SHQIPËRIA SHPËTOI NGA LAKU QË IA VURI NANOSI ME KOMPANI

Shqipëria e lodhur dhe e këputur nga dhuna komuniste, e realizoi një fitore të çmueshme kur, pas një mundi të madh tetëvjeçar, me votën e qytetarëve të saj i largoi nga pushteti bajraktarët e farës ruse dhe kopenë e faqeve të zeza, që me dhunë e mjete tjera komuniste  e rimorën pushtetin e humbur dhe për tetë vite të sundimit të tyre, bënë aq shumë krime  e punë të liga, saqë për disa herë ia tejkaluan edhe babait të tyre shpirtëror, Enverit! 

Siç dihet, populli ynë me sukses i ka përballur vështirësitë e mëdha dhe rreziqet e shumta, që ia përgatitën armiqtë e tij shekullorë nëpërmjet ,,kotillës” së tij të keqe, çorodive, plangprishësve, llumproletarëve dhe bajraktarëve të farës ruse. Duhet veçuar periudhën e fundit tetëvjeçare, një ndër periudhën më të rrezikshme për kombin tonë, kur  çakajtë e Ballkanit dhe aleatët e tyre,  nëpërmjet bajraktarëve të farës ruse në krye me Nanosin, për pak i realizuan planet dhe skenarët e tyre që në Shqipëri ta ndezin luftën vëllavrasëse veri-jug,  apo ta bëjnë Shqipërinë ''Liban të Evropës Juglindore''.  Këto dy plane nuk arritën t'i realizojnë,  sepse ishte populli ynë ai që u tregua i zgjuar dhe nuk ra në grackën e tyre, por realizuan planin e tretë rezervë, Shqipërinë e bënë koloni greke dhe qendër të krimit të organizuar për gjithë hapësirën tonë kombëtare.

 Por nuk ishin të kënaqur me këto suksese të gjithë çakajtë e Ballkanit, kur edhe serbët edhe sllavët e Maqedonisë i kishin planet dhe skenarët e tyre të gatshme, për t'i realizuar interesat e tyre kombëtare në kurriz të shqiptarëve. Shumë skenarë të Serbisë u vënë në veprim nga kryepehlivanët e Nanosit në Kosovë dhe në saje të punës së tyre,  Serbia i realizoi  planet që i kishte për Kosovën.

Pas mbarimit të luftës, shqiptarët e kanë kuptuar se në çfarë rreziqesh e kanë futur nanosët e Kosovës vendin e tyre, duke punuar në dobi të realizimit të  planeve dhe skenarëve të Beogradit që  Kosovën ta bëjnë tokë serbe (djep të serbizmit). Fatkeqësisht, ende ka qytetarë të Kosovës që  nuk po mund të kuptojnë,  apo nuk po duan të kuptojnë se në çfarë rreziku e vënë Kosovën dhe popullsinë e saj  kryepehlivanët e Nanosit, në krye me Xh. Halitin e H. Thaçin, të cilëve Nanosi iu premtoi se do t'i bëjë të parë të Kosovës dhe sundues të qytetarëve të saj, po që se i kryejnë urdhrat e tij. Po i kryen me përpikëri urdhrat e tij bajraktarët e farës ruse dhe nanoistët e Kosovës dhe treguan se ishin të padijshëm e të pa logjikshëm, treguan se  nuk  ishin të mençur dhe as të zgjuar, kur me mësimet e tij (Nanosit)  tentuan ta përçajnë dhe ta shkatërrojnë forcën më të madhe politike shqiptare LDK-në. Edhe faktorin ushtarak e dëmtuan rënd, kur nuk lejuan institucionalizimin e UÇK-së, thyen Marrëveshjen e Oslos, hapën luftë frontale para kohe me Serbinë, nuk lejuan formimin e Qeverisë së Kosovës nga të gjitha forcat politike dhe ushtarake të Kosovës, nuk e nënshkruan Marrëveshjen e Rambujesë me kohë, që garantonte zgjidhjen e statusit të Kosovës pas tri vitesh, në bazë të vullnetit politik të qytetarëve të saj. E vranë kolonel Ahmet Krasniqin, ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës. Vranë edhe shumë burra të fortë të shqiptarisë dhe të Kosovës, por krimin më të rëndë e bënë kur e vranë mundin e shumë gjeneratave dhe, në veçanti mundin dhjetëvjeçar të popullit shqiptar të Kosovës, vranë  institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës.

