NË VEND TË PËRKUJTIMIT TË AHMET KRASNIQIT

 

 Shpifjet zakonisht godasin njerëzit e denje, ashtu si krimbat parapëlqejnë t’u sulen kokrrave më të mira të pemës (Xh.Suift)

        

“Zëri i Kosovës” në numrin e fundit të vitit që shkoi lexuesve të vetë si “dhuratë” për Kërshëndella dhe Vit të Ri, ua sherbeu rrenën e vitit, shpifjen më të fëlliqur që kanë shpikur ndonjëherë më parë. Vetë fakti se rrenacaku dhe shpifësi nuk pati guxim të dalë në opinion me emrin e tij të vërtetë, por me pseudonimin Gëzim Mataj, tregon se ka qenë i detyruar të kryej punën e hyzmeqarit të pararojës staliniste të LPK-së, apo të kryej urdhërin e sigurimeve të huaja sekrete, duke shpikur gënjeshtra, duke bërë shpifje e njollosur personalitete kombëtare, atdhetare dhe veprimtarë të dalluar, apo individ që e demaskuan veprimtarinë përçarëse të pararojës staliniste të LPK-së.

Përpjekja për ta njollosur e shpifur Ahmet Krasniqin, atdhetarin e dalluar të lëvizjes sonë kombëtare, edhe pas pushkatimit të tij në mes të Tiranës nga një dorë e zgjatur e Serbisë, tregon se ende ndihen të rrezikuar  stalinistët e pararojës së LPK-së nga konceptet e pikpamjet e shëndosha kombëtare dhe veprimtaria e gjerë atdhetare e Ahmet Krasniqit, i cili me tërë qenien e tij u përcaktua për bashkimin e faktorit politik dhe ushtarak shqiptar, jo vetëm atij kosovar, por të gjithë hapsirës kombëtare shqiptare, si kusht i parë për të arritur çlirimin dhe bashkimin tonë kombëtarë, që ishte synim dhe ideali i tij shpirtëror dhe  jetësorë. Hyzmeqari i klanit stalinist të LPK-së Gëzim Mataj, gjen shkas për të shpifur kundër Ahmet Krasniqin, tre muaj pas daljes së numrit të parë të “Revistës Ushtarake”, nëpërmjet pamfletit me titull “Edhe një hile më shumë-Revistë Ushtarake”, që i përngjan sallatës ruse. Shpifaraku G.M.e fillon shpifjen me një rrenë pa fije krype, që mund ta përbijnë vetëm injorantët stalinistë, që nuk lexojnë asgjë tjetër përpos organit të tyre “Zëri i Kosovës”. Rrenacaku G.M. jo vetëm që i gënjen, por edhe tallet me lexuesit e informuar mirë të “Zëri i Kosovës” kur thotë se “Më në fund edhe një revistë! Dhe jo dosido revistë, por Revistë ushtarake ! Botues: Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës. Edhe një tallje më shumë, apo diç më serioze. A thua nuk kishim gazeta e revista të mjaftueshme të kësaj natyre”. Shtrohet pyetja se a ka menduar gënjeshtari për gazetat dhe revistat ushtarake që botohën në Serbi dhe në Rusi? Sipas tij nuk paskemi nevojë për revista dhe gazeta të kësaj natyre, që ata  mund t`i huazojnë nga vëllazërit e tyre proletarë, apo ka çrregullime psiqike, që  halucinacionet ia kanë mbushur kokën me gazeta dhe revista ushtarake të “regjistruara tek organet pushtuese serbe”. Pastaj mjeshtri i rrenave në atë “sallatën e tij ruse” vazhdon me shpifje që nuk do ta botonte asnjë gazetë apo revistë që del në botën e civilizuar, pa pasur fakte të mjaftueshme e të dokumentuara, sepse do të përgjigjej penalisht jo vetëm autori i shpifjes, por edhe  gazeta dhe redaktori i saj. Por “Zëri i Kosovës” është specializuar për shpifje dhe rrena, duke u mbështetur në parimin stalinist “Qëllimi e arsyeton mjetin”, dhe hyzmeqarët për hirë të qëllimit jo vetëm që duhet të rrejnë e të shpifin, por, po qe se e lyp nevoja edhe të ngrehin gishtin e krimit, kur merr vendim partia. Ja se çfarë shpifje shpik hyzmeqari i pararojes staliniste të LPK-së G.M,  “Në kopertinë (pra të Revistës Ushtarake, nënvizimi im) është fotografia e dy ushtarakve shumë të përfolur: Ahmet Krasniqit dhe Tahir Zemajt (po, të shpifur e të përfolur vetëm nga lexuesit injorant të ZIK-ut, nënvizimi im), pastaj vazhdon, “Diçitura e fotografisë: Ju urdhëroj që ky flamur kurrë të mos bie në duar të armikut’’ (duhet ta ket urdhëruar Ahmeti Tahirin). Informatat nga terreni dëshmojnë se Tahiri jo vetëm Flamurin, por edhe Lacaretin (spitalin) ushtarak me ushtarë të plagosur, armë dhe paisje të tjera ia ka dorëzuar armikut. Shkurt e shqip: Tahiri, me gjasë me dije e përgatitje të Ahmet Krasniqit dhe padronve të tyre, ka hyrë si diversionist, që ta godas UÇK-në në Dukagjin nga mbrenda, me armë të blera me të hollat e kurbetqarve, të paguara në “fondin e qeverisë”, derisa forcat pushtuese serbe e bombardonin nga jashtë. Sinkronizim i dy fronteve, forcave pushtuese nga jashtë dhe kolaboracionistë të saj nga brenda”.

