TË MËSOJMË NGA PËSIMET

 

 Se a do të dinë shqiptarët ta shfrytëzojnë për të mirën e tyre të përgjithshme përspektivën e shkëlqyer që ua krijuan Qendrat e vendosjes ndërkombëtare dhe burrat e mëdhenj të këtij shekulli- zotërinjtë Klinton, Bler, Shirak, Klark dhe zonja Olbrajt, të cilët shqiptarët duhet t`i nderojnë me nderimet më të larta kombëtare duke i shpallur qytetarë nderi, por edhe duke u lënë emrat e tyre shesheve më të bukura të qyteteve të Kosovës, që gjatë sundimit serbo-sllav u dhunuan me emra okupatorësh e gjelatësh serbo-jugosllav,- varet shumë se sa kanë mësuar shqiptarët nga pësimet e tyre të shumta gjatë historisë së tyre të gjatë.  Një gjë duhet ta kenë të qartë shqiptarët kudo që gjenden në botë dhe të çfarëdo niveli kulturor apo statusi social që kanë, se armiqët e tyre serbo-sllavo-grekët kurrën e kurrës nuk do të heqin dorë nga planet e tyre djallëzore kundër kombit tonë. Dështimi i planeve të tyre për zhbërjen e Shqipërisë, spastrimin etnik të Kosovës dhe ndarjen e viseve shqiptare ndërmjet tyre, si dhe zhdukjen e kombit shqiptar e subjektivitetit të tij ndërkombëtar, nuk do të thotë se ata nuk do të bëjnë përpjekje edhe më të mëdha, që të na godasin me mjete edhe më perfide, duke i përdorur të gjitha format e një lufte speciale dhe tinzare me ndihmën e aleatëve të tyre, që do t`i ndihmojnë haptas apo fshehtas. Por ndihmën më të madhe atyre po ua bëjnë "udhëheqjet" shqiptare të ndara e të përçara, që edhe pas gjithë këtyre të ligave që na gjetën, po vazhdojnë t`i thellojnë përçarjet dhe kështu me veprimet e tyre skandaloze, e të papërgjegjshëme po e ndihmojnë propogandën e ndyrë të shkijeve dhe grekve se populli shqiptar "nuk është popull shtetëformues", se është "i pa aftë për ta qeverisur vetveten", "shkatërrues" i vlerave kulturore e shpifje dhe rrena të llojllojshme shumë qesharake.  Fatëkeqësisht, edhe pse shqiptarët po e shohin se Greqia po i realizon planet e saj në Shqipëri nëpërmjet spiunëve të saj Nanosit me kompani, nuk po janë në gjendje të bëjnë asgjë që do ta pengonte realizimin e planeve kolonizuese dhe helenizuese të saj. Me siguri, Serbia, po ashtu do të bëjë Ç’është e mundur për ta rikthyer integrietin e saj mbi Kosovën, ndërsa aleatët e saj do ta ndihmojnë pa kursim.  Po qe se "udhëheqjet" e shqiptarëve edhe më tutje vazhdojnë të sillen si fëmijët kalamaj, po qe se ata edhe më tutje do të tregohen të pandërgjegjshëm dhe nuk e kuptojnë se luftën me shkaun ende se kemi fituar, dhe se duhet shumë mund e energji për të derdhur në frontin e përbashkët gjithëshqiptar për t`i mundur armiqët tanë të ligj dhe tinzarë, shansi historik që na është dhënë mund të humbë, dhe pastaj nuk do të vlejnë më mekanizmat mbrojtëse të rrejshme se "Evropa shtrig na mashtroi" se "Evropa lavire na tradhtoi "etj.  