REXHEP QOSJA – IDEOLOGU I REBELËVE SHQIPTARË

 

Dueli që po zhvillohet sot në trojet shqiptare, si në gjysmën e Shqipërisë së lirë, si në atë të robëruar, është vendimtar për kombin tonë. Forcat antikombëtare, armiqtë shekullor të kombit tonë së bashku me kolonën e pestë, që e krijuan me aq kujdes në trojet tona, i kanë bashkuar radhët e tyre dhe po na sulmojnë në shumë drejtime, në bazë të një strategjie dhe taktikave të përpunuara mirë, për ta shkatërruar shtetin shqiptar dhe për ta ç`bërë Shqipërinë, për ta kallë luftën vëllavrasëse në mes shqiptarëve, që shqiptari të jetë rob i tyre përgjithmonë.

Nuk mund të jetë rastësi që çdo herë kur çetnikët e Beogradit dhe shovinistët e Shkupit i japin goditje të rëndë rezistencës tonë kombëtare, atyre u del në ndihmë kolona e pestë, e krijuar po prej tyre në Shqipëri si dhe aleatët e tyre në Athinë.

Në këtë kohë krize morale, intelektuale, politike dhe organizative në të cilën ka rënë kombi ynë, shumë intelektualë dhe veprimtarë tanë kanë ra dhe po bien në provimin e jetës. Si është e mundur që ata të mos e kenë të qartë, apo nuk donë ta kenë të qartë se kombi ynë tani është duke u sulmuar për një herë dhe në të njëjtën kohë nga armiqtë tanë shekullorë, sllavo-bizantin, në mënyrë djallëzore dhe me mjete perfide? 

Këto ditë, u befasuam edhe me një të papritur, me një anomali tragjiko-komike, që krisi si reja në opinionin shqiptar dhe atë ndërkombëtar. Askush s’ka pritur që akademik Rexhep Qosja, i cili predikonte të bëhej “babë” i kombit shqiptar, do të sharronte në shamakun e tradhëtisë kombëtare. Ai në vend që ta ngrinte zërin për mbrojtjen e Shqipërisë, për mbrojtjen e Shtetit shqiptar, të institucioneve shtetërore, arsimore, kulturore, të njerëzve të pafajshëm, të ngrinte zërin kundër armiqve që po përpiqen t’i realizojnë ëndërrat e tyre të zeza, për t’i grabitur trojet tona, për ta shkatërruar atë gjysmë Shqipërie, për ta zhdukur shtetin shqiptar, për ta futur luftën shkatërruese vëllavrasëse ndërmjet shqiptarëve, dhe për ta bindur botën me teoritë e tyre shoviniste se gjoja “shqiptarët janë popull jo shtetëformues, shkatërrues të vlerave materiale dhe kulturore, të pa aftë të drejtojnë shtetin, të rrezikshëm për paqë dhe për fqinjët e tyre”,  Rexhep Qosja ngrihet për të mbrojtur të kundërtën e asaj që është dashur të bëjë!      

Sot, pas ngjarjeve tragjike që po zhvillohen në Shqipëri, vetëm një tru i krisur, një mendje e marrë, një zemër e prishur, një njeri i shitur me shpirt e me zemër për djallin e mallkuar,  apo i shitur tek qendrat antishqiptare sllavo-bizantine (me vetëdije apo pa vetëdije, pak rëndësi ka) mund ta quaj ’’Revolucion demokratik’’ siç e quajti zotriu Rexhep Qosja këto ditë në intervistën që i dha BBC-së, veprën më të shëmtuar, që ia bënë kolona e pestë, sigurimet dhe mafiat e huaja, hajnat dhe rrugaçët shqiptarë,  Shqipërisë, shtetit dhe kombit shqiptar.

Me intervistën që zotëri Qosja i dha BBC-së, i mori në mbrojtje ato mbeturina të kombit shqiptar, ato mafie kondrabandiste, ata hajna dhe rrugaçë, që ia vunë flakën Shqipërisë, duke kallur e shkatërruar çdo gjë të shenjtë shqiptare, duke vrarë e djegur njerëz të pafajshëm, duke ia përgatitur varrin Shqipërisë dhe kombit shqiptar. Përkrahja e tij, do t’i trimërojë edhe më tepër rebelët shqiptarë për t’i rifilluar djegiet, për ta ndezur luftën civile Jug-Veri.

Zotëri Qosja duhet ta dijë se plumbat e fjalëve që ia shkrepi Shqipërisë dhe shtetit shqiptar, janë plumba më të rrezikshëm dhe më helmues se gjithë plumbat që i shkrepën tradhëtarët dhe kriminelët. Sot, kur Atdheu është në rrezik, kur popullit tonë po i përgatitet tragjedia më e madhe gjatë gjithë historisë së tij të gjatë, është detyrë që forcat e shëndosha kombëtare, veprimtarët dhe atdhetarët e dalluar, intelektualët, i tërë populli ynë, t’i bashkojë radhët në mbrojtjen e Shqipërisë, në mbrojtjen e çështjeve të rëndësishme kombëtare, në mbrojtjen e Kosovës dhe viseve tjera shqiptare, që të parët tanë na i mbrojtën me sakrifica të mëdha.

Çdo shqiptar, që ka arësye të shëndoshë dhe zemër të pastër, duhet të nxjerrë  mësime nga kjo tragjedi që e gjeti Shqipërinë dhe kombin tonë. Kurrën e kurrës nuk kishin mundur armiqtë tanë t’i realizojnë planet e tyre djallëzore, sikur forcat e shëndosha dhe njerëzit e Shqipërisë të mos kishin rënë nën ndikimin e partiakëve të shtirë dhe karrieristëve të sëmurë për pushtet, për të cilët partia dhe kolltuku janë mbi çdo gjë, ata që janë në gjendje të bëjnë aleanca edhe me armiqët tanë shekullorë, edhe me mafiet kriminale, edhe me hajna dhe rrugaçë, vetëm e vetëm që t’i realizojnë interesat e tyre partiake dhe personale.

Prandaj, duhet ta kuptojmë me gjithë mend se ngatërresat dhe mosmarrëveshjet që partiakët e shtirë mbollën në mes nesh duhet t’i tejkalojmë sa më parë, për hir të çështjeve parësore, për hir të nënës Shqipëri, për hir të shtetit tonë, për hir të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare, për hir të shumë gjeneratave të mëparshme që na i ruajtën këto troje me sakrifica të mëdha, për hir të gjakut të derdhur që shqiptari të mos jetë skllav dhe rob i askujt, për hir të pasardhësve tanë, për hir të ardhmërisë së Shqipërisë dhe kombit tonë, t’i bashkojmë radhët dhe veprimet për të mirën tonë. Të këndjellemi mendësisht, të pastrohemi shpirtërisht, të vijmë në veti, dhe t’ia fillojmë punës së mbarë. Çdo njëri ta kryejë atë punë që mund ta kryejë më së miri për Shqipërinë dhe ardhmërinë e pasardhësve tanë. Prandaj t’ia fillojmë punës për së mbari, me organizim të mirëfilltë kombëtar dhe  pa ngjyrime ideologjike.

                   Na qoftë puna mbarë!

                   I Madhi Zot na ndihmoftë!

 

Botuar:’’Rilindja’’ më 7 prill 1997 me titull: Banditët e kriminelët ‘’revolucionarë demokratik”,ndërsa në “Drita”(Suedi) nr 13/1997 me titull: “Zoteriu Rexhep Qosja u bë ideolog i rrebelëve shqiptarë’’