SI U BËNË PËRGATITJET PËR FORMIMIN E USHTRISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Salih Çeku bënte pjesë në grupin e ushtarakëve të parë të Ministrisë së Mbrojtjes që hyri në Dukagjin me tri brigada, për të ngritur UÇK-në në nivelin e ushtrisë së rregullt të Republikës së Kosovës

 

Me kërkesën e opinionit të gjerë të Kosovës, që themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës t’u ngrihen përmendore në sheshet më të bukura të Kosovës, subjektet politike të Deçanit kanë përkrahur këtë nismë dhe kanë vendosur ta zyrtarizojnë fillimin e punimeve për ngritjen e një përmendoreje Salih Çekut, njërit ndër themeluesit e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Siç dihet, në vjeshtën e vitit 1991, djem dhe burra të zgjedhur nga të gjitha komunat e Kosovës dhe Viseve tjera shqiptare nën okupimin e Jugosllavisë, në Shqipëri i kryen me sukses ushtrimet ushtarake. Në mesin e 104 kadetëve të parë të Republikës së Kosovës, ishin edhe Salih Çeku, Adem Jashari dhe Zahir Pajaziti, të cilët me formimin e njësive të para guerile, në dhjetorin e 1991, në Dukagjin, Drenicë dhe Llap ia vuan themelin  Ushtrisë së Republikës së Kosovës.

Njësitë e formuara nga këta atdhetarë trima kryenin aksione guerile të kohëpaskohshme, qëllimi i të cilëve ishte mbajtja gjallë e rezistencës sonë kombëtare, përgatitja psikike dhe morale e popullsisë, për të qenë e gatshme në momentin e duhur t’i rrokin armët për t’i prerë prangat e robërisë, dhe për  ta ndihmuar udhëheqjen e Republikës së Kosovës në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Fatkeqësisht rrjedhat e ngjarjeve në vitet ’95 – ‘99 morën kahje jo të dëshirueshme. Nuk u zhvilluan ngjarjet ashtu siç i kishin paramenduar themeluesit e njësive të para guerile.

Qeveria e Kosovës dhe kryeministri i saj nuk i kryen detyrat për të cilën ishte formuar kjo qeveri dhe kishte dalë jashtë Kosovës. Këto njësi edhe pse  luajtën rol me rëndësi në pengimin e Serbisë në kolonizimin e Kosovës dhe ndihmuan në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare në përgjithësi, dhe të Kosovës në veçanti, u lanë pa përkrahjen financiare nga Qeveria e Bukoshit. Nevojat e mëdha për mjete luftarake, në njërën anë, dhe mungesat e mëdha në mjete financiare, në anën tjetër, i detyruan komandantët e njësive guerile të Drenicës dhe të Llapit të bashkëpunojnë me pararojën staliniste të LPK-së.

Ai ,,bashkëpunim’’ në mes komandantëve të njësive ushtarake, që i njihnin institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës dhe subjektit politik që nuk i njihte ato  institucione, solli  përvetësimin e këtyre njësive nga LPK-ja, në saje të përdorimit të mjeteve të ,,marrjes së kalasë nga brenda’’ dhe të përkrahjes së Nanosit dhe të SHIK-ut të Shqipërisë. Përvetësimi i njësive guerile të Republikës së Kosovës u bë gjatë verës së vitit 1998, kur më këto njësi nuk i komandonin komandantët e tyre Adem Jashari dhe Zahir Pajaziti të cilët ranë në altarin e lirisë dhe me qëndresën e tyre heroike, ju treguan shqiptarëve  se si  fitohet liria, si çlirohet Kosova dhe viset tjera shqiptare, si mbrohet nderi i familjes dhe pragu i shtëpisë, si mbrohet Kosova dhe shqiptaria.

Po, Salih Çeku vazhdoi edhe për një kohë punën që iu mbeti në gjysmë Adem Jashari dhe Zahir Pajaziti, në krijimin e Ushtrisë së rregullt të Republikës së Kosovës, në formimin e formacioneve luftarake deri në nivel të brigadës. Ai nga dëshira e flaktë për bashkimin e faktorit politik dhe ushtarak të Kosovës, i pari e shkriu Grupin e tij ushtarak në Ministrinë e Mbrojtjes të Republikë së Kosovës dhe mori detyra konkrete nga Ministri i Mbrojtjes, Ahmet Krasniqi.

Salih Çeku dhe Zenun Idrizi i vënë themelet e Qendrave stërvitore të Ministrisë në Viçidoll dhe në Papaj, të cilat luajtën rol me rëndësi në përgatitjen dhe stërvitjen e ushtarëve për beteja luftarake kundër ushtrisë serbe, por edhe në shpërndarjen e armatimit falas për shumë luftëtarë të fshatrave të komunës së Deçanit. Me arritjen e Marrëveshjes për bashkimin e UÇK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes në një subjekt të përbashkët ushtarak të quajtur FARK dhe  me një  Shtab komandues, Salih Çeku dhe shumica e anëtarëve të njësisë së tij guerile, si: Saim Tahiri, Zenun Idrizi, Osman Ferizi, Ismet Çeku, Zymber Luli etj., kryenin punë konkrete në forcimin e subjektit të përbashkët ushtarak. Salih Çeku bënte pjesë në grupin e ushtarakëve të parë të Ministrisë së Mbrojtjes që hynë në Dukagjin me tri brigada, për ta ngritur UÇK-në në nivelin e Ushtrisë së rregulltë të Republikës së Kosovë. Sukseset e Brigadës 134, 131 dhe 133 në luftën çlirimtare, në institucionalizimin e UÇK-së në Dukagjin, dhe fitoret e arritura në frontin e luftës, të udhëhequr nga komandant Tahir Zemaj në Betejën e Logjes, dhe në shpëtimin e popullsisë nga masakrat serbe i treguan edhe injorantëve se sa të fuqishëm dhe të suksesshëm bëhen shqiptarët po që se janë të bashkuar.

Po Lufta e Koshares, thyerja e kufirit shqiptaro-shqiptar, është beteja e dytë, pas Betejës së Logjës, që ia ngriti nderin dhe famën UÇK-së dhe ushtarakëve trima të Ministrisë: Salih Çekut, Agim Ramadanit, Anton Çunit, Xhafer Gashit, Rrustem Berishës, Zenun Idrizit, Gani Ahmetajt, Feriz Tërshnjevës, Skënder Rexhahmetajt, Musa Gjakovës, Isuf Haklajt, Musa Dragajt, Sadri Lokajt, Adem Deharit e të tjerë. 

Se Salih Çeku ishte komandanti i parë i njësisë së parë të Republikës së Kosovës, që u formua në Shqipëri, me qëllim të dërgimit  në Kosovë të armatimit të nevojshëm për njësitë e para, që u formuan gjatë dhjetorit të vitit 1991, na tregon Osman Ferizi, i cili ishte njëri ndër anëtarët e parë të njësive guerile të Salih Çekut, përmes ditarit të tij, që e kishte mbajtur në kohën sa zgjatën stërvitjet dhe ushtrimet ushtarake në Shqipëri.

 

 

Botuar në ,,Bota sot’’ më 20 prill 2001