ÇKA PO NDODH ME LDK-NË DHE AAK-NË ?!

Me ''dorëheqjen'' - shkarkimin e Bajram Kosumit nga posti i Kryeministrit të Kosovës,  kryepehlivanët e Nanosit dhe argatët e Sorosit, së bashku me Beogradin dhe aleatët e tyre pro-rus, realizuan një fitore të rëndësishme në dëm të Kosovës dhe të interesave kombëtare të shqiptarëve.

Kundërthëniet  në radhët e AAK-së dhe lufta për pushtet në mes rrymës pro-nanoiste dhe rrymës pro-LDK-iste në kreun e kësaj partie, sollën fitoren e argatëve të Nanos, ku për pasojë pati shkarkimin e Bajram Kosumit nga posti i Kryeministrit të Kosovës dhe mundësinë e rrëzimit të  Qeverisë së koalicionit LDK - AAK.

Opozita e Kosovës, siç bëri deri tash, do t'i përdorë të gjitha mjetet e lejueshme dhe të palejueshme për t'ua marrë pushtetin LDK-së dhe AAK-së. Po që se Agim Çeku do të  bëhet kryeministër i Kosovës, do të jetë kopje besnike e ish-kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepi. Patroni i PDK-së, Xh. Haliti, do t'i mbajë ,,dizginat” e Qeverisë së Kosovës, ndërsa H. Thaçi, në rast nevoje, do ta përdorë pa mëshirë kamxhikun e Kadri Veselit (SHIK-un).  Aleanca në mes LDK-së dhe AAK-së do të zhbëhet. Kaosi politik do t'i përfshijë institucionet shtetërore të Kosovës, ndërsa kryepehlivanët e Nanosit, argatët e Sorosit dhe bajraktarët e farës ruse, të përkrahur dhe të ndihmuar nga forca të caktuara ndërkombëtare dhe SHIK-u i PDK-së, do t'ua marrin pushtetin LDK-së dhe AAK-së. Kjo situatë do t'i shkojë për shtati Serbisë dhe aleatëve të saj, për ringjalljen e shpifjeve dhe ''argumenteve'' të tyre se shqiptarët ''nuk janë popull shtetformues'' dhe ''nuk janë element stabilizues i Ballkanit”.

Qytetarët e Kosovës do ta humbin durimin dhe atë besim të pakët që u ka mbetur  në lidershipin e Kosovës. Sigurimet e huaja, në krye me SHIK-un e PDK-së, do ta rrisin veprimtarinë e tyre kriminele.

Është e vërtetë se Qeveria e Kosovës  ka mundur dhe është dashur të  jetë më e fortë dhe më e mirë, kur është ditur se çfarë problemesh të rënda ka trashëguar nga ish - qeveritë e mëparshme të  Thaçit  dhe të  Bajram Rexhepit. Dihet se  asnjë qeveri në botë nuk mund t'i realizojë zotimet e bëra, prandaj edhe qeveria e koalicionit LDK – AAK,  edhe pse ka pasur mossuksese,  ka pasur edhe suksese  të pamohueshme. Nuk është e drejtë dhe e arsyeshme që të mohohet puna dhe sukseset e saj. Ndoshta  Kosova do ta ketë një Qeveri pak më të mirë, por a thua e mbulon ''barra qiranë'' që institucionet shtetërore të Kosovës të humbin kohë të vlefshme për formimin e një qeverie të re, kur dihet se në bazë të rrethanave politike dhe bazës financiare të Kosovës, as qeveria e re që do të vije pas kësaj,  nuk do të bëjë kurrfarë ndryshimesh në  të mirë të qytetarëve të Kosovës.

Pra, rrëzimi i Qeverisë së Bajram Kosumit nuk është bërë për të mirën e Kosovës dhe as për të mirin e partive në koalicion,  por është bërë për interesa të klaneve dhe individëve të caktuar të subjekteve politike (të pozitës dhe të opozitës).

Kosovës kurrë nuk i është dashur kriza institucionale, më së paku tash. Kriminelët, hajnat, karrieristët, burokratët, dyfytyrëshit, kameleonët, spiunët dhe  llum-tum-ët e të gjitha subjekteve politike dhe shtetërore të Kosovës janë bashkuar në realizimin e synimeve të tyre të liga për ta rrjepur dhe për ta rrëzuar për tokë Kosovën. Asaj po i përgatisin skenarë të rrezikshëm nga kryepehlivanët e Nanosit, argatët e Sorosit, bajraktarët e farës ruse dhe burokratët. 

