SI U BËNË PËRGATITJET PËR LUFTË TË ARMATOSUR NË RRAFSHIN E DUKAGJINIT 1991-1999

Gazeta  kombëtare ’’Bota sot’’  ka bërë një punë të mirë me botimin e ditarëve të luftës dhe   shkrimeve  që pasqyruan  ngjarje të rëndësishme të historisë tonë më të re. Në vazhdën e atyre botimeve mund të merret edhe shkrimi i Hasan Hasanramajt, i  botuar më 20-22 dhjetor 2001 në ’’Bota sot’’, me titull: ,,Si u bënë përgatitjet për luftë të armatosur në Rrafshin e Dukagjinit 1991-1999’’.

Për hir të së vërtetës, jam i detyruat të hedh poshtë një shpifje që i është bërë me të padrejtë, dhe ku ta dish për çfarë qëllimesh,  të ndjerit Ahmet Krasniqit, nëpërmjet shkrimit të zotëri Hasanramosaj, kur atë e akuzon se kinse paska urdhëruar ’’për ndërprerjen e transportit të armatimit nga Tropoja në drejtimin e fshatrave të Rrafshit të Dukagjinit dhe të Kosovës… duke parë rrezikun e një konflikti në mes grupeve ndërshqiptare në kufirin shqiptaro-shqiptar dhe në disa pika strategjike të Rrafshit të Dukagjinit dhe të Kosovës’’. Ky konstatim nuk ka të bëjë fare me të vërtetën dhe shumë lehtë hedhet poshtë me disa fakte që do t’i përmendi.

Siç dihet, të gjitha urdhëresat që i ka lëshuar Ahmet Krasniqi,  janë lëshuar në formë të shkruar dhe  të nënshkruara prej tij. Është e pamundur të gjendet një dokument i tillë në arkivin e Ministrisë së Mbrojtjes,  apo  në duar të ndonjë personi. Këtë shpifje nuk mund ta besojë njeri i gjallë, që i ka dy kokrra mend, pasi që, siç dihet,  në Dukagjin  Ministria e Mbrojtjes i pati futur në frontin e luftës me Serbinë Brigadën 134, Brigadën 131 dhe Brigadën 133, që komandoheshin nga kolonel Tahir Zemaj. Shtrohet pyetja, kush do të mund t’i besonte kësaj shpifjeje kaq debile, kur i vetmi burim për furnizim me armë dhe mjete luftarake të njësive operative të UÇK-së që i komandonte Tahir Zemaj, ishte Shqipëria dhe kufiri shqiptaro-shqiptar. Po sikur kreu i LBDK-së të mos e kishte penguar realizimin e marrëveshjes për blerjen e armatimit që ishte lidhur në mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe tregtarëve turq, gjithë armatimi ishte planifikuar të hynte në Kosovë nëpërmjet Shqiprisë, duke e kaluar kufirin shqiptaro-shqiptarë fshehtas apo me forcë.

Sot mund të dëshmojnë shumë njerëz se armatim të prodhimit kinez, që e blinin nëpër fshatra të Shqipërisë Zenun Idrizi dhe Halil Geci, (që ishin caktuar nga Ahmet Krasniq,i  ndihmës të kryeshefit teknik për logjistikë në SHP të FARK-ut) ka hyrë në Dukagjin për nevoja të njësive që i komandonte Tahir Zemaj dhe të njësive territoriale që u krijuan në fshatrat e komunës së Deçanit edhe pas hyrjes së Tahir Zemës në Kosovë. Për këtë mund të dëshmojnë Nehat Basha, Sami Shabani e të tjerë,  të cilët me kuaj dërguan armatim dhe mjete luftarake për nevojat e njësive që ishin nën komandën e SHP të FARK-ut. Po ashtu, më vonë,  në këtë mënyrë (duke kaluar kufirin Shqipëri-Kosovë),  ka hyrë armatim për nevoja të njësive operative të UÇK-së,  Brigadës ,,Skënderbeu”, Brigadës 141, Brigadës 142 dhe Brigadës ,,Istogu”, që i komandonte ushtaraku madhor i Ministrisë së Mbrojtjes Sylejman Kollqaku në Zonën Ushtarake të Pashtrikut. Kjo shpifje hedhet poshtë edhe nga pohimet e vet Tahir Zemës, i cili në librin  ,,Kështu foli Tahir Zemaj’’(pjesa e dytë), fq. 39 thotë:’’Fshatrat e Rrafshit të Dukagjinit janë furnizuar me armë falas nga qendra logjistike e Ministrisë së Mbrojtjes.

Sipas disa të dhënave ende të paplota, kjo qendër ka shpërndarë rreth tre mijë armë që fillojnë nga pistoletat, armatimi i këmbësorisë e deri te topa 82 mml, topa pa dridhje etj. Transporti i armëve është bërë me kafshë të marra me qira nga fshatarët e rrethit të Tropojës. Një bazë tjetër ka qenë në pronat e familjes Berisha në Vuçidol.’’.

Si përfundim, po e ceku se as  Tahir Zemaj dhe as një ushtarak tjetër  i Ministrisë së Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, që kanë folur për punën e tyre dhe të Ministrisë dhe të Pjesës së SHP të FARK-ut, nuk  kanë pohuar se ka ekzistuar një ’’urdhëresë’’ nga Ministria e Mbrojtjes apo nga Ahmet Krasniqi,  që ka urdhëruar të ’’ ndërpritet transportimi i armatimit nga Tropoja në drejtimin e fshatrave të Rrafshit të Dukagjinit dhe të Kosovës’’. Dihet  se argatët e Xhavit Halitit dhe të Ibrahim Kelmendit kanë penguar në të gjitha mënyrat punën e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Pjesës së SHP të FARK-ut, pra edhe transportin e armatimit në drejtim të Kosovës, por Ahmet Krasniqi dhe Ministria e Mbrojtjes nuk e kanë ndërprerë veprimtarinë e tyre që kishte  për qëllim forcimin e UÇK-së, (që sipas marrëveshjes së Osllos, duhet të bëheshin forca elite-operative të  FARK-ut) dhe transportimin e armatimit për në Kosovë nëpërmjet Shqipërisë dhe kufirit shqiptaro-shqiptar.

Në fund, kisha për t’i këshilluar të gjithë ata që shkruajnë për ngjarje të rëndësishme historike të historisë sonë më të re,  para se t’i publikojnë të dhënat që ju binë në dorë, është e domosdoshme  t’i  vërtetojnë ato të dhëna se a janë të sakta  nga disa burime, dhe vetëm atëherë kur kanë fakte të mjaftueshme se të dhënat që i kanë janë të sakta, duhet  t’i publikojnë në mjetet e informimit publik, pasi që vetëm me të vërteta ndihmohet ndriçimi i ngjarjeve historike për të cilat ata shkruajnë.

Gjeniu popullor na mëson se ,,rrena i ka këmbët e shkurtra’’, prandaj  me rrena dhe shpifje nuk mund të shkruhet historia dhe as të njollosën personalitete që ndikuan pozitivisht në rrjedhat e ngjarjeve historike.

 

 

Botuar në ’’Bota sot’’, më  20. 01. 2002