Në këtë aneks gjendet një shkrim i imi i botuar në gazetën “Bota sot” dhe “Rimëkëmbja”, ashtu siç e kam shkruar unë, në fund të viti 1998, dhe “kopja” e tij e botuar në ’’Drita’’, redaktuar sipas stilit zhdanovist, që ia ka ndryshuar krejtësisht kuptimin, shkrim të cilit i referohet Cakiqi në fletë-rrufetë që ka shkruar kundër meje në traktin e partive enveriste të Kosovës “Epoka e re”.

 

PSE PO PENGOHET FORMIMI I QEVERISË SË KOSOVËS?

 

Një popull i lashtë e fisnik, trim, krenar e zemërgjërë siç është populli ynë, të cilit i Madhi Zot ia dhuroi viset më të bukura dhe më të pasura të kontinentit të Evropës, nuk e pati lehtë t’u përballonte sulmeve të njëpasnjëshme të armiqve të shumtë, të afërtë e të largët, fqinjëve tinzarë, dhe ardhacakve barbarë. Vetëm luftërat e vazhdueshme për jetë a vdekje me serbo-sllavo-grekët në mënyra të ndryshme, dhe rrethanat lehtësuese që u krijuan në siujdhesën Ballkanike nga  faktorët e huaj jasht ballkanik, në periudha historike kur populli ynë gjendej në situata tejet të vështira, e shpëtuan  nga zhdukja e sigurt.

Thuhet se historia është «mësuesja e jetës» dhe se ajo nuk përseritet. Këto thënje i kanë hudhur poshtë prijësit dhe udhëheqësit shqiptar me veprimet  e tyre, në të gjitha ngjarjet e rëndësishme të vendit të tyre, pasi të njëjtat gabime dhe faje janë përsëritur gjeneratë pas gjenerate. Të gjitha luftërat që i ka bërë populli ynë, që nga Teuta e deri në ditët e sotme janë bërë të pa përgatitura mirë sa duhet (përpos të periudhës së Skënderbeut) dhe pothuajse të gjitha kanë filluar jo në momentet më të përshtatshme, por gjithnjë parakohe apo pas kohe, kur më së miri u shkonin për shtat interesave të armiqve tanë. Çka është më e keqja, prijësit dhe udhëheqsit e popullit tonë, në të gjitha ngjarjet e rëndësishme ku vendosej për fatet e atdheut, janë ndarë dhe përçarë për interesa personale apo për kapricio, xhelozi dhe inate ndaj njëri-tjetrit. Në mënyrën më të zezë dhe më të vrazhdë po përseriten të njëjtat dukuri edhe në ditët e sotit, kur qenja jonë kombëtare është e rrezikuar më tepër se kurrë më parë, ndërsa Kosovës po i kanoset rreziku i coptimit nga kasapët serb me përkrahjen e drejtpërdrejt apo  tërthorazi të klases politike të Kosovës.

Dihet se roli i individit, i personaliteteve që kanë bërë emër, ka luajtur rol me rëndësi në rrjedhat e ngjarjeve shoqërore, kulturore dhe politike të popullit tonë. Armiqët tanë gjithmonë kanë ditur të na godasin aty ku më së shumti na sillnin dëme dhe pasoja. Ata me mjete perfide ditën të na i zhdukin moralisht dhe pastaj fizikisht prijësit dhe udhëheqësit tanë që patën zotësi, autoritet, guxim, dije organizative dhe trimëri, për t`i shkatrruar planet e tyre antishqiptare. Mjafton t`i përmendim personalitetet historike të shekullit 20-të, pa i përmendur edhe personalitetet e mesjetës e të shekullit 19-të, që i zhdukën armiqët tanë me mjete perfide, duke paguar injorantë dhe tradhtarë nga radhët tona, për ta ngrehur gishtin e krimit për hesapet dhe interesat e tyre. I vranë, i mbytën nëpër burgje, apo vdiqën menjëherë pasi u liruan nga burgjet, si pasojë e torturave të bëra nga udbashët xhelatë. Bënë atentate politike ndaj Isa Bolitinit, Hasan Prishtinës, Luigj Gurakuqit, Avni Rrustemit, Jusuf e Bardhosh Gërvallës, Kadri Zekës, Enver Hadrit, Azem Hajdarit, Ahmet Krasniqit etj. Ndërsa i mbytën nëpër burgje, apo vdiqën po sa dualën nga burgu nga pasojat e torturave: Shaban Shalë, Fazli Grajçefcin, Zija Shemsiun, Metush Krasniqin, etj.

