DERI KUR ARMIQTË E ZOTIT DO T’I UDHËHEQIN SHQIPTARËT

Se ne shqiptarët po e çuditim boten me anomali të njëpasnjëshme dhe të llojllojshme, nuk ka dyshim. Këto ditë, Parlamenti i Kosovës e miratoi anomalinë e radhës të Qeverisë së Kosovës, të ashtuquajturin ’’Projektligjin për mbrojtjen nga zhurma’’, që është një ligj i kamufluar kundër besimtarëve monoteistë të Kosovës  dhe, veçmas kundër shqiptarëve të besimit Islam.  

 Shtrohet pyetja se nga cila zhurmë do të ,,mbrohen’’ qytetarët e Kosovës.

Po që se Qeveria e Kosovës e ka qëllimin për t’i ,,mbrojtur” qytetarët e Prishtinës nga zhurma e sorrave, (sigurisht ju ka mbetur në kujtesë zhurma që para lufte bënin sorrat gjatë mbrëmjeve (afër Komunës së Prishtinës), ju propozojmë të zbresin nga xhipat për disa minuta ,,Te plepat’’, për t’u bindur se e kanë gabim, se sorrat kanë ikur së bashku me policinë dhe ushtrinë serbe, posa hynë tanket me  ushtrinë e NATO-s në Kosovë.

Po të kishte Kosova industri të rënd e fabrika të tjera që krijojnë zhurmë në ambientet ku shtrihen lagjet e banimit, apo të punonin fabrikat që i shkatërruan profiterët e luftës, dhe pastaj i ,,blenë’’ me çmime simbolike, që edhe ato do të krijonin sadopak zhurmë, Projektligji do të ishte me vend.

Po që se Projektligji do të kishte për qëllim ,,ndalimin’’ e zhurmës që krijohet nga makinat e rënda, apo kamionët që qarkullojnë natën nëpër lagjet e qytetit, Projektligji do të përkrahej  nga qytetarët e Prishtinës e të Kosovës.

 Dhe, po qe se Projektligji do të kishte për qëllim ,,mbrojtjen” e popullsisë nga muzika shurdhuese e diskotekave apo lokaleve në të cilat bëhet muzikë natën, Projektligji do të ishte shumë me vend dhe me sigurisht që do të përkrahej.

Por, në atë Projektligj të Qeverisë kukull të Xhavit Halitit dhe Kadri  Veselit,  të trajtohet zhurmë Ezani (thirrja e besimtarëve të besimit Islam për ta kryer obligimin e faljes së namazit), dhe kumbimin e kambanave të kishave krishtere, është shpifje e ndyrë, është një vepër skandaloze, është nënçmim ndaj besimtarëve, është një anomali mbi të gjitha anomalitë e panumërta të kësaj Qeverie. Qeveri, kjo, e cila përpos  që u tregua se është ,,këmbë e krye” qeveri antikombëtare, qeveri që noton mbi krimin e organizuar, qeveri e korrupsionit e hajnisë dhe e haraçit, fatkeqësisht po tregohet se është edhe qeveri antifetare dhe antiislame.

Po të ishte kjo Qeveri, ashtu siç propagandon për çdo ditë në altoparlantin e saj, RTK-në, dhe në mjetet tjera të informimit publik, nuk do të katandisej Kosova e çliruar në këtë mënyrë kaq të ligë siç u katandis prej saj.

Po të ishte kjo Qeveri ashtu siç trumbeton pioni i Xhavit Halititi, Hashim Thaçi, në intervistat dhe fjalimet e tij të përgatitura nga këshilltarët  kurthaxhi, nuk do të dërgohej në Kuvend për miratim ,,Ligji kundër zhurmës’’, por do të dërgohej (edhe pse me një vonesë shumëvjeçare), Ligji për mbrojtjen e invalidëve, veteranëve, martirëve dhe ushtarëve të  UÇK-së, që janë  krenaria e popullit shqiptar, e që aq shumë i keqpërdorën për ta uzurpuar pushtetin mbi shqiptarët e për ta rrjepur pasurinë e qytetarëve të Kosovës e për ta shkatërruar çdo të mirë që u krijua për pesë dekada nën thundrën e okupatorit  me mund e sakrifica të shumta.  

