PSE DHE KUSH E SHPIFI AHMET KRASNIQIN

,,Bota sot” me përkushtim i ka luftuar dhe po i lufton të gjitha të ligat dhe të këqijat që iu kanë katrrithur në shpinë kombit tonë. Në veçanti, luftë të pa kompromis po bën me plangëprishësit e Kosovës, të cilët për realizimin e interesave të tyre personale, grupore dhe ideologjike, u bënë rrogëtarë të Nanosit dhe dorë e zgjatur e Serbisë.

,,Bota sot”, nëpërmjet dokumenteve, fejtoneve dhe intervistave që u botuan në faqet e saj, i ndriçoi shumë ngjarje të rëndësishme të së kaluarës dhe të së sotmes sonë, që një ditë sigurisht se do t’iu hyjnë  në punë historianëve tanë për të shkruar historinë e popullit tonë. 

Fatkeqësisht, ,,Bota sot” ka bërë një lëshim serioz, kur me mbarimin e fejtonit: ,,Dëshmi të reja për krimet me motive politike në Kosovë”, botuara më 28 - 31 mars 2003, paralajmëroi  fejtonin tjetër që do të ndriçonte vrasjen e Ahmet Krasniqit. Por, paralajmërimi i përmbajtjes së fejtonit nuk kishte asgjë të përbashkët me të vërtetën, pra ishte një shpifje e kulluar. Në paralajmërim e gazetës thuhet: ’’Së shpejti në ’’Bota sot’’ do të lexoni: Si u përgatit vrasja e kolonel Ahmet Krasniqit ? Pse Ahmet Krasniqi,  pa pëlqimin e kryeministrit Bukoshi, i dha Fatmir Limës 8 milionë DM në restorantin ’’Rogner’’ në Tiranë (viti 1998), të cilat iu dhanë UÇK - së – Azem Sylës ? Kush ishte ’’zonja sekrete’’ M. K. ? Kush e arrestoi për pak kohë Ahmet Krasniqin në Kukës dhe çka e porositën  pjesëtarët e SHIK-ut para lirimit të tij? ’’. 

Kaloi prilli dhe së shpejti po kalon edhe maji, por paralajmërimi i fejton -  shpifjes nuk u botua në faqet e ’’Bota sot’’. Shtrohet pyetja : Mbi çfarë baze u paralajmërua ai fejton, kush ishte autori i atij fejtoni dhe pse u shty kaq gjatë botimi i tij? Po që se ,,Bota sot” është bindur se është manipuluar me të dhëna të rrejshme dhe për atë shkak nuk e ka bërë botimin e fejtonit të paralajmëruar, është dashur të njoftohet opinioni, si ndodhi dhe pse ndodhi që në faqet e saj, në formë të paralajmërimit, të shpifet Ahmet Krasniqi, kur siç dihet,  ishte ,,Bota sot” ajo që me fakte të plota, i hodhi poshtë të gjitha shpifjet e kryekuqaloshëve shqiptarë që u thurën kundër Ahmet Krasniqit. Në bazë të shkrimeve që janë botuar në ,,Bota sot”, është dëshmuar se në bazë të Marrëveshjes së Oslos, Ahmet Krasniqi e ka formuar në Tiranë pjesën e Shtabit të Përgjithshëm të FARK - ut, (Pjesa tjetër e  Shtabit të  FARK-ut,  që duhej të  formohej në Kosovë, nuk u realizua,  për shkak se  e penguan spiunët serbo – grekë që i zunë vendet udhëheqëse në Shqipëri dhe në UÇK).

Dihet se Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i FARK-ut, i kanë pasur të gjitha organet udhëheqëse dhe komanduese që ka mundur t’i ketë në kushtet në të cilat ka vepruar. Pra, Ahmet Krasniqi vendimet nuk i ka marrë krye në veti,  por i ka marrë së bashku me stafin udhëheqës dhe komandues të Ministrisë së Mbrojtjes dhe  Shtabit të FARK-ut, por edhe të kryeministrit Bukoshi. Ndërsa, sa i përket mjeteve financiare, them me përgjegjësi se asnjë DM nuk ka mundur Sektori financiar  i Ministrisë së Mbrojtjes të nxjerrë nga banka (,,Dardania-Banka’’ në Tiranë) pa pëlqimin e Bukoshit dhe përfaqësuesve të Republikës së Kosovës (që ishin në Përfaqësinë e Republikës së Kosovës në Tiranë.) 