Armiqët tanë, serbo-grekët, po i venë në jetë planet e tyre antishqiptare sipas skenareve të përgaditura mirë. Goditjen për vdekje ia bënë kombit tonë në vitin që shkoi nëpërmjet të ashtuquajturit « revolucion të vonuar demokratik ». Skenarët e tyre po i realizojnë shkallë-shkallë me mjete perfide. Kolona e pestë po vepron në të gjitha trojet shqiptare. Ushtria greke në Tiranë ruan pushtetarë të cilët i marrin urdhërat dhe planet nga Athina dhe Beogradi për ta goditur  Shqipërinë  me mjete perfide nga mbrenda, për të mos e lënë t`i çeli sytë, që të mos  bëhet e zonja as për vetvehten e lere më të jetë në gjendje të kujdesej për bashkëkombasit e saj në Çamëri, Kosovë dhe vise tjera shqiptare. Toplicën dhe Çamërinë i pastruan etnikisht qysh moti, dhe në ato vise me shqiptarë, nuk kanë më probleme. Tani po bashkëveprojnë serbo-grekët për ta pastruar etnikisht Kosovën, ndërsa Shqipërinë e jugut për ta çkombëtarizuar me anë të helenizimit, dhe pastaj me krijimin e kushteve dhe rrethanave të përshtatshme të kalojë nën okupimin e drejtpërdrejtë të Greqisë. Fatkeqësisht, serbo-grekëve sot po ju ndihmojnë, me vetëdije apo pa vetëdije, në planet e tyre djallëzore, pushtetarët dhe subjektet politike të Shqipërisë dhe të Kosovës. Edhe partiakët e shtirë, që veprojnë nepër degët e partive shqiptare të formuara në diasporë, dhe pararoja komuniste e LPK-së, i kanë përçarë dhe po i përçajnë gurbetqarët tanë, duke i vënë interesat e tyre partiake, personale dhe klanore mbi ato kombëtare. Ata janë bërë pengesë e madhe për ta organizuar diasporën në baza të shëndosha kombëtare, dhe kështu, po e bëjnë punën e armiqve tanë shekullorë  duke i ndarë dhe përçarë shqiptarët në baza partiake, klanore dhe regjionale.