Shtrohet pyetja, kanë apo nuk kanë shqiptarët mjete dhe forca reale për pengimin e këtyre forcave të djallit të mallkuar, që Kosovën donë ta bëjnë pronë personale të tyre, ndërsa popullin shqiptarë skllevër dhe rrogëtarë të pagojë, të pasy, e të pamend.

Mjerisht, përgjigja është e thjesht dhe e ditur. Shqiptarët tash për tash nuk kanë forca për pengimin e forcave të djallit të mallkuar, por mos të harrojnë këta djaj - ''gjygellibasha'', se shqiptarët kurdoherë kur janë mbështetur për muri, ndihma e të Gjithëmëshirshmit, Zotit Fuqiplotë,  nuk ka munguar. I Gjithëdijshmi ka premtuar se ,,…kriminelët do t'i dë!nojë në këtë botë dhe në botën tjetër''. Por, dihet se kriminelë nuk janë vetëm ata që bëjnë krime. Kriminelë janë edhe ata që i përkrahin kriminelët me shpirt,  me zemër e me punë. 

Opinioni ynë i ka të qarta rrethanat dhe shkaqet që sollën dorëheqjen e Bajram Kosumit nga posti që e mbante, por nuk e ka të qartë dhe është shumë i habitur, është shumë i brengosur dhe i mërzitur,  me kërkesën shumë të paarsyeshme, me kërkesën  pa vend, me kërkesën  çmendurake  të burokratëve të LDK-së, që Nexhat Daci të japë dorëheqje nga posti i Kryetarit të Parlamentit  të Kosovës.

Qytetarët e Kosovës dhe shqiptarët kudo që gjenden jashtë Atdheut,  kanë të drejtë të shtrojnë pyetje dhe të marrin përgjigje sa më parë nga burokratët e LDK-së: '' Zotërinj, ju lutemi na tregoni sinqerisht, ishit të dehur nga pirja e tepërt e shlivovicës serbe, apo vodkës ruse,  kur e formuluat  kërkesën për dorëheqjen e akademik Nexhat Nacit,  njeriut, që më së shumti  ka merita pas Ibrahim Rugovës,  që Kosova sot gjendet para aktit të njohjen së pavarësisë së saj nga faktori ndërkombëtar? Po që se nuk është në pyetje ndikimi i alkoolit, atëherë bëhuni të sinqertë dhe na tregoni se ku është shkaku?” 

Po që se  është në pyetje xhelozia, që akademik Daci ka arritur suksese të jashtëzakonshme në të gjithë lëmenjtë e jetës, (shkencore, politike, shtetërore, diplomatike, qeverisëse, organizative etj.), mbi të gjitha,  ai tregoi  dije të gjithanshme,  trimëri dhe guxim të pashoq, vendosmëri dhe durim të fortë dhe  suksese të pamohueshme në luftë kundër krimit të organizuar dhe kriminelëve qyqarë,  atëherë duhet t'i kërkoni falje Zotit të Madhëruar, se keni bërë mëkat të rëndë. Pejgamberi i fundit, Muhamedi, (Paqja,  bekimi dhe shpëtimi i All-llahut qofshin mbi të), na mëson se ''Xhelozia i djeg veprat e mira, ashtu siç e djeg zjarri kashtën''.

Zotërinj, mos harroni se është e domosdoshme dhe shumë njerëzore që ta tërhiqni kërkesën tuaj të paarsyeshme, t'i kërkoni falje akademik Nexhat Dacit, t'i kërkoni falje anëtarësisë së LDK-së, qytetarëve të Kosovës  dhe popullit  shqiptar kudo që jeton. 

Po që se keni qenë të ''detyruar'' ta bëni kërkesën për të dhënë dorëheqje zotëri Daci,  për shkak se keni qenë të kërcënuar nga  pehlivanët e Nanosit dhe bajraktarët e  farës ruse, Zoti ju marroftë!

Zotërinj, po ua kujtojmë se askush nga LDK-ja nuk është kërcënuar dhe  shpifur më tepër se Rugova dhe Daci, por ata me përkushtim i kryen detyrat që ua besuan përfaqësuesit legjitim të popullit të Kosovës, dhe nuk ua ndjeu veshi dhe as syri për kërcënimet dhe shpifjet e hiqkërkushve, llum-tum-ve dhe kriminelëve me kravata kuq e zi, që pas luftës përvetësuan pozita udhëheqëse në subjekte politike e shtetërore dhe në mjetet e opinionit publik të Kosovës.