Pra, është rrenë me bisht konstatimi se ,,Ahmet Krasniqi, pa pëlqimin e kryeministrit Bukoshi, i dha 8 milion DM Fatmir Limës në restorantin ,,Rogner” në Tiranë, (viti 1998), të cilat iu dhanë UÇK–së - Azem Sylës’’! Shtrohet pyetja: Si ka mundur t’i japë 8 milion DM Ahmet Krasniqi Fatmir Limës, kur, siç dihet, ata as që janë takuar ndonjëherë? Është e ditur se në bazë të Marrëveshjes së Oslos, dy fondet (Fondi i Qeverisë së Kosovës dhe Fondi Vendlindja Thërret, do ta financojnë FARK-un, dhe njësitë operative të saj që quheshin UÇK. Prandaj, të hollat që i janë dhënë Xh. Halitit, janë dhënë në bazë të asaj Marrëveshjeje.  Të thuhet se Ahmet Krasniqi i ka dhënë dikujt të holla në dorë,  është sa qesharake, aq edhe e pa logjikshme, kur dihet se Ministria e Mbrojtjes, si çdo institucion tjetër shtetëror,  i ka pasur  shërbimet përkatëse. Pra, shërbimi financiar i Ministrisë së Mbrojtjes, që ishte i përbërë prej tre vetëve, ka qeverisur me mjetet që i kishte në dispozicion Ministria, e jo Ahmet Krasniqi. Ahmet Krasniqi ka dhënë urdhër të nxirret shuma e caktuar e mjeteve, jo sipas dëshirës së tij, por në bazë të marrëveshjes paraprake që janë bërë me Bukoshin dhe  përfaqësuesit e tij të besueshëm (Kadri Balaj) . Po ashtu, është e ditur se të gjitha të hollat që Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës,  e jo Ahmet Krasniqi, ia ka dhënë ish-padronit të UÇK-së, dhe tash padronit të PDK-së, Xhavit Halitit, i janë dhënë jo vetëm me pëlqimin, por edhe me urdhrin e prerë të kryeministrit Bukoshi.

Sa i përket shpifjes tjetër se Ahmet Krasniqi është burgosur në Kukës, nuk është e  nevojshme të flitet, kur veç një herë më parë kam folur për rrethanat dhe rastin kur Ahmet Krasniqi për pak i ka  shpëtuar burgosjes nga ana e policisë rrugore. 

 ,,Bota sot” e ka për detyrë, në radhë të parë, për hir të së vërtetës, por edhe për hir të të ndjerit Ahmet Krasniqi dhe të lexuesve të saj besnikë, që sa më parë të dalë me një njoftim për këtë dështim të saj, që besoj se u  është përvjedhur pa qëllim. Është e ditur se ku punohet edhe gabohet, prandaj ,,Bota sot” nuk ka pse të mos e pranoj haptas gabimin e saj, që sipas mendimit tim, është mashtruar (është pre në besë). Pra, autori i fejton - shpifjes së paralajmëruar duhet të ketë qenë një person që ka qenë i çmuar dhe i nderuar nga stafi udhëheqës i redaksisë së ,,Bota sot” në Prishtinë, se, përndryshe, nuk kishte për të ndodhur ajo që ndodhi, të  shpifet Ahmet Krasniqi tërthorazi nga ,,Bota sot”, e cila me fakte i hodhi poshtë të gjitha shpifjet e ulëta të spiunëve serbo–ruso-grek dhe këlyshëve të tyre.

 

 

Shkruar dhe dërguar redaksisë së ,,Bota sot” në Prishtinë, më
17. 05. 2003

 

P.S. E nderuara redaksi, po që se ,,Bota sot” sa më parë nuk del me një njoftim përkitazi me paralajmërimin e fejton - shpifjes, me shpjegime të qarta pse nuk u botua fejtoni i paralajmëruar, apo ta botojë fejtonin e paralajmëruar, dhe nëse nuk e bën as njërën, as tjetrën dhe nuk e boton këtë reagim timin, atëherë është e qartë se në redaksinë e ,,Bota sot” në Prishtinë ka zënë rrënjë të thella kryedështaku dhe kryekomplotisti i Kosovës, Bujar Bukoshi …

 

                                                             

 

 

 

 

