QOSJA, KY  « ENGJËLL  ROJTAR  I   REVOLUCIONIT  TË VONUAR  DEMOKRATIK »                          

 

Reagim në intervistën e Rexhep Qosjes të botuar në ZIK nr.40, 41 të datës 30 tetor dhe 6 nëntor 1997 me titull:’’Politikën e mjerë s’mund ta ndihmojë askush’’ dhe ’’Fituesit e zgjedhjeve të 1992-shit e kanë futur Kosovën në arkivol!’’.

 

“Një nga fatkeqësitë më të mëdha të qytetërimit është budallai i ditur”(Çapajev).

“Mos prit pemë nga shelgu e hije nga hurma’’(Thënje orientale)

 

Me këtë intervistë Qosja u tregoi lexuesve të ZIK-ut dhe adhuruesve të tij se ai ende nuk e ka kryer duelin me Sali Berishën, sepse sipas tij Berisha “do të pengojë pushtetin e tashëm, që të krijojë kushte për rilindjen ekonomike, politike, juridike ushtarake, shpirtërore morale të vendit’’(?!). Qosja i paralajmëroi lexuesit dhe adhuruesit e tij se ky dimër do të jetë i nxehtë dhe shumë i zhegitshëm për krerët e partive politike të Kosovës, e veçmas për Presidentin, Demaçin dhe Mark Krasniqin. “Dajakun” që ua dha këtë radhë Qosja, me intervistën e tij Presidentit dhe Demaçit ishtë vetëm fillimi dhe hiç kurrgjë në krahasim me çka do t’i presë më vonë këta dhe të tjerët, që patën pasur guxim t’ia kritikojnë “revolucionarët” e “revolucionit të vonuar demokratik” të Shqipërisë.

Në këtë intervistë shihet qartë se “roja i demokracisë” është i lumtur që urdhëri i tij “ata që me çdo kusht duan të mbeten në pushtet, ata me çdo kusht duhen larguar nga pushteti’’ u realizua me sukses, por ai, ende nuk është i liruar prej drojës së mbajtjes së Sali Berishës në skenën politike shqiptare. “Roja i demokracisë” ende nuk ua ka zbuluar lexuesve të ZIK-ut dhe adhuruesve të tij se si duhet larguar Sali Berisha nga skena politike shqiptare? A do të jetë i “mëshirshëm” këtë radhë Qosja ndaj Berishës, a do ta lërë të qetë që ky i fundit të udhëheqë partinë e tij? Ku i dihet, koha do të tregojë!? Me siguri, “roja i demokracisë” do ta ndërrojë taktikën për largimin e Berishës nga skema politike shqiptare. Këtë radhë nuk do t’i përdorë shantazhet dhe ultimatumet si më parë. Këtë radhë taktika për ta eliminuar Berishën nga skena politike shqiptare do të jetë ‘’fshehtësi’’ e klasit të parë.

Ashtu siç i përkrahu me zemër, me shpirt dhe me shkrime për ta marrë pushtetin me dhunë dhe dredhi bolshevike, edhe tani, kur po e sundojnë Shqipërinë, “roja i demokracisë” po tegohet i gatshëm ta përkrahë pa rezervë Qeverinë, që e polli “revolucioni i vonuar demokratik” i Shqipërisë. Duke vlerësuar punën e saj Qosja thotë: “Shifet qartë se Shqipëria tash qeveriset prej intelektualve të lartë siç janë Rexhep Mejdani, Neritan Ceka dhe Paskal Milo..., që e dinë mirë ç’ka i duhet Shqipërisë’’ dhe pastaj  vazhdon: ’’E kanë filluar mirë, por demokracia do shumë prova. Nuk e kanë të lehtë. Të ndërtosh demokracinë në Shqipëri me Sali Berishën dhe Azem Hajdarin në opozitë në Tiranë, e me Markun në Prishtinë bash nuk është lehtë! Demokracinë e vërtetë askund në botë nuk mund ta ndërtojnë qeveritarët, por ata që janë në pushtet dhe ata që janë në opozitë. Bashkë. Demokracia s’bëhet veçmas, por vetëm bashkë me marrëveshje”. “Babai” i social-komunistëve shqiptar shpreh kënaqësinë e tij se “intelektualët e lartë e kanë nisur mirë” qeverisjen e tyre me revanshin komunist, duke përdorur shantazhe, kërcënime, pastrime në organet e pushtetit policor, ushtarak, në organet e drejtësisë, me plagosjet dhe likuidimet fizike të kundërshtarëve të tyre politik, etj. “Roja i demokracisë” ua qan hallin “intelektualve të lartë” që po e qeverisin Shqipërinë, se nuk e kanë lehtë të ndërtojnë demokracinë me Sali Berishën dhe Azem Hajdarin, të cilët nuk po i lënë të qetë qeveritarët që i solli ’’revolucioni i vonuar demokratik’’ pasi që,  po ua qesin në shesh të gjitha maskarallaqet që po i bëjnë për ta eliminuar opozitën nga jeta politike shqiptare.

 

Qosja ia ka hallin edhe Milosheviçit...

