USHTARAKËT SHQIPTARË QË JETOJNË NË EVROPËN PERËNDIMORE, ANALIZUAN RRJEDHËN E NGJARJEVE NË TOKAT SHQIPTARE

 

Të papriturat që sjellin brengosje, shqetësime dhe probleme të mëdha individuale dhe kolektive, janë bërë dukuri, që po i përcjellin shqiptarët vit pas viti e gjeneratë pas gjenerate. Situata aktuale në Maqedoni është bërë temë diskutimi i të gjitha shtresave të popullsisë shqiptare që jetojnë në hapësirën e tij etnike dhe në diasporë.

            Me iniciativën e kolonel Tahir Zemës, më 24 mars të  këtij viti, në qytezën Afolten. a. A të Zvicrës, u bë vendtakimi i ushtarakëve tanë që jetojnë dhe punojnë në Evropën Perëndimore, për ta analizuar rrjedhën e ngjarjeve në Kosovë, për ta shqyrtuar situatën politike-ushtarake në Maqedoni dhe në Kosovën Lindore, si dhe për të marrë hapa konkret që kuadri ushtarak që gjendej jashtë atdheut, të luajë rolin që i takon në shoqërinë shqiptare. 

            Kolonel Tahir Zemaj, pasi i përshëndeti të pranishmit, tha: ,,Kërkoj të bëhet një minutë heshtje për dëshmorët: ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, kolonel Ahmet Krasniqin, kolegët tanë ushtarakë dhe të gjithë ushtarët  e UÇK-së  që ranë në altarin e lirisë në luftën e fundit serbo-shqiptare’’. Me miratimin e rendit të ditës nga pjesëmarrësit, kolonel Tahir Zemaj kërkoi nga ushtarakët dhe pjesëmarrësit tjerë, që të kontribuojnë në suksesin e plotë të këtij tubimi me diskutimet e tyre të sinqerta dhe konstruktive. Analiza e kolonel Tahir Zemës për situatën aktuale politiko-ushtarake në Kosovë, Maqedoni dhe në Kosovën Lindore, si dhe  njoftimi për takimet që kishte pasur në kohën e fundit me personalitete të shquara kombëtare dhe ndërkombëtare, u përcjellën me interesim të madh nga pjesëmarrësit. Diskutimet konstruktive, propozimet me vend dhe plotësimi i kushteve teknike nga një numër i vogël i jo ushtarakëve, bëri që tubimi t’i zhvillojë me sukses punimet e tij. Në diskutim morën pjesë: Tahir Zemaj, Shpend Shala, Sylejman Kollçaku, Zenun Idrizi, Arbër Ahmetaj, Rifat Haxhijaj, Ismet Ibrahimi, Sefedin Krasniqi, Muhamet Mulaj, Nazif Ramabaja, Agim Mehmeti, Tomor Buza, Tafil Hadergjonaj, Ejup Dragaj, Bekim Arifi, Ali Osmani, Rexhep Pepçi, Esat Jakupademaj, Hajrullah Shatri, Fadil Rushiti, Abedin Gashi, Mëhill Berisha e të tjerë.

Të pranishmit njëzëri miratuan këto konkluzione dhe vendime:

  1. TMK-ja

            Ne e përkrahim institicionin e TMK-së, si institucion të Republikës së Kosovës. Ne nuk e përkrahim rolin e komisarëve në TMK, të cilët japin llogari para një partie të vetme. TMK-ja vetëm nëpërmes profesionalistëve-profesionalizmit, mund të shndërrohet në bërthamë të vërtetë të një ushtrie moderne.

  1. SIGURIMI

            Në Kosovë nuk ka krim të organizuar, ka përpjekje për ta organizuar krimin. Ne mbështesim përpjekjet e policisë ndërkombëtare dhe të SHPK-së, në vënien nën kontroll të elementëve të inkriminuar dhe përpjekjet e tyre për ta organizuar krimin. Vetëm nëpërmjet rritjes së kompetencave të SHPK-së dhe kyçjes së profesionalistëve (ish policët e Kosovës) mundet të arrihet efektiviteti në luftë kundër krimit.

            3. MAQEDONIA

            Kosova nuk eksporton dhunë, Maqedonia me politikën e saj ka prodhuar dhunë prej dhjetëra vitesh. UÇK-ja e ka mbështetjen e të gjithë shqiptarëve. Ne e dimë se ajo vetëpërmbahet, nuk shkakton dhunë, është e dëshmuar në armëpushimin e shpallur prej saj. Të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni janë të shenjta për çdo shqiptar. E ardhmja e Maqedonisë varet nga realizimi i plotë i tyre. Nëse nuk hapet dialogu në mes të autoriteteve maqedonase dhe shqiptare, ne jemi të gatshëm të kontribuojmë në profesionalizimin e UÇK-së për një kohë të shkurtër.

  1. KOSOVA LINDORE

            Përshëndesim bashkimin e faktorit politiko-ushtarak në Kosovën Lindore dhe konsiderojmë se vetëm në këtë mënyrë kanë arritur të jenë partner të denjë të  faktorit ndërkombëtar për arritjen e paqes në Kosovën Lindore.

            5. UÇK

            UÇK-të nuk janë shkak i dhunës në Ballkan, ato janë produkt i dhunës dhe i padrejtësive shekullore ndaj shqiptarëve.

 

 

VENDIMET

            1. U bë zgjedhja e një komisioni, i cili, në afatin sa më të shkurtër, do të shkojë në Kosovë për tu takuar me subjekte politike dhe ushtarake, kombëtare dhe ndërkombëtare, shtetërore dhe jo shtetërore, për tua parashtruar kërkesat dhe shqetësimet e ushtarakëve të Republikës së Kosovës që përkohësisht jetojnë dhe punojnë në Evropën Perëndimore, në lidhje me rrjedhat e ngjarjeve aktuale në Kosovë, në Maqedoni dhe në Kosovën Lindore.

            2. Sa më parë të njoftohet opinioni i gjerë me veprimtarinë e Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, me sukseset dhe mossukseset e saj, me qëllim që me të vërteta dhe me fakte të pamohueshme, të hedhen poshtë shpifjet dhe  të pavërtetat që po përdorën nga individë dhe qarqe të caktuara për njollosjen e Ministrisë dhe ushtarakëve, që me përkushtim punuan dhe luftuan për  forcimin e UÇK dhe për arritjen e çlirimit të  Kosovës.

 

 

Botuar në ,,Bota sot’’, më 28 mars 2001