 

 

 

LETËR E HAPUR NAZIM BLLACËS

 

 

TË PËRGËZOJ  PËR  GUXIMIN  QYTETAR  PËR  TË  THËNË  TË VËRTETËN  EDHE  KUR  AJO  TË DËMTON  E  RREZIKON

 

 

 ,,... atyre që pendohen, që përmirësohen dhe që u shpjegojnë njerëzve (të vërtetën), të tillëve ua pranoj pendimin..’’ Kur’an, Surja El Bakare, ajeti 160

 

 

I nderuar zotëri Bllaca,

Jemi kolegë nga  profesioni. Edhe unë kam punuar një kohë, për shtatë vite, mësues i gjuhës shqipe në vendlindjen time. Rrethanat historike më detyruan  që edhe unë të largohem nga Kosova, si shumë të tjerë, në fillim të vitit 1990.

Siç dihet, i nderuar koleg, jeta njeriun e shoshitë në sprova të ndryshme. Sukseset dhe mossukseset janë vëllezër të një nëne. Nuk ka njeri që nuk e shijon ëmbëlsinë e suksesit dhe pelimin e mossuksesit. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se nuk ka njeri në botë pa gabime dhe të meta. Vetëm i Madhi Zot, Krijuesi i Vetëm, Sunduesi, Furnizuesi  dhe i Adhuruari i të gjitha krijesave, është i pa të meta dhe pa gabime.

  Duhet ta falënderosh All-llahun e Lartësuar që ta kthjellojë mendjen, duke të udhëzuar që të meditosh dhe të reflektosh për punën tënde dhe të kolegëve tu, kur ishit nën komandën e ,,kryepehlivanëve’’ të Nanosit.  Vetëm mëshira e Zotit të Plotfuqishëm ta mundësoi që të  kuptosh se me ty dhe kolegët tuaj të luftës, kanë manipuluar ,,pehlivanat’’ e Nanosit dhe ,,fatosat’’ e Enverit, të cilët nuk kishin qëllim çlirimin e Kosovës, as dënimin e bashkëpunëtorëve të okupatorit, siç ju manipulonin, sepse me ta është dashur të merren organet e drejtësisë pas çlirimit të Kosovës, por  kishin qëllim parësor likuidimin e kundërshtarëve të tyre politikë, në mënyrë që t’i eliminonin të gjitha pengesat për t’u bërë  pronarë të Kosovës dhe të qytetarëve të saj, siç edhe u bënë.   

Se nuk e kishin qëllim dënimin e ,,bashkëpunëtorëve’’ të Serbisë, dëshmojnë faktet. Dihet se në Sekretariatin e Punëve të Brendshme të Kosovës kanë punuar me qindra shqiptarë. Me siguri, të gjithë nuk duhet e as nuk mund të futen në ,,një thes’’. Prej tyre, pa gjykim janë vrarë Selim Brosha dhe Ibush Kllokoqi. Gabim dhe krim i rëndë dhe humbje e madhe për Sigurinë e Kosovës. Shtrohet pyetja: Pse kryepehlivanët e Nanosit dhanë urdhër të vriten këta ish-punëtorë të Sigurimit
serbo-jugosllav. Me siguri, po të ishin marrë parasysh interesat e Kosovës, këta ekspertë të Sigurimit serbo-jugosllav do të ruheshin  prej çdo rreziku dhe do t’u sigurohej jeta.  Kështu, ata jo vetëm që do të ndihmonin shumë për ndërtimin e Sigurimit të Kosovës, por do të zbulonin pothuajse të gjitha çerdhet e Sigurimit serbo-jugosllav në Kosovë, me çka do ta ndihmonin shumë sigurinë e Kosovës prej spiunëve serbo-jugosllav, dhe kështu do të shlyenin shumë gjynahe të punës së mëhershme të bërë në dobi të okupatorit.  

Është më se e sigurt se urdhëruesit e krimit, ata që dhanë urdhrin për vrasjen e tyre, kanë qenë spiunë të Serbisë, me grada edhe më të larta se të Ibush Kllokoqit dhe të Selim Broshës. Pra, vrasja e tyre është bërë që spiunët serbo-jugosllav që kanë luajtur rol të rëndësishëm në Shtabin e Xhavit Halitit, të ashtuquajturin SHP i UÇK-së, dhe në Drejtorinë Politike të Hashim Thaçit, në mënyrë që edhe më tutje të mbeteshin  të pa zbuluar dhe të vazhdonin  edhe më tutje të punonin për interesat serbe në Kosovën e çliruar.