TË MOS DËSHTOJMË EDHE NJË HERË  Dihet mirë se Lufta e Dytë Botërore na e pat dhënë shansin ta kurorëzojmë bërjen e Shqipërisë etnike, por fatkeqësisht, forcat tona nacionaliste, ishin më dobët të organizuara sesa kolona e pestë serbo-sllave, që e pati legalizuar veprimtarinë e saj antishqiptare, duke formuar të ashtuquajtën Partia Komuniste Shqiptare, e cila për gjysmë shekulli Shqipërinë e bëri siç e deshën serbo-sllavët-grekët: "të dobët ekonomikisht dhe ushtarakisht", dhe "pa kurrfarë autoriteti e aleati të fuqishëm ndërkombëtar". Sesa janë të fuqishme çerdhet e sigurimeve të huaja në Shqipëri u vërtetua shumë herë, por " revolucioni i vonuar demokratik " i Qosjes duhet t`ua hapë sytë shqiptarve për të kuptuar se kombi ynë është i rrezikuar prej të papriturave të vazhdueshme, siç janë krizat politike dhe ekonomike, kaosi, pasiguria, rrëmuja, aferat e ndryshme që i krijojnë serbo-grekët sa herë që kanë nevojë nepërmjet social-komunistëve dhe spiunëve të tyre në krye me Nanosin, Milon, Gjinushin, Klosin, Cekën etj.  Po qe se shqiptarët duan të mos u përsëritet historia me dështime dhe pësime; po qe se shqiptarët duan ta shohin Kosovën Shtet të pavarur e të lirë, nuk duhet lënë fatin e kombit në duar të "udhëheqjeve" dhe njerëzve që janë bashkëfajtorë me kriminelët serbë për tragjedinë e fundit të kombit tonë, tragjedinë më të madhe që njeh historia jonë. Me siguri, kjo tragjedi nuk do të kishte ndodhur me këtë masë, dhe në këtë formë, po qe se udhëheqjet e subjekteve politike dhe shtetërore të Republikës së Kosovës zotrinjtë Bukoshi, Qosja, Demaçi, Rugova, dhe Hyseni të kishin gjetur mirëkuptim dhe bashkëpunim vëllazëror në mes tyre, duke i vënë interesat kombëtare mbi ato partiake dhe klanore. Me siguri rrjedhat e ngjarjeve në Kosovë do të ishin shumë më të favorshme për shqiptarët dhe do t`i kishim në funksion të plotë institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës si Presidencën, Qeverinë, Parlamentin, Organet e pushtetit lokal, dhe me siguri UÇK-ja do të bëhej ushtri e institucionalizuar e Republikës së Kosovës, e armatosur mirë, me kuadër të aftë komandues, që do t`i bënte ballë me sukses maqinerisë ushtarake serbe, dhe do ta mbronte me të gjitha mënyrat popullsinë e Republikës së Kosovës, për të mos u katandisur siç u katandis e u masakrua pa mëshirë nga shkijet gjakatarë. Me siguri nuk kishte për të ndodhur që një grusht enveristësh të padijshëm të cilët me vite të tëra bridhnin rrugve të Evropës duke mbrojtur marksizëm-leninizmin dhe internacionalizmin proletar, të bëhej udhëheqja politike e UÇK-së.  PARIA NUK E KALOI PROVIMIN  Ngjarjet e zhvilluara në hapësirën shqiptare pas rrëzimit të stalinizmit në Shqipëri dhe fillimit të zhbërjes së Jugosllavisë bëri që shqiptarët të diferencohën, por jo si më parë nga pushtetarët komunistë dhe kukullat e tyre, por ata u vetëdiferencuan në bazë të qëndrimeve që mbajtën ndaj ngjarjeve që u zhvilluan dhe punës së tyre konkrete në ato ngjarje.  