 

Nga kush shpallet “tradhëtar” Ahmet Krasniqi?

Pra, hyzmeqari i pararojes staliniste të LPK-së bazohet  në “informatat nga tereni” për të krijuar këtë shpifje kaq të shëmtuar e të marrë! A thua nuk ka dëgjuar hyzmeqari G.M. për luftën speciale që përdorin pushtuesit, për ta minuar dhe penguar luftën çlirimtare të popujve të shtypur? Lufta që ka bërë dhe ende po bënë “Zëri i Kosovës” për ta njollosur e shpallur “tradhtar” Ahmet Krasniqin, është shërbimi më i mirë që u bëhet shkjeve të Serbisë, për ta minuar luftën çlirimtare të popullit tonë, për ta penguar bashkimin e të gjitha forcave politike dhe ushtarake të faktorit shqiptar ballkanik, për të mos lejuar institucionalizimin e jetës politike të Kosovës. Fatmirësisht opinioni shqiptarë dhe ai i huaji ka mësuar për qëndresën heroike të Brigadës 134 të udhëhequr nga Tahir Zemaj në fshatin Logjë, kurse tërheqja e të plagosurëve për në Shqipëri ishte një betejë heroike e kësaj Brigade. Rrenat dhe shpifjet e  zotrinjëve të pararojës staliniste i ka demantuar SHP i UÇK-së, pasi që sikur të kishte qenë e vërtetë se Ahmet Krasniqi dhe Tahir Zemaj kanë bërë tradhti kombëtare, me siguri do të dilnin me një komunikatë për të dënuar tradhtinë e tyre. Sa kokëthatë e të mjerë janë krerët e pararojës staliniste, që mundohën me rrena e shpifje t`i njollosin e t`i nxijnë atdhetarët dhe veprimtarët, që kanë tjera bindje politike, dhe individët që i demaskuan stalinistët injorantë, për dëmet e mëdha që i sollën lëvizjes sonë kombëtare. Ju stalinistë të gjorë, ishit ata që për shkaqe karrieriste nga një ’’Lëvizje’’, (LRSHJ) krijuat tri lëvizje. Veçmas zotërinj, i keni sjellur dëme të mëdha UÇK-së, kur bëtë ç’ishtë e mundur dhe përdorët të gjitha mjetet e lejuara dhe të pa lejuara për ta shpallur LPK-në krah politik të UÇK-së. Komplotet tuaja tani janë bërë tepër të rrezikshme edhe për  UÇK-në. Mjafton të përmenden shpifjet tuaja ndaj Gani Gecit dhe dëmet që ia sollët me gënjeshtrat tuaja SHP të UÇK-së, që i mashtruat në mënyrë perfide se keni “fakte të pamohueshme” se Gani Geci është “bashkëpuntor i serbve”. Por ju zotrinjë të pararojës komuniste i keni sjellur dhe po i sjellni dëme të mëdha vet LPK-së, e në veçanti veprimtarëve dhe  atdhetarëve  që gjenden në radhët e saj, që kanë punuar dhe punojnë pa hile për çështjen madhore kombëtare. Ju krekoseni si pula, kur e bënë një ve, dhe ngritni kokën lart si bibana, me trimëritë dhe heroizmat e atdhetarëve trima, që ishin apo janë antarë të LPK-së, thuajse ata kanë shkuar në UÇK në emër të LPK-së, apo edhe në emërin tuaj, e jo në emër të Kosovës dhe të liris së saj. Ju partiakë të sertë të pararojës staliniste të LPK-së mos