A nuk ishin ata,  të cilët i njeh ti dhe tashmë i njeh e gjithë Kosova, që penguan krijimin e një Fronti të përbashkët, për ta luftuar okupatorin me të gjitha forcat që i kishte populli ynë?!

Siç dihet, populli ynë i fali gjaqet, duke ditur se beteja vendimtare me okupatorin po afrohet. Ndërsa kjo dorë e zgjatur e shkaut bënte përçarje ndërshqiptare dhe ndërvëllazërore, duke i luftuar  institucionet shtetërore (dhe bartësit e tyre)  që i formoi populli ynë me sakrifica të mëdha.   

A nuk ishin ,,kryepehlivanët’’ e Nanaosit dhe ,,fatosat’ e Enverit  ata  që nuk pranuan të krijohej  një qeveri e Kosovës, që do të përfaqësonte të gjitha subjektet politike dhe ushtarake, ashtu siç edhe kërkonin miqtë e popullit tanë, në krye me diplomatët e shquar të  SHBA-së ?!

 A nuk ishin  plangprishësit  e Kosovës, ata që e prishën Marrëveshjen e Oslos, të arritur mes Adem Demaçit dhe Ahmet Krasniqit, për bashkimin e faktorit ushtarak të Republikës së Kosovës në një qendër komanduese, duke i formuar Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK-un) ?!

A nuk ishin  kryekriminelët e Kosovës, ata të cilët dhanë urdhër për ta pushkatuar në qendër të Tiranës bashkëveprimtarin e Metush Kraniqit, nipin e atdhetarit të shquar Aziz Zhilivodës, ushtarakun dhe strategun më të aftë që e kishte kombi shqiptar, ministrin e Mbrojtjes në Qeverinë e Bukoshit - kolonel Ahmet Krasniqin ?!

Po, ata ishin dora e zgjatur e ,,Cërna rukës’’ serbe, të cilët, për ta marrë pushtetin mbi shqiptarët e Kosovës,  vranë veprimtarë të shquar të Kosovës dhe të LDK-së, siç ishin: gazetari dhe zëdhënësi i parë i UÇK-së Ali Uka, pastaj Haki Ymeri,  Enver Maloku, Xhemajl Mustafa, Ismet Rreci, Shaban Manaj, Xhevdet Makolli, Rexhep Luci, Ekrem Rexha-komandant ,,Drini’’, Tahir Zemaj me të birin e mitur dhe nipin Hasan Zemaj, Ukë Bytyqi, Smajl Hajdaraj, Besim Dajaku, Bekim Kastrati, Bardhyl Ajeti , Shefki Popova etj,   dhe në përpjekje për t’ua shuar jetën, i plagosën:  Gani Gecin, Fetah Rudin, Agim Veliun, Ejup Visokën, Shkëlzen Hysenin , Sejdi Kocin, etj. etj.

A nuk ishin  kokëkrisurit e Kosovës ata të cilët, edhe pse i luti (personaliteti numër dy i SHBA-ve)  zonja Olbrajt,  tri ditë rresht për ta nënshkruar Marrëveshtjen e Rambujesë (variantin e parë),  që parashihte mbajtjen e referendumit në Kosovë pas tri vitesh për përcaktimin e statusit politik të saj, nuk e nënshkruan, duke i dhënë kështu kohë Serbisë për ta mbushur Kosovën me ushtarë e paramilitarë dhe armatim të rëndë, ndërsa diplomacisë ndërkombëtare i dhanë shkas që të ndryshojë variantin e parë të Marrvëshjes së Rambujesë, sipas të cilës më nuk parashihej të mbahej kurrëfar referendumi në Kosovë ?!

A nuk ishin ,,pehlivanët’’ e Nanosit  dhe ,,fatosat’’ e Enverit ata që e thyen Marrëveshjen e Rambujesë, për krijimin e një Qeverie të përbashkët nga të gjitha subjektet politike të Kosovës, kur në Tiranë formuan qeverinë e LPK-së, pa u konsultuar me askënd nga subjektet e Kosovës, mu në momentet më kritike që i përjetonte populli ynë dhe në kohën e dramës së përgjakshme e poshtëruese, e cila bëhej edhe përmes pastrimit etnik të Kosovës ?!