Shqiptarët më në fund duhet të bëjnë një llogari përfundimtare për sukseset dhe mossukseset e tyre gjatë këtij dhjetvjeçari. Siç dihet, klasa politike pati ca suksese në dy vitet e para të viteve `90, kur i vuri themelet e shtetësisë së Kosovës, por si duket i muar mësysh vetes, dhe kështu, e kaploi plogështia, e zuri vetëknaqësia, filluan përçarjet, u rritën xhelozitë, u shtuan urrejtjet, filluan kërcënimet, atentatet politike, dhe- si pasojë e të gjitha këtyre- na e humbën Kosovën. Por i Madhi Zotë nuk lejoi një tragjedi kaq të rëndë për kombin tonë, dhe të Mëdhejt e botës i urdhëroi që popullin Shqiptarë ta ndihmojnë. NATO-ja na i preu prangat e robërisë. Na e hapi rrugën e lirisë. Na thanë miqtë e kombit "ashkohuni o shqiptarë se vetëm nuk mund t`i bëni asgjë Serbisë". Por, kujna me i thënë? Prej njerëzve të parisë askush provimin s’e kaloi dhe shumica prej tyre horë u bënë, duke vënë interesat e tyre personale dhe klanore para interesave kombëtare. Populli ynë udhëheqjen e tij e dëgjoi. E thirrën për t`i falur gjaqet në emër të Kosovës dhe lirisë së saj. Po. I falën gjaqet, besa edhe shumë gjaqe që nuk është dasht për t`i falë. Kur e thirrën për t’u bërë antarë partie, nuk ngurroi, u bënë anëtarë partie, të rinj e të vjetër, gra e burra. E thirrën popullin të bëjë zhurmë me lugë, pjata, çelsa, legena etj., për t’ua thënë shkijeve se këtu jemi, etj. Urdhëri u krye! Aksioni mbaroi me sukses! Shkijet u egërsuen! Na i helmuan fëmijët dhe nxënësit! Na i mbyllën shkollat dhe fakultetet! Po udhëheqja e dashur tha: "Shkau është i pa rahmet". Të jeni gjakftohtë. "Durim! Durim!"! Po si ta kundërshton udhëheqjen e tij populli?! Atë udhëheqje që kishte kryer shkolla të larta! Njerëz akademikë! Doktora shkencash, shkrimtarë, poetë, politikanë! Të dijshëm sa të duash! I ftuan puntorët në grevë të përgjithshme. Si të mos dëgjohet udhëheqja e pavarur sindikale? Greva filloi dhe mbaroi qysh urdhëroi "më i madhi" i punëtorëve. Shkijet gjetën shkakun për t`i larguar nga puna punëtorët.  Ju thanë:" Mos bëni zë! Mos bëni ekcese! Rrini në shtëpia!".U sosën kursimet, u sosën rezervat e ushqimeve. Duhet ngënë. Iu piku "rahmeti" shkijeve dhe na i çelën dyert e gurbetit. U ndanë familjet! Mbet Kosova pa rininë e saj! Plakej Kosova e gjorë, plakej! Ani nuk është gajle thonte udhëheqja e dashur, se edhe jashtë Kosovës i kemi bërë degët e pipat e partive! Mos e ndërpreni stazhin e partisë! Urdhëronin partiakët e shtirë! Do të na forcohen partitë! Do të na rriten të ardhurat! Gëzoheshin Kryepartiakët e partiakëve të shtirë!  POPULLI E KREU PUNËN E TIJ  Pastaj, urdhëruan ta "varrosin dhunën". Populli i gjorë nuk din të thotë jo, edhepse ishte një veprim i palogjikshëm. Dhunën e kujt donte ta varrosi paria vallë?! Kush bënte dhunë në Kosovë? Shqiptarët apo serbët?! Zgjedhjet e para edhe zgjedhjet e dyta u kryen me sukses. Populli e kreu punën e tij. Ua dha votën atyre që premtuan se Kosovën do ta bëjnë Shtet të pavarur. Ua dha votën atyre që kishin shkollë, e besa edhe atyre që ia kishin bërë nga një argat Kosovës në kohërat më të vështira. Te populli asgjë nuk humb. As e mira dhe as e keqja. Ai vështron e nuk bën fjalë shumë. Dalleverxhinjtë mendojnë se populli mashtrohet lehtë, prandaj aq të zëshëm bëhën kur flasin, kur i kanë afër vetes sëpaku nja dy-tre vetë. Sa hollë e gjatë i tjerrin llafet! Sa gojambël bëhën, sidomos kur kanë nevojë për votat e popullit! Por kur të bëhën të "fortë" i harrojnë fjalët! Fjalët shumë burra i hangrën! Deputetët e parë nuk patën