MUSA HOTI BURRË I FORTË I SHQIPTARISË, DO TË JETË PËRHERË I PAHARRUESHËM NË KUJTESËN E SHQIPTARËVE PËR TRIMËRINË E TIJ TË PASHOQ

U bëra babagjysh i shumëfishtë, besa edhe stërgjysh u bëra para disa muajsh.  Vitet kaluan shpejt. Njëri pas tjetrit kaluan dhe pa e hetuar ma sollën pleqërinë. Çdo fazë e jetës ka bukuritë, kënaqësitë, gëzimet e hidhërime, sukseset e mossukseset  e saj.

Sot, nuk e di as vetë kah më erdhi një dëshirë për të medituar për të kaluarën time. Kujtimet vinin pa ndërprerë vetvetiu, sikur të ishin incizuar në shiritin e filmit të metrazhit të gjatë. Dita e parë e shkollës mu paraqit në imtësitë më të vogla,  me plotë gëzime dhe hare të pa përshkruara, pastaj u renditën kujtimet e hidhura. Po më duket se i kam para sysh një grup bashkëfshatarësh në oborrin e Stacionit të policisë në Prilluzhë. Ishin të kthyer me kokë nga veriu, pa opinga dhe çorape, të zbathur qëndronin në borën e atij dimri të vështirë dhe të deshur gati lakuriq. Rahmeti i shkaut, ua kishin lënë tlinat e gjata në trup. Ua kërkonin armët që si kishin, për t’ua bërë jetën e padurueshme për t’u shpërngulur në Turqi si turq. 

Pa dashjen time, edhe pse po mundohem ta këpus vargun e kujtimeve të hidhura, po më vijnë njëra pas tjetrës ashtu të freskëta e të gjalla edhe vështirësitë e mia që përjetova në faza të ndryshme të jetës. Nuk po i qes të gjitha në letër këtë radhë, se ato nuk është lehtë të shlyhen! Kur të kam kohë dhe dëshirë i qes në letër inshallah, jo për t’u lavdëruar apo për të vajtuar, por me qëllim që nipërit dhe stërnipat e mi të përfitojnë  dhe të mësojnë nga përvojat e mia të hidhura, që ata të bëhen më të dijshëm, më punëtorë, më të zgjuar dhe më të suksesshëm, për t’i ndihmuar familjeve dhe vendit të tyre më mirë dhe më shumë se unë.

            Në këtë natë të ftoftë dimri,  një kujtim e disa ngjarje  që lidhen për atë kujtim,  ma larguan gjumin fare. Po më rrinë para sysh nipi dhe shoku im i vjetër Musa Hoti, nip i Sahit Jasharit nga Strofci. Babai im Qerimi me Sahitin ishim kushëri të parë. Musa Hoti ishte nipi ynë më i miri dhe më i dashuri nga shumë nipër që i kishte lagjja jonë e Jasharëve. Vinte shpeshherë në Strofc. Ishte i dashur dhe shumë komunikues me pleqtë dhe rininë tonë. Veçmas  moshatarët e tij kishin gëzim kur vinte te dajët Musa Hoti nga Mitrovica. Oda ku ishte mysafir Musa Hoti, i tubonte pleqtë e të rinjtë e lagjes sonë. Musa Hoti ia dinte renin Odes së burrave, që e kishte trashëguar nga babai i tij Daut Hoti, një burë i urtë, trim dhe gjeni i pashkollë, që i Madhi Zot e kishte dalluar me këto virtyte, për t’u sjellë dobi njerëzve që i njihte dhe që nuk i njihte. Musa i  respektonte dajtë e vjetër, duke i nxitur të flasin për të kaluarën e tyre të hidhur, që të rinjtë të marrin mësime nga përvoja e tyre. Ndodhte ndonjëherë t’i qortonte tërthorazi të rinjtë me ,,mesele’’, që  nuk i dëgjonin me vëmendje dajtë e tij të moshuar, por kurrë nuk e prishte muhabetin.  

Atëherë për kohën që po flas, (vitet ’60 – ‘80-ta) shqiptarët kishin varfëri, por ajo nuk hetohej shumë, pasi ndërmjet tyre  kishte dashuri, besë, nder dhe respekt për njëri-tjetrin. 