A nuk ishte vet  dora e zgjatur e Serbisë, ajo kur, nëpërmjet ,,pehlivanëve’’ të Nanosit, e krijuan  SHIK-un e  LPK-së, me qëllim të likuidimit të kundërshtarëve të tyre politikë. Dhe a nuk e treguan fytyrën e tyre të vërtetë, se ishin pjellë shkau, kur e ringjallën sistemin e UDB-së jugosllave në Kosovë menjëherë, sapo që SHIK-u i tyre u instalua në Prishtinën e çliruar ?! 

A nuk ishin plangprishësit e Kosovës ata që ua lanë Mitrovicen përtej Ibri dhe Kosovën Veriore  kriminelëve serb për ta qeverisur vetëm për hatër të popave serbë, por edhe për hatër të grazhdit të tyre që, dy palët ’’në konflikt’’, të bëhen pasanikë të Kosovës dhe të Serbisë ?! 

 A nuk janë rrahagjoksat  e Kosovës ata që me veprimtarinë e tyre kriminele dhe mafioze që nga dita e kthimit nga plazhet e Durrësit në Kosovën e çliruar nga NATO-ja dhe ushtarët trima të UÇK-së, i dhanë kredibilitet  propagandës dhe gënjeshtrave serbe se ,,shqiptarët nuk janë popull shtetformues’’ dhe ,,nuk dinë të bëjnë shtet ligjor’’, duke i  vrarë  kundërshtarët e tyre politikë, e  duke përvetësuar pasuri të huaj dhe shoqërore, pra duke e rrjepur Kosovën martire në mënyrën më mizore ?!

A nuk ishin vasalët e rrahagjoksave të Kosovës ata, që nuk kishin kurrfarë pasurie para luftës, pra ishin proletarë të ,,pa gojë’’, të ,,pa sy’’ e të  ,,pa mend’’, të  cilët shumë shpejtë u bënë së bashku me ,,pehlivanët’’e Nanosit  dhe ,,fatosat’’ e  Enverit, pasanikë shumë të fuqishëm të Kosovës ?!  

A nuk janë rrahagjoksat e Kosovës ata  që me plot gurmazin lavdërohen se ata ishin ,,çlirimtarët’’ e Kosovës,  (edhe pse faktet e thonë të kundërtën  e asaj që ata flasin)  se vetëm ata janë të ,,merituarit’’ për ta qeverisur Kosovën. A nuk është qeverisja e tyre ajo që  shkretoi  Kosovën e gjorë, kur i mbyllën ndërmarrjet në të cilat më parë punonin me mijëra qytetarë, dhe edhe pse ishin të padëmtuara nga lufta pasi i shkatërruan,  i ,,blenë’’ me shuma qesharake ?! Madje, këto para ju patën ardhur me thasë nga diaspora, në emër të ndihmës së UÇK-së.

A nuk po pasurohen ata  dhe argatët e tyre edhe me tenderë, me ,,privatizimin’’ e pasurisë shoqërore dhe me forma të tjera mafioze përmes shtetit mafioz ?!

A nuk e rrjepën 100 fish më shumë Kosovën sesa kukullat e Beogradit, të cilët e sunduan Kosovën që nga epoka e Ali Shukriut e deri në epokën e Azem Vllasit ?!

A nuk janë xhambazët politikë dhe mafiozët e Kosovës ata që shumicën e ushtarëve të UÇK-së, fëmijët dhe familjet e dëshmorëve dhe të martirëve të Kosovës, i lanë pa përkrahje të mjaftueshme, madje pa asnjë përkrahje  institucionale ?!

Po pensionistët e gjorë a nuk i poshtëruan në mënyrën më të turpshme e të pamëshirshme ?!

 Për arsimin dhe shëndetësinë, të mos flasim. Edhe okupatori nuk kish ditur t’ia humbë vlerën më shumë se këta plangprishës të Kosovës.

A nuk janë ,,pehlivanët’’e Nanosit dhe’’fatosat’’ e Enverit ata  që ia vranë shqiptarëve të Kosovë atë më të shtrenjtën dhe më të dashurën që e kishin –LIRINË ?!

