NJËQINDVJETORI I SHPALLJES SË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË, TË JETË VIT I KORRIGJIMIT TË VEPRIMTARISË SË SHQIPTARËVE SI INDIVID DHE SI SHOQËRI

”E mos e ngatërroni të pavërtetën me të vërtetën dhe me vetëdije të fshihni realitetin”  (Kur’an, 2:42)

 

”Pasha kohën! Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri - tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri - tjetrin të jenë të durueshëm’’. (Kur’an - Suretu el Asr.)

 

Muaji nëntor për ne shqiptarët është muaj feste, muaj gëzimi, muaj reflektimi për suksese dhe mossuksese personale dhe shoqërore. Në gjithë hapësirën tonë  kombëtare u festua 100-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë (së cunguar nga kasapët e ,,Kasaphanës së Londrës”,  për t’ua plotësuar apetitet fqinjëve tanë grabitqarë).

Për këtë përvjetor u mbajtën fjalime të zjarrta romantike nga përfaqësuesit e popullit, për të kaluarën tonë të vështirë e të mundimshme, duke ia lënë lavdin dhe meritën vetvetes që i shpëtuam zhdukjes, për të cilën punonin me mish e me shpirt fqinjët tanë grabitqarë. 

U falënderuan dhe u nderuan burrat e kombit që meritojnë nderim. Por, pse nuk u falënderuan miqtë e popullit tanë, diplomatët e shquar të Austro-Hungarisë, që parinë shqiptare e udhëzuan dhe e ndihmuan ta bëjnë shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë?! Kjo është një marre mbi marre, që u bë në sy të botës në Shkup, në Vlorë e në Tiranë.  

 Pse nuk u madhërua dhe pse nuk u falënderua që në fillim të fjalimeve në rend të parë Zoti i Plotfuqishëm, i Cili nëpërmjet faktorit të fuqishëm jashtëballkanik, më shumë se një herë na  shpëtoj prej armiqve tanë, që thurnin plane dhe skenarë për të na zhdukur nga faqja e dheut, nuk ka shpjegim. Si duket ose janë të padijshëm, ose janë të pafe, pra ende janë me zemër komunistë, edhe pse shtiren se janë demokratë  dhe socialistë.

U krenuan dhe u lavdëruan këto ditët e fundit të nëntorit shqiptarët që u bënë pasanikë me djersën e ballit, por më shumë u lavdëruan dhe u reklamuan nëpër mitingje partiakët e gjorë që kanë bërë pasuri marramendëse në kurriz të qytetarëve shqiptarë. 

Edhe populli i shkretë tregoi se  shumë është ,,gëzuar’’, duke i duartrokitur nëpër mitingje, kur shihej se  po gëzohej lidershipi i tij.  Por kishte prej shqiptarëve që në vend se të festonin,  meditonin për të bëmat dhe të pabëmat e shqiptarëve.

             Po,  shqiptarët që dinë të mendojnë e kanë të qartë  se i Madhi Zot ua bëri tapi të parëve të tyre  territoret më të bukura dhe më të pasura të Evropës për t’i qeverisur dhe shfrytëzuar  si është më së miri për ta dhe pasardhësit e tyre.

Shqiptarët mendjemprehtë që e njohin historinë e tyre dhe historinë e popujve tjerë, kanë kuptuar se ne dhe të parët  tanë jo se nuk i qeverisën, nuk i ruajtën dhe  nuk i shfrytëzuan si duhet, por u sollën me papërgjegjësi dhe me përbuzje ndaj viseve tona të bukura që na i dhuroi i Madhi Zot.   

Është fakt i pamohueshëm se ne shqiptarët dhe të parët tanë nuk ishim në krye të detyrës për t’i bërë të pa vlefshme planet grabitqare të fqinjëve tanë, ngase përçarja u bë e zakonshme, mu atëherë kur duhej të ishin të bashkuar, dhe kështu vendi me lehtësi  sundohej nga të huajt, ku si pasojë vendi ynë vazhdimisht tkurrej, zvogëlohej, ndërsa popullsia tretej dhe asimilohej.