Unë dhe një pjesë e lexuesve të  ZIK e kemi të qartë brengosjen e Qosjes, që Mazreku (deputeti komunist që plagosi Azem Hajdarin në parlament në shtator 1997) nuk mundi t’i eliminojë nga skena politike shqiptare Berishën dhe Hajdarin, që po u sjellin telashe pushtetarëve të Shqipërisë, por nuk e kemi të qartë brengosjen e tij që nuk mund të ndërtohet demokracia me Markun në Prishtinë në opozitë(!). Sipas Qosjes, partitë politike të Kosovës janë kthyer në “parti opozitare të regjimit të Millosheviçit”. Prandej po del se Qosja ia ka hallin edhe Millosheviçit, që nuk e ka lehtë të ndërtojë demokraci në Prishtinë “me Markun në opozitë”. “Rojës së demokracisë” për habinë e lexuesve, tani i bie ndërmend t’u japë mësime pushtetarëve se si ndërtohet demokracia e vërtetë. Deri sa ishin në opozitë social-komunistët, ky farë akademiku këndonte këngë tjetër. Jepte tjera mësime. Kur social-komunistët i kishin bërë përgatitjet e duhura për ta marrë pushtetin me dhunë, atëherë kur në Vlorë iu kishte futur flaka Shqipërisë, atëherë kur pritej me padurim fjala e Qosjes, për të ndikuar tek krerët e Partisë Socialiste që të mos e keqëpërdornin fatkeqësinë e njerëzve për interesa të ngushta personale dhe partiake, por të gjindej mirëkuptimi dhe mënyrat për të dalë nga kriza me mjete demokratike, ai u dha zemër dhe i përkrahu rrebelët komunistë dhe kriminelë të llojllojshëm, që të mos e ndalin turrin deri sa ta rimerrnin pushtetin. “Roja i demokracisë”, si duket, ka vendosur të shkojë deri në fund për ta përkrahur çdo potez të pushtetarëve të sotëm! Ai entuziazmohet sidomos me politikën e jashtme që po e udhëheq Qeveria e Nanos. Ai për Milon thotë: “Në politikën e jashtme shqiptare ka sjellur gjuhë të re, gjuhë politike të intelektualit që kudo që të paraqitet do ta nderoj popullin e vet. Gjuhë politike me sistem, politikë e jashtme me sistem. Çfarë dallimi prej asaj politike që deri para disa muajsh bëhej’’. Çka do t’i thotë kësaj lexuesi i informuar mirë për këto lavde të Qosjes, për diplomacinë qesharake dhe antikombëtare që po bën sot qeveria e Nanos. A thua, aq tepër po i pëlqeka “babait” të komunistëve shqiptarë “integritetet ballkanike” dhe “rrëzimi i mureve’’ me grekët dhe serbët, për të kaluar njerëzit nga një shtet në tjetrin pa viza? A thua e paska ndërruar akademik Qosja qëndrimin e tij verbal për “bashkimin kombëtar” duke e zëvendësuar atë me “integrimet ballkaniko-evropiane” të diplomacisë shqiptare? A thua, aq tepër po i pëlqeka Qosjes “rruga që e shpie Shqipërinë në Evropë nepërmjetAthinës” ? A thua vallë, “politikë e jashtme me sistem” i thuhet përqafimit të Nanos dhe Milos me Millosheviçin dhe Milutinoviçin duke u marrë vesh që “pakicat kombëtare” në Shqipëri dhe në Jugosllavi t’i gëzojnë të drejtat qytetare?! A thua “politikë e jashme me sistem’’ i thuhet asaj politike, që shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre etnike, të quhen komunitet? A thua, i thuhet “gjuhë politike e intelektualit’’ asaj politike, që kërkon të fillojnë bisedimet në mes Prishtinës dhe Beogradit pa ndërmjetësimin e palës së tretë, duke e pranuar se çështja e Kosovës është problem i brendshëm i Serbisë?! A thua vallë, duhet të quhet “politikë e jashtme me sistem” politika që Shqipërinë po e shëndrron në koloni greke?! A thua, kush nuk e ka të qartë, se ta mbrosh një politikë të tillë qesharake dhe antikombëtare, nuk mundet askush tjetër përpos një avokat i paguar mirë, siç po vepron zotëri Qosja?

