VËREJTJE NDAJ LIBRIT TË SELATIN NOVOSELES “KOSOVA ‘68”

 

            Veprimtari i dalluar i Lëvizjes sonë kombëtare për çlirim dhe bashkim kombëtar, Selatin Novosella, viteve të fundit i hyri një pune me rëndësi për ta ndriçuar një pjesë të historisë kombëtare më të re, të viteve 60 - 75, atëherë, kur Lëvizja jonë kombëtare filloi të ringjallej dhe të ripërtërihej. Vitet 58-61-64 nxorën në shesh se zjarri i rezistencës sonë kombëtare nuk është shuar dhe se rezistenca dhe përpjekjet për çlirim dhe bashkim kombëtar do të konsolidohen dhe zgjerohen. 68-ta e ngriti Lëvizjen tonë kombëtare në sasi dhe në cilësi dhe sjelli ndryshime të konsiderueshme dhe rezultate të rëndësishme.

   Selatin Novosella pasi ishte njëri ndër organizatorët kryesor të Demonstratave të 68-ës, bëri mirë që i hyri kësaj pune me rëndësi, duke na dhënë në mënyrë kronologjike fillimin e organizimit të këtyre demonstratave, duke i qitur në shesh edhe rrethanat objektive që kushtëzuan që ato të përfundojnë me sukses dhe të japin frytin e pritur.

   Duke e marrë porosinë e autorit të këtij libri, që të jepen vërejtje nga lexuesit, me qëllim të plotësimit të të metave të këtij libri, që janë bërë  lëshime pa dashje, apo edhe që nuk ka qenë në dijuni autori i këtij libri me të gjitha ngjarjet e zhvilluara, do t`i bëjë ca vërejtje dhe plotësime si pjesëmarrës i atyre ngjarjeve, pasi që në atë kohë isha student i SHLP në Prishtinë.

   Salatin Novosella thotë: »Në fund të mbledhjes përkitazi me organizimin e demonstratave, përmbajtjen e parullave, kërkesën kryesore në demonstrata etj. u vendos që Osman Dumoshi të konsultohet me Kadri Halimin, kurse Salatin Novosella me Hyrije Hanën ». Salatin Novosella është dashtë të konstatojë se Grupi i të rinjve janë konsultuar edhe me Sabri Novosellën, Metush Krasniqin dhe me Ismajl Dumoshin. Këtë e them pasi isha i pranishëm në dyqanin e Sabriut, ku aty ishte edhe Metush Krasniqi. Kur Sabriu i pati qitur në shesh mosmarrëveshjet në mes organizatorëve të demonstratave në lidhje me parullat: »Kosova Republikë» apo « Vetëvendosje ». Metushi dhe Sabriu ishin për parullën e dytë, por duke e plotësuar. Pra ishin që parulla të jetë: »Vetëvendosje deri në shkëputje». Për qëndrimin e Ismajl Dumoshit nuk di, por jam i sigurt se edhe ai është pyetur, pasi që ai ishte një intelektual dhe atdhetarë që kishte ndikim në një pjesë të udhëheqësisë së atëhershme të Kosovës, por ishte edhe shok i ngushtë i Sabri Novosellës, ku ne, nëpërmjet tij, dinim për shumë diskutime që ishin fshehtësi për opinion, që zhvilloheshin në Organet udhëheqëse të Kosovës.

   Selatin Novosella thotë: » Që të jenë demonstratat sa më masive, organizatorët vendosën të shumëzojnë dhe të shpërndajnë disa ditë para fillimit të tyre vjershat: »Poshtë padront - padrejtësia » e autorit të panjohur, si dhe vjershën mobilizuese të Adil Pirevës. »Eni në demonstrata » me pseudonim Arben Kosova. Për hir të së vërtetës, më duhet të ceku se kënga »Poshtë padronat - padrejtësia» nuk ka qenë vjershë e autorit të panjohur, por ka qenë Kënga e Internacionales (tri strofa të saj) që unë, me kërkesën e Sabri Novosellës, që ta gjej një këngë të përshtatshme për ta kënduar demonstruesit, i pata zgjedhur tri strofa të Internacionales, duke ua ndërruar ca vargje dhe ca fjalë, me qëllim që tu përgjigjet kërkesave gjithëpopullore. Një javë para fillimit të demonstratave, ia pata dhënë atë këngë Sabri Novosellës që tua përcjellë organizatorëve të demonstratave. Të njëjtën këngë ua pata dhënë edhe shokëve Ilmi Malokut dhe Banush Xhemshitit, që ishim studentë të SHLP-grupi i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, dhe që ata dy ishin kyçur në organizimin e demonstratave në SHLP, Fakultetin Ekonomik, Fakultetin Teknik dhe në Fakultetin Juridik. Ajo këngë pastaj u është shpërndarë studentëve të besueshëm për ta mësuar përmendsh. Po i shënoi dy strofat e para të asaj kënge, duke i shënuar ashtu siç ua kam dhënë. Strofa e tretë nuk më kujtohet. Kanë qenë në dialektin e gegërishtes e jo në gjuhë letrare, pasi që gjuha shqipe ende nuk ishte e standardizuar. Ja pra teksti i dy strofave të parë:

 

 

 

 

 

 

 

 

POSHTË PADRONAT -  PADREJTËSIJA

 

Poshtë padronat padrejtësija,

I tan populli shqiptarë thrret,

Ikni prej nesh mizorina,

Po afrohet dita e jonë - dita jonë.