u mashtroni se do të keni sukses për t`i njollosur e shpifur nacionalistët dhe veprimtarët e shquar të shqiptarisë, siç po tentoni ta njollosni dhe nxini Ahmet Krasniqin, atë burrë të madh të Kosovës martire. Ju farë e keqe e eksportuar nga stepat e Rusisë, që u bëtë kancer i shpirtit dhe i trupit shqiptarë, venja gishtin kokës dhe vlerësojeni punën tuaj antikombëtare. Kemi shumë pak atdhetarë që kanë një biografi aq të pasur siç pati Ahmet Krasniqi, një biografi të mbushur me përpjekje të vazhdueshme, me sakrifica të mëdha, me rreziqe të shumta, për t’u bërë ushtarak i lartë, që në momentin e duhur të hakmerret për të gjitha ato të liga që na i sollën barbarët serbo-sllav. Sa vështirë e ka pasur Ahmeti t`i përballonte përcjelljet e vazhdueshme të sigurimit ushtarak serb, që ia kanë hangër shpirtin sa ishte student, kur ishte epror ushtarak, kur shkonte për vizitë në familje, etj. Të gjitha i përballoi Ahmeti se e dinte se do të vinte momenti i duhur, për t’u hakmarrë, për vuajtjet e nënës së tij, nënës që e lindi në burgun e Vushtrrisë, për babën e mbytur në dru gjatë “aksionit të armëve”, për torturimin e familjes së tij për shkak të xhaxhait Aziz Zhilivodës, për burgosjën e të vëllait, që kishte hyrë në të njëjtën organizatë patriotike, në të cilën ishte edhe Ahmeti, për vuajtjet e popullit të tij të robëruar e të tradhtuar nga serbo-sllavët dhe veglat e tyre-komunistët shqiptarë, që po bëjnë edhe sot të njëjtën punë. Ai  realitet i hidhur, ato vuajtje të mëdha shpirtërore,  e poqën dhe e bën burrë serioz, trim e të vendosur për të shkuar deri në fund për realizimin e idealeve më të larta njerëzore, për ta fituar lirin e humbur, për të ringjallur krenarinë e fjetur të popullit fatkeq shqiptarë, që aq shum i hypën në qafë fqinjët e tij barbarë, që aq shumë e mashtruan dhe po e mashtrojnë stalinistët shqiptarë. Pra, Ahmet Krasniqi nuk ka qenë rastësisht  i organizuar në lëvizjen tonë kombëtare, që nga demonstratat e viti 1968. Atë e edukoi dhe e përgatiti familja e tij me brumin kombëtarë, ndërsa kërkesa dhe përkrahja morale e ideologut të nacionalizmit shqiptar dhe mësuesit të atdhedashurisë, Metush Krasniqit për t’u regjistruar në akademinë ushtarake, u bë në bazë të njohurive që ai kishte për familjen e tij, dhe në bazë të sjelljeve dhe virtyteve të djaloshit zeshkan, i cili ishte shumë serioz për moshën e tij, pedant e i zgjuar, fjalëpak e punëshumë. Ahmet Krasniqi pra, regjistrohet dhe i kryen me sukses studimet e artit ushtarak, jo se i qe tekur apo i ka pëlqyer tepër shumë profesioni i ushtarakut, por me qëllim, që në momentin e duhur ta vejë në shërbim të Atdheut dijën dhe përvojën ushtarake.