Por, një politikë të tillë e mbrojnë edhe partiakët e sertë dhe kulltukaxhinjtë, për të cilët partia dhe kolltuku janë mbi çdo gjë, pra edhe mbi interesat kombëtare. Përkrahjet e tilla pa rezervë të Qosjes për diplomacinë e qeverisë së Nanos e hedhin poshtë arsyetimin e tij se ai e ka sulmuar Sali Berishën për shkakun se “Sali Berisha pa pushuar i ka ndërruar konceptet për zgjedhjen e çështjes së Kosovës por kurrë nuk ka kaluar nivelin e autonomisë”. Po sikur të ishte ai shkak, që e nxiti Qosen të harxhojë aq shumë energji për ta luftuar Sali Berishën, atëherë, ai do të kishte arësye edhe më të forta që ta fillojë të njëjtën luftë edhe kundër kësaj qeverie antikombëtare që erdhi në pushtet me ndihmën e armiqve tanë shekullorë serbo-jugosllav, greko-bizantin dhe aleatëve të tyre. “Roja e demokracisë” bëhet shumë qesharak, kur bën krahasimin në mes demokracisë që filloi në Shqipëri para pesë vitesh, dhe demokracisë në Evropën Përendimore që ka një traditë  të gjatë shekullore. Qosja thotë: “Merreni regjimin e Sali Berishës dhe vendoseni në ndonjërin prej vendeve të Evropës Perëndimore dhe mendoni se çka do të bënin intelektualët e atij vendi për shpëtimin e shtetit dhe të popullit. Unë -vazhdon Qosja -nuk kam kritikuar këtë apo atë njeri, këtë apo atë parti. Unë kam bërë betejën intelektuale për shpëtimin e Shqipërisë”?! A thua vallë “revolucioni i vonuar demokratik” e shpëtoi Shqipërinë, apo e kundërta?! Për ta bindur edhe një njeri të vetëm “roja i qorruar i demokracisë” duhet të ketë fakte. Ai duhet të na i numërojë të mirat që ia solli Shqipërisë “revolucioni i vonuar demokratik”. Ai gabohet, kur mendon se opinioni shqiptar mashtrohet lehtë me demogagji bolshevike, që ai e përdor me të madhe. Asaj, moti i ka dalë boja,  asaj mund t’i besojnë ende vetëm stalinistët e përbetuar, që e kanë ende trurin e bllokuar nga dogmat marksiste-leniniste. Qosja është dashur ta ketë mësuar një thënje të urtë që mëson se po që se na bien dy të këqija, dhe njërën prej tyre jemi të detyruar ta zgjedhim atëherë duhet që “prej dy të këqijave të  zgjedhim të keqen më të vogël”.  A thua do të kishte qenë e keqja më e vogël sikur të mos shkatërrohej shteti dhe të mos kallej Shqipëria për ta zëvendësuar pushtetin e demokracisë së brishtë me regjimin e ish komunistëve të Shqipërisë, që për 50 vite e çuan në vend porosinë e politikanëve dhe akademikëve serb të Pashiçit, Çubrilloviçit, Andriçit dhe të Qosiçit, sipas të cilëve duhej që Shqipëria të mbetej e dobët ekonomikisht dhe ushtarakisht, pa miq dhe aleatë të fuqishëm dhe pa autoritet ndërkombëtar”! A i ka dëgjuar ndonjëherë Qosja akedemikët serb duke kërkuar që “me çdo kusht” të largohet nga pushteti Millosheviçi, vrasësi dhe diktatori më i çoroditur i Evropës së sotme? Jo, ata kërkuan gjakftohësi dhe mirëkuptim në mes pozitës dhe opozitës, për t’i zgjidhur problemet, që Serbia të bëhej edhe më e fortë pas demonstratave e jo të dobësohej. Ata nuk e përkrahën opozitën që ta merrete pushtetin me dhunë, siç vepruan akademikët apo shkrimtarët tanë Qosja dhe Agolli. Akademikët serb nuk humbin kohë duke bredhur metropoleve të Evropës, duke u treguar pollavra kurbetqarve të tyre, por shkruajnë vepra “shkencore” për t’i bindur qarqet intelektuale dhe politikanët e Evropës dhe Amerikës se gjoja Kosova ka qenë dhe është “djep i serbizmit”, se ajo është “tokë e shenjtë serbe” e përralla të ngjashme,  me të cilat i kanë mbushur bibliotekat e Evropës. Akademikët serb edhe kur dalin jashtë atdheut të tyre, priten nga akademikë të shteteve që i vizitojnë, duke shkëmbyer mendime, firmosur marrëveshje bashkëpunimi etj. Po akademiku ynë Rexhep Qosja dhe akademikët e dy akademive shqiptare, sa punuan që përrallat dhe rrenat e akademikëve serbë t’i hedhin poshtë? Sa vepra u botuan nga akademikët tanë, dhe sa prej tyre u përkthyen në gjuhë të huaja, për ta luftuar propogandën serbe dhe për ta bindur opinionin botëror se Kosova kurrë nuk ka qenë dhe as që është “djep i serbizmit”, por ka qenë dhe është djep  i shqiptarizmit? Qosja nuk pati kohë t’i kundërshtojë akademikët serb, pasi që ai kishte marrë një detyrë me rëndësi të madhe për ta “shpëtuar Shqipërinë”  nga regjimi i Sali Berishës(!) Por edhe tani ai nuk do të ketë kohë për t’u marrë me rrenat e akademikëve serb, sepse tani duhet të merret me mbrojtjen e qeverisë së Nanos, së cilës Sali Berisha dhe Azem Hajdari po mundohen t’ia prishin rahatinë dhe t’i sjellin probleme.

 

A e mbrojti Qosja të vërtetën?

