ÇKA PO NDODH ME SHQIPTARËT?!

Po që se i vështrojmë ngjarjet që po ndodhin në gjithë hapësirën tonë kombëtare, do të vërejmë se jemi futur në një krizë shumë të rrezikshme, krizë kjo që do të ketë pasoja të paparashikueshme për qenien tonë kombëtare. Mafia politike dhe ekonomike, së bashku me krimin e organizuar, po forcohen çdo ditë e më tepër,  ndërsa traditat dhe zakonet tona pozitive me të madhe po shkatërrohen. Varfëria po futet me të madhe në dyert e shtresave të gjera të shqiptarëve, ndërsa pasuria po rritët në duart e xhambazëve politikë, mafiozëve dhe argatëve të tyre, që po arrijnë aty këtu të  behën edhe faktorë që po ju shitet fjala. Dhe, si rrjedhim i gjithë kësaj gjendjeje të mjerë, kemi tjetërsimin e shqiptarëve, sëmundje kjo vdekjeprurëse,  pasojat e së cilës është vështirë të tejkalohen.

Shtrohet pyetja: A mund ta ndryshojnë këtë gjendje të mjerë njerëzit pa fytyrë, dyfytyrëshit, rrahagjoksët, kameleonët, bajraktarët e farës ruse, ''pehlivanët'' e Nanosit, karrieristët, pseudodemokratët, ateistët, ''të merituarit'',  pseudopatriotët, të pamoralshmit dhe  llumi i shoqërisë shqiptare ?! Ata që pas çlirimit të Kosovës  i përdorën të gjitha mënyrat dhe mjetet e lejuara dhe të pa lejuara. Po janë ata që e shfrytëzuan dhe e keqpërdorën gjakun e derdhur të luftëtarëve trima të UÇK-së dhe të martirëve të kombit, duke e lavdëruar e ngritur njëri-tjetrin në pozita udhëheqëse për ''meritat'' e mëdha që patën për çlirimin e Kosovës, edhe pse, siç dihet, ata kishin qenë para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës instrumentë,  argatë dhe rrogëtarë të Nanosit - argatit me krye e me këmbë të Athinës,  Beogradit dhe qoftlargut.

Po ky llum i shoqërisë kosovare e rrjepën Kosovën edhe më tepër se që e rrjep Serbia. Sa qel e mëshel sytë, u bënë pasanikë të Kosovës me punë të pista. Dhe, sot gjithë ditën bëjnë ahengje, duke i llogaritur fitimet, nga monopoli (dhe kontrabanda) i duhanit, naftës (dhe derivateve të tij), alkoolit dhe veprimtarisë mafioze. Këta të pafytyrë, këta zemërgurë, këta kameleonë, këta qyqarë, tjetër flasin e tjetër punojnë. Kudo që takohen, me njerëz flasin (përjargen) për pavarësinë e Kosovës, e punojnë kundër interesave të qytetarëve të saj.  Shtirën se ju dhemb zemra për shqiptari, por me të madhe  punojnë kundër qenies sonë kombëtare. Flasin për dëshmorët e kombit dhe martirët e luftës, por as që e kanë hallin për familjet dhe fëmijët e tyre, që nuk i kanë të siguruara as gjërat elementare të jetës. 

Është për t'u habitur se si është e mundur që njerëzit të tjetërsohen në këtë gjendje,  ku vëllai se ka gajle për vëllain, kushëriri për kushëririn, fqinji për fqinjin, pasaniku për të varfrin. Shqiptarët deri  tash nuk janë  shërbyer me  këto zakone të huaja që po na futën në jetën tonë të përditshme. Shqiptarët brez pas brezi, i kanë ndihmuar njëri tjetrit,  duke i ndarë së bashku të mirat,  por edhe hallet dhe gajlet e jetës. Vetëm në këtë mënyrë shqiptarët u bënë të pathyeshëm ndaj planeve dhe skenarëve antishqiptarë të çakajve të Ballkanit. Vetëm në këtë mënyrë edhe tash e tutje, mund t'i bëjmë të parealizueshme planet dhe skenarët e huaja në dëm të shqiptarëve. Por, këtë gjendje të mjerë,  shqiptarët munden  dhe duhet ta ndryshojnë sa më parë, se kanë forca, kanë dije, kanë përvojë dhe kanë kapital, e mbi të gjitha, shqiptarët janë  zemërbardhë, janë zemërgjerë dhe janë humanë dhe solidarë, tradita këto të trashëguara brez pas brezi.