Ahmet Krasniqi më 1977 bëhet antarë i’’Lëvizjes Nacional Çlirimtare të Kosovës dhe Viseve të tjera Shqiptare në Jugosllavi’’, që e patën formuar  Metush Krasniqi, Sabri Novosela Jusuf Gërvalla, etj. Ahmet Krasniqi bëri përpjekje maksimale për t`i kryer detyrat që ia pat shtruar Metush Krasniqi, por fatkeqësisht atë e penguan në të gjitha anët, edhe aty ku nuk pritej. Pengesa e parë serioze i doli më 1992, kur Udhëheqja e Kosovës nuk e pranoi elaboratin e tij për  krijimin e forcave të armatosura të Republikës së Kosovës, që do të sillnin çlirimin e Kosovës dhe viseve tjera shqiptare. Ai, as që u pritë nga kryetari Rugova dhe kështu, i demoralizuar kaloi kufinin shqiptaro-shqiptar ilegalisht, për të ndejtur ca kohë në Shqipëri. Më vonë ka pasur kontakte me Bujar Bukoshin, Xhafer Shatrin, por edhe me përfaqësuesit e LPK-së, me Ali Ahmetin (Abazin) në vitin 1992, i cili e pat lutur të bëhej anëtarë i LPK-së, kuptohet edhe kuadër ushtarak i saj. Në vitin që shkoi ka biseduar edhe me Bardhyl Mahmutin, Jashar Salihun, Xhavit Halitin, Gani Sylën, Hafiz Gagicën, Hydajet Hysenin, etj. Lind pyetja, pse klani më ekstrem i pararojës staliniste po mundohet ta njollosë Ahmet Krasniqin, kur dihet se ai për hirë të interesave madhore kombëtare ka pasur marrëdhënie të mira edhe me ta, pasi (gabimisht) shpresonte se me tolerancë, sinqeritet dhe bashkëpunim vëllazëror do t’i bindëte të hiqnin dorë nga veprimtaria e tyre destruktive dhe përçarëse.

 

Pse dhe kush e vrau Ahmet Krasniqin?

Opinionin ynë i gjërë ende nuk e di se pse dhe kush  u vrau kolonel Ahmet Krasniqin? Dorasi me siguri nuk do të gjendet lehtë dhe shpejt, por urdhërin për ta kryer atë krim duhet ta lypim tek sigurimi serb i futur në klanin ekstrem të pararojës staliniste të LPK-së. Kur them këtë, i kam parasysh këto fakte: 1. Propoganda e ndyrë që u bë ndaj personalitetit të Ahmet Krasniqit  nepërmjet shkrimeve të botuara në “Zëri i Kosovës” para se të bëhej atentati ndaj tij. 2. Bastisja dhe çarmatosja e tij dhe rojës së tij nga pjestarët e SHIK-ut, disa  ditë para se të bëhej pushkatimi i tij. 3. Në përbërjen e pararojës staliniste të LPK-së ka ish agjentë të sigurimit të Shqipërisë, siç ka njerëz të LPK-së ne rradhët e SHIK-ut të sotshëm të Fatos Klosit. 4. Pengesat e vazhdueshme që ia krijonin Ahmet Krasniqit krerët e pararojës staliniste të LPK-së, që të mos vinte deri tek mirëkuptimi dhe besimi reciprok në mes tij dhe SHP të UÇK-së, gjë që pengonte hyrjen e ushtarakëve të aftë në drejtimin e UÇK-së, nga frika se ndikimi i tyre tek luftëtarët e lirisë do të ishte më i madh se sa ndikimi i stalinistëve injorantë. 5. Gëzimi i pa përmbajtur i injorantëve stalinistë, dhe organizimi i dollive dhe banketeve pas pushkatimit të Ahmet Krasniqit nga kriminelët e paguar. 6. Krijimi i rrjetit të spiunazhit të sigurimi sekret serb në të gjitha strukturat shtetërore të Shqipërisë si dhe në vetë Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës. 6. Papërgjegjësia morale dhe paaftësia profesionale e njerëzve kompetent për mbrojtjen dhe sigurimin fizik të Ministrit të Mbrojtjes. Ekziston mundësia e bashkëpunimit të individëve që punonin në Ministrinë e Mbrojtjes, me organizatorët e atentatit kundër Ahmet Krasniqit. 8. Pengimi dhe moslejimi nga ana e Bujar Bukoshit, që Ministri i Mbrojtjes Ahmet Krasniqi ta njoftonte opinionin e gjërë për marrëveshjen që ishte bërë në mes tij dhe përfaqësuesit të  UÇK-së, në Norvegji në muajin maj të vitit 1998 si dhe mos lejimi për ta shpjeguar domethënjën e FARK-ut në mjetet e informimit  publik, etj, etj.

