NA HËNGI UJKU PËRNJËMED, APO JEMI NË ËNDËRR ?!

NA HËNGI UJKU PËRNJËMED, APO JEMI NË ËNDËRR ?!

 

A ËSHTË OPOZITA E KËRCËNUAR NGA SHIK-U?

 

 

Ezopi i famshëm është i njohur për fabulat e tij të shkurtra, por me porosi dhe këshilla  të arta! Gomari i lodhur nga dimri i gjatë, tregon Ezopi,  mezi doli në pranverë nga mungesa e ushqimit e mundimet e shumta nga zotëria i tij! Ishte i gjori duke kullotur barin pranveror, të butë dhe plot gjelbërim. Asgjë nuk mendonte tjetër, përpos që ta mbushte barkun  me  barin e njomë. I kishte harruar i gjori grushtet kresë dhe shkelmat barkut, e nënçmimet tjera të zotërisë. Dhe, papritur iu vërsul ujku në shpinë dhe menjëherë filloi t’ia kafshoj kofshët. Gomari i gjorë ishte thelluar aq shumë në fantazinë e kënaqësisë së ushqimit, i kishte harruar të gjitha të ligat që i solli dimri i gjatë dhe  i vështirë, sa që edhe kafshimet e ujkut nuk i kosideronte të vërteta,  por vetëm përjetime të një ëndrre të ligë. Dhe, kur e kuptoi i ngrati të vërtetën e hidhur se më nuk kishte shpëtim, ia filloi të pëllet me tërë fuqinë që kishte, por atëherë u bë vonë, tepër vonë për t’i dalë ndokush në ndihmë.

A jemi apo nuk jemi ne shqiptarët e gjorë të shtetit të ’’pavarur’’ të Kosovës në të njëjtën gjendje, siç ndodhej gomari në tregimin e Ezopit, do të na tregojnë deputetët e Parlamentit të Kosovës, në ditët e para të pranverës. Fjala është për iniciativën e kryetarit të Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AIK), Florin Krasniqit, i cili para dy ditësh u ankua në kolegët e tij, se nuk po e përkrahin atë, duke i mos i dhënë nënshkrimet, për krijimin e një komisioni parlamentar hetimor për të hetuar veprimtarinë e SHIK-ut.

Po ashtu ai e njofton opinionin publik se e ka ,,të vështirë punën për ruajtjen e AKI-së, që të mos bie në duart e pushtetit aktual, me vetë faktin se PDK-ja i ka sjellë dy ish-agjentët e SHIK-ut në Komisionin e Kuvendit’’, që kanë ’’mision të veçantë’’.

Se duhet të përkrahet zotëri Florin Krasniqi nga të gjithë deputetët e pozitës dhe të opozitës për krijimin e atij komisioni parlamentar, ka shumë argumente. Ne do t’i cekim disa prej tyre:

a) Arsyeja e parë: Të vërtetohet se janë apo nuk janë të vërteta akuzat e shumicës së opinionit publik, se SHIK-u ka kryer vepra penale kundër qytetarëve të Kosovës. Po që se gjenden faktet se SHIK-u nuk  ka kryer vepra penale, opinioni ynë nuk do të vazhdonte edhe më tutje me akuza të tilla. Por, po që se është e vërtet se SHIK-u ka kryer punë dhe vepra të liga ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj, atëherë në bazë të konstatimit të Komisionit hetimorë, do të detyrohen organet kompetente të drejtësisë t’i fillojnë hetimet kundër kriminelëve të mëdhenj (urdhëruesit e krimit) dhe kriminelëve të vegjël (ekzekutorëve). Fakte këto që do të dëshmojnë para opinionit tonë dhe faktorit ndërkombëtarë, se Kosova po bëhet shtet ligjor. Qendrat e vendosjes ndërkombëtare do të ndërrojnë bindjet ndaj lidershipit të Kosovës, por edhe tek qytetarët tanë do të rritet besimi dhe shpresa se Kosova do të ecën përpara drejt fitoreve të reja. 

b) Ekzistojnë fakte të pamohueshme se SHIK-u është krijuar nga Xhavit Haliti, me ndihmën e ekspertëve të Sigurimit të Enver Hoxhës. (shih intervistën e Xh. Halitit, të botuar në ,,Zëri”, më 5 – 10 shkurt 2001, dhe intervistën tjetër po ashtu në ,,Zëri’’, më 24 mars 2003 deri më 9 prill 2003). Pasi që Xhavit Haliti është nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, e bën të domosdoshëm formimin e atij Komisioni.

c) Po ashtu gjenden faktet e pamohueshme se SHP i UÇK-së e ka pasur SHIK-un,  dhe se ai ka bashkëpunuar me të gjitha Sigurimet informative që kanë vepruar në Kosovë, pra edhe me Sigurimin  sekret  serb. (Shih intervistën e Jakup Krasniqit, të botuar në ’’Epoka e re’’, më 28 korri 2005, si dhe  deklaratat e Kadri Veselit).

