A KA NJERI QË I BIE NË FIJE NAIM MALOKUT?

 

Naim Maloku është njëri ndër ushtarakët e Kosovës të cilit më së shumti i është ndier zëri, (është prononcuar) për UÇK-në, dhe më së tepërmi ka rënë në kundërthënie me vetvehten. Edhe gjatë fushatës zgjedhore që ka marrë hov në kohën e fundit, Naim Maloku po mundohet të luaj rolin e ’’këshilltarit’’, që u jep leksione të tjerëve se si duhet ta zhvillojnë fushatën zgjedhore, por edhe të “mbrojtësit” të UÇK-së. Sidomos ai u bë shumë i shtirë në tubimin paraelektoral të PQLK-së në Bellanicë të Malishevës, kur hodhi dru e gur mbi LDK-në, duke i përfolur simpatizuesit e kësaj partie se “po i merrkan fëmijët nëpër tubime elektorale’’ etj.  Naim Maloku në Bellanicë ua hodhi mundin në ujë fshatarëve, kur nuk pranoi të flasë në binën e përgatitur apostafat për të, në shesh të fshatit. Pasi aty pari gjendeshin edhe fëmijët e fshatarëve, ai këmbnguli që biseda e tij dhe e bashkëpuntorëve të tij të bëhet në një odë fshati. Lehtë e ka zotëri Maloku të flas dhe t’u japë receta të tjerëve se si duhet të veprojnë, pasi ai kudo që të shkojë nëpër Kosovë, në fshatra apo në qytete, anëtarëve dhe simpatizuesve të partisë së tij ka mundësi t’u jap “nasihat” edhe në odat e fshatarëve, edhe në sallat e shkollave të qyteteve, pa pasur kurrfarë problemi nga kushtet atmosferike. Një mundësi të tillë nuk e ka LDK-ja, PNDSH-ja, PLK-ja  dhe PSHDK-ja, pasi që odat dhe sallat e shkollave janë tepër të vogla për t’i zënë anëtarët dhe simpatizuesit e tyre. Po vallë çfarë të keqje ka po qe se prindërit marrin fëmijët me vete dhe shkojnë në tubime që organizohen në sheshe qytetesh apo fshatrash, ku fëmijët luajnë në mes vedi,  e të mëdhenjtë i përcjellin fjalimet dhe gëzohën me premtimet e bukura të kryepartiakve të tyre? Vallë, nuk e ka të qartë Maloku se shqiptarët e Kosovës në tubimet parazgjedhore që u mbajtën në muajin që shkoi, dhe në tubimet që  po mbahën gjatë këtij muaji,  jo vetëm se po shprehin përkrahje ndaj partive të tyre, por njëherit po shprehin gëzimin që Kosova e çliruar po ecë drejt pavarësisë së saj?