kohë të tubohen për ta konstituar Parlamentin, apo u friguan nga kërcënimet e shkijeve?! Ku ta dijmë ne të gjorët...?! Por, prapë mirë prej tyre, që sëpaku ua lanë amanet deputetëve të zgjedhur në Zgjedhjet e Dyta ta konstituojnë Parlamentin e Republikës së Kosovës. Këta besa i çuan në vend premtimet. E thirrën dhe e mbajtën mbledhjen e parë të Kuvendit. E zgjodhën edhe udhëheqjen e Parlamentit. Beogradi reagoi shpejt. Reagoi edhe më shpejt R.Qosja dhe H. Hyseni me Kompani. Komunikatë plotësisht e njëjtë e Beogradit dhe LBDK-së! Parlamenti i Kosovës shpallet jo legjitim nga të dy palët! Nuk i njohin kurrsesi vendimet e tij. Me të ra pika, kur e sheh udhëheqjen e një partie që me aq fanatizëm mbron të prapshtën, të ligën, të keqen! Mbron institucionet e Serbisë dhe nuk i mbështet të Republikës së Kosovës. Anomali apo marri, si të quhet veprimi i një pjese të parisë së Kosovës, që don të bëjë shtet por pa institucione shtetërore! Shtet i vetëm në rruzullin tokësor pa institucione shtetërore! Shpikje kosovarçe! Shpikje origjinale shqiptare! Studentët u lodhën nga kjo gjendje e mjerë! Duan ta ndërrojnë status-quonë. I bënë demonstratat e para. Bëhen përgatitjet për të dytat. Populli i gjorë si të mbyllet nëpër shtëpia, e bijtë e bijat e tyre të kacafytën me shkije. Këtë radhë, për herë të parë, populli nuk i dëgjoi prijësit e tij, që kërkonin të mos dilnin në demonstrata. U mbushën rrugët e qyteteve të Kosovës me të rinj e të reja, me burra e me gra. Krah për krah, për t’u bërë më të fortë, për tu bërë më të fuqishëm. Dhe arritën ta ndrrojnë atë gjendje tmerri, atë mjegullnajë që e kishte mbuluar Kosovën. Ta mundin frigën! "E mundën frigën shqiptarët"- thanë amerikanët! Do të na dalë punë me shqiptarët, thanë evropianët! Shkijet i bënin planet e tyre të fshehta. Edhe aleatja e saj Greqia i bënte planet e veta. Gjetën gjuhë të përbashkët si çdoherë më parë. Shqipëria e Jugut sipas marëveshjes së tyre, duhet t`i takonte Greqisë, ndërsa Kosova dhe Shqipëria e Veriut Serbisë.  Drenica si çdo herë na e zbardhi fytyrën. Familja e Shaban Murat Jasharit u bë kurban për t’u treguar shqiptarëve se si fitohet liria, si mundet shkau i shkinës. Adem e Hamzë Jashari kanë ditë se do të vijë dita e Trimave dhe Burrave të Dheut: Ishin të zgjedhur për të shkuar në Shqipëri për t’u përgatitur së bashku me shumë burra të ardhur nga Kosova dhe diaspora për t’u aftësuar ushtarakisht dhe për t`i dalë zot Kosovës! Po ishin djemtë e Shaban Murat Jasharit: Ademi, Hamza dhe Rifati me shokë që i vunë themelin UÇK-së. A mund të bëhet themel më i fortë se ai themel që bëhet:"NË EMËR TË ZOTIT''. Po enveristët pas vrasjes së Ademit dhe Hamzës nuk e patën vështirë t`ia ndërronin UÇK-së jo vetëm emblemën, por edhe themelin. BASHKIMI I ELITËS NACIONALISTE, ÇËSHTJE QË NUK DURON ZHAGITJE  Trimat e UÇK-së i ndërmuarën aksionet e para. I vranë ca kriminelë shkije. I vranë edhe ca spiunë...U ndërruan rolet. Frigën e shqiptarëve e muarën policët dhe kriminelët e Serbisë. Trimat e Drenicës, të Llapit dhe të Dukagjinit dhe rinia jonë heroike e ndërruan status-quonë në