonim nuk vijnë vetë, nga qielli, si pikat e shiut, pa punë të mundimshme dhe vullnet të fortë. Ishim krenarë, se ishim të bindur që gjenerata e jonë do të jetë ajo që do ta kurorëzojë ëndërrën shekullore të popullit tonë, për të pasur një jetë të denjët si i ka hije njeriut, të jetë: i lirë në vend të vetë, pa qenë skllav i askujt, por i barabartë me popujt tjerë të Globit tokësorë të vetëm, që i Madhi Zot e krijoi me bukuri dhe pasuri të shumta, të mjaftueshme për të jetuar si është më mirë, po qe se nuk keqpërdorën këto të mira nga njerëzit e pangirë, nga njerëzit e çuar peshë, pa ndjenja njerëzore dhe humane.  Sa kujtime të bukura kanë mbetur në kujtesën time shoku ynë i dashur. Vizitat e tuaja në Gjytetin e Strofcit, në qytetin gërmadhë dardan. Sa përshtypje të patën bërë "Tabja e Topit", "Roga e Prekokes", "Ujësjellësi Qëndror i Kështjellës", "Kroni i Etheve", "Guri i Madh" dhe "Rogat e Isufit". Po, shoku ynë, fakte të shumta, të një qytetërimi të lashtë. Po anomalia jonë shqiptare. Si duket flejtëm shumë, apo ndryshuam shumë, si rrjedhim i presioneve të mëdha nga lindja dhe nga perëndimi, për të na zhdukur nga trojet tona, apo është në pyetje gjeni shkatërrues. Ku ta dish? Apo të dyja së bashku?! Sa llafazan na bëheshe kur më flisje për qytetin e vendlindjes sate, Gllamnikun dardan. Sa prindër të mirë pate. Prindër dhe shokë. Po ku t’i gjesh vëllazur si ti që pate? Çfarë nderi të bënin ty dhe shokëve tuaj! Ti ishe i priveligjuari i tërë familjes! Ti ishe më i dashuri i familjes!  Shoku ynë i dashur, ende pa i kryer shkollat e mesme, fati e dashti që jetën tonë ta pasurojmë edhe me një përvojë të hidhur, por me një kalitje të shkëlqyer per jetë. Goli Otoku ishte shkollë e jonë e dytë. Puna e rëndë, përballohej me energjitë rinore dhe vullnetin e pathyeshëm për të qenë dinjitozë në vështirësi dhe pengesa, për të qenë krenarë para të huajit, kur ai e ka për qëllim të na nënçmojë, pa marrë parasysh rreziqet që mund të dilnin. Ishim të rinj atëherë, me plotë energji. Me plot optimizëm për jetën. Me vullnet të fortë për të zënë dije, se e dinim, që ajo na duhet për raundin e dytë apo të tretin, për t’u kacafytur me errësirën, padrejtësinë, Kulshedrën dhe gjarpërinjtë helmues, me çfarë të huajt na i mbushën trojet tona me mjeshtëri, me anë të pareve dhe dredhive. Për njëri- tjetrin ishim shokë, vëllezër, prindër. Sa biseda të flakta bënim për të arriturat tona në shkencë, letërsi, gjuhë. Në mesin tonë kishim edhe poetë të talentuar, i kishim edhe disa që bënin përpjekjet e para të shkruajnë poezi. Tekiu, Haxhiu, Sabriu, shpesh na i lexonin poezitë e tyre. Ne të tjerët: unë, ti, Shabani, Fadili, Azemi, Shefkiu e Hasani i dëgjonim me vëmendje, duke bërë vërejtje me vend e pa vend. Po, ishim të rinj atëherë. Njëzetvjeçarë. Ndonjeri prej nesh, një vjet më tepër, apo dy vjet.  Po shoku ynë, shkove para nesh në Botën tjetër, për t’u takuar me shpirtrat e atyre burrave dhe vashave të Viseve tona, që mundi dhe puna e tyre ende po na mbajnë gjallë. Çka do t’u thonim pasardhësve tanë sikur të mos e kishim vepren e tyre të madhe. Ajo vepër e tyre, edhe neve na nxiti që ta vazhdojmë punën e tyre me ca përpjekje të vogla, për ta mbajtur të ndezur zjarrin e rezistencës sonë kombëtare, për të shkuar përpara drejt realizimit të idealeve të larta kombëtare dhe njerëzore.  