PSE NUK PO BURGOSET KREU I SHIK-UT TË PDK-SË

Me atentatin që e bëri SHIK - u me  ZKZ - në e  PDK - së kundër Bardhyl Ajetit, ''organet e sigurisë'' (''të ndjekjes dhe të drejtësisë'', të vendit dhe ato ndërkombëtare)  në Kosovë, janë vënë  para një sprove tejet serioze. Do ta kalojnë apo nuk do ta kalojnë me sukses këtë sprovë, varet nga shumë faktorë, por koha nuk pret. Është momenti i fundit të dihet, do apo nuk do, munden apo nuk munden,  këto ''organe të sigurisë'' të Kosovës  të kacafyten me këta ''ujq'' të çartur të Kosovës,  për ta shpëtuar Kosovën nga krimi i organizuar, për t'ua dhënë dajakun e merituar këtyre këlyshëve të huaj, kësaj fare të keqe kriminele, që e shëmtuan Kosovën dhe popullin e saj.

Shtrohet pyetja: Pse nuk po shkatërrohet kjo organizatë kriminele nga organet e sigurisë së Kosovës, kur dihet se kanë aq shumë fakte dhe dëshmi për veprimtarinë e saj kriminele? Opinioni ynë është i njohur me faktet që Bardhyl Ajeti ua ka ofruar organeve të sigurisë së Kosovës për veprimtarinë e SHIK-ut të PDK-së. Atentati kundër Bardhyl Ajetit dëshmon se ishin ato fakte që ai i publikoi kundër SHIK-ut,  shkaqe të atentatit kundër tij.

Opinioni ynë ka mësuar gjithashtu se organet e sigurisë së Kosovës, me rastin e burgosjes së kriminelëve doras, kanë gjetur shumë dokumentacion të SHIK-ut. Prandaj, tash e tutje këto organe të sigurisë së Kosovës nuk do të mund të arsyetohen,  siç u arsyetuan deri dje, se ''nuk kanë të dhëna se ekziston SHIK - u'', kur të dhënat i kanë të plota, për strukturën udhëheqëse të saj dhe personat që e udhëheqin atë,  me emra dhe mbiemra të plotë (mjafton këto organe të shkojnë në redaksinë e ''Botës sot'' në Prishtinë që t'i marrin, po që se deri tash nuk i kanë në dorë.)

Pra, ky akt kriminel i qendrës së krimit kundër Bardhyl Ajetit, do të jetë njëri ndër shkaqet kryesore që do t'i detyrojë organet e sigurisë (ndjekjes dhe të drejtësisë, të vendit dhe ato ndërkombëtare) të ndërmarrin hapa konkret kundër SHIK-ut të PDK - së.

Po që se ndodh që këto organe edhe më tej e ndjekin politikën e deritashme  ''mbylli sytë e mos shiko, mbylle gojën e mos fol'', duke mos vepruar konkretisht kundër krimin të organizuar, kjo do të thotë se SHIK - u është faktori më i fuqishëm i Kosovës, kjo do të thotë se kjo organizatë kriminele ka përkrahje nga qarqe të caktuara ndërkombëtare, kjo do të thotë se  njerëzit e saj kanë zënë pozita të rëndësishme në organet udhëheqëse të sigurisë së Kosovës, apo  kanë komprometuar persona me ndikim  (të vendit dhe ndërkombëtarë). Kjo do të thotë se Kosovës po i përgatitet një humnerë edhe më e thellë dhe më e rrezikshme sesa ajo që ia përgatiti kryekasapi i Ballkanit, së bashku me Nanosin dhe argatët e tyre. Kjo duhet t'i alarmonte organet shtetërore të Kosovës dhe qytetarët e saj, që të kërkojnë me këmbëngulje nga qendrat e vendosjes ndërkombëtare, që sa ma parë dhe sa më shpejt ta ndërrojnë gjithë kuadrin udhëheqës të UNMIK-ut, të OSBE - së , të SHPK -së, të TMK - së,  përpos zotëri Petersenit. Përndryshe, status-kuoja në Kosovë nuk do të ndërrojë në të mirë të Kosovës dhe popullit të saj, por do të ndërrojë në të mirë të Serbisë dhe aleatëve të saj, ndërsa mundi i subjekteve shtetërore të Kosovës dhe të qytetarëve të saj për plotësimin e standardeve do të bjerë në ujë,  atë ditë kur e shohin të nevojshme  padronët e vërtetë të SHIK-ut,  që e komandojnë  nga Beogradi dhe  Tirana, nëpërmjet kryepehlivanëve të Nanosit,  argatëve dhe skllevërve të tyre.

 

 

Botuar në ''Bota sot'', më 15 qershor 2005