 

Shpijat ne ju kemi ndrequn,

Pallatet ju kem ndërtue,

Porse gjithmonë rob kem qenun,

Dhe për juve kemi punue - kem punue.

 

   Kishte qenë mirë që Selatin Novosella t`i qetë në shesh edhe të metat e organizimit dhe arsyet pse studentët e Fakultetit Filozofik nuk e kryen porosinë e udhëheqësisë së demonstratave, që para se të fillonte demonstrata do të duhej të ishin në terrenin e  sporteve që ishin pas Fakultetit Filozofik, gjëja se janë duke zhvilluar ndeshje, dhe në kohën e caktuar t’u bashkëngjiten demonstratave. Po ashtu Selatin Novosella do të duhej të konstatonte se demonstratat nuk kanë filluar, siç thotë, para Fakultetit Filozofik,  por në afërsi të Bibliotekës Krahinore dhe se ato i kanë filluar studentët e SHLP, të Fakultetit Ekonomik, Fakultetit Juridik dhe të Fakultetit Teknik, përafërsisht rreth 50 studentë. Parullat dhe flamujt i ka sjellë Selatin Novosella me një qerre, së bashku me të zotin e qerres dhe ai ua ka shpërndarë studentëve ato. Flamujt dhe parullat janë shpalosur menjëherë dhe aty u krijua kolona, që vazhdoi rrugën duke kaluar afër mureve të amfiteatrit të Fakultetit Filozofik. Aty pari, kolonës ju bashkëngjitën përafërsisht edhe nja 50 studentë të Fakultetit Filozofik, të cilët kishin qenë duke vëzhguar për dritare fillimin e demonstratave. Kolona nuk ka ndaluar askund, por ka vazhduar rrugën në drejtim të rrugës kryesore te ,,Tre Sheshirat”.  Selatin Novosella është dashtë të shkruaj më konkretisht për fillimin e demonstratave, sidomos nuk është dashtë  të harrohen grushtet e fuqishëm të Banush Xhemshitit që e zhbllokuan rrugën, kurë një polic e shtriu për tokë dhe ca të tjerë shpëtuan më lehtë, duke marrë nga një apo dy grushta. Kapela e policit të shtrirë u shërbeu demonstruesve si besharet për t`i frikuar policët, duke ua tërhequr vërejtjen që të mos  tentojnë tua ndalin turrin demonstruesve, se për ndryshe do ta pësojnë edhe më keq se shoku i tyre. Duhet shpjeguar edhe faktin se një pjesë e madhe e studentëve disa ditë para se të fillonin demonstratat, patën ikur për në vendlindjet e tyre, pasi që u krijua një frikë nga reagimi i policisë së Beogradit, që i patën shtypur me dhunë demonstratat studentore që u patën bërë në Beograd para se të bëheshin në Prishtinë. Duhet cekur po ashtu se numri i studentëve në fillim ka qenë shumë i vogël, përafërsisht njëqind(100) kur dolën në rrugën kryesore, të arritur në dyqind (200) demonstrues  para Teatrit Krahinor. Nuk duhet mohuar faktin se demonstratat kanë mundur të shpërndaheshin shumë lehtë në fillim, po sikur të kishin dashur strukturat udhëheqëse të Kosovës. Nuk duhet harruar kontributin e profesorëve dhe nxënësve  të Shkollës Normale dhe të Shkollës Ekonomike të Prishtinës, e veçanërisht profesorët Bedri Novosella dhe Idriz Gërvalla, të cilët i patën lëshuar para kohe nxënësit dhe së bashku me ta iu bashkëngjitën radhëve të studentëve. Vetëm atëherë kur arritën nxënësit e shkollave të cekura më lartë, rruga kryesore u mbush me të rinj e të reja dhe demonstrata mori fizionominë e duhur. Më vonë arritën mësues dhe qytetarë nga fshatrat e Drenicës, të Vushtrrisë dhe komunave tjera që gjenden afër Prishtinës. Po ashtu duhet përmendur edhe shumë organizatorë, që në mënyrë direkte kanë qenë të kyçur në organizimin e demonstratave, siç ishin Banush Xhemshiti, Ilmi Maloku dhe Mejreme Berisha, studentë të SHLP,  të cilët së bashku me ca shokë të fakulteteve që ishin afër SHLP, bënë zgjedhjen e studentëve që duhet ta nisnin demonstratën. Puna dhe përgjegjësia e tyre ishte tepër e madhe, sepse nga puna e tyre varej se a do të ketë apo nuk do të ketë demonstrata, a do të jenë ato të suksesshme apo të pa suksesshme.

   Duke shpresuar se vërejtjet e mia do t`i merr parasysh Salatin Novosella dhe në ribotimin e librit do ta gjejnë vendin që u takon, po ia dërgoi këto vërejtje përmes faksit, sepse nuk e shoh të udhës që këto vërejtje t`i publikoj në shtyp, pasi që plotësisht jam i bindur se Selatin Novosella nuk ka pasur dijeni për ca të vërteta apo edhe për shkaqe modestie, nuk ka dashur që të cekë edhe komtributin e vëllazërve të tij Sabriut dhe Bedriut në mbarëvajtjen dhe organizimin e këtyre demonstratave.

   Përshëndetje vëllazërore Selatinit dhe mbarë familjes së nderuar Novosella!

 

Shkruar dhe dërguar Selatin Novoselës më 05.11.1997