,,RRENA I KA KËMBËT E SHKURTRA’’ ZOTËRINJ TË ,,KOSOVAPRES”- IT DHE TË SHOQATËS ’’ATLANTIKU’’

Para dy ditësh një dashamir imi e kishte  hapur rastësisht faqen e ,,Kosovapres”-it në internet dhe me atë rast i kishte rënë në sy një ,,reagim’’ i Shoqatës ’’Atlantiku’’ (ish-batalioni ,,Atlantiku’’ i UÇK-së) kundër meje. Bashkëvendësi im duke ditur se unë kurrë nuk  e hapi këtë agjenci të lajmeve, e cila merret  me shpifje dhe gënjeshtra,  më solli një  kopje të atij ,,reagimi’’,  që  sipas të gjitha gjasave qe disa muaj ka zënë vend në faqet e zeza të ,,Kosovapres”-it.

Autori i këtij ,,reagimi’’, zotëri Arbër Muriqi, në cilësinë e kryetarit të Shoqatës ’’Atlantiku’’, reagon  kundër një vlerësimit tim që e kam dhënë në një shkrim të botuar në ,,Bota sot”, më 21. 0 5 – 19 .06 . 2001, me titull : ,,Pse jemi kështu siç jemi’’. Fjala është për vlerësimin e dokumentuar se Xh. Haliti dhe argatët e tij kanë penguar luftën çlirimtare të Kosovës, duke bërë diferencimin në radhët e rekrutëve dhe ushtarëve të UÇK-së, për të ditur se kush prej tyre i njeh institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës, qëllimi i të cilëve ishte që të pengohen për të marr pjesë në luftën çlirimtare forcat demokratike të Kosovën, veçmas anëtarët dhe simpatizuesit e LDK-së.

Këtë vlerësim e kam dokumentuar me tri fakte : 1) Përvetësimi i njësive guerile të Republikës së Kosovës, duke krijuar  ,,strukturë  komanduese të UÇK - së në Kosovë’’ nga rrogëtarët e Xh. Halitit dhe A. Sylës, në bazë të komploteve , shpifjeve dhe vrasjeve me tradhti të komandantëve dhe veprimtarëve që i kanë vënë themelet e UÇK – së;  2)  Krijimi i ,,rrjetit të merimangës’’ në Shqipërinë Veriore, në aeroportin e Tiranës në Rinas dhe në portin detar të Durrësit, që askush të mos depërtonte në Kosovë po që se nuk e kalon provimin që dëshmonte se i urren institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës; 3) Kam përmendur Batalionin ’’Atlantiku’’, si shembull i diferencimit të egër, që si rrjedhojë pati prishjen e marrëdhënieve ndërnjerëzore dhe  përçarjen dhe ndarjen e kësaj njësisë ushtarake në disa grupe. Në të vërtet,  kur e kam marrë shembull të diferencimit Batalionin ,,Atlantiku’’,  kam bërë një lëshim teknik, që më është përvjedhur gjatë daktilografimit të shkrimit.

Kisha për të dhënë disa sqarime, (që për njerëzit që merren me shkrime janë të panevojshme),  për hir të atyre që nuk kuptojnë se si mund të përvidhen gabime teknike gjatë daktilografimit të shkrimit. Shpesh më rastis që kur të bëjë ndonjë korrigjim, apo ndonjë plotësim, në tekstin e variantit të parë, harroj t’i jap kompjuterit komandën: regjistro,  dhe kështu,  edhe pse bëjë korrigjimin , teksti mbetet i pa korrigjuar. Prandaj,  mungesa e disa fjalëve në fjalinë që bëhet fjalë për Batalionin ’’Atlantiku’’, si shembull i diferencimeve, ka qenë një lëshim teknik i paqëllimtë. Po e japi fjalinë (tekstin) e plotë që është  botuar në ,,Bota sot”, ndërsa brenda kllapa po i vejë fjalët që kanë munguar në atë fjali, për shkak se kanë mbetur të pa regjistruara : ,,Po përmendi vetëm një rast, pa i përmendur edhe shumë raste tjera, kur argatët e Xh. Halitit e kthyen nga Durrësi(një grup shokësh të)Batalionit ,,Atlantiku’’, që e përbënin vullnetarët e ardhur nga SHBA-të, për t’iu bashkëngjitur UÇK - së, për shkakun e vetëm se ata i njihnin institucionet e Republikës së Kosovës’’.