Se a kemi punuar për t’i ruajtur dhe për t’i qeverisur si duhet ato pasuri që na e dhuroi Zoti i Plotfuqishëm, është pyetje që kërkon përgjigje në këtë përvjetor të Shtetit shqiptar. Përgjigja duhet të jetë e saktë dhe e  plotë. Të thuhet e vërteta pa ngjyrime romantike dhe zbukurime partiake, me qëllimin më të mirë, jo vetëm t’i numërojmë shkaqet që na quan në këtë gjendje të mjerë, por të gjinden mënyrat për t’i luftuar ato shkaqe, që të bëjmë ndryshime rrënjësore në punën tonë të mëtejshme si individ, si popull dhe si shtet.

Të parët tanë Ilirët edhe pse bënë përpjekje ta ruajnë vendin e tyre nga pushtuesit romak, nuk arritën, jo se nuk ishin trima, jo se nuk kishin mjete lufte, por vetëm pse  nuk ishin bashkë. Përçaheshin në mes veti për asgjë. Pasojat dihen. Ilirët e humbën pavarësinë. I humbën territoret e tyre, shumica e popullsisë  u asimilua në popuj të tjerë.

Po ne shqiptarët që jemi pasardhës të Ilirëve, të atyre ilirëve që i shpëtuan asimilimit, a u bëme më të zotë, më të mençur, më të zgjuar, më të bashkuar, më të ndërgjegjshëm se të parët  tanë  për t’i ruajtur, për t’i qeverisur dhe shfrytëzuar viset më të pasura të Gadishullit Ilirik, që i rimorëm dalëngadalë me shtimin e popullsisë, që erdhi  në saje të rrethanave historike që i krijoi për ne i Madhi Zot?

Është e ditur dhe e dokumentuar se në kohën e mesjetës shqiptarët në Gadishullin Ilirik ishin një popullsi e përzier me popujt tjerë. Ishin ca principata shqiptare në Shqipërinë e sotme, pa një fuqi dhe  ndikim në vend dhe në  rajon. Kosova qeverisej nga mbretër serbë, edhe pse ishte e populluar me shumicë shqiptare. Arkivat e Vatikanit dëshmojnë se Car (mbreti) Dushani dhe  Kisha serbe bënin  presione mbi popullsinë shqiptare të Kosovës që t’i asimilonte, duke ua ndërruar fenë nga katolikë që ishin, në ortodoksë, dhe pastaj  me martesa të përziera t’ua ndërronin gjuhën dhe zakonet. 

Fatmirësisht, këto rrethana politike që nuk ishin në favor të shqiptarëve i ndërroj i Madhi Zot, duke e ndihmuar Perandorinë Osmane ta shkatërroj shtetin serb në Kosovë, ndërsa shqiptarëve në Gadishullin Ilirik t’u krijojë kushte të përshtatshme të rritej e të forcohej në trojet e tij që i Madhi Zot ia kishte bërë tapi, që nga dita që e krijoi Ademin, babanë e njerëzimit.

Ne shqiptarët për sa zgjati periudha e Perandorisë Osmane, u rritëm si popull dhe u shtuam. I rikthyem të gjitha territoret e humbura për t’i qeverisur pashallarët tanë.

Është e ditur se Perandoria Osmane nuk përbëhej vetëm prej turqve dhe shqiptarëve, siç i kemi mësuar fëmijët tanë gabimisht në shkolla,  por atë e bashkëqeverisnin me dhjetëra popuj të tjerë.

Edhe pse ne shqiptarët në disa periudha të historisë u kacafytëm me Perandorinë Osmane, duke e dëmtuar shumë njëri tjetrin, prapëseprapë u pajtuam si vëllezër, sepse ishim bashkëqeverisës të një Perandorie të fuqishme që ishte superfuqi e botes.

Por, çfarë ndodhi kur Perandoria Osmane humbi busullën e jetës, kur qeveritarët e saj u degjeneruan, duke mos punuar me drejtësi, por me hile dhe padrejtësi?  Po, i  erdhi dënimi i Zotit, u shkatërrua. 

Po shqiptarët, veçmas paria e tij, a bënë përgatitjet e duhura që ta shpëtojnë vendin e tyre nga  rënia e Perandorisë së kalbur?