 Po, ua vranë  ATË - ,,Nusen me duvak të bardhë’’- LIRINË e shumëpritur.   Liria do të duhej t’u sillte të mirat e saj të gjithë qytetarëve, pa dallim,  në mënyrë që ata të gëzonin liri, drejtësi e më shumë të mira në sofër - duke ndarë të mirat shoqërore së bashku e me drejtësi - e jo  për të pasur në njërën anë të uritur, e në anën tjetër  mafiozë, hajna, përvetësues të pasurisë shoqërore, të cilët edhe pse  nuk ia dinë skajin  pasurisë, pa pikë mëshire ia marrin popullit bukën nga goja. 

I nderuar koleg Nazim,

Nuk ka dyshim se me vepra  treguat se keni guximin qytetar për ta thënë të vërtetën edhe atëherë kur ajo e vërtetë të dëmton e të rrezikon shumë, virtyt  ky që pak njerëz e kanë. U treguat po ashtu se jeni i sinqertë dhe  keni dinjitet njerëzor e  kombëtar, duke vendosur që botërisht ta zbuloni një periudhë të veprimtarisë sate destruktive, që hodhi baltë mbi UÇK-në dhe trashigiminë tonë kombëtare.

Po sa u binde, me ndihmën e Zotit  të Plotfuqishëm, se ishe i manipuluar nga dora e zgjatur  Serbe, botërisht e pranove fajin dhe u pendove, sepse i Madhi Zot ta kthjelloi  mendjen, për të kuptuar se nuk ishte zakon shqiptari, po ishte zakon i « Cërna ruka » serbe që të vrahet njeriu pa gjyq, të vrahet njeriu pas shpine e tradhtisht, apo në mënyra tjera mizore, duke mos i treguar familjes së tij se pse u vra dhe kush e vrau.

 Po, i nderuar koleg Nazim, u tregove se je edhe atdhetar,  kur u bëre me vetëdëshirë  ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke qenë plotësisht i bindur se edhe eprorët tuaj i kanë të njëjtat qëllime: çlirimin e Kosovës dhe Viseve tjera shqiptare. Me siguri që asnjëherë nuk ke menduar se pasi që të përfundonte lufta, do të  fitonit pozita udhëheqëse dhe as të bëheni pasanik i Kosovës së çliruar, duke e keqpërdorur uniformën e UÇK-së, sikurse që shumë ,,pehlivana’’të Nanosit dhe ,,fatosa’’ të Enverit  e keqpërdorën.

Sot, çdo kush që i ka dy kokrra mend, e ka të çartë se ata burra, djem e vasha që e kishin marrë armën për ta çliruar Kosovën dhe Viset tjera shqiptare dhe nuk patën qëllime tjera e as të përfitimit personal, u vranë, mbetën invalid lufte  apo të papunë,  me një përkrahje simbolike apo pa asnjë përkrahje institicionale.

Po ashtu,  është shumë e qartë se ata  që e veshën uniformen e UÇK-së për të zënë poste udhëheqëse dhe për t’u bërë pasanikë të Kosovës, nuk e urrenin kryekasapin e Ballkanit  më tepër se presidentin e Kosovës dr. Ibrahim Rugovën dhe veprimtarët e LDK-së dhe të Kosovës. Pra angazhimi i tyre ishte special. Ishin të shkathtë për t’i manipuluar, diferencuar dhe mashtruar njerëzit, veçanërisht ushtarët idealistë.  Kush nuk ishte me ta, ishte ,,tradhtar’’ e ,,bashkëpuntor’’ i okupatorit. Krijuan SHIK-un, Policinë Sekrete, ,,Beretat e Kuqe’’ ,,Këmishëzinjtë’’, jo për t’a luftuar okupatorin, por për t’a luftuar LDK-në dhe presidentin Rugova.

Pra, në këto rrethana, ushtari i UÇK-së, nuk ka pasur tjera informata, përpos atyre që ua jepnin eprorët e tyre. Dihet se në çdo ushtri eprori komandon dhe jep urdhra, e ushtari i kryen urdhrat. Siç dihet,  Nazimin e  caktuan ushtar të një njësiti special për shantazhime, kërrcnime, përgaditjen dhe kryerjen e ekzekutimeve e atentateve ndaj ,,armiqve’’ të tyre të cilët, në vend se t’i shihnin te okupatori,  ata po i shihnin dhe po i gjenin te veprimtarët e dalluar të Kosovës dhe të LDK-së. Por, atëherë, Nazimi nuk ishte i vetëdijshëm se po punonte në shërbim të Serbisë - e jo në shërbim të Kosovës dhe të UÇK-së.