Ky lëshim teknik për Arbër Muriqin ishte një shkas i mirë, për të ndërtuar një shpifje kundër meje se gjoja unë e paskam ,,mohuar sakrificën e ushtarëve të gjymtuar’’, se gjoja paskam ,,bërë përpjekje për shtrembërimin e fakteve historike dhe luftës së lavdishme të ushtarëve të UÇK-së’’, dhe se  paskam ,,sulmuar’’ ,,dy shtyllat kryesore të shtetit të ardhshëm të Kosovës, TMK-në, dhe SHPK-në’.

Kryesia e Shoqatës ,,Atlantiku’’ (ish-Batalioni ,,Atlantiku” i UÇK-së) dhe Arbër Muriqi, në cilësinë e kryetarit të Shoqatës, e mohojnë faktin se është bërë diferencimi i rekrutëve të Batalionit ’’ Atlantiku’’, kur thonë : ,,Me sinqeritetin më të thellë, deklarojmë se askush nga strukturat organizative të UÇK-së nuk na ka pyetur se a e njohim këtë apo atë, se çfarë ideologjie preferonim, apo cilit krah politik i takonim apo i takojmë’’.

Kjo që thotë Arbër Muriqi në emër të  Kryesisë së  Shoqatës’’Atlantiku’’,  hidhet  poshtë si e pavërtetë, po që se merren parasysh këto fakte :  a) Po që se nuk është bërë diferencimi, siç thotë Arbër Muriqi,  në radhët e rekrutëve të Batalionit ,,Atlantiku’’,  pse atëherë argatët e Xh. Halitit këmbëngulnin për ta ndërruar  komandantin e Batalionit ’’Atlantiku’’, Gani Shehun, me një njeri të tyre ?!  Përgjigjja është e thjeshtë, por, me siguri, zotëri Muriqi i ka arsyet e tija personale, dhe  nuk do të përgjigjet në këtë pyetje.

Siç dihet, Gani Shehu, para se të fillonte lufta, kishte qenë kryetar i degës së  LDK-së në Junik. Ai ishte njëri ndër luftëtarët e parë të Junikut dhe komandant i njësive të UÇK-së, që vepronin  në atë pjesë të Kosovës. Gani Shehu pasi mori plagë të rënda gjatë luftës me forcat serbe, u dërgua në SHBA për t’u mjekuar. Pasi u shërua, ndihmoi veprimtarët e atjeshëm për mobilizimin e bashkëkombësve për formimin e Batalionit ’’Atlantiku’’. Caktimi i tij  komandant i  Batalionit ’’Atlantiku’’ nga veprimtarët e dalluar të çështjes madhore në Amerikë, nuk ishte rastësi, dhe as  rrjedhojë e manipulimeve,  por ishte për shkak të meritave dhe përvojës luftarake që i kishte fituar në veprimtarinë e tij të mëhershme. Por, argatët e Xh. Halitit nuk donin t’i njihnin këto vlera të Gani Shehut, vetëm pse kishte qenë anëtarë i LDK-së.

Zotëri A. Muriqi, mirë e din se çfarë lufte e madhe verbale u zhvillua në mes argatëve të Xh. Halitit dhe rekrutëve të njësisë ushtarake për çështjen e ndërrimit apo të mos ndërrimit të Gani Shehut. Vetëm këmbëngulësia e të gjithë rekrutëve të Batalionit ’’Atlantiku’’ për të mos bërë ndërrimin e Gani Shehut,  i detyroi argatët e Xh. Halitit të ,,pajtohen’’ që të  mos bëhen ndërrime në Shtabin e Batalionit ,,Atlantiku’’. b) Po sikur të mos ishte bërë diferencimi në radhët e regrutëve të Batalionit ,,Atlantiku’’, me siguri nuk do të ndodhte që një grup shokësh që i përkisnin Batalionit ,,Atlantiku’’, për shkak të demoralizimit, të kthehen për në Amerikë, ndërsa  grupi tjetër të ndahet prej shokëve dhe të shkojnë në Papaj, në Qendrën e Stërvitjes të FARK-ut, ku bënin përkatitje për thyerjen e kufirit shqiptaro - shqiptar njësitë operative të FARK-ut, brigadat e UÇK-së, që komandoheshin nga oficerët e Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës : Agim Ramadani, Salih Çeku, Anton Çuni, Hysen Berisha etj.