Mos harroni burokratë të LDK-së, se para jush u kërcënuan Xhemajl Mustafa, Enver Maloku, Smajl Hajdaraj, Ukë Bytyqi, Haki Imeri, Ismet Rraci, Ahmet Krasniqi, Tahir Zemaj,  Hasan Zemaj, Gani Geci, Fetah Rudi, Bekim Kastrati, Besim Dajaku, Shefki Popova, Bardhyl Ajeti, Kryeredaktori i gazetës ''Bota sot'', Skënder Buqpapaj me stafin gazetarët dhe botuesin e gazetës.  U kërcënuan edhe shumë burra tjerë të fortë të shqiptarisë, por asnjëri prej tyre nuk e ndërpreu veprimtarinë kombëtare për të cilën ishte përcaktuar. Askush prej tyre nuk u frikua nga kërcënimet e  kriminelëve faqezinj.

Siç dihet, shumë prej tyre u vranë nga kriminelët e gjorë të Kosovës, por stafetën e qëndresës dhe të veprimtarisë kombëtare e vazhduan të tjerët. Mos harroni zotërinj, se njeriu që  meriton të quhet njeri, nuk frikohet prej kërcënuesve dhe kriminelëve, se njëherë lind dhe një herë vdes. Vetëm qyqarët, frikacakët, të ligjtë  vdesin shumë herë, (nga frika) për çdo ditë. Lepurushat, karrieristët e sëmurë për pushtet dhe  kameleonët,  mos të hartohen që ua themi një të vërtetë të hidhur,  se  nuk e kanë vendin në krye të  subjekteve politike dhe shtetërore të Kosovës.

Qytetarët e Kosovës dhe shqiptarët kudo që gjendeni në rruzullin tokësor, kanë të drejtë të shtrojnë pyetje se çka po ndodhë me LDK-në?!

A thua vallë me vdekjen e Ibrahim Rugovës, do të  vdesë edhe LDK-ja?! Kjo nuk guxon të ndodhë,  sepse gjaku i atyre që u vranë në emër të Zotit për  ta shpëtuar Kosovën, do t'i mallkojë,  ndërsa Zoti i Plotfuqishëm do t'i dënojë në këtë botë dhe në botën tjetër.

Anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së nuk guxojnë të rrinë duarkryq. Nuk guxojnë të shikojnë përçarjen e partisë dhe shkatërrimin e saj,  pa bërë asgjë. Ata janë të detyruar ta ndërpresin procesin e shkatërrimit të saj.  Nuk guxojnë të bëhen argatë të burokratëve, të cilët janë të sëmurë nga megalomania dhe  karrierizmi.  Të gjithë anëtarët e LDK-së që kanë detyra udhëheqëse në këtë parti,  si dhe anëtarësia e gjerë, të bëjnë presion për thirrjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së,  që të shuhet me mjeshtri, dije, guxim dhe me drejtësi flaka e përçarjes dhe zhdukjes së partisë. LDK-ja duhet të  reformohet dhe të përtëritet me gjak të ri,  me njerëz të dijes e të kulturës, me njerëz që e njohin dhe adhurojnë  Zotin Fuqiplotë, njerëz që punojnë me përkushtim për përparimin e vendit të tyre, njerëz që  jetojnë dhe punojnë ndershëm, njerëz që e vazhdojnë rrugën e trasuar të Ibrahim Rugovës.  Përndryshe, po që se nuk merren këto masa,  LDK-ja  shumë shpejt do të shkatërrohet, apo do të burokratizohet.

Nuk duhet lejuar që partia të luftohet nga brenda nga njerëzit e saj të sëmurë për pushtet, kur dihet se ajo ka mjaft armiq të jashtëm, që e luftuan dhe do ta luftojnë edhe më tej, siç e luftuan më parë.

Për përçarjen dhe vdekjen e LDK-së,  siç dihet, punuan shumë armiq të kombit shqiptar, në veçanti punuan nanoistët e çartur të Shqipërisë dhe nanoistët mendjeshkurtër të Kosovës. Për këto qëllime të ndyra dhe antikombëtare punuan edhe shumë spiunë serbë dhe elementë tjerë destruktivë, që u futën brenda kësaj partie, për ta marrë ''kalanë nga brenda''.