Është e sigurt se tjetërsimi, kjo e keqe që po i nxinë shqiptarët, është një dukuri e përkohshme, është një protestë ndaj xhambazëve politikë dhe  karrieristëve të sëmurë për pushtet, që u bënë pari dhe faktorë destabilizues të  shqiptarëve, që u bënë pasanikë (sa qel e mshel sytë) në Kosovë dhe Viset tjera shqiptare,  në saje të  përvetësimit të  gjakut të derdhur rrëke të dëshmorëve e martirëve të kombit  dhe parasë së shqiptarëve që u dhanë për luftën dhe për ndihma humanitare. 

Duhet shpresuar se tjetërsimi ynë shumë shpejtë do të zëvendësohet me organizim të mbarë nga njerëzit tanë të mirë, nga njerëzit tanë zemërbardhë, nga njerëzit tanë shpirtmirë, nga njerëzit tanë zemërgjerë, nga të gjithë ata që e besojnë dhe e adhurojnë të Madhin Zot. Nga ata që ishin për shumë vite veprimtarë të dalluar të çështjes tonë madhore, duke dalë në ballë të nismës '' Japim për Zotin'',  për t'i ndihmuar familjet dhe individët në gjithë hapësirën tonë kombëtare, që kanë nevojë për ndihmë vëllazërore. Me siguri, shumë shpejtë kjo gjendje e mjerë që po mbretëron në gjithë hapësirën tonë kombëtare do të ndryshoj në të mirë,  kur dihet se forca e brendshme e popullit tonë është shumë e madhe,  po që se organizohet siç duhet. Ky aksion ka edhe një rëndësi tjetër të madhe në këto rrethana historike, se do të dëshmojmë para botës se jemi komb me themel të fortë, që dimë të krijojmë dhe të mbajmë shtet,  jemi popull human e solidar. 

Shqiptarët deri tash kanë ditur të organizohen në të gjitha periudhat historike, kur qenia e tyre vihej në rrezik. Vlen të ceken disa prej tyre, që e mahnitën botën. Vitet e para të ''90-tave, shqiptarët e Kosovës  u kërcënuan me uri nga Beogradi, duke i larguar nga puna. Por  shqiptarët nga Maqedonia dhe Kosova Lindore, shtrinë dorën e ndihmës vëllazërore,  duke ndarë me ta edhe kilogramët e fundit të drithit dhe të miellit, ndërsa diaspora shqiptare ndau ndihma të konsiderueshme në të holla,  artikuj ushqimor dhe veshmbathje që kishin nevojë. Nuk bën të mos ceket edhe një organizim yni  gjithëkombëtar që e mahniti botën, si dëshmi, se edhe sot mund të bëhen organizime të ngjashme, për tejkalimin e kësaj krize të thellë, në të cilën na futën mendjeshkurtrit, karrieristët dhe tradhtarët.

Siç dihet,  Kasapi i Ballkanit, me ndihmën edhe të shqipfolësve kokëkrisur (bajraktarëve të farës ruse dhe ''pehlivanëve'' të Nanosit) realizoi ëndrrën shekullore të Serbisë, kur për dy javë e bëri pastrimin etnik të Kosovës, por i Madhi Zot nëpërmjet NATO-s i bëri hi e pluhur planet dhe skenarët e Beogradit. Fatmirësisht, me punë dhe vepra  shqiptarët u treguan para botës se kanë vetëdije të lartë kombëtare e politike, se janë popull human dhe zemërgjerë, që meriton ndihmën e faktorit ndërkombëtar, kur shqiptarët e Maqedonisë dhe ata të Shqipërisë i hapën dyert e shtëpive të tyre për vëllezërit e tyre nga gjaku nga Kosova,  për ta ndarë me ta të mirën dhe të keqen.

Shtrohet pyetja: Jemi apo nuk jemi ne ata shqiptarët e para viteve të ‘90-a, jemi apo nuk jemi ne ata shqiptarët e viteve ‘98/ 99-a, kur secili prej nesh, në një mënyrë apo në një tjetër, me përjashtim të njerëzve të sëmurë e të çartur për pushtet dhe  kolltukë,  punuam pa u kursyer për realizimin e synimeve tona madhore?