Është për t’u habitur që zotëri  Arbër Muriqi i merr në mbrojtje diferencuesit dhe komplotistët e UÇK-së, në vend se të merr në mbrojtje rekrutët dhe ushtarët e Batalionit ’’Atlantiku’’,  të cilët u keqtrajtuan dhe u keqpërdorën jo vetëm nga Xh. Haliti & kompani, por edhe nga individë që i përkisnin Shtabit të Batalionit ’’Atlantiku’’.

Zotëri Muriqi si ,,mbrojtës’’ i Batalionit ,,Atlantiku’’, është dashur shkurtimisht ta njoftonte lexuesin (opinionin) në këto çështje : Si u formua kjo njësi ushtarake ? Kush e organizoi formimin e saj ? Sa ushtarë e përbënin atë njësi ushtarake ? Kur arriti në Shqipëri ? Kush ishte komandanti i saj ? Në çfarë pengesash hasi Batalioni ,,Atlantiku’’ në Shqipëri dhe në Kosovë ?

Do ta paraqes një biografi të shkurtër të Batalionit ’’Atlantiku’’, me qëllim që lexuesi ta ketë të qartë veprimtarinë e  kësaj njësie ushtarake, por edhe ta ketë të qartë se kush nga ne të dy, unë apo A. Muriqi,  e kemi shpifur Batalionin ’’Atlantiku’’ ?!

Batalioni ’’Atlantiku’’është formuar në SHBA. Nismën për formimin e kësaj njësie ushtarake e kanë marrë veprimtarët e çështjes kombëtare që jetojnë dhe veprojnë në Amerikë, por gishtat në atë organizim i kanë futur aktivistët e ,,Fondit Vendlindja Thërret’’. Në tubimin e organizuar për këtë çështje kanë marrë pjesë më tepër se 1500 vet. Në atë tubim është propaganduar ndihma fizike, morale dhe materiale për UÇK - në. Janë tubuar më tepër se 1 milion dollarë dhe janë regjistruar për të shkuar në frontin e luftës në Kosovë  më tepër se 150 vullnetarë, në mesin e të cilëve edhe një vajzë 17 vjeçare, Linda Muriqi, e bija e veprimtarit të dalluar Ramiz Muriqit. Pas një dite, numri i vullnetarëve bie në 90 veta, të cilët më 16 prill janë nisur për Shqipëri,  dhe më 17 prill të vitit 1999 kanë  mbërritur në aeroportin e Tiranës në Rinas. Pritja e tyre është bërë nga Xh. Haliti dhe argatët e tij,  për t’i marrë ndihmat që janë mbledhur për UÇK-në. Rekrutët po atë ditë janë dërguar në qendrën për regrutim ,,Drenica’’ në Durrës. Problemet e mëdha për këtë njësi filluan në Golem dhe vazhduan në Burrel, ku si pasojë e diferencimit të vullnetarëve nga ana e argatëve të XH. Halitit, kjo njësi ushtarake pësoi përçarje të mëdha.

Siç cekëm edhe më lartë, një grup ushtarësh duke parë të vërtetën e hidhur se në Kosovë mund të shkohet  vetëm po që se i mohojnë institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës, u demoralizuan dhe u kthyen nga Durrësi për në Amerikë. Një grup tjetër largohen nga Burreli, vendqëndrimi ku stërviteshin për luftë,  dhe shkojnë në njësitë operative të FARK-ut në Papaj, ndërsa grupi tjetër, më i madh, mbeti nën komandën e Gani Shehut dhe Hysni Sylës.

Problemi tjetër me të cilin u përball Batalioni’’ Atlantiku’’ është keqpërdorimi – përvetësimi (vjedhja) e të hollave të Batalionit ’’Atlantiku’’,  që ishin paraparë për blerjen e artikujve ushqimorë dhe për nevoja personale të rekrutëve - ushtarëve të kësaj njësie ushtarake.  Për më tepër se një javë,  sa ishin rekrutët në Burrel,  ushqimi i vetëm i tyre ishte buka dhe qepa, edhe ajo nuk ishte e mjaftueshme, për shkakun e vetëm se disa nga përgjegjësit e kësaj njësie ushtarake patën shkuar në Tiranë për të bërë ca aventura, dhe pastaj ato aventura u bënë shkak që paratë e rekrutëve  që ata i kishin marrë me vete, t’i  bënin ,,rrush e kumbulla’’.

