NJË LUTJE PËR AJSHE GËRVALLËN, NËNËN E NËNAVE SHQIPTARE

,,Pasha kohën! Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm’’. Kur’an - Suretu el Asr.


           
Nënëlokja, Ajshe Gërvalla, ndërroi jetë, por ajo nuk vdiq! Nuk vdiq se puna dhe vepra e saj ishte madhore për kombin tonë! Ajo është e gjallë dhe e gjallë do të jetë në kujtesën e nënave, bijave dhe bijve shqiptarë që e luftuan dhe do ta luftojnë të keqen, të shëmtuarën dhe të ligën! E gjallë është Nëna jonë heroinë! Vetëm heroinat lindin heronj!

Ishte një nënë si shumë nëna shqiptare, punëtore, e thjeshtë, zemërgjerë, e përvuajtur dhe edukatore e mirë. Gajlet e mëdha që i ranë në kokë me vrasjen e dy bijve të saj, Jusufit dhe Bardhoshit, dhe burgosjen e Hysenit dhe Avdylit, me urdhrin e kreut të UDB-së jugosllave, Nënë Ajshja tregoi se nuk ishte një nënë e zakonshme. Me punë dhe vepra tregoi se ishte një nënë e dalluar nga i Madhi Zot, për të qenë shembull për shumë nëna shqiptare, për besim të paluhatshëm ndaj Krijuesit Fuqiplotë për devotshmëri dhe durim.

Ajo u bë nënë e shumë nënave shqiptare, që iu ra hise të bëhen nëna dëshmorësh. Nëna Ajshe iu dha zemër shumë nënave shqiptare që zemra iu kallej flakë për bijtë e tyre të vrarë, të masakruar apo të rrëmbyer!

 Nëna Ajshe u bë nënë e shumë djemve dhe vashave shqiptare, që ia bënë nga një argat çështjes kombëtare, duke iu dhënë zemër që të mos ligështohen nga torturat e udbashëve dhe dënimet e gjata që ua shqiptuan gjykatësit e gjorë.

Nëna Ajshe u bë nënë e shumë burrave të fortë të shqiptarisë, që morën forcë shpirtërore me qëndrimin e saj burrëror, që pati për të gjitha çështjet e rëndësishme kombëtare dhe jetësore.

Nëna Ajshe ua plasi zemrën spiunëve serbo - jugosllavë për forcën e saj shpirtërore dhe krenarinë që tregoi, si para gardianëve të burgut, si para hetuesve udbashë, si para gjykatësve të gjorë, si para spiunëve me damkë dhe spiunëve tinëzarë.

Nënën Ajshe nuk e pa kush me lot në sy. E dinte Nëna Ajshe se loti i saj do t’i gëzonte shumë spiunët serbo - jugosllavë, e do t’i ligështonte shumë nëna dhe burra shqiptarë.

Ajo ishte Nënë e fortë! Ajo ishte një Nënë krenare! Ajo ishte nënë zemërgjerë dhe zemërmadhe! Ajo kishte një forcë shpirtërore të jashtëzakonshme!

Nëna Ajshe u bë simbol i Nënës Shqiptare.
Nënën Ajshe i Madhi Zot e mëshiroftë, duke i dhënë një vend të bukur në xhenetin e Firdausit, aty ku e kanë vendin pejgamberët, dëshmorët dhe dijetarët e devotshëm që e ndjekin rrugën e Zotit!

Botuar në ,,Bota sot”, më 1 qershor 2004