Për shqiptarët që dinë të mendojnë, ende nuk ka përfunduar lufta.  Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Viset tjera shqiptare kanë nevojë për njerëz të idealeve të larta, njerëz që në emër të Zotit, (jo në emër të karrieristëve dhe spiunëve të ndryshëm)  punojnë për të dalë në shesh e vërteta, për të fituar drejtësia. Vendi ynë ka nevojë për  njerëz besimtarë që i udhëzojnë dhe i ndihmojnë bashkëkombësit e tyre për  t'u larguar nga rruga e djallit, (që i futën bajraktarët e farës ruse dhe argatët e Nanaosit) që i shpie në mossuksese, dështime dhe në faqe të zeza, e për ta marrë Rrugën e të Madhit Zot, që i shpie në paqe e liri, në suksese e zhvillim,  kënaqësi shpirtërore dhe  përparim të gjithanshëm.

            Shqiptarët kanë shumë punë për të kryer, po që se donë të bëhen  qeveritarë të mirë të hapësirës së tyre kombëtare. Me shqiptarë të lodhur e të uritur nga skamja e nënçmimi, me shqiptarë kameleonë e me shumë fytyrë, me shqiptarë të përçarë në baza partiake e regjionale, me shqiptarë të tjetërsuar e zemërgurë, mepolitikanë hajna e mafiozë, me spiunë dhe tradhtarë, shqiptarët nuk kanë kurrfarë shansi të ecin përpara drejt fitoreve të reja. Shqiptarët duhet të ndryshohen rrënjësisht. Shqiptarët kanë nevojë për korrigjimin e veprimtarisë së tyre, çdonjëri duke u nisur nga vetvetja.

Ta besojmë, ta njohim dhe ta adhurojmë të Madhin Zot, duke e lutur që të na udhëzojë për punë dhe vepra të mbara. Ta lusim Zotin Fuqiplotë të na ndihmojë për ta hequr të keqen nga zemra. Të na ndihmoi i Gjithëmëmshirueshmi të pendohemi për fjalën dhe punën e keqe,  duke i kërkuar falje njëri-tjetrit. Të na ndihmojë All-llahu t'i zbusim zemrat, duke ua shtrirë dorën e ndihmës vëllazërore  jetimëve, të sëmurëve dhe  skamnorëve. Ta lusim Zotin e Gjithëdijshëm të na ndihmojë ta themi të vërtetën kurdoherë, edhe po që se ajo do të ishte kundër interesit tonë personal.

Kemi shumë punë për të kryer, të fillojmë nga më e lehta. Sa më parë ta formojmë Shoqatën bamirëse ''Japim për  Zotin'', që do të merret me mbledhjen e ndihmave dhe shpërndarjen e tyre në gjithë hapësirën tonë kombëtare. T'i formojmë  qendrat e Shoqatës në gjithë hapësirën tonë kombëtare: Tirana, Prishtina, Shkupi, Bujanofci, Ulqini, Selaniku, duhet të jenë Qendrat kryesore për tubimin dhe shpërndarjen e ndihmave që i japin bashkëkombësit tanë kudo që jetojnë dhe punojnë në rruzullin tokësor. Ndërsa diaspora jonë e fuqishme, diaspora jonë zemërgjerë do të tregohet edhe këtë herë si shumë herë më parë, se  është me zemër e me shpirt me Atdheun dhe njerëzit e saj, me siguri shqiptarët jashtë atdheut këtë herë do të jenë  edhe më të  organizuar, edhe më të fuqishëm, edhe më të bashkuar, sepse mjetet që do të tubohen,  nuk do të tubohen në emër të individëve dhe as partive, dhe as krahinave të ndryshme të Atdheut, por do të tubohen në emër të All-llahut, Krijuesit Fuqiplotë, për bashkëkombësit, qytetarët e hapësirës tonë kombëtare, që kanë nevojë për ndihmë vëllazërore.

Të gjitha qendrat e Shoqatës që do të krijohen në hapësirën tonë kombëtare dhe në metropolet e Evropës, Amerikës dhe të Australisë, do të  bashkëveprojnë për mobilizimin e shqiptarëve kudo që jetojnë dhe veprojnë për të marrë pjesë në këtë aksion gjithëkombëtar, për ta ndihmuar çdo familje dhe individ që ka nevojë për ndihmë, për ta përballuar varfërinë e skajshme që po na kërcënon me katastrofë, me  shembje si popull dhe si komb!

 

 

Botuar në ,,Bota sot’’ në prill 2006