Lidhja e Prizrenit luajti rol të rëndësishëm tek shqiptarët, duke ua mbjellë besimin se do të arrijnë t’i ruajnë territoret e tyre nga fqinjët grabitqarë, por përçarjet që lindën në mes të pjesëtarëve të Kuvendit, ndikuan shumë keq tek  faktori ndërkombëtar, veçmas në Kongresin e Berlinit.

Pastaj vijnë kryengritjet shqiptare. Kur luftohej në Nahijen e Shkodrës, Kosova dhe pjesët tjera të Shqipërisë luanin  guxhas, pastaj kur Kosova ngrihet në kryengritje, pjesët tjera të Shqipërisë luanin sorras.  Dhe, çka ishte më e keqja, shqiptarët kurrë nuk i kanë bërë luftërat në kohen e duhur, kur rrethanat politike ishin në favorin e tyre, por  i  bënin para kohe ose pas kohe, kur iu shkonte për shtati hienave-çakajve të Ballkanit. Fatkeqësisht, në të gjitha periudhat e rëndësishme historike të popullit tanë, një pjesë e parisë së tij  përgatiste dhe bënte kryengritje kur iu shkonte për shtati (kur ua donte interesi)  fqinjëve tanë,  se prej tyre merrnin mësime, ryshfete dhe urdhra.  

Të lumët na për të Madhin Zot, që kurdoherë kur fqinjët tanë grabitqar bënin plane dhe skenarë për realizimin e ëndrrës së tyre  për të na zhdukur nga faqja e dheut, si popull dhe si komb, fuqia e të Madhit Zot  i bënte të parealizueshme planet e tyre përmes faktorit të fuqishëm jashtëballkanik.

Zoti i Plotfuqishëm i dha për detyrë Austro-Hungarisë t’i mbronte interesat shqiptare, ngase Ismail Qemaili u urdhërua dhe u ndihmua ta bënte shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë,  ndërsa ajo u bë jo vetëm avokat, por edhe fuqia e vetme mbrojtëse  prej fuqive të mëdha të botes.  Dihet se diplomatët e shquar të Austro-Hungarisë  u munduan me mish e me shpirt që territoret shqiptare të mos copëtohen nga kasapët e kasaphanës së Londrës, por ato u  copëtuan për t’i kënaqur  orekset shtazarake të çakejve të Ballkanit. Por, më në fund, miku i shqiptarëve i detyroi fuqitë e mëdha ta pranojnë Shqipërinë shtet të pavarur.  Pas shumë përpjekjeve të burrave të shquar të Shqipërisë, u  bë Qeveria e parë  e Shtetit Shqiptar në krye me Ismail Qemeilin. Përçarjet e shqiptarëve vlonin në kazanin e përgatitur prej të huajve. Ismajl Qemaili u përzu  nga Shqipëria, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Isa Boletini u vranë nga shqiptarët e gjorë me paranë e shkaut. Edhe Qeveria e Princ Vidit dështoi, siç dështuan edhe disa qeveri të tjera të mëvonshme. Fatkeqësisht, me fajin e shqiptarëve mbretëronte kaosi në Shqipëri dhe në të gjitha viset  shqiptare. Në këto rrethana shumë të papërshtatshme për shqiptarët, përfundoi   Lufta e Parë Botërore. Fqinjët tanë të pakënaqur që Shqipëria figuronte si shtet në Gadishullin Ilirik, edhe pse ishte e gjymtuar prej tyre, bënë plane dhe marrëveshje për ta  zhdukur nga harta e botës.  Por, prapë Zoti i Plotfuqishëm i bëri pluhur e hi planet e çakajve të Ballkanit, duke ia mbushur mendjen  burrit të madh  të Amerikës kryetarit Vilson, që t’i mbronte shqiptarët dhe shtetin e tyre Shqipërinë. Deshi Zoti dhe Shqipëria prapë shpëtoi.