Shtrohet pyetja: A thua, vallë, qeveritarët e Kosovës dhe përfaqësuesit e popullit të zgjedhur për t’i mbrojtur interesat e tyre në Parlamentin e Kosovës, ende nuk janë pastruar nga egjra komuniste? A thua ende kanë mbetur komunistë, ende kanë mbetur të pa fe, njerëz që e kanë prejardhjen prej majmunit? Runa Zot prej krijesave të tilla! Krijesa këto  që kanë sy e nuk shohin, kanë tru (mend) e nuk mendojnë, kanë vesh e nuk dëgjojnë, kanë zemër e pa zemër janë!

Se enverizmi ende jeton në shpirtin dhe mendjen e shqiptarëve naivë e dyfytyrësh, të pashpirt me zemër pule, tregon statistika e votimit të Ligjit famëkeq të Qeverisë Thaçi 2, në seancën e fundit të Parlamentit të Kosovës, nga deputetët e pranishëm të partive parlamentare të Kosovës. Të gjithë deputetët e minoriteteve votuan kundër Projektligjit antifetar. Kjo tregon se përfaqësuesit e pakicave kombëtare nuk janë të infektuar nga egjra komuniste, nuk janë antifetarë. E respektojnë fenë e tyre dhe e respektojnë fenë e popullit shumicë, të shqiptarëve. Nuk shantazhohen se janë burra, nuk shiten siç shiten politikanë shqiptarë, mu ashtu siç shiten  bagëtitë në treg.

Po përfaqësuesit e popullit shqiptarë që e votuan Projektligjin antifetar të Qeverisë Thaçi,  çka treguan? Treguan se janë ,,farë ruse”, janë enveristë, janë stalinistë, por edhe rankoviqistë. Janë dyfytyrsha! Mjerë populli kush ju prinë! Mjerë fëmijët e tyre kë e kanë prind! Si nuk u turpëruan së paku  nga kolegët e tyre që i përfaqësojnë pakicat kombëtare?! Si nuk po turpërohen nga votuesit e besimit Islam, që në saje të votave të tyre u bënë pushtetarë dhe deputetë, pasi që ju besuan se do t’i mbrojnë interesat e tyre kombëtare dhe fetare, por doli e kundërta e asaj që u zotuan. Punuan vetëm për grazhdin e tyre.

A thua janë të vetëdijshëm qeveritarët e Kosovës dhe deputetët e tre bishtave të Partisë Socialiste të Shqipërisë: PDK-së, AAK-së dhe të Vetëvendosjes, dhe dy tre zëra të LDK-së,  se edhe pse e kanë  miratuar Ligjit antifetar, nuk do të zbatohet në asnjë mënyrë nga xhemati i xhamive të Kosovës dhe, me siguri as nga besimtarët e besimit të krishterë, sepse është ligj që i shkelë të drejtat elementare të njeriut, ligj që i shkel të drejtat fetare që janë të garantuara nga konventat ndërkombëtare, por edhe nga Kushtetuta e Kosovës.

Se fara ,,ruse” e mbjellë në gjithë hapësirën tonë kombëtare nga popoviqët dhe mugoshët dhe e ujitur nga argatët e tyre shqipfolësit në krye me Enver Hoxhën, e përtërirë pas vdekjes së tij nga LPK-ja, LBDK-ja dhe tre bishtat e Partisë Socialiste të Shqipërisë, po tregohen se janë më zullumçarë ndaj besimtarëve shqiptarë se Rankoviqi dhe Milloshi, sepse si njëri, si tjetri, nuk kanë tentuar të përzihen në çështje fetare të shqiptarëve. Ezani i thirrur në  xhamia, e as kambanat e kishave, nuk i kanë penguar asnjëherë, edhe pse në epokën e Milloshit ezani është thirrur nëpërmjet altoparlantëve, siç veprohet sot në Kosovë dhe në të gjitha shtetet myslimane, por dhe në shumë shtete të krishtere ku punojnë dhe jetojnë myslimanët. Besimtarët  e besimin Islam  janë të lirë ta praktikojnë besimin e tyre. Blejnë e ndërtojnë xhamia, por edhe thirret Ezani pa pengesë nëpërmjet altoparlantit. Ndërsa sa i përket kumbimit të kubaneve të kishave në Evropën Perëndimore, ato kumbojnë me tërë fuqinë e tyre për t’i dëgjuar gjithë qytetarët që jetojnë në qytet dhe rrethinë. Dhe, kumbimin e tyre nuk e konsiderojnë zhurmë as qeveritë dhe as qytetarët, pa marrë parasysh a janë besimtarë apo pa besimtarë, se është një traditë fetare shekullore. Po ashtu qeveritë e shteteve të krishtere nuk kanë bërë përpjekje t’i rregullojnë me ligj, se kur, qysh, dhe me çfarë force të kumbojnë kambanat e kishave të tyre?!