Kosovë. Fitore e rëndësishme e shqiptarëve. Po edhe armiqët tanë nuk rrinë. Kërkojnë ta gjejnë udhëheqjen e UÇK-së. Të gjitha sigurimet e huaja interesohen për UÇK-në. Më shumë për ta penguar se sa për ta ndihmuar. Më së lehti për të dëpërtuar në udhëheqjen e UÇK-së e pati Sigurimi Shtetëror i Shqipërisë. Nanosit i erdhën të mirat për "dere dhe për dritare". Ai kishte besimin e plotë tek sebët e grekët, por e kishte besimin e plotë edhe te enveristët e Kosovës. Shumë të holla që i mblodhën LPK-istat nga mërgimtarët në emër të Kosovës, i pat bërë "rrush e kumbulla" Nanosi. Nga të gjithë enveristët e Kosovës që Nanosin e konsideronin babë dhe nënë, Xhavit Halitin e bënë bajraktar, se ai ishte sokoli i Nanosit dhe i Partisë, prandej edhe i takonte që t’i jepte detyra udhëheqjes së LPK-së. Ua la duart e lira Nanosi të blejnë kallashnikova në veri të Shqipërisë me një kusht që mos ta lënë pa bakshish.  Adem e Hamzë Jashari dhe ca prijës të UÇK-së ranë dëshmorë. Humbje e madhe për Kosovën dhe UÇK-në. Kosova kishte hyrë në luftë me Serbinë, por subjektet tona shtetërore në vend se të marrin kontrollin e UÇK-së për ta forcuar me kuadra profesionale dhe armatime moderne, bën siç tregohet anekdota për një gomar, që ujku ia rrjepte kofshët, ndërsa ai thoshte: "në ëndërr ishalla jam". Në këto rrethana nuk e patën vështirë LPK-istat të bëhen udhëheqje politike e UÇK-së, sepse kishin përkrahjen e Nanosit me kompani, por edhe kishin shumë të holla që i mblidhnin në emër të UÇK-së. Shumë shpejt u mbush Dukagjini me kallashnikovë të dalë nga përdorimi në Shqipëri. Edhe 40-60% të teritoreit të Kosovës thonin LPK-istat e kanë çliruar, por ishte dikund një defekt në këto shifra, sepse nuk ishte marrë nga armiku asnjë postë policie, apo garnizon ushtrie. Po ku t`i dinin enveristët dredhitë dhe hilet e Nanosit, marrëveshjet e Kretës. Për ta Nanosi ishte zot i vërtetë. Vepruan si i këshilloi ai për çështje të ushtrisë, armatimit, kuadrove, marrjes së pushtetit me mjete komuniste etj, por kurrë nuk ua tregoi marrëveshjet që i pat lidhur në Kretë. Po dashti Zoti dhe nuk u bë qysh planifikuan sebo-grekët me Nanosin e Klosin, se ndërhyri CIA dhe i bëri planet dhe marrëveshjet e tyre pluhër e hi, që kishin të bënin për Kosovë dhe për Shqipëri.  NATO-ja na i hoqi shkijet prej qafe. Qinda mijë shqiptarë që iu shpëtuan masakrave serbe duke ikur për Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi, u kthyen shumë shpejt në vatrat e tyre të shkrumbuara. Kosova ishte mbushur me varre masive. Bota u habit me solidaritetin e popullit shqiptar. Po bota u habit edhe me shpejtësinë e kthimit të të përzanëve nga Kosova në vatrat e tyre, menjëherë pas ikjes së ushtrisë dhe policisë kriminele serbe nga Kosova. Pra, populli shqiptarë e tregoi veten e tij se është një popull i mrekullueshëm, një popull me një ndishmëri të thellë, me një solidaritet të pashoq, me një dashuri të fuqishme për trojet dhe Atdheun e tij, një popull që meriton jo vetëm lirinë, por edhe një udhëheqje që do të dinte ta çonte përpara zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe në përgjithësi zgjidhjen drejt të çështjes kombëtare, pra çlirimin dhe bashkimin kombëtar.  