ISA MUSTAFA DHE RAMUSH HARADINAJ T’I SHKREHIN KURRTHET E PDK-SË PA E DËMTUAR KOSOVËN DHE MARRËVESHJEN E VLAN-IT

Me krijimin e ngërçit politik nga PDK-ja dhe argatët e saj: Enver Hasani, Atifete Jahjaga dhe SHIK-u i Xhavit Halitit, analistë të ndryshëm, veprimtarë të dalluar, gazetarë dhe  njohës të rrethanave që na sollën në këtë gjendje të mjerë, kanë dhënë mendime, kanë bërë analiza dhe propozime të ndryshme për daljen nga kjo situatë tejet e dëmshme për shtetin e Kosovës e qytetarët e saj, e  në dobi të Serbisë dhe propogandës së saj antishqiptare, se “shqiptarët nuk janë popull shtetformues!’’, se “nuk dinë të bëjnë shtet ligjor” se ”janë hajna dhe kriminelë, destabilizues të vendit të tyre dhe të rajonit” etj. Presidenti i Serbisë sigurisht se nuk do të guxonte të deklaronte  se “Shqiptarët për ta bërë shtetin normal, u duhen shekuj”, po të mos  kishte argumente të forta nga veprimtaria antishqiptare dhe kriminele të qeverive të Fatos Nanos (që nga viti 1997 e deri më sot) dhe  qeverive 1 dhe 2 të Thaçit. 

Prej të gjitha propozimeve për daljen nga ky ngërç politik, mendoj se  duhet pranuar propozimin konkret të intelektualit të pavarur (pa parti) Seremb Gjergji, i cili para dy javësh pati kërkuar nga lidereshipi i VLAN-it të heqin dorë nga posti i kryeparlamentarit (post ky që ia “bëri tapi’’  PDK-së Enver Hasani,  me pionët e tij). Ndërsa postin e kryeministrit ta ndajnë së bashku Isa Mustafa (në dy vitet e para), pastaj Ramush Haradinaj, (pasi që zotëri Mustafa ta zëvendësojë Jahjagën), në dy vitet e fundit të mandatit të Qeverisë.

Posa të heqin dorë lidershipi i VLAN-it  nga posti i kryeparlamentarit, klika e Thaçit do të detyrohet (nga presioni i opinionit dhe ai ndërkombëtar) ta thërrasin vazhdimin e Mbledhjes konstituive të Parlamentit, me çka do ta marrin postin e kryeparlamentarit. Ndërsa Qeverinë do ta formonte VLAN-i, pasi që i kanë votat e nevojshme për votëbesimin e Qeverisë së krijuar prej tyre.

 Më në fund, është kërkesë edhe e opinionit të gjerë, analistëve e gazetarëve të  shumtë që kërkojnë nga lidershipi i VLAN-it, ta zhbllokojnë bllokadën e PDK-së, për krijimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, duke lënë anash interesa personale dhe partiake. Është momenti i fundit që Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj, së bashku me lidershipin e partive të tyre, të tregohen largpamës  të arsyeshëm dhe më shumë kombëtar se sa partiak, duke e  pranuar  propozimin e zotëri Serembit,  propozim ky që do ta detyronte PDK-në t’i hapë rrugë  formimit të institucioneve të Republikës së Kosovës. Jemi të bindur se kryeparlamentari nga radhët e PDK-së nuk do të ketë mundësi ta pengonte Qeverinë e formuar prej VLAN-i në realizimin e objektivave të saj. Ndërsa për demokracinë evropiane do të jetë një risi dhe shembull unik, që opozita ta udhëheq njërin prej tri institucioneve kryesore të shtetit. Me këtë eksperiment “demokratik”, ne shqiptarët e gjorë do hyjmë në gara me ndërkombëtarët në shpikjen e eksperimenteve të llojllojshme, të cilat edhe pse nuk po shkojnë në dobi të vendit dhe qytetarëve tanë,  jemi të detyruar t’i pranojmë. Me një fjalë, kësaj i thonë “Luje macë kryt e bullit!?.”

 

 

Botuar në “Bota sot”, më 06.11.2014