Është për t’u habitur se si zotëri Maloku pas dështimit të tij në fushën ushtarake, dhe atë politike,  po provon të luaj rolin e “mbrojtësit” të UÇK-së.  Fatkeqësisht, Naim Maloku nuk ka kredibilitet të mbrojë vetveten e tij, e lëre më ta mbrojë UÇK-në, apo dëshmorët, pasi që ai ishte ndër ushtarakët e parë që publikisht i sulmoi në mënyrën më të ligë kolegët e tij ushtarakë, ata që e kyçën në Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës. Pra, ai është i pari ndër të parët, që mohoi luftën çlirimtare të brigadave 131, 133,  134 dhe të Batalionit Diversanto-Vëzhgues që formoi Ministria e Mbrojtjes. Me mohimin e këtyre njësive elite të UÇK-së, ai tërthorazi i mohoi edhe dëshmorët e rënë në fushën e nderit në  Betejën e Logjës, në Betejën e Kosharës dhe shumë beteja tjera. Për të mos menduar lexuesi se këto vlerësime për Naim Malokun janë kuturu dhe pa mbulesë faktike, detyrohem ta citoj një fragment nga intervista e tij e botuar në  “Kosova sot” më 25 janar 2000. Ai me atë rast pat thënë: “Njësi të FARK-ut nuk ka pasur fare në Kosovë. Ministria e Bukoshit ka kapitulluar në Kosovë. Janë larguar. Kanë kapitulluar para forcave të okupatorit”. Ja pra se në çfarë mënyre të çuditshme e mohon luftën çlirimtare, që bënë brigadat të cilat i formoi Ministria e Mbrojtjes  e Republikës së Kosovës. Se Naim Maloku ra nën ndikimin e pehlivanave të Nanosit dhe u bë argat i tyre, u pa qysh atëherë kur njësitë e Ministrisë së Mbrojtjes, edhe pse luftonin me të njëjtat simbole,  sikur njësitë që i komandonin komandantët e vetshpallur në Dukagjin e gjetiu, ai nuk i pranoi për forca ushtarake të UÇK-së, por i quajti njësi të FARK-ut, njësi të Bukoshit. Pra, Naim Maloku jo vetëm që bëri ndarjen e dëshmorëve, por ai tërthorazi edhe i mohoi një pjesë të tyre. Por tani  kur Naim Malokut i duhen votat për të fituar edhe ai pak pushtet në Kosovë, e ka ndërruar “pllakën” dhe tani na bëhet një  ‘’mbrojtës’’ i dalluar i dëshmorëve dhe i UÇK-së!  Gazeta “Koha ditore” e 10 tetorit citon fjalët e zotëri Malokut i cili në tubimin elektoral të partisë së tij në fshatin Bellanicë të Malishevës paska thënë: “Tendencat e mohimit  të UÇK-së janë tendenca për mohimin e historisë së popullit shqiptar. UÇK-ja ka qenë ushtri e rregullt e pranuar nga faktori ndërkombëtar -dhe vazhdon- …Në tubimet elektorale të LDK-së po ndahen dëshmorët në grupacione. Duke ndarë dëshmorët e UÇK-së tentohet që ajo të prezentohet si ushtri e ndarë në grupe të armatosura që kanë luftuar të pa organizuar dhe pa komandë”. Shtrohet pyetja pse Naim Maloku i ikë realitetit të hidhur dhe nuk pranon se UÇK-ja nuk kishte një komandë komanduese, se ajo ishte ushtri e ndarë në grupe të armatosura dhe se ajo nuk arriti të bëhet ushtri kombëtare edhe për vetë fajin e Naim Malokut? A thua ende nuk e din Naim Maloku se marrëveshjen për bashkimin e UÇK-së dhe të Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës në një komandë komanduese,  që e arritën Ahmet Krasniqi dhe Adem Demaçi, e prishi SHP i UÇK-së me urdhërin e Nanosit. A thua ende nuk e di Naim Maloku se edhe marrëveshjen e arritur në mes UÇK-së dhe LKÇK-ës e shkelën pehlivanat e Nanosit? A thua ende nuk e ka të qartë Naim Maloku se celulat e para të UÇK-së i krijuan Adem e Hamëz Jashari, Salih Çeku dhe