HISTORIA DO TË BËJË TË VETEN  Sot pas gjithë të ligave që e gjetën Kosovën, shqiptarët e Kosovës kanë një përvojë të mjaftueshme për të ditur se kush ka faje më të mëdha e kush më të vogla nga udhëheqja e tij. Ato udhëheqje dhe ata individë që i përçanë shqiptarët për interesat e tyre personale, klanore dhe partiako-ideologjike, e që edhe sot po e bëjnë të njëjtën punë, historia me siguri do t`i shpallë ortakë në masakra dhe në spastrimin etnik të Kosovës me shkijet, sepse nuk lejuan bashkimin e faktorit politik dhe ushtarak të Kosovës, nuk lejuan institucionalizimin e UÇK-së, nuk i njohën dhe nuk po i njohin institucionet e krijuara të Republikës së Kosovës, dhe kështu shkijeve ua mundësuan të bëjnë masakra të papara mbi popullsinë e pambrojtur të Kosovës, me të vetmin qëllim që Kosovën ta pastrojnë etnikisht dhe ta bëjnë tokë të tyre, siç e patën bërë Toplicën tokë të tyre para 120 vitesh, me të njejtat mjete të gjenocidit siç i përdorën sivjet në Kosovë.  Sot vetëm naivët politik nuk e kanë të qartë se Kosovën na e qitën prej dore udhëheqjet politike dhe shtetërore të Kosovës sëbashku me pararojën staliniste të LPK-së dhe ia dhuruan Serbisë për të mos e nxjerrë kurrë më nga kthetrat e saj, ndërsa shqiptarëve ua dhanë rrugët e botës, për të humbur çdo gjë të vlefshme kombëtare. Vetëm mrekullia e të Madhit Zot bëri të pamundshmen, duke e detyruar NATO-n dhe të Mëdhenjte e botës t`i dalin krah popullit të gjorë të Kosovës. "Udhëheqjet " e Kosovës së paku tash, kur në Kosovë është vëndosur protektoriati ushtarak dhe civil ndërkombëtar është dashtë të vetëdijësohen dhe t`i përmirësojnë gabimet e rënda që i bënë më parë, është dashur t’i njohin institucionet e formuara shtetërore të Republikës së Kosovës dhe t’i krijonin ato që i mungojnë, me qëllim që të bashkëpunojnë me Organet e pushtetit të protektoriatit ndërkombëtar, për të mirën e Kosovës dhe çështjes sonë kombëtare, e jo siç po punojnë edhe më tutje, për interesat e tyre partiake, klanore apo individuale, siç vepruan edhe më parë.  Mjerisht Kosova sot po përjeton vështirësi të mëdha të krijuara nga partiakët e shtirë dhe karrieristë të sëmurë për kolltuqe, pozita dhe privilegje, duke krijuar dy "qeveri", që nuk i njeh faktori ndërkombëtar dhe as shunica absolute e shqiptarëve, pasi që u vetëzgjodhën në pozita dhe poste, ku në vend se të krijojnë rregullsi dhe siguri, krijuan kaos dhe pasiguri, në vend se të krijojnë bashkëpunim të mirëfilltë me pushtetin e Protektoriatit ndërkombëtar për të mirën e Kosovës, po kryejnë punën e vasalëve dhe kështu po i sjellin dëme të mëdha çështjes madhore kombëtare, duke e ndihmuar propagandën serbo-sllavo-greke me veprimet e tyre konkrete, se shqiptarët nuk kanë aftësi shtetformuese, e rrena tjera, që "akademikët" serbë i kanë mbushur bibliotekat e Evropës me qindra libra të shkruara për qëllimet e tyre propogandistike.  