A thua është i sinqertë Qosja kur thotë: “Nuk e kam tradhtuar idealin tim të intelektualit që mbron të vërtetën dhe të drejtën, të intelektualit që nuk e pranon korruptimin e mendjes”. Po qe se Qosja nuk është i kufizuar vetëm në informatat që i jep ZIK-u dhe ZIP-i, por është i informuar edhe nga burime tjera jo ideologjike, atëherë ai ka mësuar se “revolucioni i vonuar demokratik” u përgatit dhe u përkrah pa rezervë nga stalinistët shqiptarë dhe armiqtë tanë shekullorë sllavo-bizantinët dhe aleatët e tyre. Atëherë, ç’farë të “drejte” dhe cilën të “vërtetë” e mbron Qosja, dhe a thua nuk e ka tradhtuar idealin e intelektualit?! A thua, sipas Qosjes mbrohet e vërteta dhe e drejta duke mos qitur një shibël mbi social-komunistët e Shqipërisë,  kur ishin në opozitë e as tani kur “revolucioni i vonuar demokratik” i solli në pushtet?! A thua vallë Qosja e mbrojti të vërtetën dhe të drejtën duke mos i qortuar së paku socialistët e Shqipërisë për revanshin e egër që po bëjnë kundër kundërshtarëve të tyre politik?! Si ka mundësi që z.Qosja në intervistën e tij të gjatë, të  mos e gjykojë krimin që e bënë socialistët  në Parlament, duke bërë atentat në Azem Hajdarin?! Apo ndoshta Qosja nuk e ka përmend këtë krim dhe krimet tjera, sepse në këtë mënyrë  “roja i demokracisë” e  mbron të “vërtetën  dhe të  drejtën e intelektualit që nuk e pranon korruptimin e mendjes”, duke heshtur dhe duke mos hapur gojën për to?! Por, nuk është hera e parë që Qosja e mbron të “vërtetën” dhe të “drejtën” në këtë mënyrë. Edhe në të kaluarën jo të largët, kur serbo-sllavët e shtypnin popullin tonë dhe kohë pas kohe merrnin fushata të egra ndaj tij në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare, Qosja shtirej se nuk po i shihte krimet e tyre dhe nuk bënte zë siç po vepron tani ndaj krimeve të social-komunistëve të Shqipërisë. Si mund t’i besojë lexuesi “rojes së demokracisë”, kur thotë se “mua që kam jetëshkrim jopolitik dhe joideologjik, nuk më pengojnë as socialistët, as republikanët, as demokratët as zogistët. Për mua ka rëndësi programi i tyre. Për mua nuk ka rëndësi si quhen por si punojnë, çka bëjnë për Shqipërinë dhe për çështjen shqiptare’’. Se kanë bërë shumë për Shqipërinë dhe për çështjen shqiptare stalinistat shqiptarë, e kanë të qartë edhe zogjët e malit, por edhe çka bënë për Shqipërinë dhe për çështjen shqiptare gjatë këtij viti, e ka të qartë çdo njëri që ka arsye dhe logjikë të shëndoshë. Vetëm pamjet e shëmtuara që ia dhanë botës për shqiptarin dhe për Shqipërinë, duke mos llogaritur edhe dëmet e mëdha materiale, kulturore dhe njerëzore, kur tërë botën e tmerruan me bëmat e tyre gjatë “revolucionit të vonuar demokratik”, janë të mjaftueshme për t’i hedhur poshtë të gjitha arsyet që i përmend Qosja. Tash për tash Qosja nuk don t’i kuptojë bëmat e social-komunistëve, por një ditë kur “do t’i kuptojë” të gjitha ato të liga që ia sollën Shqipërisë dhe popullit shqiptar, do të jetë vonë, tepër vonë, për t’u kërkuar falje gjithë atyre familjeve që i veshën dhe po i veshin në të zeza social-komunistët e Shqipërisë.

 

‘’Njeriu që nuk i korigjon kurrë mendimet e tij, më shumë do veten se sa të vërtetën’’ (Thënie anonime)

