KOSOVA NË UDHËKRYQIN E SAJ HISTORIK

 

 

 Shekulli njëzet i solli kombit tonë tragjedira të mëdha. Kosova me vise ra nën kthetrat serbo-sllave. Çamëria u masakrua dhe u shkombëtarizua në mënyrën më barbare nga grekët gjakatarë në të njëjtën mënyrë si Toplica në shekullin e 19-të. Shqipëria e cunguar nuk u rimëkëmb as deri në ditët e sotit për ta kryer detyrën që i takon ndaj vëllezërve të robëruar. Rezistenca e shqiptarëve të Kosovës në fillim të viteve `90 e kurorëzoi Lëvizjen tonë kombëtare me suksese të pamohueshme. Kosova u shpall Republikë. U miratua Kushtetuta. U kryen me sukses zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.  Procesi i filluar drejt pavarësisë dhe lirisë zuri në thue menjëherë pas sukseseve fillestare. Lëvizja e shpallur paqësore, në vend që të bëhet aktive- për të mos lënë të qetë në as një moment okupatorin,- ajo kaloi në pasivitet të plotë dhe kështu Serbia i arriti qëllimet e saj të zbrazjes masive të Kosovës dhe serbizimit kulturor të saj. E shkatërroi bazën materiale të shqiptarëve dhe e pacifizoi Kosovën. Ndërsa udhëheqja e Kosovës e vuri në gjumë krenarinë kombëtare të shqiptarëve, etj. Fatmirësisht Lëvizja studentore për rimarrjen e objekteve shkollore dhe dalja në skenë të UÇK-së më 1997 e ndërruan status-quonë në Kosovë. UÇK-ja u bë faktor i rëndësishëm ushtarak dhe politik. Mjerisht klasa politike e Kosovës nuk e kreu detyrën që i takoi për ta ndihmuar dhe për ta institunacializuar UÇK-në, por ata bënë çmos për ta privatizuar dhe për ta bërë atë ushtri partiake apo ushtri të klaneve të ndryshme për interesa të sëmura karrieriste apo përfitime personale.  Masakrat serbe ndaj popullsisë së paarmatosur dhe familjeve të tëra, në vend që të ndikonin tek subjektet shqiptare për t’u bashkuar e për të marrë vendime të përbashkëta për çështjet strategjike, taktike dhe diplomatike të Lëvizjes sonë kombëtare, duke e kombinuar faktorin ushtarak e atë politik për të arritur synimet e çlirimit dhe bashkimit tonë kombëtar, ata s’po e ndalin luftën për pushtet, duke i përdorur të gjitha mjetet e lejuara dhe të palejuara për të zënë pozita sa më të favorshme, që një ditë ta marrin pushtetin pasi Kosova ta fitojë autonominë apo pavarësinë.  "Zotrat-njeri" që i krijuan shqiptarët në dhetëvjetshin e fundit të këtij shekulli, apo edhe më herët, çdo ditë që po kalon, po zhvishen nga petku i idhujve dhe po e tregojnë vetveten me aftësitë e tyre gjysmake, logjikën e pasistemuar mirë, shpirtvogëlsinë e njerëzve të zakonshëm, me të meta dhe vese të shumta, të sëmurë nga xhelozia, smira, kryeneçësia, mendjemadhësia, lideromania dhe karrierizmi i shëmtuar. Po të mos ishte i vërtetë ky vlerësim, sot realiteti politik në Kosovë do të ishte krejt tjetërfare dhe shumë më i favorshëm për zgjidhjen e çështjes sonë kombëtare. Republika e Kosovës do të funksiononte me të gjitha institucionet shtetërore- Qeveria, Parlamenti, Ushtria, Diplomacia etj.- dhe do të kryenin detyrat e përcaktuara nga Kushtetuta. Faktorët e jashtëm ndërkombëtarë do të kuptonin se kanë punë me një popull të organizuar në baza institucionale, kanë punë me një popull të disiplinuar, që nuk mund ta ndalë asnjë forcë, sado e madhe qoftë, nga synimet dhe përpjekjet për pavarësi, çlirim dhe bashkim kombëtar.  