Siç dihet, të gjithë këta ''urith'' që u larguan nga udhëheqja e LDK-së, dështuan deri me një, sepse ishin instrument në dorë të dashakeqëve të Kosovës. Largimi i tyre nuk i solli dëme LDK-së, por përkundrazi, ajo u pastrua nga bërlloku dhe plehu i zi plot ndyrësirë, sepse në krye të saj ishte Ibrahim Rugova, udhëheqësi i saj i urtë, trim dhe i zgjuar. Por, siç po shihet, LDK-ja nuk është pastruar plotësisht. Tani kanë dalë në skenë karrieristët e sëmurë për pushtet, burokratët.  Duan ta përvetësojnë LDK-në, që nëpërmjet saj të bëhen pasanikë të Kosovës, siç u bënë për një natë pehlivanët e Nanosit, argatët e Sorosit dhe bajraktarët e farës ruse, duke e vënë në pozita partiake dhe shtetërore njëri-tjetrin. 

Po që se e shqyrtojmë mënyrën se si ka ardhur kërkesa për dorëheqjen e Nexhat Dacit, do të kuptojmë se  karrieristët e LDK-së janë të njëjtë, siç janë edhe karrieristët tjerë të subjekteve tjera të Kosovës:  të zhdërvjelltë, gojëmbël dhe demagogë të shkathtë. Sipas kandarit të tyre,  në organet udhëheqë të partisë duhet të gjenden vetëm kameleonë, për t'ua bërë aminin.

E dinë karrieristët e sëmurë për pushtet, se zotëri Daci nuk është si ta. Ai është digë e pakalueshme për realizimin e synimeve të liga të karrieristëve të gjorë, prandaj përpiluan kërkesën për dorëheqjen e tij,  duke u arsyetuar me ''çuarjen përpara të proceseve për pavarësinë e Kosovës''. Kësaj i thonë shpifje,  demagogë  të LDK-së,  Daci nuk është dhe nuk ka qenë kurrë pengesë për çuarjen përpara të proceseve për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Përkundrazi,  ai bëri shumë që Kosova të gjendet këtu ku është sot, ndërsa ju jeni ata që keni qenë pengesë, dhe sot po bëheni pengesa më e madhe për realizimin e synimeve tona madhore kombëtare. Ju zotërinj asnjëherë nuk jeni kacafytur me urdhëruesit e krimit të organizuar dhe kriminelë siç është kacafytur Daci. Ju demagogë të LDK-së  i keni ,,shti veshët në  lesh'',  dhe me asnjë fjalë dhe me as një punë nuk e keni kundërshtuar dhe luftuar krimin dhe kriminelët e Kosovës, dhe as nuk i keni luftuar dukuritë e shëmtuara të shoqërisë kosovare. Nuk e mohojmë punën e juaj, keni qenë të suksesshëm para kamerave televizive. Gjithmonë të krehur e të veshur mirë! Hallall  u qoftë rroga e partisë!

Mos harroni zotërinj burokratë se për të gjitha të papriturat që do t'i vijnë Kosovës, të gjithë skenarët antikombëtarë që do t'i realizojnë pehlivanët e Nanosit,  argatët e Sorosit dhe bajraktarët e farës ruse, jeni edhe ju hisedarë me ta. Jeni përgjegjës para anëtarësisë së LDK-së, jeni përgjegjës para qytetarëve të Kosovës që aq shumë punuan dhe  që aq shumë e  lidhën fatin e Kosovës dhe fatin e tyre  me fatin e kësaj partie. Mos harroni burokratë të LDK-së, se do të jeni përgjegjës para gjeneratave që do të vijnë, do të jeni përgjegjës edhe para historisë që ia vutë  flakën e përçarjes dhe të shkatërrimit LDK-së.

Dhe, së fundi, para se ta përfundoj këtë shkrim, do t'ua shtroj vetëm një pyetje burokratë të LDK-së: A thua vallë është në gjendje shëndetësore zotëri Kolë Berisha të  zëvendësojë akademik Nexhat Dacin, kur dihet se sa punë e vështirë dhe e  lodhshme është të  udhëheqësh mbledhjet e Parlamentit të Kosovës?!

 Kjo donë të thotë se burokratët kur i kanë planifikuar ''ndryshimet kadrovike'', nuk i kanë marrë parasysh interesat kombëtare dhe as interesat e partisë së tyre, por i kanë marrë parasysh interesat e klanit, interesat e individit.  Zotërinj, duhet ta keni të qartë se para anëtarësisë së LDK-së dhe para popullit shqiptar, keni rënë në provim.

 

Shkruar më  05. 03. 2006

PS. Menjëherë i është dërguar kombëtares ''Bota sot'' për botim, por nuk e panë të udhës ta botojnë!

Shkrimi u është dërguar të gjithë deputetëve të LDK-së, nëpërmjet postes elektronike që i kanë pasur në Parlamentin e Kosovës.