“Roja i demokracisë” në intervistën e tij të gjatë, pasi ia bëri “më butë shpinën se barkun” presidentit të Kosovës, iu katërrith Demaçit, duke u munduar t’ia nxjerrë sytë, për ta bërë “njëmijë herë  të harxhuar politikisht”, sepse sipas tij, Demaçin “nuk e lë të qetë përkushtimi i gjatë enverist, prandaj do të shfajësohet duke cënuar socialistët, i cili, ardhjen e tyre në pushtet e vlerësoi si “fitore të kallashnikovëve”. Sipas Qoses, këto vlerësime të Demaçit për socialistët janë “kundërdemokratike” dhe “kundërhistorike”, prandaj sipas Qoses, “Demaçi, mjerisht, një mijë herë mjerisht, është harxhuar politikisht”! Dihet se Demaçi në disa raste i ka korrigjuar mendimet e tija dhe në mënyrë më të sinqertë i ka pranuar ato. Qosja këtë virtyt të Demaçit e kupton si njeri “jo stabil”, prandaj, sipas tij,  as që mund ta udhëheqë Lëvizjen tonë kombëtare. Si zakonisht, Qosja veten e ngre në qiell. Ai për veten thotë: “Mua që nuk kam qenë as enverist, as kardelist, as musolinist, mua që kam jetëshkrim jopolitik dhe joideologjik, mua që kam jetëshkrim krijues letrar...etj, etj, lavde bajate që s’përkojnë me të vërtetën. Populli ynë për ata që tjetër flasin e tjetër punojnë  thotë “Mos ia dëgjo fjalën po shiqoja punën”. A thua, mendon Qosja, se ia mbush mendjen kujt me lavde të tilla?! Angazhimi i tij në përkrahjen dhe mbrojtjen e social-komunistëve të Shqipërisë, që nga dita kur e humbën pushtetin dhe që u manipulua prej tyre me parullën e “pajtimit kombëtar” e deri sa e rimorën përsëri pushtetin me mjete dhune, dhe përkrahja pa rezervë që po u jep gjatë këtyre katër muajve, që po ushtrojnë një revansh të egër, tregon se Qosja është bërë enverist i tërbuar. Çka është e vërteta, Qosja derisa nuk u  prish Jugosllavia e Titos, nuk ishte enverist, por ishte titist i përbetuar. Qosja gjithmonë ka ditur të bëjë mirë hesapet. Po, sikur atëherë Qosja të ishte enverist, dhe të kishte vuajtur për shtypjen që ia bënte okupatori popullit tonë, e kishte pritur burgu si  Demaçin, që ia mori 28 vite të jetës  së tij,  jo se ishte “jostabil”, por vetëm që ishte shumë stabil dhe i paluhatshëm në mbrojtjen e popullit të tij, që  shtypej pa mëshirë nga regjimi serbo-jugosllav. Atëherë, Enveri në vetëdijën e shqiptarëve paraqiste mishërim atdhedashurie, sepse ishte udhëheqësi i shtetit shqiptar. Populli ynë që ishte nën thundrën serbo-jugosllave nuk dinte për diktaturën e tij të egër. Populli ynë, i besonte shumë fjalëve të tij, shpresonte në fjalët e tij. Prandaj, të gjithë atdhetarët dhe i tërë populli e ka dashur atë pa masë. Vetëm tradhtarët, sahanlëpirësat e Titos, frikacakët dhe qyqarët nuk e kanë dashur, por e kanë urryer Enver Hoxhën (përjashto disa njerëz shumë të paktë në numër që kanë ditur gjithçka rreth asaj çka po ndodhte në Shqipëri). Po, sikur të mos kishte qenë Qosja titist, siç po mundohet ta paraqesë sot veten, ai nuk do t’i kishte të gjitha ato privilegje që i pati deri sa i cofi Jugosllavia e Titos. A nuk ishte Qosja i priviligjuari i klanit udhëheqës të arsimit dhe të kulturës gjatë sundimit të kukullave të Beogradit në Kosovë?! A nuk ishte Qosja më i privilegjuri i gjithë inteligjencës sonë?! Qosja, si intelektual që i thotë vetes, nuk guxon ta vlerësojë të kaluarën me syrin e tashit. Po, a thua vallë, kush është “njëmijë herë i harxhuar politikisht” Demaçi apo Qosja? Faktet tregojnë të kundërtën e asaj që thotë Qosja. Demaçi është ai, i cili tërë jetën e tij ia kushtoi popullit tonë  të robëruar, duke flijuar talentin e tij të shkrimtarit, duke e flijuar familjen e tij, duke i flijuar të gjitha të mirat materiale dhe titujt shkencorë që do t`i fitonte, po të kishte vepruar si Qosja. Ai bëri të pamundurën që lëvizjen tonë kombëtare ta ringjallë, duke kërkuar që rezistenca jonë të jetë paqësore - aktive.

 