Çfarë mallkimi na ka zënë, a thua vallë?! Pse vallë, nuk u ndoq ajo rruga e natyrshme: Fillim, vazhdim, përfundim i punës së nisur, por gjithnjë: Fillim, pushim, fillim, pushim. Eshtë në pyetje gjeni i jonë shkatërrues apo mospjekuria jonë, që të mos veprojmë si të tjerët, që të mos ecim me kohën, apo të dyja së bashku. Po, shoku ynë Avdyl, ike para nesh në Botën e amshueshme. E di që do të pyesin shpirtrat e heronjve dhe dëshmorëve tanë për trojet tona, që ata i lanë me gjak, që ato të mbesin shqiptare deri në kjamet. Do të pyesin për nipërit dhe stërnipërit, mbesat dhe stërmbesat e tyre. Po ti mos i shqetëso duke ua treguar të vërtetën e plotë. Mos u thuaj se gjenerata, që më së tepërmi është pritur prej saj, ra në provimin e jetës dhe në provimin e historisë. Ata do të pyesin, për shkollarët e gjeneratës së parë, të dytë dhe të tretë, pas robërisë së tretë sllave, për të cilët prindërit tanë shpresuan shumë, se do të dinë t’i rrinë karshi robëruesit: me dije, zgjuarsi dhe trimëri. Thuaju se dështuam tërësisht. Po mos harro t’u thuash se tani kanë lindur Pipa të rinj, të shëndetshëm dhe imunë nga sëmundjet krahinore, partiake dhe ideologjike, nga veset e shumta si xhelozia e marrë, inatet, kryeneçësitë dhe naiviteti politik. Thuaju, se ata Pipa i kanë rrënjët thellë në brendësinë e tokës nënë. Ata më, nuk do t’i luajnë erënat e huaja. As të lindjes, as të perëndimit. Ata do t’i injorojnë, sidomos ernat e lindjes, që na kanë sjellë sëmundje, priftime, tërmete, kancere... Po, po, tregoju edhe për kaosin tonë, për organizimin tonë, për organizimin tonë të prapshtë, për marrëzitë tona të shumta, për anomalitë shqiptare, që për çdo vit po i shtojmë dhe rrisim në atë shkallë, sa që edhe botën e tmeruam me to.  Po, shoku ynë i rinisë, po shoku ynë i shtrenjtë, po shoku ynë i idealeve të larta njerëzore, nuk kemi menduar kurrë se do të vijë një ditë që do të na i plagosi rëndë ëndrrat tona, shpresat tona të bardha. E sa ëndrra të bukura thurnim për Nënën Shqipëri. Kush ka menduar se Nëna jonë do të plagoset për vdekje nga djemtë e saj të pashpirt, djemtë e saj të prapshtë, nga bijtë e saj të çoroditur që punuan dhe po punojnë për interesa të huaja.  Po, shoku ynë Avdyl Lahu, sëmundja e rëndë të lodhi fizikisht shumë, por shpirtërisht nuk mundi dot të të dobësojë fare. Hallet e mdha kombëtare ishin hallet tuaja më të mëdha se dhembjet e forta që ta ngacmonin shpirtin dhe trupin tënd të lodhur. Dëgjoje TVSH rregullisht, dëgjoje lajmet e radiostacioneve të huaja. Shtypin nuk mundje ta lexoje vetë, por ta lexonin me zë djemtë. Sa të rëndoi! Sa të shqetësoi! Sa fortë ta rriti plagën e zemrës plagosja e Shqipërisë për vdekje! Si është e mundur, thoje? Si është e mundur të shkatërrohej shteti?! Si është e mundur thojshe, të kallet Shqipëria?!  Çfarë mallkimi, o Zot! Çfarë mallkimi, o i Madhi Zot! Të lindësh në robëri! Të jetosh në robëri! Të vdesësh në robëri! Çfarë tragjedie njerëzore! Çfarë tragjedie kombëtare! Po, shoku ynë, ike shpejt nga kjo botë e bukur, por ne s’patëm kurrë jetë të bukur! Po, shoku ynë, ike nga kjo botë e padrejtësive të mëdha ku " bijnë poshtë të mdhenjtë e të vegjlit çohen", por ne kurr nuk u çuam në këmbë! Ecëm dhe ende po ecim në duar e këmbë! Ende nuk u mësuam të ecim me këmbët tona! Po, shoku ynë, shkove nga kjo botë e brengosjeve të mëdha, e varfërive dhe skamjeve të mdha, e padrejtësive të mëdha, e pasurive të mëdha.  Po, shoku ynë, i idealeve të larta, shkove në Boten e amshueshme, me brengën e madhe në zemër, me sytë çelë, se ç’do të bëhet me Kosovën dhe Viset tjera shqiptare? Se ç’do të bëhet me Shqipërinë dhe popullin tonë të ndarë dhe të përçarë në baza krahinore, në baza ideologjike, në baza grupore dhe klanore?!  Deri kur më kështu, shoku ynë i dashur, shoku ynë i fjalës dhe i besës, vëllai ynë i dashur, deri kur kështu, edhe në momentet e fundit të jetës, ta shijojmë pelimin e robërisë?! Edhe në momentin e fundit të jetës të na ngulfatë brenga për Atdheun, brenga per pasardhësit! Se ku do t’i lëmë? Qysh do t’i lëmë? I Madhi Zot të mëshiroftë!

Botuar në "Glob" Nr. 9, maj, 1997