PERSPEKTIVË E SHKËLQYER PËR KOMBIN SHQIPTAR

Më nëfund,pas shumë tragjedive që i solli kombit tonë  ky shekull që po e lëmë pas, viti i fundit lamtumirës i krijoi perspektivë të shkëlqyer për realizimin e aspiratave të tij shekullore, çlirimin dhe bashkimin e tij kombëtar, për të jetuar i lirë dhe i barabartë në familjen e madhe të popujve të Evropës Perëndimore, siç i ka hije një populli të lashtë dhe fisnik siç është populli shqiptar.

            Edhe në të kaluarën, rrjedhat historike ndërkombëtare të kombit tonë i krijuan kushte të favorshme për arritjen e qëllimeve të tij madhore, por udhëheqjet e tij bën gabime dhe faje të rënda, duke mos ditur të luanin lojëra politike, për t`i amortizuar goditjet e hapëta e tinëzare të armiqve tanë shekullorë me anë të një strategjie dhe taktikave të përpunuara mirë, për të përfituar përkrahjen e aleatëve tanë të natyrshëm dhe për të përfituar miq dhe aleatë të rinj. Çka është më e keqja, udhëheqjet dhe prijësit shqiptarë në momentet më vendimtare, kur vendosej për fatet e atdheut të tyre jo që nuk kishin një strategji dhe taktikë veprimi, por as nuk kishin një gjuhë të përbashkët të politikës ditore, sepse ishin të ndarë e të përçarë për interesa e inate personale apo për bajraktarizëm, dhe kështu u lehtësonin punë armiqve tanë për realizimin e planeve të tyre djallëzore për të  gllabëruar krahina të tëra shqiptare.

Fatkeqësisht, edhe udhëheqjet aktualë të Shqipërisë dhe të Kosovës, janë duke ndjekur të njëjtën rrugë të paraardhësve të tyre. Ndarjet dhe përçarjet e tyre për interesa partiake, klanore dhe personale e rrezikuan kombin tonë më tepër se kurrë më parë. ’’Revolucioni i vonuar demokratik” i Shqipërisë dhe shpërngulja masive e shqiptarëve me dhunë nga Kosova gjatë këtij viti, ishin realizime të skenarëve të përgatitur mirë nga armiqtë tanë serbo-grek me aleatët e  tyre, për ta goditur për vdekje kombin shqiptar, për të mos pasur kurrë më mundësi të ngrihet në këmbë. Vetëm mrekullia e të Madhit Zot na e shpëtoi Shqipërinë nga më e keqja në vitin 1997, dhe sivjet na e shpëtoi Kosovën nga shkjetë gjakatarë me anë të NATO-s, për të mos pësuar  siç pësuan më parë Toplica me Çamërinë. NATO-ja ia dha dajakun e merituar barbarëve serbë, duke i detyruar  të ikin kah kanë ardhur me bisht për këmbe. Këto ditë ajo po e realizon premtimin e burrave të mëdhenj të Qendrave të vendosjes ndërkombëtare zotërinjve B. Klinton, T. Blaire, J. Chirac, H. Solana, R. Cook, W. Clark, J. Shea etj. Për t`i kthyer shqiptarët e përzënë nga barbarët serb nëpër shtëpitë e tyre në Kosovë dhe për të siguruar paqe, liri, siguri dhe përparim këtij populli martir e krenar. Ndërsa udhëheqja politike dhe ushtarake e Kosovës edhe pas gjithë kësaj çka ka  ndodhur në vitet e fundit, edhe pas gjithë këtyre tragjedive që përjetoi populli ynë, ende nuk u vetëdijesuan për domosdoshmërinë e lënies anash të përçarjeve dhe ndasive, që ata i krijuan për qëllime karrieriste. Situata tragjiko-komike e krijuar sot në Kosovë me dy ,,qeveri” është fryt i punës disavjeçare të karrieristëve të sëmurë për pushtet dhe përkrahësve të tyre pakurrizorë.

