PËRÇARJET NË RADHËT E LDK-SË TË TEJKALOHEN SA MË PARË

Kosova e pasluftës, e çliruar nga thundra serbe, në vend se të bëhet një punishte e madhe për realizimin e interesave të qytetarëve të saj,  për një jetë më të mirë dhe shumë më cilësore sesa që e kishte gjatë periudhës së robërisë serbo - jugosllave, ajo u bë një vend mjerimi e vuajtjesh, një pikë e zezë ndër më të zezat në globin tokësor. Një vend ku po sundon krimi i organizuar, vend ku po mbretëron skamja dhe mjerimi për masat e gjera të popullsisë, ndërsa për kryepehlivanët e Nanosit dhe argatët e tyre po mbretëron luksi, fuqia për të shpifur dhe bërë krime politike dhe ekonomike të llojllojshme, pa qenë të rrezikuar nga ndëshkimi për krimet e bëra.

    Siç duket, viti 2004 për kombin tonë do të jetë viti vendimtar që do të sjellë lëvizjen e çështjes shqiptare nga udhëkryqi historik, (që e sollën rrethanat e komplikuara të dhjetëvjetëshit të fundit të shekullit të 20-të,) në njërën nga dy rrugët e mundshme: në rrugën që shpie në drejtim të realizimit të synimeve tona  kombëtare, (për të cilën kanë punuar breza të tërë në të kaluarën, dhe po punojnë me mençuri dhe durim forcat demokratike, në krye me LDK-në), dhe në  rrugën që shqiptarët do të mbesin përgjithmonë material ndërtimor për popujt e plakur të Evropës, rrugë kjo e trasuar nga stalinistët e Shqipërisë për një gjysmë shekulli, e që sot po ndiqet e njëjta rrugë  nga nanoistët mendjeshkurtër, që u bënë vasalë dhe mashë në dorë të armiqve tanë shekullorë, me qëllimin e vetëm  t’u ndihmojnë për ta rimarrë dhe për ta  mbajtur edhe më tutje pushtetin bolshevik mbi shqiptarët e lodhur nga të ligat që ua sollën dhe po ua sjellin bajraktarët e farës ruse.

   Siç po shihet,  stalinistët e Shqipërisë, në krye me Nanosin, në këtë vit po i pret përfundim i keq. Por, nanoistët e Kosovës edhe pse e treguan fytyrën e tyre të vërtetë të vasalëve  dhe të  rrogëtarëve të Nanosit, kanë  manipuluar  dhe do të manipulojnë edhe për një kohë të gjatë, po që se forcat demokratike të Kosovës nuk i marrin masat e duhura për t’i penguar skenarët e tyre antikombëtarë. Siç dihet,  Qeveria e Thaçit e krijoi SHIK-un,  siç e krijoi Enveri  Sigurimin e Shtetit - armën e partisë,  për t’i vrarë burrat më të mirë të kombit pa gjyq (nacional-demokratët, ballistët dhe shpianikët), që ai të bëhet  zot-njeri i Shqipërisë. Të njëjtën gjë po e bëjnë edhe nanoistët e Kosovës. I vranë burrat e shquar të kombit dhe aktivistët e dalluar të LDK-së gjatë luftës, por  dhe pas luftës.  U shpifën dhe po shpifen veprimtarët e shquar të çështjes kombëtare, dhe kështu po i bëjnë përgatitjet përfundimtare për ’’t’i vrarë’’ moralisht ose edhe fizikisht me mjete perfide: ’’gjuaje gurin e fshihe dorën’’. Halë në sy të argatëve të Nanosit janë bërë sot veprimtarët sypatrembur të pushtetit qendror dhe atij lokal dhe personalitetet e shquara që janë vënë në krye të subjekteve shtetërore të Kosovës. Këta djaj komunistë dhe sorosistë, po tregojnë urrejtje të njerëzve të çartur psikikë ndaj dr. Ibrahim Rugovës, Kryetarit të shtetit të Kosovës, i cili me përkushtim dhe profesionalizëm po punon në realizimin e synimeve tona kombëtare. I njëjti mllef i urrejtjes po tregohet edhe ndaj akademikut me autoritet të madh ndërkombëtar, kryeparlamentarit, Nexhat Daci, i cili të pamundshmen po e bën të mundshme dhe shtizat helmuese të djajve komunistë kundër çështjes kombëtare po ua drejton kahen, duke ua kthyer mbrapa plangprishësve të Kosovës,  për t’ua djegur atyre komplotet që po i thurin kundër Kosovës dhe çështjes madhore kombëtare. Shpifjet e tyre kundër këtyre personaliteteve të shquara të kombit tonë nuk kanë të ndalur, por janë të kota, se populli është ,,kamerë e fshehur’’ që askush nuk mund ta mashtrojë, se ai është i pagabueshëm në vlerësime,  sepse ngjarjet i përcjell me syrin kritik dhe i peshon mirë në kandarin e arsyes dhe logjikës së shëndoshë.

