PËRGJITHËSIMET E RREZIKSHME TË SHEFQET DIBRANIT

 

Reagim ndaj shkrimit: “Konceptet dhe analizat e Jakup Krasniqit janë kompromentuese për vetë PDK-në”, botuar në “Bota sot” më 9 qershor 2000 nga Shefqet Dibrani.

Pasi nuk e kam lexuar shkrimin e Jakup Krasniqit në faqen e’’Kosovapress’’-it në internet nuk kam mundësi të japi mendimin tim në lidhje me atë shkrim. Qëllimi im është që nepërmjet këtij reagimi t’ia bëjë një vërejtje zotëri Shefqet Dibranit për bindjet e tia të gabuara dhe mendimet kontradiktore që i ka për ish të burgosurit politik kur thotë : “Nuk është aspak e vërtetë se pas viteve  të 90-ta është zhvilluar një fushatë denigruese kundër ish të burgosurve politik dhe as kundër simbolit të rezistences kombëtare, Adem Demaçit. Përkitazi, të burgosurit politikë duke u përpjekur për ta eliminuar elitën politike kosovare janë kompromentuar deri në atë shkallë, po jo aq shumë  sa thotë Jakup Krasniqi. Të burgosurit politik pas daljes nga burgu kanë përdorë me doza të tepruara  kapitalin e tyre  si “të burgosur të ndërgjegjes” duke mos pasur kujdes për ta ruajtur  atë kapital, të cilin e kanë përfituar për vite me radhë...”. Kësaj here nuk e shoh të udhës ta bindi zotëri Dibranin  se me të vërtetë  në verën e vitit 1996 u krye një fushatë e egër kundër Adem Demaçit nga autonomistët e Kosovës dhe nga mjetet e informimit publik të Beogradit, kur ai bëri përpjekje për ta konstituuar Parlamentin e Kosovës. Qëllimi im është që nëpërmjet këtij shkrimi me anë të fakteve t’i dëshmoj Shefqet Dibranit se është e domosdoshme t’i korigjojë mendimet kontradiktore dhe të qartësojë qëndrimin e tij ndaj ish të burgosurve politik. Ai është parimor dhe ka të drejtë, kur thotë së “Jakup Krasniqi nuk duhet t’i përgjithësojë  të gjithë intelektualët  shqiptarë pse i kanë pasur teserat e Partisë Komuniste, por t’i akuzojë vetëm ata, të cilët  kanë bërë vepra  të këqija kundër shqiptarëve”. Shtrohet pyetja se pse për Shefqet Dibranin nuk vlen ky parim i drejtë edhe për ish të burgosurit politik siç duhet të vlejë  për intelektualët “që kishin teserat e partisë komuniste”? Kë mund ta mbrojë Shefqet Dibrani dhe kush i beson mbrojtjes së tij, kur vet bie në gabimet e Jakup Krasniqit, kur të ish të burgosurit politik i fajëson për gjoja “përpjekje për ta eliminuar elitën politike kosovare”. Të vihen shenja barazimi në mes një grupi të vogël të ish burgosurve politik që u bënë tërthorazi spiuj të Fatos Nanos duke u ndejtur nën këmbë argatëve të tij Rexhep Qosjes, Hydajet Hysenit, Xhavit Halitit, Hashim Thaçit, Bardhyl Mahmutit, Ibrahim Kelmendit, Ramush Haredinajt, Emrush Xhemajlit, Jakup Krasniqit e ca të tjerëve, që treguan se janë karrieristë të sëmurë për pushtet dhe partiakë të shtirë, me shumicën dërmuese të ish të të burgosurve politikë, që punuan dhe po punojnë me mish e me shpirt për çështjet madhore kombëtare, jo vetëm se është gabim logjik, por është edhe faj që sjell përgjegjësi morale dhe ligjore. Po qe se Shefqet Dibranit i ka shpëtuar një gabim kaq i rëndë pa qëllim duhet gjithëseqysh t’u  kërkojë falje publike ish të  burgosurve politik që nuk i futën   këmbë e krye në moçalin e ujërave të zeza të karrieristëve dhe partiakve të shtirë, numri i të cilëve është shumëfish më i madh se sa i atyre që u bënë argatë pa gojë,  dhe pionerë pa tru e pa sy, të Nanosit, Mejdanit, Klosit dhe Qosjes.

 

Botuar :’’Bota sot’’, më  24.09.2000, me titull : Pse nuk duhet të ’’futën në një thes’’ gjithë të burgosurit politik ?