Për hirë të së vërtetës, në rend të parë, dhe pastaj për hirë edhe të  atdhetarit të devotshëm Ahmet Krasniqit, që është tradhëtuar dhe keqpërdorur nga njerëz me ndikim për qëllimet e tyre  karrieriste, e që ai nuk pati mundësi ta bënte publike, do ta nxjerr në shesh marrëveshjen që është bërë në mes Ahmet Krasniqit dhe një përfaqësuesi të lartë të UÇK-së, emrin e të cilit për shkaqe të arësyeshme nuk do ta publikoj. Marrëveshtja është penguar që në hapat e parë nga pararoja staliniste e LPK-së dhe nga Bujar Bukoshi. Ata kishin frikë nga personaliteti i tij stabil e burrëror, nga qëndrimi i paluhatshëm i tij, i cili binte ndesh me qëndrimet e tyre perverse e karrieriste.

 

Për çfarë marrëveshje është fjala?

Në atë takim, është vendosur, që UÇK-ja  përpos SHP të UÇK-së të kishte edhe një Shtab në Tiranë, në përbërje të oficerëve shqiptarë, që i kishin kryer studimet nëpër akademitë Jugosllave, dhe përfaqësuesve të LPK-së dhe LKÇK-së, ku Ahmet Krasniqi do të ishte komandant i shtabit dhe kordinator në mes dy  Shtabeve  të UÇK-së. Shtabi i UÇK-së në Tiranë do të kujdesej për furnizimin me armatim të njësive të UÇK-së. Të gjitha komunikatat që do t’i shpallte SHP i UÇK-së, do të korigjoheshin nga pikpamja ushtarake nga Ahmet Krasniqi para se të publikoheshin në mjetet e opinionit publik. Shtabi i UÇK-së në Tiranë do të bënte përgatitjen e ushtarëve dhe  kuadrit ushtarak, duke i  përcjellur në Kosovë në mënyrë të organizuar dhe në formacione ushtarake, të afta për t’i kryer të gjitha detyrat taktike dhe operative në terren. Përpos forcave elite të UÇK-së, do të formoheshin edhe Njësitë e Mbrojtjes Teritoriale të Kosovës, të Policisë  dhe të Aviacionit Ushtarak. Menjëherë pas kësaj Marrëveshtjeje Ahmet Krasniqi shkoi në Tiranë dhe e formoi Shtabin siç ishin marrë vesh. Fatkeqësisht mosmarrëveshtjet shtoheshin dita ditës, pasi që përfaqësuesit e LPK-së i venin interesat klanore mbi ato kombëtare. Mosmarrëveshja e parë lindi për shkak se Ahmet Krasniqi  donte ta siguronte shumicën e armatimit nga jashtë, sepse kushtonte më lirë dhe ishte i një cilësie të lartë, ndërsa pararoja staliniste në krye me Xhavit Halitin donin ta siguronin armatimin nga fshatarët e Shqipërisë Veriore, atë armatim që ishte amortizuar dhe ishte qitur nga përdorimi. Fitues, kuptohet, doli pararoja staliniste, sepse kishte përkrahjen e policisë sekrete të Shqipërisë dhe të Nanosit, që i kishin edhe ata interesat e tyre personale dhe strategjike për ta çarmatosur Veriun e Shqipërisë, por kishin  dhe interesa tjera politike. Vetëm një pjesë e vogël e armatimit është lejuar të futej nga jashtë nepërmjet Shqipërisë. Hilja e stalinistve të LPK-së u bë e qartë kur Ahmet Krasniqi ia pat dhën një milion DM. Xhavit Halitit për t’ua paguar