PSE SHPIFET ABDI BALETA –IDEOLOGU I NACIONALIZMIT SHQIPTAR

Reagim në reagimin e Pal Shtufit: Abdi Baleta-Ai i vërteti! Të botuar në ,,Bota sot’’ më 21.01. 1998

 

 

Të pa diturit janë vetëm ata që kanë vendosur të mbeten të tillë (Platoni)

 

Gjuha e memecit është më e mirë se e gënjeshtarit. (S.Frashëri)

 

Me daljen e gazetës ,,Bota sot” në diasporën shqiptare, u thye monopoli i informimit. Ky ndryshim cilësorë bëri që lexuesi ynë të njihet objektivisht dhe me kohë për ngjarjet dhe ndodhitë në gjithë hapësirën kombëtare dhe ndërkombëtare. Veçmas vitin që shkoi ,,Bota sot” u forcua dhe u fuqizua me orientimin e saj kombëtar-nacionalist. Ajo u bë e dashur për lexuesin shqiptar për shumë arsye. Përpos, që u pasurua me rubrika të llojllojshme dhe interesante, ajo si gazetë e pavarur e me orientimin e saj kombëtar, i përfitoi dy penat tona më të talentuara, dy nacionalistët dhe veprimtarët tanë të shquar: Abdi Baletën nga Tirana dhe Teki Dervishin nga Prishtina.

            Me reagimin tim nuk  kam ndërmend që zotëri Pal Shtufit t`ia mbushi mendjen se antiislamizmi në fakt është edhe antishqiptarizëm, sepse këtë çështje ua ka shpjeguar zotëri Baleta me fakte të shumta, aq bukur dhe shumë qartë, lexuesve të ,,Bota sot”. Unë do t`i vë në dukje vetëm ca kundërthënie, që zotëri Shtufi bie me reagimin e tij kundër Abdi Baletës. Ai me shkrimin e tij tregoi papjekuri politike dhe intelektuale, mosdije elementare dhe, çka është më e keqja, ai   tregoi se e ka në qef  shpifjen, intrigën, gënjeshtrën dhe përçarjen.

            Papjekuria e tij politike dhe intelektuale, për mendimin tim, shihet kur thotë: ’’Kaloi një kohë e gjatë që zotëri Baletën e kemi gati çdo ditë në faqet e gazetës ,,Bota sot” dhe pothuajse nuk u shfaq asnjë reagim kundër mendimeve dhe pikëpamjeve të tij të shprehura përmes kësaj gazete”. Zotëri Shtufi harron se ,,Bota sot” është gazetë nacionaliste, prandaj mendimet, pikëpamjet dhe vlerësimet e zotëri Baletës sa i përket çështjeve që i trajtoi, pothuajse plotësisht përputhën me pikëpamjet e nacionalistëve shqiptarë kudo që gjenden ata, në atdhe apo jashtë atdheut. Dallimet që ekzistojnë në mes nacionalistëve janë aq të vogla sa që nuk vlen as të përmenden, se nuk kanë rëndësi dhe nuk qojnë fare peshë.  Zotëri Shtufi duhet ta dijë se atdhetarin Abdi Baleta e kanë halë në sy të gjithë tradhtarët dhe bashkëveprimtarët e tyre, partiakët e sertë, karrieristët e sëmurë për pushtet, social-komunistët shqiptarë kudo që gjenden ata, si dhe armiqtë tanë shekullorë sllavo-grekët dhe aleatët e tyre.

Shkrimet e ZP-it dhe ZIK-ut, tregojnë se çfarë urrejtje të madhe kanë stalinistët shqiptarë për z. Baletën, andaj nuk është e vërtetë se të gjithë kosovarët e përkrahin dhe nuk e kundërshtojnë z. Baletën. Po që se e ka përcjellë veprimtarinë e z. Baleta  P. Shtufi, kishte për tu bindur se mendimet, pikëpamjet dhe vlerësimet e tij për ngjarjet në Shqipëri u treguan plotësisht të sakta, jo vetëm ato të vitit që shkoi, por edhe për të gjitha ngjarjet që pasuan pas shembjes së diktaturës së  kuqe. Po, sikur Sali Berisha t`ia kishte dëgjuar këshillat e z. Baletës, sot Shqipëria nuk do të ishte në duar të spiunëve serbo-grekë, dhe as që do të mund të  vinte te rebelimi bolsheviko-komunist. Baleta sot e gjithë ditën po i demaskon spiunët dhe tradhtarët që po e qojnë Shqipërinë në humnerën që ia kanë përgatitur serbët  dhe grekët me aleatët e tyre. Baleta po i lufton dhe po i demaskon teoritë antikombëtare dhe bartësit e tyre, që po kërkojnë ta njollosin dhe shëmtojnë edhe më tepër shqiptarin dhe Shqipërinë para syve të botës. Pse atëherë vallë, ta kundërshtojnë lexuesit e ,,Bota sot” atdhetarin trim, luftëtarin e pakompromis kundër tradhtarëve të vendit dhe rrymave antikombëtare, që po qarkullojnë në gjithë hapësirën tonë kombëtare. Pse ta kundërshtojnë lexuesit politikanin më të shquar që ka sot kombi ynë, ideologun e nacionalizmit shqiptar z. Abdi Baletën?! A nuk është papjekuri politike dhe intelektuale të kërkosh nga atdhetarë-nacionalistë ta kundërshtojnë Abdi Baletën për qëndrimet e tij kombëtare?!