Lufta e dytë botërore e rrëzoi për tokë Shqipërinë, por lufta çlirimtare e popullit të saj e ngriti prapë në këmbë. Fatkeqësisht, pavarësia e saj u rrezikua pasi që fara ruse u mboll në Shqipëri nga Dushani dhe Miladini. Kjo farë ruse e bëri faktor çunak Enverin, i cili për hatrin e Miladinit e shpalli të pavlefshme Marrëveshjen e Mukjes, ndërsa për hatër të Mugoshës pranoi ta bënte Shqipërinë republikën e shtatë  të Jugosllavisë së Titos.

Edhe këtë herë Fuqia e të madhit Zot bëri që të ngatërrohet Titoja me Stalinin, ku ajo ngatërresë u bë shkak që Shqipëria të mos bëhet koloni serbo-jugosllave.

Tani vetëm mendjeshkurtërit nuk e kanë të qartë se fara ruse dhe bajraktarët e saj komunistët e gjorë,  për  një gjysmë shekulli e quan në stam të varrit Shqipërinë. Prapë fuqia e të Madhit Zot na shpëtoi, duke e rrëzuar për tokë  kryedjallin e djajve të Evropës Lindore - BRSS-në, burimin e të gjitha të këqijave që e gjetën popullin tonë.  Por, fara ruse e mbjellë në Shqipëri, në Kosovë dhe në të gjitha viset shqiptare është forcuar aq shumë, i ka futur aq thellë rrënjët në truallin shqiptar, sa që duhet të kalojë edhe shumë kohë  që ajo të shkulet e të thahet, me një mund dhe punë të përkushtuar nga disa  breza dhe veprimtarë të mençur e të zgjuar, me punë konkrete e jo me fjalë boshe që i merr era. 

             Pasi populli e rrëzoi për toke shtatoren e kryexhelatit komunist në Tiranë, shpresohej se  do  të hapen rrugët e zhvillimit dhe përparimit, por u mashtrua shumë. Le ta kujtojmë skenarin e komunistëve shqiptarë  se si i krijuan rrethanat për të ardhur në pushtet. Po, ia futën  flakën Shqipërisë më 1997. Bandat greke, rrugaçët shqiptarë të LPK-së dhe komunistët shqiptarë, me paranë e shkaut dhe të grekut e rrëzuan për toke shtetin shqiptar.  Skenari serbo-grek u realizua për ta ndarë greku me serbin  Shqipërinë. Bëheshin gate forcat greke të hynin në Shqipëri, por lumët na për të Madhin Zot, i cili i dha detyrë Turqisë ta mbronte Shqipërinë. Kur Turqia garantoi integritetin territorial të Shqipërisë, duke u bërë gati ta sulmonte Greqinë, fuqitë e mëdha të botës u detyruan edhe ato pak si në marre, ta pranojnë integritetin e Shqipërisë. Pra, Shqipëria shpëtoi nga copëtimi, por u bë koloni greke, me ndihmën e farës ruse. Gazepi për shqiptarët prapë filloi, deri sa forcat demokratike ua rimorën pushtetin me votën e popullit të gjorë. Dhe, tani Shqipëria ka marr rrugën e përparimit, por fara ruse e mbjellë me kujdes gjatë Luftës së Dytë Botërore, veçmas shtrufullogjet e OZN-ës dhe të UDB-së jugosllave, që u instaluan  në Sigurimin e Shqipërisë (SHIK-SHISH) nga komunistët serbo-jugosllavë dhe bajraktarët e farës ruse shqiptarëfolës, nuk do ta lënë të ecën përpara Shqipërinë dhe as shqiptarët kudo që gjallërojnë në trojet etnike. Mjaftojnë t’i marrim për bazë sjelljet antishqiptare të PSSH-së që kur populli ia dha votën forcave që duan ta qojnë përpara Shqipërinë në integrimet Euroatlantike. 

