NJË KEQKUPTIM I PAQËLLIMTË DO TË DUHEJ TË KRIJONTE NJË MIQËSI TË SINQERTË

 

Shkrimi dhe vërejtjet e bashkëveprimtarit të  Zahir Pajazitit zotëri Ismail Sejdiut në lidhje me fejtonin tim “Pse jemi kështu siç jemi”, të botuar në “Bota sot” më 1 korrik 2001 me titull “Zahir Pajaziti gjithmonë punoi për formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, më sollën një befasi të këndshme, pasi  do të kemi mundësi të njihemi dhe të shkëmbejmë të dhënat me njëri-tjetrin, jo vetëm ato për veprimtarinë dhe heroizmin e Zahir Pajazitit me bashkëveprimtarët e tij, por edhe të shumë luftëtarëve trima, që morën pjesë apo e udhëhoqën luftën çlirimtare të Republikës së Kosovës.

Që në fillim dua ta siguroj zotëri Sejdiun se vërejtjet e tij do t’i krahasoj me të dhënat e mia dhe se disa të dhëna që i mësova për herë të parë nga ai, do t’i marr seriozisht si material të dorës së parë, që do të më shërbejnë në punën time të mëtutjeshme në ndriçimin e ngjarjeve më të reja historike, që u zhvilluan në dhjetë vitet e fundit të shekullit të 20-të.

Por për hir të vërtetës, me zotëri Sejdiun nuk mund të pajtohem me vërejtjen e tij kur thotë “… z.Strofci nuk është bërë emërtimi  i Ushtrisë çlirimtare të Kosovës pa dijeninë e Zahir Pajazitit, sepse ai për këtë gjë u angazhua tërë jetën e vet dhe nuk i ka ardhur mërzi, siç thoni ju për lëshimin e komunikatës së 18-të, sepse ne nuk kemi pasur faksa dhe mjete tjera”. Siç po shihet zotëri Sejdiu nuk e ka lexuar fejtonin tim në tërësi, prandaj edhe disa çështje që unë i kam shqyrtuar thjesht dhe kjart i kanë mbetur të pa kuptueshme. Është më se e vërtetë z. Sejdiu, se Zahir Pajazitin askush nuk e ka pyetur se si të emërtohen njësitet guerile të Republikës së Kosovës, që vepruan në fillim të viteve 90. Në bazë të dokumenteve të LPK-së,  shihet se Kryesia e LPK-së, Dega jashtë vendit, ka luajtur rolin e ndrikullës kur në maj të vitit 1993,  njësitet guerile që vepronin në Kosovë i quajti UÇK, pa pyetur krijuesit e tyre, sigurisht për t’i përvehtësuar ato. Prandaj duke ditur se Zahir Pajaziti nuk ka qenë as anëtar i LPK-së dhe as nuk ishte në Zvicër në atë kohë, bien poshtë pohimet tuaja se “nuk është bërë emërtimi i UÇK-së pa dijeninë e Zahir Pajazitit”. Sa i përket çështjes së lëshimit të Komunikatës nr.18, ma merr mendja se e kam shpjeguar thjesht dhe kuptueshëm, por me siguri ju ka shpëtuar pa e lexuar vazhdimin e fejtonit të botuar në “Bota sot” më 30 maj 20001 me titull: “Si u realizua takimi i dytë mes Ismet Avdullahut dhe Ali Ahmetit-’’Abazit’’, në fillim të vitit 1996?”. Aty gjendej ky shpjegim: “Kryesia e LPK-së, me lëshimin e komunikatës nr.18, më 14 shkurt të vitit 1996, njofton opinionin e gjërë se përgjegjësinë për aksionet e 11 shkurtit i merr UÇK-ja, e cila drejtohet nga Shtabi Qëndror’’. Pra siç po shihet, LPK-ja për herë të parë del në opinion se UÇK-ja e ka edhe ’’Shtabin Qëndror’’. Pra “Grupin Kordinues” e shpallën “Shtab Qëndror”, ndërsa siç dihet njësitë guerile të Llapit, të Drenicës dhe të Dukagjinit qysh më 1993 i patën shpallur Ushtria Çlirimtare e Kosovës’’. Sa i përket çështjes nëse  Zahir Pajaziti është pyetur apo konsultuar nga Kryesia e LPK-së me rastin e shpalljes së Komunikatës nr.18, kemi dëshmi të shkruara që dëshmojnë se Zahir Pajaziti nuk është pyetur fare. Për përmbajtjen e Komunikatës nr.18 ai ka mësuar nëpërmjet mjeteve të informimit, prandaj edhe ka protestuar. Këtë e ka dëshmuar Ismet Avdullahu dhe dy bashkëkombas të tij, këtë po e dëshmoni edhe ju në reagimin tuaj kur thoni: “Pasi u botua komunikata më thirri Ismet Avdullahu nga Zvicra dhe më pyeti a më pëlqente emri, atij iu përgjegja se ishte emër i madh kurse ne jemi pak...Zahiri, që nga ai takim e formoi një Këshill Koordinues në nivel të Kosovës në të cilin u përfshinë përfaqësuesit nga rajoni i Drenicës nga Rexhep Selimi, personi me pseudonimin “Mustafa”, Xheladin Gashi, dhe një person që nuk më kujtohet emri i tij. Që nga ky moment, UÇK-ja ka patur Shtabin në Kosovë...’’ A nuk tregon kjo zotëri Sejdiu se ju nuk jeni konsultuar nga LPK-ja për përmbajtjen e Komunikatës nr.18. Sikur të ishit konsultuar dhe të kishit dhënë pëlqimin që të dilej në opinion se UÇK-ja ka’’Shtab Qëndror’’, Ismet Avdullahu nuk do të pyeste ty dhe Zahir Pajazitin se “a u ka pëlqyer emri”? Po ashtu kur thoni se Zahir Pajaziti e ka formuar ’’Këshillin Koordinues’’, e nuk thoni se e ka formuar Shtabin Qëndror, dëshmon se Zahir Pajaziti nuk është këshilluar dhe nuk është pyetur për përmbajtjen e Komunikatës nr.18. Më në fund kisha për të këshilluar që të mos bëhesh avokat i LPK-së, as i “Abazit”, as i “Mustafës”, pasi kjo gjë për ty do të jetë  një barrë tepër e rëndë, e si zor se mund t’i dalësh në skaj.

 

Botuar :Bota sot, me 13 korrik 2001