Zahir Pajaziti me bashkëveprimtarët e tyre, dhe se njësitë ilegale që i komandonin ata bën një luftë guerile kundër shkaut, që nga 1991 deri kur pehlivanat e Nanosit e muarën “kalanë nga brenda’’ pasi  ua përgaditën kurthat komandantëve të parë të njësive guerrile të Republikës së Kosovës? Nait Hasanin e dekonspiruan për ta futur në burg. Zahir Pajazitit ia përgaditën kurthën të vritet në pritat e shkaut. Adem dhe Hamëz Jasharit ua përgatitën rrethanat që të futën në luftë frontale para kohe dhe pa armatime të nevojshme, që të vriteshin, me qëllim që ata ta merrnin udhëheqjen e njësive guerile. Salih Çekun e kërcënuan me vrasje, ndërsa Ahmet Krasniqin, i cili bënte përpjekje të jashtëzakonshme për bashkimin e faktorit politik dhe ushtarak të Republikës së Kosovës, dhe prishte planet e Serbisë për Kosovën,  e pushkatuan. Këto dhe shumë gjëra tjera të ngjajshme shumë  mire i di Naim Maloku, pasi që me presione psiqike dhe fizike,  pehlivanat e detyruan atë të ndërrojë qëndrimin e drejtë që e kishte në qershor të 1998, i cili nga njohësi i zëshëm i institucioneve të Republikës së Kosovës, u kthye në mohues të përbetuar të tyre. Po Naim Maloku ç’ bënte në SHP të UÇK-së? Ruante dhitë e pehlivanave të Nanosit apo merrte vendimet së bashku me ta për të penguar UÇK-në që të mos bëhej ushtri kombëtare, ushtri e popullit dhe e Republikës së Kosovës? Naim Maloku siç njofton gazetari i KD Rexhep Krasniqi bëhet “mbrojtës” i flaktë i Agim Ramadanit dhe i Salih Çekut edhe pse në fillim të këtij viti pat shpifur kundër tyre në mënyrën më të ligë. Gazeta “Kosova sot” e 25 janarit vërteton këtë gjë më së miri. Citojmë fjalët e Malokut “Ata që nuk patën guxuar të hyjnë të luftojnë në Kosovë  janë marrë kinse me Qeveri, me FARK. etj.’’ Por sot  Naimi thotë tjetër gjë, “ndërron mendimin”. Ai në tubimin parazgjedhorë thotë se “ndarja e dëshmorëve faktikisht e mohon edhe emblemën në të cilën ata u vranë,  dhe kështu,  bëhet edhe vrasja e dytë e tyre, siç po ndodhë me disa heronj të UÇK-së, duke filluar nga Adem Jashari, Agim Ramadani, Salih Çeku etj, - pastaj vazhdon- …gjaku i derdhur nën uniformën e UÇK-së nuk lejon ndarjen e saj siç tentohet të ndahet ajo në fraksione...etj”. Shtrohet pyetja pse zotëri Maloku nuk i thoshte këto që po i thotë sot, në janar të këtij viti? A nuk e dinte Naim Maloku se Agim Ramadani dhe Salih Çeku luftonin me të njëjtat simbole dhe me të njëjtën uniformë që mbante edhe zotëri Maloku?! A nuk dinte Naim Maloku se Agim Ramadani dhe Salih Çeku kishin rënë dëshmorë në Betejën e Kosharës? Naim Maloku i dinte mirë të gjitha këto, por pehlivanat e Nanosit e kishin bindur se ata do të merrnin pushtetin edhe me mjetet e dhunës. Maloku duke ditur rregullën e përgjithshme se fituesit e shkruajnë historinë, ishte i bindur se Ahmet Krasniqi me të gjithë dëshmorët tjerë të brigadave që i formoi ai dhe Ministria e Mbrojtjes, do të shpalleshin tradhëtarë për së vdekuri, me arsyetimin se u “manipuluan nga Bukoshi”, ndërsa ushtarakët e gjallë në krye me Kolonel Tahir Zemën,  përpos etiketës që do t’ua venin në ballë, do t’i pushkatonin apo do t’i dënonin me burgje të gjata. Kështu, Naim Malokut si mbetej tjetër vetëm se të luante një rol me rëndësi në jetën politike dhe ushtarake të Kosovës. Por Naim Maloku