PËRGJIGJE NË ,,REAGIMIN” E LULZIM BERISHËS: ,,SHPIFJE DHE ÇMENDURI TË SHEFQET JASHARIT”

(Të publikuar në ,,Trepca. net’’ më 11 shtator 2003)

 

PËRGJIGJJA E PARË :

 

(Po që se ky Lulzimi është njëri nga tre Lulzimat që jetojnë në kantonin e Bernit)

 

DO TA NDIHMOJ  LULZIM BERISHËN PËR TA KUPTUAR TË VËRTETËN

 

 

Po sa e lexova ,,reagimin’’ e zotëri Lulzim Berishës, (për shkaqe objektive, me vonesë), kuptova se ky njeri është i manipuluar nga bajraktarët e ,,farës ruse’’, si shumë burra e djelmosha anë e kënd Shqipërisë etnike.

Vendosa të mbaj një qëndrim miqësor ndaj tij, edhe pse më kishte fyer, shpifur dhe sharë, duke shpresuar që  së paku do ta detyrojë të mendojë me kokën e tij për gjithë ato fjalë të rënda (pa pasur asnjë argument) që i ka thënë për mua dhe gazetën kombëtare ’’Bota sot’’ - me siguri i ndikuar prej gazetave pandël të Kosovës, apo kryepehlivanëve të Nanosit dhe rrogëtarëve të tyre. 

Zotëri Lulëzim,  në bazë të ,,reagimit’’ tënd, jam plotësisht i bindur se shkrimet e mia nuk i ke lexuar fare, por as ,,Botën sot” nuk e lexon. Vlerësimet tuaja janë kuturu, siç t’i kanë dhënë të tjerët, se, përndryshe, nuk do të ishe ky që je, por do të ishe një njeri krejt tjetër, me një horizont shumë më të gjerë të diturive, dhe nuk do të ndikoheshit aq shumë prej mendjeshkurtërve dhe plangprishësve të Kosovës.

Të këshilloj: Po që se doni ta gjeni të  vërtetën për çfarëdo çështje,  duhet t’i shqyrtosh argumentet e dy palëve në konflikt dhe, pastaj,  me anën e arsyes, logjikës së shëndosh dhe fakteve të vërteta, (duke mos i dhënë krah asnjërës palë), do ta gjesh të vërtetën. Para se të merresh me studimin e pasojave, duhet të merresh me shkaqet që i sollën pasojat. Dhe, për ta kuptuar të tanishmen, gjithsesi duhet ta kuptosh mirë të kaluarën tonë të hidhur. Po që se nuk e ke të qartë se pse u kall dhe kush e kalli Shqipërinë më 1997, po që se nuk e ke të qartë se pse në kalljen e Shqipërisë morën pjesë bandat greke, paraja serbe dhe ndihma materiale dhe fizike e LPK-së, atëherë nuk do të jesh në gjendje t’i kuptosh pasojat që i solli shkatërrimi i shtetit shqiptar çështjes madhore kombëtare.

Pra, pa i kuptuar shkaqet e vërteta të shkatërrimit të shtetit shqiptar, nuk do të kuptosh pse H. Hyseni & Compani bëri përpjekje për shkatërrimin e LDK-së.  Nuk do të kuptosh as pse Qosja dhe H. Hyseni krijuan LBD – në, në kohën kur Drenica kallej flakë. Nuk do të kuptosh pse enveristët dhe karrieristët e Kosovës nuk i njohën zgjedhjet e dyta Parlamentare të Republikës së  Kosovës dhe organet shtetërore që dolën nga ato zgjedhje, mu ashtu siç nuk i njohu Beogradi. Nuk do të kuptosh pse u shty nënshkrimi i marrëveshjes së Rambujesë, edhe pse zonja Olbrajt iu garantonte shqiptarëve se pas tri vjetësh do të organizohet referendum në Kosovë për caktimin e statusit politik të saj. Nuk do të kuptosh  pse u bë shkelja e Marrëveshjes së Oslos nga krerët e LBDK - së dhe krerët e SHP të UÇK -së.  Nuk do të kuptosh pse dhe kush i vrau : Ahmet Krasniqin, Tahir Zemajn, Ismajl Hajdarin , Ekrem Rexhen (Komandant Drinin), Ukë Bytyçin, Bekim Kastrati, Besim Dajakun e shumë burra të fortë të shqiptarisë. Me një fjalë, nuk do të kuptosh asgjë çka po ndodhë në hapësirën tonë kombëtare. Dhe, si pasojë e gjithë kësaj, do të jesh në mjegull dhe do të bëhesh rob i robërve të pehlivanëve të Nanosit. Do t’i përkrahësh verbërisht  kriminelët e Kosovës. Dhe, mos harro se kriminelë nuk janë vetëm dorasit. Edhe më të mëdhenj se ta janë urdhëruesit (qendra) e krimit. Kriminelë janë edhe përkrahësit e krimit (ata që e financojnë krimin dhe ata që e përkrahin me fjalë dhe me zemër krimin).

Mblidhi mendtë pra Lulzim Berisha dhe pendohu për përkrahjen që ua bëre plangprishësve të Kosovës!

Është njerëzore që njeriu të gabojë, por është edhe më njerëzore të kërkojë falje kur gabon.

I Madhi Zot të mëshiroftë, mendjen ta kthjelloftë, zemrën ta pastroftë dhe të udhëzoftë në rrugë të drejtë!

 PËRGJIGJJA E DYTË :

 

Po që se pas emrit Lulzim Berisha fshihet tjetërkush!

 

(....) Në bazë të fjalorit me plot urrejtje e shpifje të ,,reagimit’’ të ashtuquajturit Lulzim Berisha, pa pasur as një fakt kundër shkrimeve të mia të publikuara në ,,Bota sot’’ dëshmon se është  një rrogëtar profesional i bajraktarëve të ,,farës ruse’’, i cili,  siç duket  identitetin e tij e fsheh me një emër  anonim. Vet fakti se ky far ,,avokati’’, i sojit komunist që ka marrë për detyrë t’i mbrojë kriminelët e kuq të Kosovës,  ka frikë për ta zbuluar emrin e tij të vërtetë, tregon se edhe më parë, gjatë robërisë serbo-jugosllave, ka qenë argat i po të njëjtës farë, i ,,farës ruse’’ në Kosovë, (që ishte një variant pak më i butë se ai varianti i ,,farës ruse’’ që u rrit dhe u zhvillua në Shqipëri).

Unë nuk dua të merrem me krijesa të tilla, që sy kanë e sy nuk kanë, mend kanë e arsye dhe logjikë të shëndoshë nuk kanë, zemër kanë e zemër nuk kanë. Këta janë të humbur bashkë me patronët e tyre. Këta do të jenë të poshtëruar dhe të dënuar në këtë botë dhe në botën tjetër.

Mjerë këta të mjerët  se çka ka për t’i gjetur!

 

 

Publikuar më 8 tetor 2003 në  Trepca.net