Skenaret antishqiptare

Duke u munduar që ta ndryshojë status-qoun në Kosovë, ai pranoi ta formojë Parlamentin e Kosovës, por, siç dihet, autonomistët e penguan. Pastaj, ai u antarësua në PPK, ku dhe u bë kryetar i saj. Kur Demaçi bëri përgatitje të duhura për të kaluar nga pasiviteti i plotë, ku  kishte rënë lëvizja jonë kombëtare, në rezistencë paqësore aktive, dhe u përkrah edhe nga Sali Berisha dhe Ismail Kadare, opozita serbe si duket, në marrëveshje me Millosheviçin ia fillon për tre muaj rresht demonstratave, me qëllim që të mos i lihet mundësi dhe hapësirë Demaçit për  ta ringjallur lëvizjen tonë kombëtare. Në këtë situatë, ishte e pamundur që Demaçi të fillonte me demonstrata apo protesta për ta ndërruar status-qoun në Kosovë. Demostratat përfunduan në Beograd dhe pritej me padurim fillimi i protestave në Kosovë. Por si edhe më parë, sa herë ndodh apo duhet të ndodhë diçka me rëndësi në Kosovë, diçka e papritur duhet të ndodhë në Shqipëri. Edhe këtë herë, si disa herë më parë, u vu në veprim skenari i përgatitur mirë nga një qendër komandimi, për ta sulmuar Shqipërinë, Kosovën dhe viset tjera shqiptare përnjëherë nga tri drejtime: Beogradi, duke burgosur, rrahur dhe vrarë njerëz të pafajshëm në tërë Kosovën, Shkupi, duke e filluar fushatën më të egër që kanë bërë ndonjëherë ndaj arsimit shqip, Athina, ua dha  komandosët e saj të përgatitur mirë social-komunistëve të Shqipërisë, për të sjellë terror, masakra, vdekje, kallje dhe shkatërrime në Shqipërinë e Jugut; për t’ua mundësuar atyre ta rimarrin pushtetin me mjete dhune. Kësaj të vërtete, Qosja mundohet t’i japë tjetër karakter dhe pa fije turpi thotë: “Sali Berisha ...kur është bindur se Shqipëria do të tronditet si pasojë e kursimoreve të krijuara sipas sistemit të skemave piramidale, ai ka bërë çmos që të shkaktojë konflikt në Kosovë. Njeriu që  pesë vjet ishte kundër protestave, demonstratave dhe grevave shqiptare në Kosovë, përnjëherë do të kërkojë të bëhen protesta dhe trajta të tjera të mosbindjes qytetare”. Si mund ta thotë një të pavërtetë kaq qesharake, kur dihet se Sali Berisha kurrë nuk ka thënë të bëhen apo të mos  bëhen protesta dhe demostrata në Kosovë. Po qe se ai, e përzien Sali Berishën me Rugovën, duke ua mëveshë thënjët e njërit për tjetrin, kësaj i thonë falsifikim i të vërtetës. Të merret akademiku  me të pavërteta dhe falsifikime nuk i ka hije; por akademik Qosjes çdo gjë i ka hije! Demaçi me tërë qenien e tij e mbrojti Shqipërinë, kur armiqët tanë shekullorë sllavo-bizantinët dhe aleatët e tyre ia përgatitën varrin nëpërmjet stalinistëve shqiptarë. A thua cili është harxhuar “njëmijë herë politikisht”? Dihet që Rexhep Qosja deri tash asgjë nuk ka flijuar nga vetja e tij për interesa të kombit tonë. Zotëri Qosja i futi “vesht në lesh” në vitin 1968 dhe 1981 dhe nuk e ngriti zërin e ndërgjegjes kundër akademisë serbe dhe pushtetit okupues serbo-jugosllav, që demonstratat paqësore të rinisë shkollore i quajtën ’’kundërrevolucionare’’. Nxënësit dhe studentët i mbrojtën ato, edhe para gjykatoreve serbe, edhe në burgjet serbe, edhe pasi i vujtën burgjet. Por Qosja dhe një pjesë e inteligjencës sonë kishte tjetër hall! Kishin hallin si t’i ruanin dhe t’i mbronin interesat e tyre të ngushta, duke bërë gara se kush po bën pallate më madhështore, se kush po zë pozita më të mira në klanet udhëheqëse, se kush po përfiton të mira materiale më të majme. Vetëm tash në dhjetvjetshin  e fundit të këtij shekulli, kur zotëri Qosja mbeti pa privilegjet, që i kishte  në regjimin serbo-jugosllav, tash që klani udhëheqës i arsimit dhe i kulturës nuk i sjell më Qosjes të mira materiale për të jetuar si mbret e për të bërë çallëm e salltanetin e pashajve të Stambollit, vetëm tani kur ndryshuan rrethanat, dhe për të folur askush më s’mirret në përgjegjësi nga organet e pushtetit serb, po qe se fjalët nuk përcillen edhe me vepra. Pra vetëm tani Qosja na u bë  luftëtarë i flaktë “bashkimit” dhe i “pajtimit”?!  kombëtar, na u bë “roje i demokracisë”, që prej së largu dhe prej së larti, me një shtagë kërryle t’i mëshojë në kokë çdo kujt  që nuk e ka mendimin e tij, që e kundërshton mendimin e tij, që s’i nënshtrohet “autoritetit” të tij. Qosja di vetëm të qortojë, të mëshojë me shkop  apo me thupër, sipas peshës së “gabimeve” dhe vetë bën sehir, duke vëzhguar pa dhënë një shembull konkret se si arrihen objektivat që ai ua shtron të tjerëve për t’i kryer, por, jo edhe vetë për të marrë pjesë në realizimin e tyre! Qosja don të jetë “intelektual i pavarur”, don të bëhet “roje e demokracisë”, don të bëhet “babë” i kombit. Po vallë a e ka një kredibilitet të tillë?! Ngjarjet e mëdha kombëtare të vitit 1968-1981 dhe ngjarjet e dekadës së fundit të këtij shekulli nuk i japin të drejtë të quhet “intelektual i pavarur”, as “roje i demokracisë”, as luftëtar për “çlirim e bashkim” kombëtar e lëre më të jetë “babë” i kombit shqiptar. Veçmas kalimi i tij nga akademik në avokat të social-komunistëve të Shqipërisë, duke e përkrahur me zemër dhe me shpirt “revolucionin e vonuar demokratik” që shkatërroi shtetin shqiptar, që na e plagosi për vdekje nënën Shqipëri, ia futi thikën pas shpine Kosovës dhe viseve tjera shqiptare, e zhduku faktorin e shtetit shqiptar si mbrojtësin më të fortë të çështjes sonë kombëtare, i dha një pamje të shëmtuar shqiptarit dhe Shqipërisë në opinionin  botëror, krijoi përçarje të mëdha ndër shqiptarë; shkatërroi dhe dogji dokumente me vlerë të madhe kulturore; shumë familje i veshi me të zeza, por edhe Qosjen, Agollin dhe të gjithë përkrahësit e tij i varrosi për së gjalli, duke i hedhur në taborrin antishqiptar sllavo-bizantin, së bashku me tradhtarë, me partiakët e sertë, me karrieristët dhe kolltukaxhinjtë, me stalinistë të përbetuar, me anëtarë të çerdheve të sigurimeve të huaja, të krijuara në trojet tona nga të huajtë. Ja pra, çfarë “harmonie” dhe çfarë “force” kolosale, çfarë  aleance  e fuqishme e krijuar për ta zhdukur Shqipërinë!!!