ç) Ka fakte të shumta, nga burimet e vendit dhe ato ndërkombëtare, se  Xhavit Haliti është babai i SHIK-ut të LPK-PDK-së dhe se ajo organizatë ilegale-gjysmë ilegale  ka marrë në pyetje ’’informative’’ djem e burra dhe gra e vasha të bukura,  dhe e ka keqpërdorur fuqinë e tij në shumë raste.

d) Nuk mund të injorohen faktet se SHIK-u ka kërcënuar, ka  burgosur e maltretuar  shumë burra vetëm se  i njihnin  institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës, të krijuara me mund e sakrifica të mëdha nga populli ynë.

dh) Nuk mund të mohohen faktet se SHIK-u ka vrarë veprimtarë të dalluar të Kosovës.

e) Është e ditur edhe nga ,,zogjtë e malit’’ se SHIK-u dhe argatët e tij,  kanë përvetësuar pasuri shoqërore dhe private dhe kanë bërë shumë punë tjera të liga.

ë) Dhe, së fundi, rasti i ndërgjegjësimit të zotëri Agim Hotit, i cili ka kuptuar se ka qenë i manipuluar nga babai i SHIK-ut, Xhavit Haliti dhe argatët e tij: Artan Nimani e Agron Haradinaj, të cilët e kanë urdhëruar dhe e kanë ndihmuar financiarisht t’i bëjë dy atentate ndaj Kryetarit të parë të Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova.

Opinioni ynë e ka të njohur deklaratën e Xhavit Halitit, i cili ka premtuar se do të  kërkojë  nga ,,organet e drejtësisë’’ të bëhen hetime për paditë e zotëri Hotit ndaj tij. Është e qartë se nga ajo deklaratë nuk është bërë asgjë konkrete. Po të kishte qenë i sinqertë në deklaratën e tij Xhavit Haliti, ai do të jepte dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Parlamentit, për t’u zhvilluar hetime të drejta dhe të paanshme. Por deklarata e tij ishte sa për ta mashtruar opinionin publik dhe asgjë tjetër.

Së paku Xhavit Haliti, në pozitën që ndodhet, si udhëheqës i Kuvendit dhe si i akuzuar drejtpërdrejt nga Agim Hoti për krim të organizuar, do të duhej ta përkrahte zotëri Florinin,  jo vetëm verbalisht, duke kërkuar nga kolegët e partisë së tij që ta përkrahin nismën për krijimin e atij Komisioni, por edhe praktikisht, duke e vënë nënshkrimin e tij pas nënshkrimit të  Florinit  në listën e deputetëve që kërkojnë të themelohet ai Komision hetimor. Me siguri, po të ishte i pastër nga akuzat Xhavit Haliti, edhe do të jepte dorëheqje derisa të zhvilloheshin hetimet, edhe do të kërkonte themelimin e komisionit hetimor parlamentar, që të hetohet veprimtaria e SHIK-ut. Por, pasi është i ’’krymur’’, i ka shti ,,veshët në lesh’’, për të mos dëgjuar se çka flitet për te e për SHIK-un e tij.

Fundi i  fundit, në rrethanat që i ka krijuar SHIK-u në të gjitha institucionet     shtetërore të Kosovës, pra edhe në Parlament,  nuk duhet pritur që Xhavit Haliti dhe pionët e tij, deputetët e PDK-së, do të pranojnë të themelohet një komision që do të hetonte veprimtarinë kriminele të SHIK-ut dhe themeluesit të tij Xhavit Halitit.

Shtrohet pyetja: Po ku janë deputetët e partive opozitare? Pse deputetët e atyre partive e bllokojnë iniciativën e zotëri Florinit? Shtrohet pyetja tjetër:  Janë të kërcënuar  nga SHIK-u i PDK-së, apo janë të përkëdhelur e të blerë nga Xhaviti, siç blihen bagëtitë në pazar, që të mos japin pëlqimin për formimin e atij Komisioni? A thua janë të vetëdijshëm deputetët e partive opozitare, se në rast se e bllokojnë iniciativën e zotëri Florinit, do të konsiderohen tradhtarë të partisë së tyre, do të konsiderohen tradhtarë të elektoratit dhe tradhtarë të Kosovës. E mbi të gjitha do të konsiderohen pjesëmarrës në krimin e organizuar, pasi që po pengojnë luftimin e atij krimi që e shëmtoi Kosovën dhe qytetarët e saj.

Po që se brenda një kohe shumë të shkurtë, deputetët e partive opozitare nuk e përkrahin iniciativën e zotëri Florin Krasniqit, duke i dhënë nënshkrimet e tyre për themelimin e Komisionit parlamentar hetimor për veprimtarinë e SHIK-ut, shqiptarët e Kosovës do ta kenë të  qartë se gjendja e tyre faktike është e njëjtë si gjendja e gomarit të Ezopit, pra ’’ujku’’ na ka ’’ngrënë’’ përnjëmend, e jo në ëndërr.

 

 

Botuar në ”Bota sot’’, më  15 mars 2013