            P. Shtufi, me shkrimin e tij, lexuesit e shumtë të ,,Bota sot” i habiti për mosdije elementare, duke treguar se asgjë nuk ka mësuar për veprimtarinë e figurave tona të historisë dhe të kulturës kombëtare, kur thotë për Baletën: ’’Le të përcaktohet edhe më qartë se është prijës fetarë predikues i islamizmit, apo ,,nacionalist i madh shqiptar”, siç pretendon ai. Po ama të përcaktohet”. Sa për personalitetin e Abdi Baletës dhe përcaktimin e tij, shqiptarët, por edhe armiqtë tanë shekullorë, e njohin dhe e dinë mirë përcaktimin e tij, por se nuk dinë apo nuk do ta dijë njëfarë Pal Shtufi, që nuk e njeh as mëhalla e tij, nuk ka fare rëndësi. Me rëndësi është të dinë lexuesit e ,,Bota sot” se sa të padijshëm janë sot përkrahësit e armiqve tanë. A nuk është qesharake të kërkosh prej një veprimtari të dalluar të çështjes sonë kombëtare, të përcaktohet për ,,prijës fetar” apo për ,,nacionalist” shqiptar?! A thua nuk ka mësuar P. Shtufi asgjë, së paku për jetën dhe veprën e Atë Gjergj Fishtës, Fan Nolit, Mulla Idrizit e atdhetarëve e prijësve të Rilindjes sonë kombëtare, veprimtaria e të cilëve nuk mund të ndahet thjeshtë në veprimtari fetare dhe veprimtari kombëtare. I lumtë P. Shtufit! I lumtë për këta ,,xhevahire” që ia polli koka e tij! A thua, do të turpërohet sado pak ky farë lloj  zotërie, që na jep ‘‘mësime’’ se si duhet të jetë nacionalisti shqiptar, pa i ditur as gjërat elementare që duhet t`i dinë edhe nxënësit e shkollës fillore?!

A thua nacionalisti shqiptarë duhet të bëj sehire dhe vetëm të vështrojë, pa guxuar t`i kundërshtojë bartësit e teorive antikombëtare me idetë e tyre të marra, se për të na dashur Evropa po u dashka shqiptari të bëhet një krijesë që nuk ka të bëjë me qenie njerëzore, por me qenie shtazore?! A thua, nuk e ditkan zotërinjtë antiislamistë  se Kasapët e Evropës i copëtuan trojet tona jo për shkakun se ishte popullsia shqiptare shumicë myslimane, por se aleanca ruso-franceze-angleze ishte më e fortë se aleanca austro-hungareze dhe se fqinjët tanë i kishin krahët e fortë nga ,,majka Rusija” e tyre. Zotërinjtë e teorisë për t`i bërë shqiptarët majmunë dhe papagaj, paskan harruar se edhe Shqipërinë e Skënderbeut dhe popullsinë e saj krishtere, nuk e patën ndihmuar dhe dashur shtetet dhe krishterët evropianë! Athua, nuk e kuptojnë zotërinjtë që edhe sot konjukturat politike, fuqitë e mëdha, aleatët e armiqve tanë, morën pjesë në djegien e Shqipërisë dhe zhdukjen e shtetit shqiptar, jo për shkak se popullsia e saj është shumicë myslimane, por për qefin e armiqve tanë që t’u lihet mundësia t`i mbajnë ende trojet tona nën zgjedhën e tyre. A thua kanë harruar zotërinjtë e fushatës antiislame se fqinjët tanë ende janë aleatë të aleancës së moçme ruso-angleze-franceze. Po si nuk kanë mësuar zotërinjtë se edhe një popull i vjetër evropian i krishterë është ndarë në mes Francës dhe Spanjës, pra jo për çështje fetare,  por për shkak të synimeve grabitqare të dy fqinjëve të tyre.