Bëri Nazimi përgatitje për atentate dhe njërin prej tyre e realizoi.

U bë doras.

 Eprorët e tij e lavdëruan, e përgëzuan, duke qenë të bindur se tani e kanë bërë robot ,,pa gojë’’, ,,pa mend’’ dhe ,,pa sy’’, sepse  do ta shantazhonin në mënyra të ndryshme mafioze po qe se nuk bëhet i dëgjueshëm për atentate tjera. Deshi Zoti dhe u mashtruan. Nuk iu doli ashtu si mendonin. Zotëri Nazimi nuk ka frikë ta thotë të vërteten.

 Edhe ish-ushtarët e UÇK-së, zotërinjët  Miftari dhe Hoti e kanë kuptuar se ishin të manipuluar, të mashtruar dhe të tradhtuar nga’’kryepehlivanët’’ e Nanosit,  prandaj po e thonë të vërteten, edhe pse ajo është e hidhur. Kjo dëshmon se ushtarët  trima, më tepër e duan të vërtetën sesa vetveten. Duhet përgëzuar dhe përkrahur, sepse faji i pranuar sipas Kanunit dhe ligjit të shtetit ligjor, zvogëlohet dhe falet.

Me siguri,  po që se ia duan të mirën Kosovës, do të flasin edhe shumë ushtarë trima të UÇK-së, të cilët gjithashtu u manipuluan dhe u tradhtuan nga eprorët e tyre kriminelë, duke i urdhëruar të bëjnë krime. Po ata do të flasi,n sepse nuk duan që argati i bërë Kosovës dhe UÇK-së të ju shkojë huq, duke i fshehur urdhëruesit e krimit, ngaqë  ata janë përgjegjës e jo ushtarët që kanë qenë të detyruar t’i kryejnë urdhrat.

Dhe, sigurisht që ata do të flasin edhe për faktin se duhet t’ua duanë të mirën pasardhësve të tyre, në mënyrë që edhe ata të mos pësojnë nga kjo farë e keqe ’’ruse’’, tashmë të veshur me petk  pushtetarësh të padijshëm, injorantësh, hajnash dhe kriminelësh të pashoq. 

Po, u bë mirë që Nazim Bllaca e kuptoi,  edhe pse vonë,  se eprorët e tij  me veprimtarinë e tyre kriminele dhe mafioze, e dëmtuan dhe e keqpërdorën gjakun e dëshmorëve tanë, në mënyrën më të ligë dhe më të poshtër, duke i ndihmuar Serbisë  në propagandën e saj për ta bindur faktorin ndërkombëtarë me kopallat bajate serbe se ,,shqiptarët nuk janë popull shtetformues’’, se janë ,,hajna’ dhe ,,mafiozë’’, se janë ,,destabilizues’’ e jo ndërtues, duke e bërë kështu Kosovën martire pikën më të zezë në globin tokësor.

Ky soj i profiterëve dhe kriminelëve të llojllojshëm, e bënë të njohur Kosovën e martirizuar anekënd botës,  qendër  të  krimit të organizuar, korrupsionit, drogës dhe  të të gjitha trafiqeve të mundshme.

   Më në fund, i nderuar zotëri Bllaca, duke ju përshëndetur sinqerisht, ju përgëzoj për guximin qytetar që keni thënë dhe do ta thoni vetëm të vërtetën. I Madhi Zot të dhashtë forcë shpirtërore dhe fizike për t’i përballuar me sukses  të gjitha vështirësitë që të dalin si pengesa për ndriçimin dhe zbulimin me fakte të të gjitha atyre  rasteve  kur SHIK-u i LPK- PDK-së i manipuloi ushtarët trima të UÇK-së,  duke ju dhënë urdhra për t’i vrarë atdhetarët dhe kundërshtarët politikë të pehlivanëve të Nanosit, e të ,,fatosave’’ të Enverit dhe të bajraktarëve të ,,farës ruse”.

 

Kriminelët qe dhanë urdhra për ta shëmtuar Kosovën, janë të humbur përjetësisht!

 

Fund shumë i keq dhe shumë i afërt po i pret!

 

 

Botuar në ,,Bota sot’’ më 29-30 maj 2012