 

A i lejohet akademikut çdo gjë?

Ja për çfarë arësyeje “roja i demokracisë” nuk ka dashur të futet në jetën politike të Kosovës: “Unë di të mendoj politikisht, por nuk di të sillem politikisht”, thotë Qosja. Faktet tregojnë të kundërtën e asaj që thotë ai. Dihet mirë se ai gjithmonë ka ditur të sillet politikisht, por mjerisht ende nuk di të mendojë politikisht. Shtrohet pyetja: pse vallë, ai gjatë këtyre viteve të fundit nuk e dha kontributin e tij së paku në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës dhe në Akademinë e Kosovës?! Qosja e arsyeton veten kështu: “Ka vjet që nuk marr pjesë në punët e kësaj Shoqate private. Dhe nuk e ndiej veten anëtar të saj. Në qoftë se ndërrojnë punët në të, nuk kam arësye të mos ndërroj qëndrim as unë, as shumë të tjerë”. Ja pra, me çfarë logjike udhëhiqet intelektuali që “mbron të vërtetën dhe të drejtën”! Pra, “vetëm në qoftë se ndërrojnë punët në Shoqatë”, por pa përpjekjet e tij, sepse ai nuk don vetë të angazhohet aty ku e ka vendin, ashtu siç nuk don të angazhohet as në jetën politike, sepse më lehtë është të shikojë nga stomi çka bëjnë të tjerët, e pastaj t’ua numërojë të metat, lëshimet, gabimet; t’i qortojë, t’i rrahë dhe t’i dënojë dhe pastaj të lavdërohet në këtë mënyrë: “Gjatë shtatë vjetëve jam marrë me trajtimin e problemeve më të mprehta të jetës sonë politike. I kam kritikuar të këqijat dhe kam dhënë propozime se çka do të bëhej...” .

“Roja i demoracisë’’ jep predikime morale, por për të nuk vlejnë ato! Ai thotë: “Ekzistojnë dokumente të OKB-së dhe ekziston Kodeksi i gazetarisë i Bashkimit Evropian, në të cilat quhen ligjërisht të dënueshme cënimet e personalitetit të njeriut, prekja në jetën private, cënimet e nderit personal dhe familjar”. Qosja e përgojon Pjetër Arbnorin, duke iu përzier në jetën e tij private: Ai thotë: “Deri sa ishte i shtrirë në krevat, në spital apo ku ishte i shtrirë, në të dy duart i shiheshin dy unaza, kurse rreth qafës i shkëlqente gjerdani i artë!...Kjo nuk mund të quhet sjellje normale, kjo zotëri, quhet sjellje (politike) perveze!’’. Qosja vazhdon me cënimin e personaliteteve të Arbnorit dhe të Meksit, por pasi është akademik, atij i lejohet çka t’i teket, kur thotë: “ata ishin kukulla me të cilat bënte lojë politike dhe pushtetore, lojë “shtetërore” Sali Berisha”.  

 

Të gënjesh do të thotë të mohosh të vërtetën (Balzak)