Shtrohet pyetja, a thua aq shumë ishin të sëmurë për pushtet dhe pozita udhëheqëse kryepehlivanët  e Nanosit (pararoja  e LPK-së), saqë  u hipnotizuan nga Nanosi, Mejdani dhe Klosi, dhe nuk kuptonin se të gjitha veprimet që i bënin sipas urdhrave të tyre nuk shkonin në dobi të Kosovës,  por shkonin në dobi të Serbisë dhe aleatëve të saj, apo ishin argatë të sigurimit të fshehtë serbo-ruso-grek, dhe kështu ishin të detyruar t'i kryenin urdhrat e tyre?! Koha do të tregojë se cilët nga bajraktarët e farës ruse dhe kryepehlivanët e Nanosit i  verbëroi dëshira për pushtet, dhe cilët prej tyre i bëri robot sigurimi i fshehtë serb.

 Po armiqtë tanë kishin plane që edhe sllavët e Maqedonisë të mos i lënë pa një fitim. Planifikonin të gjorët që Maqedonia Perëndimore (viset shqiptare) t'u bëhen tapi sllavëve të Maqedonisë, përpos Tetovës, që do ta fitonte të drejtën t'i bashkohet Shqipërisë, ndërsa Kosova Lindore, sipas planeve të tyre, do të bëhej ''atdhe '' i serbëve të shpërngulur të Kroacisë. Ndërsa popullit shqiptar ia falën rrugët dhe metropolet e Evropës  për t'u bërë lëndë ndërtimi për popujt e plakur të saj. Por, fuqia e të Madhit Zot i bëri hi e pluhur planet e djajve - njeri nëpërmjet NATO-s.

Populli ynë u dëmtua tepër shumë. U vra dhe u masakruan prej bandave greke, ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve serbë, por shumë më tepër u dëmtua nga dora kriminele e komunistëve të pa fe dhe të pa atdhe,  shqipfolësve që i përkisnin ''njeriut të ri'' të Shqipërisë nën udhëheqjen e Nanosit me kompani,  dhe  nanoistëve të Kosovës të udhëhequr nga bajraktarët e farës ruse, kryepehlivanët e Nanosit dhe argatët e tyre. Këta kokëkrisur, të etshëm për pushtet e për pasuri, të udhëhequr nga parimi i njerëzve bishë se ''qëllimi i arsyeton mjetet'', ia vranë Atdheut - Shqipërisë etnike, në periudhën 1997- 2005, burrat më të mirë të kombit. Dhe, sot e kemi një gjendje të mjerë në gjithë hapësirën tonë kombëtare, si pasojë e punës antikombëtare të kësaj farës së keqe,  të farës ruse, që  Shqipërinë e shndërruan në koloni greke, Kosovën e bënë utrinë katundi, ndërsa në viset tjera shqiptare mbollën përçarje të thellë ndërshqiptare.

Por,  ''çdo përpjetëse e ka një teposhtëse''. Shqiptarët e kaluan përpjetësen atë ditë kur qytetarët e Shqipërisë, me votën e tyre të lirë,  i rrëzuan për toke forcat e krimit të organizuar, mafinë politike dhe ekonomike, të udhëhequr nga Nanosi me kompani,  dhe i sollën në pushtet forcat djathtiste dhe aleatët e tyre në krye me Salih Berishën. Por rreziqet nuk kanë kaluar. Duhet punuar me mend dhe me shumë kujdes, që të mos lëshohet rruga e fitores, ajo rrugë që lyp shumë mund, dije, zgjuarsi dhe durim, se forcat e djallit të mallkuar nuk dorëzohen lehtë, sepse kanë përkrahjen e llumproletarëve të botës, mafisë së kuqe ndërkombëtare, të udhëhequr nga sigurimi i fshehtë rus. Po, kanë përkrahjen e Qeverisë serbe,  Qeverisë greke dhe të aleatëve të tyre. Kanë përkrahjen edhe  të llumit të shoqërisë shqiptare: ''intelektualëve'' faqezi,  ''gazetarëve sahanlëpirës”,  ahmakëve, injorantëve, kriminelëve të ndryshëm dhe të ateistëve.

