KAH PO SHKON KOSOVA

 

   Kosova e pasluftës, me halle të mëdha për shumicën e qytetarëve të saj për të siguruar kafshatën e gojës; Kosova e pasluftës, me politikanët me të komprometuar në historinë e saj, me pak përjashtime; Kosova e pasluftës, me pasanikë që u bënë të pasur  sa çel e mbyll sytë, me punë të pista, gjatë luftës dhe menjëherë pas luftës!

Kosova me akademi dhe pa akademi, me intelektualë dhe me shumë pseudointelektualë, por askush nga ''paria'' e vendit nuk po i bën ''hesap'' për  asgjë,  edhe pse  pseudointelektualët shtiren se janë të rëndësishëm shumë, ngaqë padronët e tyre ua  kanë dhënë ca  kolltukë sa për dekor  politik dhe  për asgjë tjetër.

Kosova me shumë ,,gazeta” dhe pa gazeta, me shumë ,,gazetarë” dhe  me pak  gazetarë, Kosova  me shumë kanale televizive dhe me shumë burime të informimit, por shumë pak prej tyre merren me të vërtetën, me hallet e vërteta të qytetarëve, shumë pak merren me kurthet dhe humnerat që po ia përgatisin Kosovës dhe qytetarëve të saj të ''sertit'',  të ''merituarit'', mafiozët, ata të cilët  e ndanë Kosovën në sfera të interesit, për ta kullotur, sikur të ishte livadh që ua kanë lënë trashëgim prindërit.

Kosova me shumë ,,policë” dhe pa policë, Kosova me shumë ,,prokurorë” dhe pa prokurorë, Kosova me ,,sistem gjyqësor” dhe pa sistem gjyqësor, Kosova me ,,drejtësi” e pa drejtësi, Kosova me ,,pushtet” e pa pushtet, Kosova me ,,një qeveri” dhe me shumë qeveri! Kosova me kontraste dhe dallime të mëdha. Kosova e veshur me skanla nga skamja, Kosova e cullakosur nga ''moda'' dhe pasja.

   Kosova me kriminelë të llojllojshëm, kriminelë urdhërues dhe  kriminelë dorasë. Kosova me kriminelë serbë,  me  kriminelë shqiptarë dhe  me kriminelë rumunë.  Kosova me kriminelë të privilegjuar, por më të privilegjuarit prej të gjithëve po shihet se janë kriminelët ''patriotë''. Ata që u vënë nën urdhrat e partiakëve të ''shtirë'', ,,xhahilë” dhe të  ''sertë''.  Ata që për hatër të partisë dhe ,,pogllavicës”, bën krime në pikë të ditës, të maskuar me maska, por në të shumtën e rasteve edhe pa maska, duke pushkatuar veprimtarë të dalluar të Kosovës, për të vetmin shkak se ata kishin autoritet ku jetonin dhe punonin, se ishin veprimtarë të dalluar, pra i donte populli.

 Sa çudi! Çfarë kohe kemi mbërri! Për këta burra të fortë të kombit, të cilët u vranë vetëm pse e donin Kosovën më tepër se jetën e tyre, nuk interesohet askush nga kompetentët,  së paku për t'i zbuluar kriminelët, për t'ua dhënë  dënimin e merituar që ua shuan jetën!   Po këta kriminelë,  të zgjedhur nga mafia për ''trimëri'', shëtisin të lirë kah ua do zemra, syri dhe këmba, për të bërë ahengje nëpër vende turistike, sepse  kanë bërë pasuri, kanë zënë pozita, kanë bërë ''emër'', besa edhe i kanë ''pastruar'' biografitë e pista, me ''nishana'' në kraharor, apo me ''tituj'' të lartë shkencorë që ua siguroi funksioni.

   As drejtësia e vendit, as ajo ndërkombëtare nuk po kanë kohë të merren me kriminelët e ''Cërna rukës serbe'', të cilët vranë, dhunuan dhe masakruan qytetarë të pafajshëm të Kosovës,  sepse ashtu po e do ''politika'' dhe ''siguria '' e vendit!?

Kosova e lodhur nga skamja dhe mjerimi, por e shastisur nga gënjeshtrat dhe  premtimet e kota të xhambazëve politikë, dhe  ''bijve të zgjedhur'' të malësisë e të rrafshit, të  xhunglës dhe moçalit,  të partive ''nënë'' dhe partive ''njerkë''.

   Kosova me një qeveri zyrtare, Kosova me një qeveri nën hije, Kosova me shumë qeveri, Kosova me shumë ,,pushtet”  e pa pushtet!

Kosova në kryqin e rrugëve, tash e sa kohë nuk po luan nga vendi! A thua cilën rrugë do ta marrë?! Ka mbetur shumë punë për të kryer dhe shumë mund për të bërë njerëzit e devotshëm të Kosovës martire, që ajo ta marrë rrugën e shpëtimit, Rrugën e të  Madhit Zot, rrugën e drejtësisë dhe të së vërtetës, atë rrugë që do të sjellë ndryshime të mëdha në Kosovë, ku qytetarët e saj do ta ndryshojnë vetveten, duke mos qenë më robër të zotave njeri, parakusht ky i rëndësishëm për të merituar  mëshirën e Mëshiruesit, Zotit të botëve,  që të na ndërrojë gjendjen e mjerë në të cilën gjendemi.

Pra, Kosova do të marrë rrugën e suksesit dhe përparimit, rrugën e faqes së bardhë, vetëm atëherë kur në Kosovë dhe në gjithë hapësirën tonë kombëtare të forcohen forcat e së vërtetës, forcat që ia duan të mirën vendit, besimtarët të sinqertë që i besojnë Një Zoti, All-llahut të Gjithëfuqishëm dhe të Gjithëdijshëm, forcat që nuk ua kanë frikën kriminelëve dhe mafiozëve, por, përkundrazi, do të kenë aftësi dije, forcë dhe trimëri për t'ua treguar se ku e kanë vendin këta plangprishës të  Kosovës.

Vetëm atëherë kur Kosova të gjejë forca për t'ua dhënë dënimin e merituar forcave të territ, forcave të faqeve të zeza,  forcave të krimit, forcave të manipulimeve të llojllojshme, bashkësia ndërkombëtare do të detyrohet (miqtë dhe armiqtë tanë) ta pranojnë pavarësinë e plotë të Kosovës.

Pra, vetëm atëherë kur shqiptarët tregojnë zotësi për të krijuar shtet ligjor, do të çmohen dhe do të konsiderohen aleatë të denjë të qendrave të vendosjes ndërkombëtare. Pra, vetëm atëherë duhet shpresuar se gjaku i derdhur i bijve më të mirë të kombit, gjaku i dëshmorëve nuk do të shkojë huq. Vetëm atëherë duhet shpresuar se Kosova do ta gëzojë dhe do ta fitojë pavarësinë e plotë dhe të merituar, pavarësinë për të cilën shumë gjenerata dhe burra të fortë nuk  kursyen asgjë nga jeta e  tyre.

 

 Kriminelët janë të humbur! Përfundim i keq po i pret!

 

                                  

Botuar në ”Bota sot”, më 21 gusht 2007.