Me daljën në skenën politike të Unionit të Pavarur Studentor, dhe të UÇK-së, shqiptarët e ’’mundën frigën’’ dhe e prishën status-quon në Kosovë. Rezistenca burrërore e prijsit të UÇK-së Adem Jasharit me familjen e tij, dhe masakrat e fëmijëve dhe grave nga serbët,  e ndërkombëtarizuan çështjen e Kosovës,  dhe ngritën në këmbë rininë tonë heroike për t`i rrokur armët e për t`i dhënë UÇK-së forcë dhe krah, për tu rritur dhe forcuar më një shpejtësi të rrufeshme. Subjektet tona politike dhe shtetërore, e në veçanti Qeveria e Bukoshit, në vend se t’i bashkojnë veprimet dhe qëndrimet për ta forcuar me kuadra dhe armatime të rënda UÇK-në, dhe për ta institucializuar atë, vazhduan me politikën e tyre shtatëvjeçare ‘’dikush thumbit dikush patkoit’’, thuajse asgjë nuk po ndodh, edhe pse Drenica dhe Dukagjini po digjeshin flakë. Presidenti i Kosovës më në fund e formoi Parlamentin e Kosovës me përkrahjen e faktorit ndërkombëtar. Në vend se të përkrahet themelimi i Parlamentit si një institut me rëndësi të madhe shtetërore, nga të gjitha forcat politke të Kosovës, formimi i këtij instituti nuk u përkrah,  dhe u shpall ’’jo legjitim’’ nga Qosja, Demaçi, Hyseni, UÇK-ja dhe Beogradi. Një anomali e tillë mund të ndodhë vetëm tek shqiptarët. Qosja me kompani bashkë me  Demaçin, në vend se ta përgëzojnë Rugovën për këtë fitore të shtetësisë së Kosovës, duke punuar pa hile në formimin e Qeverisë së përbashkët, me të gjitha forcave politike që përfshiheshin apo nuk përfshiheshin në Parlament, për të cilën çështje ishin dakort Presidenti dhe Parlamenti i Kosovës, ata donin ta formonin një Qeveri të dalë nga një forum partiak, i ashtuquajtur ’’Këshilli Kombëtarë’’ me të cilin do të injoroheshin institucionet shtetërore. Diplomacia amerikane, më në fund, arriti t’i detyrojë udhëheqësit e përçarë të Kosovës për të filluar bisedimet për formimin e Qeverisë. Në vend se të formohej Qeveria nga i gjithë spektri politik dhe ai ushtarak, pasi që amerikanët njohën faktorin e UÇK-së, si forcë serioze, pa të cilën nuk mund të bisedohet për çështje të Kosovës, bisedimet edhe pse zgjatën më tepër se një muaj, përfunduan pa sukses. Fatëkeqësisht, subjektet politike dhe shtetërore të Kosovës, ende po e luajnë lojën e djallit të mallkuar ’’dikush thumbit dikush patkonit’’ duke bërë luftë për pushtet dhe pozita udhëheqëse, pa e krijuar shtetin. Ata po e fajësojnë njëri-tjetrin për fajet e bëra ndaj çështjes së Kosovës, dhe po i thellojnë përçarjet në ekstremitet. Opinioni ynë, miqët dhe dashamirët e kombit tonë, kanë pritur që së paku, pas fushatës së ushtrisë serbe kundër UÇK-së dhe masakrave të bëra ndaj popullësisë të Drenicës dhe Dukagjinit, udhëheqja shtetërore dhe partiake e Kosovës do të vetëdijësohet për dëmet që i solli popullsisë së Kosovës, UÇK-së dhe çështjes sonë kombëtare, që s’i dëgjuan kërkesat e miqve, dashamirëve, diplomatëve të SHBA-ve, dhe opinionit tonë për të dalur me një zë para faktorit ndërkombëtar dhe atij serb, për çështjen e Kosovës. Ata duhet ta dijnë se ndajnë bashkëfajësinë me çetnikët e Beogradit, sepse sjellja e tyre me papërgjegjësi ndaj kërkesave të faktorit ndërkombëtarë për ta institucionalizuar jetën politike të Kosovës, ua mundësuan çetnikëve të Beogradit të marrin dritën e gjelbërt nga faktori ndërkombëtar për fushatën e fundit kundër UÇK-së dhe popullsisë së pa armatosur.