Forcat e fitores së Shqipërisë, forcat e forcës shqiptare, forcat e realizimit të synimeve kombëtare, nuk guxojnë të ''vetëkënaqen'' për këtë fitore që e fituan në Shqipëri. Kjo është vetëm një fitore, fitorja  bazë,  që duhet të sjellë çdo ditë shumë fitore në të gjithë lëmenjtë e jetës së shqiptarëve. Shqiptarët në përgjithësi dhe  pasanik në veçanti,  kudo që janë në rruzullin tokësor, nuk guxojnë të tjetërsohen ndaj problemeve të mëdha shqiptare, ndaj skamjes dhe mjerimit që e ka përfshirë popullsinë shqiptare në gjithë hapësirën e tij kombëtare. Paraja e tyre nuk guxon të flejë në banka apo të investohet në vende të huaja ku nxjerrin fitime të majme. Ajo para duhet të investohet në Shqipëri, në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare, edhe po që se menjëherë nuk ju sjellë shumë fitime.  Sot Atdheu ka nevojë për njerëz të idealeve të larta që do të punojnë me emrin e Zotit, për ta përparuar vendin e tyre. Punësimi i popullsisë shqiptare në vendin e tij e forcon atdheun  dhe e dëmton farën e huaj, farën ruse. ,,Skamja të qon në derë të hasmit”,  na mëson gjeniu ynë popullor. Pra, të mos i lëmë të huajt të manipulojnë me njerëzit tanë, që për një vend pune, për një ndihmë të vogël simbolike, apo për një premtim të rrejshëm,  pa dëshirën e tij, të bëhet argat i argatëve të bajraktarëve të farës ruse, të bëhet argat i djallit të mallkuar, që mund ta fusë edhe në krime e faqe të zeza të ndryshme. Shqipëria  e fortë e forcon  Kosovën dhe viset tjera shqiptare. Forcimi i Shqipërisë e forcon  faktorin shqiptar në Gadishullin Ilirik dhe në Evropë. Shkatërrimi i bandës kriminele dhe mafioze të Nanosit në Shqipëri do të sillte shkatërrimin e  bandës së tij në Kosovë dhe në Maqedoni. Me zbulimin e qendrës së krimit në Shqipëri, do të zbulohet edhe qendra e krimit në Kosovë. Pra, do t'i qesim para drejtësisë shqiptare së bashku nënë e bijë,  SHIK-un e Klosit dhe SHIK-un e PDK-së për krimet që i bënë njerëzit e tyre ndaj qytetarëve të Shqipërisë dhe qytetarëve të Kosovës.

 Urime Shqipëri! Urime qytetarë të Shqipërisë! Urime Sali Berisha!  Urime PDSH!  Urime klasë politike djathtiste! Urime popull shqiptar se i Madhi Zot të mëshiroi, kur të udhëzoi që të mos e duash të keqen, të shëmtuarën dhe të ligën!  Të mëshiroi kur të udhëzoi që mos t'i  përkrahësh dhe të mos i votosh  bajraktarët e farës ruse, kriminelët dhe të pafetë, që janë armiqtë e Tij.  Ta lusim Zotin Fuqiplotë që të na ndihmojë për t'i realizuar synimet madhore kombëtare! Ta lusim Zotin e Gjithëdijshëm për ta udhëzuar popullin tonë dhe gjithë popujt e botës në rrugën e drejtë, në atë rrugë që do t'i bënte të suksesshëm në këtë botë dhe në botën tjetër!

 

 

Botuar në ''Bota sot'', më 6 shtator 2005