Kosova sot po përjeton tragjedi të mëdha familjare dhe kombëtare. Ajo po përgjaket e po masakrohet në mënyrën më barbare nga dora katile e shkaut. Qosja, Demaçi Bukoshi, Hyseni etj. Nuk po e ndijnë vajin e fëmijëve të trishtuar nga lufta, të ftohtit dhe urija. Masakrat serbe ndaj popullsisë së paarmatosur nuk po i vetëdijësojnë ata se përçarjet e tyre po i japin forcë dhe fuqi kasapit të Ballkanit. Këta " idhuj " të Kosovës martire nuk po gjejnë kohë të takohen për t’u marrë vesh për çështjet madhore kombëtare. Ata duhet të jenë faktor i bashkimit të të gjitha forcave politike dhe ushtarake të Republikës së Kosovës e jo faktor ndarjesh dhe përçarjesh. Masakrat e Reçakut dhe të Rugovës kursesi nuk është dashur t`i gjejnë të përçarë e të ndarë shqiptarët në dy tabore kundërshtare. Marrëveshjen që po na e ofron faktori ndërkombëtar, duhet studjuar në shumë aspekte, jo vetëm nga udhëheqja shtetërore dhe ushtarake e Republikës së Kosovës, por edhe nga ekspertë të të gjitha fushave dhe lamive shoqërore. Në këto rrethana tejet të vështira dhe të komplikuara, pa përkrahjen e asnjë fuqije të madhe për pavarësi të menjëhershme, e me një udhëheqje të paaftë dhe të papërgjegjëshme, po bëhet edhe më e vështirë e më e komplikuar zgjidhja e çështjes së Kosovës në favorin tonë.  Është më se e domosdoshme, që udhëheqja e Kosovës, pa hamendje, dhe sa më parë, të dalë me Qeveri të përbashkët që e përfaqëson faktorin politik dhe ushtarak të Republikës së Kosovës. Të gjitha mosmarrëveshjet, ngatërresat dhe inatet që i kanë krijuar në mes tyre të shpallen publikisht të tejkaluara. Të mirren vendime të arsyeshme e të studjuara mirë e mirë, që do të obligonin çdo shqiptar dhe shqiptare kudo qoftë në rruzullin tokësor, për ta shpëtuar Kosovën nga kasapët serbo-sllavë dhe aleatët e tyre. Shqiptarëve nuk u shkon për shtati status-quoja e një lufte që do të zgjatej e përzgjatej me vite të tëra. Duhet me çdo kusht ta pengojmë zbrazjen dhe copëtimin e Kosovës, që është objektivi i veprimeve serbe, me karakter strategjik, diplomatik e ushtarak.  Edhe diasporën shqiptare partiakët e shtirë dhe karrieristët e sëmurë me hyzmeqarët e tyre e ndanë dhe e përçanë si është zi e më zi. Të ashtuquajturat subjekte politike shqiptare që veprojnë jashtë atdheut nuk po janë në gjendje të organizojnë sëpaku një protestë, që do t`i tubonte, jo dy mijë vetë, siç ndodhi para një kohe, por me dhjetëra mijë shqiptarë që do t`i dridhnin të gjitha kryeqytetet e shteteve ku jetojnë ata. Kjo do të arrihej me siguri po të ishin shqiptarët të organizuar në baza kombëtare, e jo siç janë tash në baza partiako-regjionale.  Po qe se Kosova mbetet edhe për një kohë nën thundrat serbe, përgjegjësia dhe mallkimi i popullit në rend të parë do të bjerë në udhëheqjen e saj shtetërore e partiake, dhe pastaj në çdo pjesëtar të kombit tonë, varësisht prej pozitës që ka pasë dhe rolit që ka luajtur në rrjedhat e ngjarjeve kombëtare. UÇK-ja duhet ndihmuar pa rezervë moralisht, materialisht e fizikishtë jo vetëm nga shtetasit e Republikës së Kosovës, por edhe nga të gjithë shqiptarët dhe shqiptaret që kanë gjak dhe prejardhje shqiptare. Por ndihma më e madhe do t`i bëhet asaj po qe se subjektet shtetërore dhe politike të Republikës së Kosovës- sa më shpejt- dalin me një Qeveri të përbashkët duke i njohur subjektet e krijuara shtetërore, por edhe duke i krijuar ato që i mungojnë. Dalja e shqiptarëve me një zë para faktorit ndërkombëtar nuk duhet kuptuar dhe nuk duhet të vijë deri te kapitullimi i tyre para presionit të faktorit ndërkombëtar, por, përkundrazi, do të vijë te forcimi i pozitave gjatë bisedave me faktorin ndërkombëtar dhe atë serb.

 

Botuar: "Bota sot" më 5 shkurt 1999