Edhe shqiptarët që jetojnë në viset e tyre që u bënë  koloni të çakajve të Ballkanit, e patën gjithmonë dimër dhe kiamet. Çamëria dhe Toplica, u masakruan dhe  u shkombëtarizuan. Shqiptarët që jetojnë në viset e tyre në Maqedoni po bëjnë përpjekje të fitojnë të drejtat e pakicës kombëtare, edhe pse nuk janë pakicë. Shqiptarët e Kosovës Lindore po qëndrojnë në viset e tyre me trimëri, edhe pse nuk kanë përkrahjen e Kosovës, por as të Shqipërisë. Ndërsa shqiptarët që jetojnë në tokat e tyre në Mal të Zi, po shpërngulen me të madhe për Amerikën e largët, për të fituar kafshatën e bukës që në vendin e tyre iu mungon. 

Fatkeqësisht,  edhe Kosovës iu përgatit plani ogurzi nga Serbia për t’u bërë tokë serbe, siç u bë Toplica dhe siç u bë tokë greke Çamëria, me ndihmën e bajraktarëve të farës ruse, nanoistëve të çartur për pushtet dhe pionierëve të Enverit. Ata të gjithë së bashku e penguan Luftën çlirimtare të Kosovës me të gjitha mënyrat, në rend të parë duke mbjellë përçarje në popull e duke bërë atentate ndaj burrave të fortë të kombit,  se ashtu i urdhëronin të parët e tyre: Fatos Nano, që ishte mik i Serbisë dhe Greqisë;  babai i farës ruse, akademik Qosja, i cili nga xhelozia e sëmurë e urrente Rugovën, që u tregua më trim se ai, kur pranoi  t’i printe  popullit, pas refuzimit të tij, i cili nuk pranonte  t’i humbte privilegjet që ia patën dhënë serbo-jugosllavët; ,,Mandela i Evropes’, Demaçi, i cili me udhëzimet dhe urdhrat  e Xhavit Halitit, donte t’ia merrte kalanë nga brenda Rugovës, edhe pse ai i pat ofruar udhëheqjen e LDK-së, po sa u kthye nga burgu;  Bukoshi, i cili pasi u shantazhua nga sigurimi i fshehtë serb, ia ktheu shpinën Rugovës dhe e pranoi aleancën LPK-PSSH-Demaçi me shokë,  të Zurihut për ta larguar nga skena politike Rugovën dhe për ta shkatërruar LDK-në. Pra, në saje të kësaj aleance,  Beogradi arriti ta realizonte planin dhe skenarin e pastrimit etnik të Kosovës, dhe për ta  bërë Kosovën ,,djep të sebizmit’’. Por i Madhi Zot edhe këtë herë ua prishi planet dhe skenarët Beogradit dhe aleatëve të tyre, duke e detyruar NATO-n ta rrah Serbinë, deri sa pranoi të kthehet prapa në shpellat e saj me bisht për këmbë me ushtrinë dhe policin e saj. 

Këto fakte dhe argumente që i ceka, janë të njohura nga opinioni i ynë dhe ai  ndërkombëtar, por ne duhet t’i përmendim çdo ditë,  sepse siç duket jemi  i vetmi komb në rruzullin tokësor që nuk merr mësim nga pësimet. 

 Shtrohet pyetja pse po i lëmë të punojnë kundër interesave tona spiunët me damkë, ata që e krijuan SHIK-un, kur veç po dihen me emër dhe mbiemër se kush janë. I kemi lënë të zënë pozita udhëheqëse, i kemi lënë të futen në të gjitha institucionet shtetërore dhe jo shtetërore, për të punuar në dëm të shqiptarëve e në dobi të armiqve tanë, sepse jemi bërë frikacakë. Pse po ngurrojmë  për t’ua  thënë të vërtete në sy dhe në opinion, për veprimtarinë e tyre antishqiptare, me qëllimin më të mirë që t’i pengojmë  për t’i futur hundët  në organet shtetërore dhe jo shtetërore të shqiptarëve, por edhe të përballen  me drejtësinë për dëmet që ia sollën vendit të tyre. 

Duhet ta kemi të qartë se vetëm atëherë kur t’i izolojmë këlyshët serbo-sllavo grek, për të mos pasur fuqi institucionale në qeverisjen e shqiptarëve,  Shqipëria,  Kosova dhe Viset tjera shqiptare do të ecën përpara në fitore të reja drejt  realizimit të  synimeve tona madhore.

 

 

Botuar në ,,Bota sot’’, më 13-14 dhjetor 2012