rrogat komandantëve dhe kuadrit ushtarak të UÇK-së në Kosovë, por informatat nga terreni lajmëronin se të hollat nuk kishin shkuar kurrë atje ku qenë destinuar. Rivaliteti fillon të rritet në mes të krerëve të klaneve të pararojës staliniste duke kërkuar çdo njëri nga Ahmet Krasniqi sa më shumë DM në dorë. Kështu që brenda muajve maj-gusht 1998 Ahmet Krasniqi me kërkesën e Bukoshit ua pat dhënë në dorë Xhavit Halitit me shokë ’’për nevoja të UÇK-së’’ më tepër se tetë milion DM, kurse përfaqësuesit e  Fondit “Vendlindja thërret” gënjenin opinionin shqiptar se Qeveria e Kosovës nuk po e ndihmon UÇK-në me asnjë metelik, ndërsa   “Zëri i Kosovës” shante dhe bënte shpifje pa fije turpi kundër Ministrit të Mbrojtjes Ahmet Krasniqit. Mosmarëveshja më e madhe lindi në mes Ahmet Krasniqit dhe Xhavit Halitit me shokë kah fundi i muajit qershor, kur ata (përfaqësuesit e UÇK-së)  nuk morën pjesë në solemnitetin që u organizua me rastin e përcjelljes së Brigadës 134 në Kosovë, veç për të shpikur më vonë gënjeshtrën se gjoja “Ministria e Mbrojtjes i ka futur njësitë e saja në Kosovë me shenjen e FARK-ut”. Edhe pse i ndjeri Ahmet Krasniqi kërkonte nga Bujar Bukoshi që ta lejonte për të dalë në opinionin publik për të shpjeguar marrëveshjen e arritur në mes tij dhe UÇK-së, dhe të dokumentonte se kurrfarë njësie ushtarake në Kosovë nuk qëndron me shenjat e FARK-ut dhe se egziston vetëm një ushtri me shenjat e UÇK-së, dhe me të vetmin qëllim, që ishte çlirimi i viseve tona nga barbarët serbo-sllav. Bukoshi e ndaloi Ahmet Krasniqin që ta zbulonte marrëveshjen e Oslos, nga shkaku i thjesht se donte që Ministria e Mbrojtjes të mbetej në ilegalitet të plotë, edhe pse vet kishte thënë në Bon në muajin mars, se “Ministria e Mbrojtjes egziston”. Kështu Ahmet Krasniqi u tradhëtua nga të dy palët. Fatbardhësisht opinioni ynë u bind për shpifjet e pararojës staliniste të LPK-së, me rastin e transmetimit nga TVSH-ja të dokumentarit të përcjelljes së Brigadës 134 për në Kosovë. Në pamfletin e hyzmeqarit të pararojës komuniste Gëzim Mataj, që i përngjan sallatës ruse që i ka dalur koha e përdorimit e që kundërmon ndytësirë,  ma veshë epitetin e “destruktivit” që për mua ka një domethënje dhe shpjegim pozitiv, të mirë, sepse të jeshë destruktiv për stalinistët shqiptarë, vetvetiu kuptohet se je konstruktiv për forcat e shëndosha kombëtare. Më në fund ju zotërinjë të pararojes staliniste  të LPK-së mos harroni se metodave staliniste për t’i njollosur dhe shpifur kundërshtarët politik, e pastaj për t’i likuiduar fizikisht u ka kaluar koha. Ju mund ta vazhdoni ende lojën e djajve staliniso-enverist, por mos harroni, do të vijë koha që do të jepni llogari! Mos harroni, do të jepni llogari!!

 

Botuar : “Bota sot” me 18.01.1999