kur u bind se pehlivanat e Nanosit do ta marrin ’’flakareshën’’ e popullit, në vend të pushtetit mbi shqiptarët e Kosovës, na bëhet “mbrojtës me namë” i UÇK-së dhe kritikon LDK-në se po i “ndanë dëshmorët” e ka “harruar” se ishte vetë ai, që bëri jo vetëm ndarjen e dëshmorëve  por edhe mohimin e një numri jo edhe të vogël të  tyre. Çka është më e keqja Maloku edhe tash shpif për Agim Ramadanin kur thotë se “Agim Ramadanin e kam pasur bashkëluftëtar në Jasiq, pastaj ka hyrë në njësinë e Tahir Zemës dhe pasi Zema ka shkuar me 100 ushtarë në Prapaçan, Agim Ramadani ka mbetur deri pas plagosjes sime në Jasiq. E kam pasur bashkëluftëtarë në zonën operative ku kam luftuar, ndërsa më pas ka kaluar në Brigadën e Rrustem Berishës dhe është vrarë heroikisht në luftë’’. A nuk është kjo një shpifje e ultë ndaj Agim Ramadanit? A nuk është ky tentim për të falsifikuar veprimtarinë heroike të heroit të kombit Agim Ramadani dhe njëkohësisht falsifikim i historisë?! Agim Ramadani zotëri Maloku, ishte një ushtarak atdhetar,  i cili dinte si krijohet ushtria dhe dinte si mbrohet Kosova. Ai nuk pranoi të bëhet argat i argatve të armiqve tanë. Ai nuk u manipulua, siç u manipulua Naim Maloku nga pehlivanat e Nanosit, edhe pse i premtuan poste,  edhe pse e kërcënuan. Ai hyri në Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës dhe së bashku me Tahir Zemën në cilësinë e zëvendës komandantit të Brigadës 131 pat hyrë në Kosovë më 24 qershor të 1998, dhe ai mbet në Jasiq me detyrën që ia caktoi Komandant Tahir Zemaj, për të pritur armatimin që duhej t’u  vinin nga Ministria. Pra ai nuk pat “hyrë në brigadën  e Rustem Berishës në Jasiq”, siç thotë Maloku, por qe caktuar zëvendës komandant i asaj brigade nga Ahmet Krasniqi dhe  Ministria e Mbrojtjes, dhe se ai nuk “u vra  në luftë”, siç thotë Maloku, por u vra në vijën e parë të frontit në Koshare,  pasi e realizoi planin për thyerjen e kufirit, plan që e kishte përpiluar vet me shokët e luftës, Salih Çekun dhe Anton Çunin.

Më në fund kisha për t’ia rikujtuar Naim Malokut dhe ushtarakëve të tjerë, se është e domosdoshme të na i zbardhin rrethanat e vrasjeve të ushtarëve shqiptarë në Armatën Jugosllave,  deri sa ata  kryenin profesionin e ushtarakut në atë ushtri. Siç dihet shumë të rinjë shqiptarë u vranë disa ditë para se ta kryejnë shërbimin ushtarak në APJ-në,  edhe me fajin e disa ushtarakëve shqiptarë, të cilët u vunë në shërbim të KOS-it jugosllav, duke i spiunuar kolegët dhe ushtarët e tyre. Është koha e fundit që shqiptarët të merren me zbulimin dhe dokumentimin e krimit nga Armata Jugosllave mbi të rinjët shqiptarë të cilët u vranë në mënyrën më barbare, duke i shpifur se kinse kishin bërë “vetëvrasje”. Shqiptarët nuk guxojnë t’i harrojnë ata djelmosha trima që u vranë aq mizorisht nga dora katile e shkaut, vetëm se ishin  shqiptarë. Do të bëhet vrasja e dytë e tyre po qe se shqiptarët nuk i trajtojnë si duhet, po qe se e lënë zbardhjen e vrasjes së tyre vetëm në përkujdesjen e prindërëve dhe farefisit dhe po qe se nuk shpallen dëshmorë, sepse nga plumbi, thika, helmi apo laku i shkaut u është marrë jeta,  vetëm se ishin shqiptarë, vetëm se donin shqiptarinë, vetëm se nuk pranuan të bëheshinn opanga  dhe masha të  shkaut.

Botuar : ’’Bota sot’’,  më 19 tetor 2000