            Nga përvoja njerëzore është vërtetuar, se edhe të padijshmit shpesh ndodhë që mund të bëhen shpifës, intrigantë dhe përçarës të shkathtë. Z. Shtufi me shkrimin e tij, tregon se edhe  shpifjen e ka në qejf, kur thotë: ’’E dimë që gjithë shqiptarët e Kosovës janë bashkuar dhe me një tolerancë të pashembullt fetare, i kanë vënë themelet e para të pavarësisë së Kosovës”, dhe pastaj vazhdon: ’’Të thuhet se në ato themele ka hile a nuk ndjehen kosovarët e fyer”. A nuk është kjo një gënjeshtër me bisht dhe një shpifje e paskrupullte?! Vallë, me çka e dokumenton këtë shpifje z. Shtufi?! Me çka ua ka dokumentuar lexuesve z. Shtufi se z. Baleta i paska ’’fyer” kosovarët, duke shprehur dyshim në vënien e themeleve të pavarësisë së Kosovës me ,,tolerancë të pashembullt fetare”?! A thua, pse nuk i paska cituar fjalët e Baletës, për t`i bindur lexuesit në atë që thotë Shtufi?! Po ku t`i gjejë ato, pasi që ato nuk ekzistojnë, apo ekzistojnë vetëm në kokën e tij që dinë të trillojë, të gënjejë dhe të shpifë!

            Po, çka kishte për të thënë urtia e popullit tonë në këtë pohim të z. Shtufit: ,,Si rrjedhojë, kosovarët filluan të dyshojnë edhe në shkrimet më të zakonshme të Baletës”. Populli ynë kishte për të thënë hiqu tij, se ,,po i lëshojke fjalët si lopa baglat ’’. Athua zotëria paska aftësi parapsikologjike, apo me anë të magjisë së zezë, po ua lexojka mendimet të gjithë kosovarëve se çka  mendojnë për Baletën?! A nuk janë edhe këto mendime që lexuesit e ’’Bota sot ’’ do t`i bëjë të dyshojnë jo në mendimet dhe pikëpamjet e Baletës, por në reagimin e P. Shtufit, duke u bindur se sulmi i tij ndaj Baletës ka qëllime të errëta, jo vetëm ndaj tij, por në radhë të parë  kundër ’’Bota sot” e pastaj kundër bashkëpunëtorëve të saj A. Baletës dhe T. Dervishit.