Për të dalë nga kjo situatë tejet e vështirë, nuk duhet krijuar shpresa të rrejshme se "udhëheqjet" e tanishme të Kosovës do të kurorëzojnë pavarësinë e Kosovës, prandaj forcat e shëndosha, intelektualët nacionalistë, si dhe intelegjencia e lartë dhe e mesme, e cila deri tash ka ndejtë anash në luftën për pushtet e kolltuqe, duhet të marrë masat e duhura për t’u organizuar dhe për t`i marrë fatet e atdheut në duart e tyre.  TË MOS PRESIM GJITHÇKA NGA TË TJERËT  Pra, është domosdoshmëri që sa më parë forcat e shëndosha kombëtare të bëjnë përgatitjet e duhura për formimin e një partie nacionaliste, që do t`i çonte përpara synimet shekullore të popullit shqiptar për çlirim dhe bashkim kombëtar, duke iu përshtatur rrethanave ndërkombëtare, por duke e forcuar miqësinë me SHBA dhe Britaninë e Madhe, të vetmet aleate të sinqerta të kombit tonë. Këto synime do të arrihen me siguri, po qe se partia që do të formohej do të përfshinte njerëz autoritativë, atdhetarë e intelektualë, numri i të cilëve nuk është i vogël, që interesat kombëtare kurdoherë i kanë vënë mbi ato partiake dhe personale, njerëz të pakompremetuar në afera të ndryshme. Të gjithë ata njerëz që janë të pakënaqur apo të demoralizuar me "udhëheqjen" aktuale të Kosovës, do ta kenë vendin në partinë e re të Kosovës, e cila me siguri do t`i fitonte zgjedhjet e lira vet, apo me ndonjë forcë tjetër demokratike, që i njeh vlerat demokratike të Evropës Perindimore.  Shqiptarët duhet ta kenë të qartë se me këtë "udhëheqje" e cila vetë është zgjedhur në Kosovë që nuk njeh punën e të tjerëve që ndëkombëtarizuan çështjen e Kosovës, që nuk njeh institucionet shtetërore të Kosovës, Presidencën dhe Parlamentin, të cilat kanë dalë me anën e votës së lirë të popullit, që penguan dhe nuk lejuan institucionalizimin e UÇK-së, që i përçanë dhe ende po i përçajnë shqiptarët, që kërcënuan dhe po i kërcënojnë shqiptarët të cilët nuk mendojnë dhe veprojnë si ata, nuk do të jenë të zot të arrijnë Pavarësinë e Kosovës, pasi që interesat personale, ideologjike dhe klanore i kanë vënë mbi ato kombëtare.  Nuk duhet të presim nga të tjerët, nga Qendrat e vendosjes ndërkombëtare, të na njohin neve dhe të na ndihmojnë sinqerisht për t’i fituar të drejtat tona legjitime, kur ne nuk e njohim njëri- tjetrin, dhe nuk bashkëpunojmë vëllezërisht, duke respektuar forcën e argumenteve e jo forcën e dredhive, kërcënimeve, ndërskamsave, atentateve politike etj.. Më në fund shqiptarët duhet ta kenë të qartë se faktorët e vendosjes ndërkombëtare nuk do të rrezikojnë të krijojnë një Liban apo Afganistan në zemër të Evropës. Vetëm prezenca e faktorit ndërkombëtar e ka larguar kacafytjen e drejtpërdrejtë të partiakëve të shtirë dhe karrieristëve të sëmurë për pushtet, prandaj po qe se nuk tejkalohen këto anomali sa më parë, Kosova dhe çështja kombëtare do të pësojnë dëme me pasoja tepër të mëdha, ku përgjegjësia do të bjerë në këtë "udhëheqje". Por a do t`i ndihmonte gjë Kosovës edhe sikur tërë këtë udhëheqje do ta lëshonte toka për të humbur me shenjë e nishan, si dënim që do t`i vinte nga i Lumi Zot, po qe se Kosova nuk do të arrinte Pavarësinë e saj?!

Botuar në "Bota sot", më 10 dhe 11 shtator 1999

PS. Nëntitujt i ka vënë redaksia.