            NATO-ja pasi na e çliroi Kosovën, Qendrat e vendosjes ndërkombëtare vendosën protektorat ushtarak dhe civil në Kosovë për një kohë të pacaktuar, dhe kështu i penguan kacafytjet e drejtpërdrejta për pushtet në mes  dy taborëve kundërshtare, atyre që i njohin institucionet shtetërore të krijuara më parë dhe atyre që s`i  njohin ato. Të dyja këto forca i dërguan ,,qeveritë” e tyre në Prishtinë për të zënë pozita sa më të rëndësishme, duke u legjitimuar si njëra si tjetra tek zyrtarët e OKB-së dhe komandantët e NATO-s qeveri ,,legjitime’’, njëra  e Kosovës, e tjetra e Republikës së Kosovës dhe pse qysh me kohë faktori i jashtëm është shprehur se nuk e njeh as njërën, as tjetrën qeveri, por Delegacionin e Rambujesë, që përfaqësonte pothuajse të gjitha subjektet e Kosovës. Siç dihet, karrieristët gjejnë njëqind mënyra për të ardhur në pushtet, prandaj po bëjnë gara në mes veti se cili do të  bëhet robot më i mirë për të përfituar besimin e faktorit ndërkombëtarë për të zënë pozita udhëheqëse në protektoratin civil të Kosovës. Ky veprim i tyre i papërgjegjshëm do t`i sjellë dëme të mëdha zgjidhjes së drejtë të çështjes së Kosovës, prandaj opinioni ynë dhe intelektualët e mirëfilltë nuk guxojnë të rrinë duarkryq dhe të bëjnë sehir para këtyre dukurive të shëmtuara, që aq shumë dëme do të  na sjellin.

Po që se vazhdon edhe më tutje lufta për pushtet në mes dy taborëve kundërshtare në këtë mënyrë, duke mos zgjedhur mjete, perspektiva e pavarësisë së Kosovës do të rrezikohet dhe gjaku i dëshmorëve dhe i mijëra të masakruarve do të shkonte huq, siç ka shkuar shumë herë më parë, mu me fajin e udhëheqjeve dhe prijësve shqiptarë të ndarë e të përçarë. Vetëm po që se shqiptarët bëhen të mençur dhe nxjerrin një udhëheqje autoritative, e cila nuk do të ishte e komprometuar me afera të ndryshme politike, dhe e cila e ka besimin e faktorit të brendshëm dhe  atij ndërkombëtar, që do ta quanim: Qeveri e Përkohshme Teknike e Republikës së Kosovës, siç nxjerrin edhe shtetet e Evropës demokratike në situata krizash politike, e cila do të jetë e përbërë prej njerëzve pa parti dhe profesionalisht të përgatitur mirë, për përballimin e krizës udhëheqëse-organizative dhe për përgatitjen e zgjedhjeve të lira e demokratike në Kosovë.

            Derisa shqiptarët nuk e njohin njëri-tjetrin, duke treguar tolerancë, mirëkuptim dhe bashkëpunim vëllazëror me njëri-tjetrin për të mirën e përbashkët, nuk duhet pritur nga Qendrat e vendosjes ndërkombëtare të na njohin, të na  respektojnë, të na mirëkuptojnë dhe të na ndihmojnë sinqerisht, pasi që një përkrahje dhe ndihmë të tillë as që do ta meritonim në këtë gjendje të kaosit të plotë politik dhe organizativ që jemi. Institucionet shtetërore nuk formohen duke përjashtuar dhe injoruar subjekte, institucione shtetërore dhe personalitete që kontribuuan në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, që ndikuan në Qendrat e vendosjes ndërkombëtare për ta ndihmuar popullin tonë në kauzën e tij të drejtë, që ndikuan në SHBA -të dhe aleatët e saj të na ndihmojnë për t`i shkëputur prangat e  robërisë.

            Vetëm po qe se dimë t`i ndërtojmë institucionet shtetërore të Kosovës gjatë kësaj faze kalimtare të protektoratit ushtarak dhe civil ndërkombëtar, në mënyrë plotësisht demokratike, duke e lënë të vendos vota e lirë e popullit se kush do ta udhëheq Kosovën, do ta tregojmë vetveten se jemi popull shtetformues dhe i pjekur për ta udhëhequr shtetin, të aftë për të qeverisur me mjetet e shtetit ligjor demokratik, prandaj edhe përkrahja e aleatëve tanë të respektuar, SHBA-të NATO-ja, Britania e Madhe, Gjermania e shtete tjera të aleatëve të SHBA-ve nuk do të mungojnë. Kosova do të bëhet shtet i pavarur! Shqiptarët do ta gëzojnëlirinë!Shqipëria do t`i flakë spiunët serbo-grek nga institucionet e saja shtetërore dhe do të udhëhiqet nga forcat e shëndosha kombëtare! Edhe bashkëkombësve tanë që jetojnë në viset e tyre në Maqedoni, Greqi, Serbi dhe në Mal të Zi, do tu sigurojmë kushte dhe perspektivë që tu bashkëngjiten dy shteteve shqiptare, dhe pastaj në kushte të favorshme ta bëjmë Shqipërinë etnike, që ishte dhe është qëllimi më madhor i popullit tonë.

 

 

Botuar në ,,Java shqiptare’’, më 17-18 korrik 1999 dhe në ,,Pasqyra’’, më 30.07.1999.