Duhet ta kenë të qartë udhëheqja e Kosovës se lufta e tyre për pushtet nuk do t’u sjellë atyre kolltuqet e dëshëruara të pushtetit, as Kosovës çlirimin nga kthetrat serbe, dhe as lirinë shqiptarve të Kosovës. Veprimet e tilla me siguri do t’i sjellin kob, mjerim, vaj dhe varre Kosovës, ndërsa atyre vetëm turpin dhe mallkimin. Si nuk mori mësim klasa politike e Kosovës se në çfarë gjendje e sollën dhe si e katandisën Shqipërinë karrjeristët e sëmurë për pushtet dhe stalinistët e përbetuar që morën pushtetin me rrebelim dhe dhunë. A thua i duhet Kosovës një ’’ revolucion’’ i tillë? Kush i dha për detyrë Qosjes të bëj një përçarje kaq të shëmtuar të subjekteve politike të Kosovës? Eshtë vallë në pyetje karrierizmi i tij për privilegje dhe pushtet, apo është në pyetje kryerja e detyrës që ia ka caktuar Fatos Nano? Si po shihet zotëri Qosja ka vendosur t’ia sjelli Kosovës një ’’revolucion’’ - variant të ngjashëm me atë të revolucionit të vonuar demokratik të Shqipërisë. Ngjashmëria e kacafytjeve për pushtet, që u zhvillua në Shqipëri në pranverën e vitit që shkoi,  në mes forcave që e kishin pushtetin dhe forcave opozitare, dhe luftës për pushtet që po bëhet sot në Kosovë në mes subjekteve politike të përfshira në Parlamentin e Kosovës, dhe bllokut opozitarë të Rexhep Qosjes,  jepin të kuptojnë se të njejtin skenarë që e përdorën socia-komunistët e Shqipërisë, të njëjtin skenar po e përdorin enveristët e Kosovës në krye me Qosjen. Për fat të mirë UÇK-ja është deklaruar se nuk përkrah këto përçarje dhe ka kërkuar nga subjektet politik që të mos krijojnë aleanca dhe grupime partish, por së bashku t’i krijojnë institucionet shtetërore. Fatkeqësisht, Qosja e Hyseni me kompani,  e kanë bërë veshin shurdhër ndaj këtyre kërkesave shumë me vend. A thua nuk e ka të qartë Qosja me piunët e tij se pavarësia e Kosovës nuk mund të arrihet pa formimin e subjekteve shtetërore, pa pasur përkrahjen e një fuqie të madhe botërore, dhe pa bashkimin e të gjitha forcave njerëzore, intelektuale dhe financiare të popullësisë shqiptare të Kosovës dhe ndihmës së pakursyer të çdo shqiptari kudo që gjendet në  globin toksorë, në të mirë të çështjes sonë kombëtare, sepse kemi të bëjmë me një armik të pa shpirtë dhe barbar, që ka një përkrahje të fuqishme nga ’’majka Rusia’’ dhe aleatë e miq të shumtë e të fuqishëm. Kemi të bëjmë me një armik, që në përpikëri po i realizon qëllimet e tija në këto dhjetë vitet e fundit, duke e bërë pastrimin etnik të Kosovës me mjete dhe mënyra të llojllojshme. Po qe se udhëheqja e Kosovës vazhdon edhe më tutje të vepron në këtë mënyrë, duke i ndarë forcat politike të Kosovës në dy taborre kundërshtare, zgjedhja e çështjes së Kosovës do të zhagitet taman siç i pëlqen Serbisë dhe aleatëve të saj. Lumi i shpërnguljeve për në Evropë dhe kontinente tjera nuk do të ndalet. Kosova do të mbetet pa rininë e saj vitale. UÇK-ja nuk do të ketë mundësi të forcohet dhe të modernizohet po qe se ajo nuk institucionalizohet dhe depolizohet për t’u bërë ushtri e rregullt e shtetit të Kosovës, e jo siç po kërkojnë disa të mbetet edhe mëtutje krah politik i partive apo klaneve të ndryshme. Duhet ta ketë të qartë Qosja me kompani se me mosnjohjen e institucioneve të Republikës së Kosovës të dala nga zgjedhjet e vitit të kaluar, si dhe me bllokimin e përpjekjeve për ta formuar Qeverinë e Kosovës, po i bëjnë përçarjet më të mëdha ndërshqiptare dhe ndërnjerëzore dhe po i sjellin dëme të mdha çështjes sonë kombëtare. Po ashtu kërkesa e Qosjes, Demaçit, Hysenit dhe ca forcave tjera për formimin e një Asambleje me metoda komuniste, duke injoruar institucionet e formuara shtetërore, nuk do ta kishte kredibilitetin më të fortë se organet shtetërore të formuara nga zgjedhjet e marsit të vitit të kaluar në asnjë mënyrë, por do t`i çvlerësonte të gjitha institucionet shtetërore, përfshirë këtu edhe Referendumin dhe shpalljen e Kosovës Republikë. Mosformimi i një qeverie të përbashkët në afatin sa më të shkurt nga spektri i gjërë politik i Kosovës, do të ketë pasoja tepër të mëdha për çështjet madhore  kombëtare, kurse përgjegjësinë për to do ta mbajnë ata që po pengojnë formimin e saj në krye me kryepërçarësin dhe kryekallauzin e të gjitha mosmarrveshjeve, ndarjeve, ngatërresave dhe përçarjeve ndërshqiptare dhe ndërnjerëzore të klasës politike të Kosovës zotri Rexhep Qosjes.

                                                                 

Botuar : ’’Bota Sot’’më 24 nëntor 1998                   

dhe në ’’ Rimëkëmbja’’, dhjetor 1998