Këto forca të territ dhe të krimit në Kosovë po i shpifin dhe po i kërcënojnë edhe shumë personalitete të shquara të pushtetit lokal, që me përkushtim po punojnë për realizimin e premtimeve parazgjedhore, para se t’i merrnin postet udhëheqëse që po i ushtrojnë. Duhet cekur në këtë rast kryetarët e komunave të Gjilanit dhe të Vushtrrisë, zotërinjtë Lutfi Haziri dhe Muharrem Shabani, dy veprimtarë dhe personalitete të shquara të Kosovës, të cilët po shpifen jo vetëm nga  forcat e territ dhe të dhunës bolshevike, por, fatkeqësisht, edhe nga mendjeshkurtër të LDK-së,  nga shkaku i xhelozisë, karrierizmit, inateve të vjetra ose edhe nga  shkaku se u shitën si bagëtia për komplotistët e Kosovës. Lutfi Haziri i bëri hi e pluhur shpifjet e plangprishësve të Kosovës, por pasoja do të ketë për forcat e shëndosha të kësaj komune po që se nuk shkohet deri në fund për t’i zbuluar komplotistët në radhët e LDK-së që u bënë argatë të nanoistëve të Kosovës.

Sa i përket forcave të shëndosha në komunën e Vushtrrisë,  duhet cekur se e kanë marrë një grusht të rëndë, pa qenë të vetëdijshëm për pasojat që do t’i kenë në të ardhmen,  me komplotin që e organizuan disa individë të LDK-së, së bashku me argatët e pehlivanëve të Nanosit  kundër Muharrem Shabanit, duke e shkarkuar nga posti i kryetarit të Komunës, me të vetmin shkak se atë nuk arritën ta bëjnë të dëgjueshëm klanet e ndryshme për ta shkelur  ligjin,  me qëllim të përfitimeve materiale. Siç dihet, Muharrem Shabani është një personalitet i shquar i kombit shqiptar, i cili me punën e tij të guximshme dhe vetëmohuese dhe punën e palodhshme të shumë burrave të fortë të Kosovës,  ia vunë themelet shtetit të dytë shqiptar në Gadishullin Ilirik, Republikës së Kosovës, por edhe punuan në vazhdimësi për t’i vënë në jetë vendimet e Deklaratës Kushtetuese të Kuvendit të Kosovës, Kushtetutës së Kaçanikut dhe Referendumit për Pavarësinë e Kosovës.

Është detyrë parësore e organeve më të larta të LDK-së, që sa më parë ta shqyrtojnë si duhet dhe me drejtësi këtë ngjarje që  e tronditi  opinionin e gjerë,  jo vetëm të Vushtrrisë,  por edhe të Kosovës dhe të diasporës. Opinioni duhet ta ketë të qartë se si rrodhi procedura e shkarkimit të Muharrem Shabanit. Kush e nxiti dhe kush e organizoi komplotin. Të gjinden shkaqet e vërteta pse u organizua komploti  dhe të kontrollohet i gjithë dokumentacioni i Komunës, që do të mundësonte zbulimin e shkaktarëve të vërtetë që solli realizimin e këtij komploti kundër LDK-së dhe veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, zotëri Muharrem Shabani. Të ndreqen gabimet dhe të gjendet mënyra për tejkalimin e këtij problemi që u krijua me mjete perfide nga dashakëqinjtë e LDK-së dhe plangprishësit e Kosovës, duke manipuluar me gjysmë të vërteta dhe të pavërteta.

LDK-ja nuk duhet lejuar që në radhët e saj të krijohen klane dhe  përçarje, si rrjedhojë e luftës për pushtet, apo punës së planifikuar të  elementëve  destruktivë, që me vetëdije apo edhe pa vetëdije, u bënë  argatë të pehlivanëve të Nanosit. Organet më të larta të LDK-së, sa më parë duhet të marrin masat e nevojshme që përçarjet në radhët e LDK-së në komunën e Gjilanit , të Vushtrrisë, të Podujevës dhe vende të tjera ku po paraqitën, t’i tejkalojnë në bazë të arsyes dhe logjikës së shëndosh, se nuk ka njeri pa të meta dhe se pranimi i fajit nuk është dobësi, por burrëri dhe trimëri.

Pra,  vetëm në këto baza mund të shërohen plagët që i krijon gjuha, fjala e pamatur që del e nxituar nga bashkëkombësi, bashkëveprimtari, dashamiri dhe vëllai, si rrjedhojë e gjendjes së tendosur në të cilën gjendemi, nga hallet e mëdha që po na i sjell jeta.

 

 

Botuar në ’’Bota sot’’, më 15 shkurt 2004