“Roja i demokracisë”, sa ishte i privilegjuari i klanit udhëheqës të arsimit dhe të kulturës në sistemin vetëqeverisës jugosllav, e kishte një privilegj që askush nga intiligjenca jonë nuk e kishte. Shkrimet e tij botoheshin të pa censuruara, kurse intelektualët e tjerë  pengoheshin shumë nga përgjegjësit e censurës, dhe kështu, ata pengoheshin për t’u afirmuar në jetën kulturore dhe shkencore të Kosovës. Por, kur sot censura nuk funksionon më dhe Qosja s’e ka më atë privilegjin e mëparshëm, shumë gjëra kanë ndryshuar pa dëshirën e tij. Shumica e gazetave dhe revistave janë bërë të pavarura, dhe redaksitë e tyre nuk i përfillin klanet politike, që më parë drejtonin çdo gjë në jetën politike dhe kulturore tek shqiptarët. Kjo gjë e ka egërsuar Qosjen që në këtë intervistë vjell vrer dhe helm kundër shtypit që po i trajton ngjarjet kombëtare dhe ndërkombëtare në mënyrë objektive. Për Qosen, vetëm “Koha ditore” dhe “Zëri” i informon lexuesit deri diku në mënyrë objektive “për krijimin e një opinioni të çliruar prej animeve partiake, e të tjera”. Po kemi edhe një pjesë të shtypit, thotë Qosja, “tmerrshëm të anshëm, ku harrohet se e vërteta, megjithatë, përfaqëson interes të madh kombëtar”. Pastaj Qosja  vazhdon: “Në këtë pjesë të shtypit tonë sot mund të hasen edhe ide raciste! Në këtë pjesë të shtypit fyhen rëndë vëllezërit ortodoks! Në këtë pjesë të shtypit quhen grek vëllezërit tanë ortodoks...! Në këtë pjesë të shtypit thuhet se të gjithë mbiemrat që përfundojnë me o, si Fino, Nano, Majko, Dino, e të tjerë nuk janë mbiemra shqiptarësh! Në këtë pjesë të shtypit thuhet se e kemi ditur se toskët nuk janë shqiptarë, por nuk e kemi ditur se janë magjup! Me çmenduritë e këtilla përhapën shumë helme në jetën kombëtare...”. Çka mund t’u thotë lexuesi këtyre të pavërtetave, këtyre shpifjeve të akademik Rexhep Qoses?!  A është i vetëdishëm Qosja se çfarë roli është duke luajtur sot ai?! Ku i ka lexuar “akademiku” këto marrina?! Në cilat gazeta apo revista? Kush është autori i këtyre shkrimeve? Në cilin muaj dhe me cilën datë janë botuar? Po qe se zotëri Qosja nuk iu përgjigjet këtyre pyetjeve, duke dhënë shënime të sakta se ku i ka gjetur ato pohime të marra, do të shpallet gënjeshtar, përçarës dhe argat i sllavo-bizantinëve, që gjithmonë janë munduar të mbjellin përçarje tek shqiptarët në baza fetare, krahinore dhe gjuhësore-dialektore. Po që se dalin të vërteta thëniet e Qoses, gazetat dhe revistat e tilla që bëjnë punën e shkaut do t’i bojkotojmë, ndërsa redaktorët dhe gazetarët e shkrimeve të tilla do t’i shpallim tradhtarë. Por arsyeja dhe logjika e shëndoshë nuk më lejojnë as të mendoj se një marri të tillë, një të pavërtetë të tillë do të lejonin ta botonin redaktorët e shtypit tonë. Por, mllefin më të madh Qosja e shpreh kundër “Kosovares”. Ajo, thotë Qosja “e ndot Kosovën me gënjeshtra, perversione, inceste, drogë, ndotje dhe vetëm ndotje të njerëzve”. Pastaj vazhdon: ’’Prej numri në numër ajo fyen rëndë, cënon Adem Demaçin, Veton Surroin, Rexhep Qosjen, Bujar Bukoshin, Hydajet Hysenin, Mahmut Bakallin, Ismail Kadarenë, AgimVincën..”. Sa i ashpër dhe i pamëshirë bëhet Qosja kur dikush e kritikon atë. Edhe po qe se ai kritikohet në formë humori, preket sedra e tij. Duhet ta dijë Qosja se me cofjen e socializmit, i cili krijoi zotra-njeri, nuk egzistojnë më autoritete të paprekshme. Kritika e shëndoshë dhe principale më tepër ju ndihmon njerëzve se sa i pengon ata. Prandaj, Qosja duhet sa më parë të lirohet nga ndjenja dhe  vetëdija e krijuar në sistemin e vetëqeverisjes jugosllave se edhe ai është njëfarë’’zoti-njeri’’. Më në fund duhet ta kuptojë Qosja se autoritetet kombëtare të krijuare tek popujt e Evropës Perëndimore në arsim dhe në kulturë, si dhe në veprimtaritë tjera shoqërore dhe shkencore, e ruajnë autoritetin e tyre duke kontribuar në lëmet për të cilat janë përcaktuar, të japin kontributin e tyre maksimal, e jo duke iu përzier njëri tjetrit në profesion e në punë që s’i njohin mirë, siç po vepron Qosja gjatë kësaj dekade të fundit të këtij shekulli. Me sa e di unë, askund në botë, pra as tek ne nuk ka qenë dhe nuk është kritika letrare prioritet kombëtar, prandaj nuk duhet të mendojë Qosja se ka bërë një vepër madhore kombëtare, siç bënë: Ismail Kadare, duke e ngritur letërsinë tonë në kulmin e letërsisë botërore, Adem Demaçi, që me punën e tij atdhetare u bë simbol i rezistencës sonë kombëtare, Gonxhe Bojaxhiu-Nënë Tereza, që u bë simbol në tërë botën për ndihmë humanitare, për solidaritet me të varfërit, pleqtë dhe fëmijët e lënë pas dore. Faktet e shumta flasin se Qosja, me veprimtarinë e tij letrare si dhe me punën e tij publike, nuk mund as të mendohet të jetë afër autoriteteve të cekura më lart, e le më të radhitet me ta.

 

Botuar:’’Bota sot’’ më 10,11 dhjetor 1997

dhe në’’Rimëkëmbja’’ në janar 1998