            Tentimi i P. Shtufit për ta goditur dhe dëmtuar gazetën e nacionalizmit shqiptarë ,,Bota Sot”, duke krijuar përçarje në mes Teki Dervishit dhe Abdi Baletës, që me shkrimet e tyre gjatë vitit që shkoi, i demaskuan deri në fund bartësit e ,,revolucionit të vonuar demokratik” të Shqipërisë, duke bërë një luftë të pakompromis me tradhtarët, spiunët dhe veglat e tyre qorre social-komunistët shqiptarë, që u vënë në shërbim të armiqve tanë shekullorë. Abdi Baleta dhe Teki Dervishi kanë merita të pamohushme, që opinioni ynë u njoftua me ngjarjet tragjike që e kapluan Shqipërinë, duke i zbuluar jo vetëm krimet e kriminelëve bolshevikë, por edhe të patronëve të tyre serbo-grekëve dhe aleatëve të tyre. Për punën e tyre të madhe, mund të paramendohet se çfarë mallkimi u kanë bërë atyre priftërinjtë grekë, në krye me kryespiunin Janutallos dhe spiunët jugosllavë, por mallkimet e stalinistëve shqiptarë në Zvicër, kam pasur rast t`i dëgjoj çdo ditë. Prandaj, këto forca të djallit të mallkuar, të bashkuara në një front të përbashkët, do të mundohen që të mos i lënë të bashkuara forcat e shëndosha kombëtare, por në mesin e tyre të krijojnë përçarje, mosmarrëveshje dhe ngatërresa, për t`i mbajtur më lehtë pozicionet që i kanë zënë në Shqipëri, duke shpresuar se të njëjtat pozicione do t`i zënë edhe në Kosovë me Vise dhe në diasporën shqiptare. Kush nuk e sheh qëllimin djallëzorë të P. Shtufit për të futur përçarje në mes Teki Dervishit dhe Abdi  Baletës? Ai e citon Baletën dhe mundohet të manipulojë me fjalët e tij: ’’Megjithëse grekofilët, serbofilët, katolikët latinistë, gjithë fundamentalistët e krishterë duan ta zhdukin myslimanizmin në Shqipëri dhe janë tejet të tërbuar në veprimet e tyre, ata nuk kanë mundur ta përmbysin këtë realitet....kjo nuk do të thotë se shqiptarët e besimit mysliman do të tolerojnë gjithnjë të fyhen në mënyrë kaq të rëndë dhe të poshtër nga grupe dallkaukësh ortodoksë, individ dhe grupe fanatikësh katolikë latinistë apo edhe myslimanësh të tjetërsuar për interesa të fëlliqura dhe meskine”. Pastaj vjen komenti i P. Shtufit: ’’Ta fusësh Kadarenë, Teki Dërvishin dhe shumë të tjerë në një kazan me Janullatosin, me grekofilët dhe serbofilët, ose të aludosh në Teki Dervishin dhe në Kadarenë si myslimanë të tjetërsuar për interesa të fëlliqura dhe meskine, ky nuk është vetëm gabim politik”. Çka kishte për të thënë lexuesi për këtë shpifjeje të  P. Shtufit? Si guxon P. Shtufi të manipulojë në këtë mënyrë kaq të shëmtuar?! Çfarë aftësie paska ky farë zotërie t`ua lexojë mendimet njerëzve?! A thua do t`i beso kush këtij mendimi të palogjikshëm, që z. Shtufin e paraqet shumë qesharak. Qëllimi i z. Shtufit duket i qartë: Të nxisë grindje në mes këtyre dy veprimtarëve të dalluar të jetës sonë politike dhe kulturore gjithëshqiptare, apo ta dëmtojë autoritetin që e ka  Teki Dervishi tek atdhetarët, duke u munduar t`i bind ata se edhe Teki Dervishi bënë pjesë në ,,myslimanë të tjetërsuar”, që me idetë e tyre të marra, duan t`i vejnë maje marrëzirave shqiptare, duke kërkuar nga shqiptarët myslimanë ta ndërrojnë fenë në mënyrë fushate komuniste, për hatër të armiqve tanë shekullorë, që mos të kenë arsye për të na urrejtur ata, dhe harrojnë të gjorët se për ta, të gjithë shqiptarët ,të tri besimeve, janë të njëjtë. Harrojnë të gjorët se ata i duan shqiptarët vetëm të asimiluar, apo të vdekur. Harrojnë të gjorët, se ata i duan vetëm trojet tona të pasura e të bukura për vete dhe pasardhësit e tyre. Harrojnë të gjorët, se teoritë e tyre vetëm mbjellin përçarje dhe i sjellin dëme të mëdha çështjes sonë kombëtare. P. Shtufi ka menduar se lexuesit e ,,Bota sot” do t`i mashtrojë me shpifjen e tij, se Baleta e ka futur T. Dervishin në grupin e ,,myslimanëve të tjetërsuar, nga fakti se Baleta dhe Dervishi nuk përputhen plotësisht në ca mendime të dorës së tretë. Po, a është e mundur vallë të gjenden edhe dy njerëz me pikëpamje dhe mendime plotësisht të njëjta?! Si nuk e ditka P. Shtufi se parësore është tek  atdhetarët të kenë qëndrim të njëjtë sa i përket fqinjëve tanë, që na kanë rënë në shpinë me bastardët, me atë farën e keqe që në trojet tona na e mbollën popoviqët dhe mugoshët. Sa i përket dallimeve tjera, që kanë atdhetarët për çështje tjera të dorës së dytë, apo të dorës së tretë, nuk është me rëndësi fare. Për to do të gjendet mirëkuptim, pa u ngatërruar ata në mes vete, se atë e dëshirojnë armiqtë tanë, se atë e dëshirojnë kukullat e tyre social-komunistët shqiptarë, që ne të jemi të ndarë dhe të përçarë, që ata t`i kryejnë planet e tyre sa më lehtë dhe pa pengesa.

            Po sikur z. Shtufi ta kishte dëgjuar këtë mendim të artë të gjeniut tonë popullor: ,,Mori mendje, moj virane, shih ku m’shtine, kqyr çka m’bane!”, me siguri nuk do të nxitonte që ’’me sy mshel të ecë nëpër vig!”, sepse do të kuptonte se do të rrëzohej dhe do ta merrte lumi.

                                           

                                                          

Botuar në ,,Bota sot’’ më 21. 01. 1998 dhe në ,,Rimëkëmbja”, më 24

shkurt 1998