Kjo njësi ushtarake edhe pse përjetoi trauma dhe thyerje shpirtërore, mori pjesë në frontin e luftës në Kosovë. Ushtarët e saj nuk e kursyen as gjakun dhe as jetën e tyre të shtrenjtë që Kosova të çlirohej nga thundra e okupatorit serb, dhe shqiptarët e shumëvuajtur ta fitojnë lirinë e shumëpritur.

            Siç dihet, vëllezërit Bytyçi u kidnapuan dhe u vranë nga ushtria serbe. Haki Dervishi e pat humbur këmbën, Bajram Shala dhe një ushtar me mbiemër Boqaj, janë plagosur nga granata. Fatkeqësisht, shumë ushtarë të Batalionit ’’Atlantiku’’ pas çlirimit të Kosovës, patën pengesa të mëdha për t’u kthyer në familjet e tyre, për shkak se argatët e Xh. Halitit dhe rrogtarët e H. Thaçit donin të fitonin shuma të mëdha të hollash (ua kërkonin nga 10.000 dollarë)  për t’ua siguruar pasaporta false në vend të pasaportave të tyre që  i kishin shitur gjatë kohës sa ata ishin në Kosovë.

Pra,  Arbër Muriqi kur ka shkruar për Batalionin ’’Atlantiku’’, nuk ka guxuar të mos i shoh gjithë këto të liga që iu bënë rekrutëve - ushtarëve të kësaj njësie ushtarake, nga argatët e Xh. Halitit, të I. Kelmendit dhe  rrogëtarëve të H. Thaçit.  Prandaj, shtrohet pyetja se kush nga ne të dy, unë apo Arbër Muriqi, i ,,kemi shtrembëruar faktet historike për UÇK - në’’.

Po që se A. Muriqi mendon se duhet mbrojtur edhe komplotistët e UÇK - së, se duhet mbrojtur edhe ata të cilët nuk lejuan institucionalizimin dhe profesionalizimin e saj, që bënë diferencimin e rekrutëve, ushtarëve dhe të oficerëve të UÇK-së, se  duhet mbrojtur të gjithë ata që i veshën uniformat e UÇK-së, pra edhe keqpërdoruesit e UÇK-së, hajnat, rrugaçët dhe kriminelët,  që vranë pas shpine ushtarakë dhe veprimtarë, që nuk arritën t’i bëjnë argatë apo vasalë, është punë e tij! A. Muriqi në rend të parë është dashur t’i mbrojë ushtarët e Batalionit ’’Atlantiku’’, kur veç qenka zgjedhur edhe kryetar i Shoqatës ’’Atlantiku’’ (ish - Batalioni ,,Atlantiku’’ i UÇK - së), të cilët aq keq u mashtruan dhe u keqtrajtuan nga argatët e XH. Haliti dhe rrogëtarët e H. Thaçit, sa ishin në Shqipëri dhe pasi hynë në Kosovë. Fatmirësisht, shumica dërmuese e ish - ushtarëve të  Batalionit ’’Atlantiku’’ jetojnë dhe punojnë në SHBA. Me siguri, një ditë do të dalë në dritë e vërteta e plotë lidhur me ish - Batalionin ,,Atlantiku’’.

Është detyrë e intelektualëve dhe veprimtarëve që jetojnë dhe punojnë në SHBA, të mbledhin dëshmi nga të gjithë ish - ushtarët e Batalionit ’’Atlantiku’’, që një ditë të  ndriçojnë të vërtetën për veprimtarinë dhe peripecitë e Batalionit ’’Atlantiku’’, që opinioni ynë të mësojë për të vërtetën e hidhur,  pa marrë parasysh se a iu pëlqen, apo nuk i pëlqen disa faktorëve politikë të Kosovës, pa marrë parasysh se a iu pëlqen, apo nuk iu pëlqen disa individëve që patën ndikim në rrjedhat e ngjarjeve negative që e goditën Kosovën.

 

           

Publikuar në ,,Trepça.net.’’ më 12. 02. 2002