A nuk është një anomali qesharake e  qeveritarëve të dy shteteve shqiptare, që  janë bërë si dy ,,dele të zeza” në Gadishullin Ilirik, por edhe në Evropë, që po e mundohen t’i pengojnë besimtarët e besimit Islam për t’i kryer urdhrat e të Madhit Zotë dhe këshillat e Pejgamberit të Tij të fundit Muhamedit a.s. e nuk po kuptojnë se kot e kanë se me Zotin nuk mund të shtyhen. Ai nuk ngutet për t’i dënuar pa besimtarët që janë armiqtë e tij, por kur t’i dënojë, me siguri se do të jetë vonë të pendohen, se pendimi nuk iu bën qare në ato raste, se e kanë luftuar fenë e Tij, besimin në një Zot, i Cili vetëm Ai meriton të adhurohet dhe askush tjetër përpos Tij.

Ju qeveritarë dhe deputet të Parlamentit të Kosovës që e votuat Ligjin kundër zhurmës, që është ligj i kamufluar kundër besimit fetar të shqiptarëve, veçmas kundër besimit Islam, jeni koritur, se ai ligj do të jetë vetëm në letër, si shumë ligje që vetë i keni votuar dhe vetë i keni shkelmuar. Ezani do të thirret në trojet shqiptare ashtu siç na ka mësuar dhe na ka urdhëruar Pejgamberi ynë i dashur  Muhamedi a.s. Nuk ka ligj dhe as qeveri që do të kenë sukses që t’ua caktojnë shqiptarëve të besimit Islam se në çfarë mënyre ta thërrasin Ezanin. Ezanin nuk do të thirret asnjëherë në trojet shqiptare me zë të shterur dhe as me zë të molisur! Në atë mënyrë dhe me gjysmë zëri ata le t’u drejtohen qytetarëve që i votuan, sepse i mashtruan dhe i tradhtuan, duke u zotuar se do të  punojnë për interesa të tyre, por treguan të kundërtën e asaj që iu premtuan. Pra, punuan vetëm për grazhdin e tyre dhe barkun e argatëve dhe vasalëve të tyre.

Qeveritarët dhe deputetët e tre bishtave të Partisë Socialiste të Shqipërisë: PDK-së AAK-së dhe të Vetëvendosjes, dhe dy-tre mjeranë të LDK-së që e votuan Ligjin kundër fesë, mos të iu shkoi mendja se e keni dobësuar besimin Islam. Përkundrazi, sa herë që ngriheni kundër tij,  ai do të rritet dhe forcohet, ndërsa ju për atë shkak do t’i merrni shumë ,,gugjuma” kresë nga besimtarët e besimit islam në zgjedhjet nacionale që do të mbahen sivjet, nëpërmjet votës së tyre, që të vini në veti e të kuptoni se jeni bërë argat të SHIK-ut të Xhavit Halitit!  Medet! Medet!  Vaj halli për ju...!

Besimtarët e besimit Islam nuk do të iu votojnë juve qeveritarë dhe as përfaqësuesit e juaj që do të konkurrojnë për deputetë në zgjedhjet nacionale që do të bëhen sivjet, se e keni treguar fytyrën  e juaj të vërtet, se kush jeni dhe për hesap të kujt punoni, se jeni armiq të Zotit dhe pastaj edhe të qytetarëve që i përfaqësoni. E myslimani nuk guxon t’i përkrah armiqtë e All-llahut Fuqiplotë, se atëherë edhe ai bëhet si ata. Bëhet armik i Tij, që do ta pret dënimi i dhimbshëm  si pabesimtar!

 

Botuar në ,,Bota sot”, më 08. 02. 1014