ZOTËRI QEHAJA OSE ËSHTË TREMBUR, OSE ËSHTË PENDUAR!

        

Në lidhje më shkrimin tim “Pse dhe kush e vrau Ahmet Krasniqin” të botuar në “Bota sot” më,  21.09.-24.09. 1999,  u lajmërua me një reagim zotëri Ramadan Qehaja të titulluar: “Nuk kam qenë i implikuar në formimin e kurrfarë forcave” të botuar në “Bota sot” më 24.09.1999, ku në mes tjerash thotë: “ ...në pjesën ku bëhet fjalë për gjoja vendimin për formimin e forcave të armatosura, përmendet edhe emri im. Kategorisht i demantoj të dhënat se unë qenkam paraparë  dhe paskam dhënë pëlqimin për t’i udhëhequr njësitë e Mbrojtjes Teritoriale të Kosovës të cilat, sipas parashikimit të disave, është dashur të hyjnë në kuadër të Forcave të Armatosura të Kosovës...’’.

Është shumë e natyrshme që zotëri Qehaja të reagojë, po qe se askush  nuk është konsultuar me të, apo është konsultuar dhe ai nuk e ka pranuar detyrën, por nuk ka të drejtë zotëri Qehaja të reagojë dhe të nervozohet, po qe se dikush  është konsultuar me të dhe ai e ka pranuar detyrën, dhe pastaj është penduar, sepse  asgjë sot në këtë botë nuk mbetet sekrete. Sa i përket asaj që thotë zotëri Qehaja se “Kategorisht i demantoj të dhënat se unë qenkam paraparë... për t’i udhëhequr njësitë e Mbrojtjes Teritoriale të Kosovës” del i palogjikshëm dhe i pa arsyeshëm, pasi që ai nuk ka mundësi për të ditur se çka është biseduar dhe çka kanë paraparë në takimin e tyre Demaçi dhe Krasniqi, kur ai pohon se me te nuk është konsultuar askush.  Në rast se zotëri Qehaja na dokumenton se ai ka aftësi parapsikologjike, dhe me fakte të na bindë se në takimin në mes Demaçit dhe Krasniqit është paraparë t’i udhëheqë tjetërkush njësitë e MT të Republikës së Kosovës e jo Qehaja, atëherë do të jemi shumë të lumtur, që shkrimi im u bë shkak për ta  zbuluar një fenomen të rrallë, për të cilin do të interesohen shkenctarë, sociologë e psikologë nga të gjitha anët e botës. Kurse sa i përket akuzës së Qehajës se unë e paskëm etiketuar “pa argumente” kisha për të thënë se po që se zotëri Qehaja mbështetet në thënjën se i “vdekuri nuk ka gojë të flas”, mashtrohet pasi që, në takimin e përmendur, përpos Demaçit dhe Krasniqit kanë marrë pjesë edhe disa të tjerë, dhe një ditë me siguri, do të flasin për ta zbuluar të vërteten e plotë, të vërtetë të cilën për momentin vlersoj se nuk është e nevojshme të dalë në dritë. Për sa i përket lavdërimit të zotëri Qehajës se: “Asnjëherë nuk kam punuar apo vepruar me koken e huaj por me timen”, vlen t’ia kujtoj z. Qehajës fjalën e urtë “Kush mos e lavdoftë veten ju kalltë koliba”, që përdoret në Artakoll kur dikush lavdrohet pa nevojë dhe pa vend. Megjithatë më duhet ta pyes zotëri Qehajën se kur është takuar me  përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, pat shkuar të bisedojë me ta i shtyrë nga tjetërkush, apo thjesht se ashtu e ka urdhëruar “koka e tij”, dhe po qe se  nuk është  fshehtësi ushtarake, a mund të na thotë zotëriu se për ç’farë është biseduar? Para se të përfundoj edhe një pyetje, jo edhe aq të rëndë për t’u përgjegjur zotëri Qehaja. Zotrote, e njihni ju Kosovën Republikë dhe institucionet e saj shtetërore, apo e njihni vetëm autonominë e saj të 74-ës, pasi që në reagimin tënd  njësitë e Mbrojtjes Teritoriale i quan siç janë quajtur ato derisa Kosova e kishte  autonominë e 74-ës, pra thua “njësitë e Mbrojtjes Teritoriale të Kosovës” e nuk i quan ato siç duhej t’i quaje “Njësitë e Mbrojtjes Teritoriale të Republikës së Kosovës”. Shpresojmë se më në fund Adem Demaçi do ta ndriçojë jo vetëm rastin e Qehajës, por edhe marrëveshjen dhe vendimet që janë marrë në takimin në mes tij dhe  Ahmet Krasniqit, kur dihet se ai gjatë tërë jetës së tij ka treguar guxim të pashoq për ta thënë të vërteten, edhe pse i ka kushtuar shumë shtrenjtë.

Botuar : ’’Bota sot’’, 27 shtator 1999