Musa Hoti kur vinte te dajtë në Strofc, ishte e pamundur të mos kthente te daja Shefqet, sepse ishim edhe shokë. Hallet e gajlet personale nuk na merrnin kohë të gjatë  në bisedat që i bënim bashkë në odën time të vogël përballë shtëpisë së vjetër, që e kishte ndërtuar babagjyshi im i dashur Muharremi, një burrë trupgjatë,  me një mjekër të hijshme të bardhë. Ashtu është ngulitur në kujtesën time, që koha e gjatë  nuk ma ka shlyer asnjë detal të kujtesës fëmijërore.  Shkëmbenim librat që na i hapshin sytë dhe na e kthjellnin mendjen, që të punojmë për vendin tonë të bukur që na e dhuroi i Madhi Zot. Kemi pasur biseda të gjata, por kurrë nuk kemi pasur mospajtime në gjërat parësore për të cilat bisedonim. Shpresa në fitore kundër robërisë serbo-jugosllave, duke punuar pa hile dhe me përkushtim, i përmbyllte të gjitha bisedat tona.

Vlimet e mëdha kombëtare që përgatiteshin të ndodhnin në Kosovë në vitet e ‘70-ta, sollën largimin tonë (të Musës dhe timen)  për shumë vjet nga Kosova jonë e dashur; mua në burgjet serbo-jugosllave, ndërsa Musën, që pati fatin t’i shmangej burgosjes, zëri vend në Belgjikë. Demonstratat e fuqishme të ’81-shës e quan përpara luftën e popullit tonë drejt fitores. Por, burgosjet dhe maltretimet e shumta që i bëri okupatori ndaj rinisë sonë heroike, sollën pesimizëm te disa shtresa të popullsisë. Por, gjithmonë në ato situata kur armiku ynë shpresonte se ka arritur fitoren e frikësimit të masave të gjëra të popullsisë shqiptare  që jetonin në viset e tyre nën okupimin serbo-jugosllav, dilnin burra të fort të kombit, për t’i shkrepur plumba në ballë kryekriminelëve serbo-jugosllavë, për t’ua bërë me dije se shqiptari din ta përdorë armën edhe më mirë sesa serbi dhe jugosllavi.

Ishte Musa Hoti ai burrë trim i Kosovës martire,  që ua uli bishtin barbarëve ardhacakë të karpateve të Rusisë, më 4 gusht të vitit 1981, ndërsa ju dha forcë, shpresë për fitore dhe krenari shqiptarëve kudo që jetonin në botë. Musa Hoti u bë emër i njohur dhe i dashur në çdo shtëpi shqiptare, në katër anët e botës. Musa Hoti kreu një vepër heroike,  duke u shkrepur plumba në ballë tre kryekriminelëve jugosllavë në zemër të Evropës, që luanin rolin e diplomatëve të Beogradit në Belgjikë. Por, puna e tyre kryesore ishte që me shpifje të ulëta, t’i dëmtojnë interesat shqiptare në arenën ndërkombëtare.  Ishin dy ngjarje me rëndësi të madhe historike, trimëria e pashoq e Tahit Mehës në Drenicë dhe ajo e Musa Hotit në Belgjikë, që ju paraprinë ngjarjeve të mëvonshme, protestave të fuqishme studentore kundër robërisë serbo-jugosllave dhe aksioneve të  armatosura të prijësve dhe komandantëve të UÇK-së, Adem Jasharit, Zahir Pajazitit e Salih Çekajt me shokë.

Populli ynë trim dhe bujar na mëson se’’... hasmit nuk flejnë’’. Sigurimi i fshehtë serbo-jugosllav, ka punuar dhe po punon që shqiptarëve t’ua likuidojë me shpifje dhe me plumba burrat më të mirë të kombit, që ishin trima, bujarë dhe vizionarë, që dinin si ta luftojnë armikun dhe nuk kurseheshin duke punuar me të gjitha forcat dhe mjetet për t’i larguar nga trojet tona barbarët, e populli ynë ta fitojë lirinë e shumëpritur.

Në listën e gjatë të krimeve makabre, të ,,Cërna ruka”-s serbe, që me atentate na i vranë veprimtarët më të zottë të kombit, u shënua edhe Musa Hoti, ky burrë trim i Shqiptarisë. Shqiptarët kudo që jetojnë në globin tokësor, atentatin e Sigurimit serb ndaj Musa Hotit,  më 16 janar 2004, e përjetuan me dhimbje të rëndë. Familja e Musa Hotit u ngushëllua nga shqiptarë të moshave të ndryshme nga katër anët e botës, duke dëshmuar se Musa Hoti nuk i përkiste vetëm familjes së tij, i takonte të gjithë veprimtarëve që punuan për synime të larta kombëtare, i takonte mbar kombit dhe  kujtesës së popullit.

Kosova u bë shteti i dytë shqiptarë në Gadishullin Ilirik, në saje të gjakut të derdhur rrëke të bijve dhe bijave të zgjedhur të  popullit shqiptar dhe mundit dhe djersës së shumë gjeneratave që nuk kursyen asgjë për ta fituar lirinë.

I Madhi Zot nuk na e humbi mundin. Vetëm ndihma e Tij bujare, bëri që Fuqitë e mëdha të botes t’i japin urdhër NATO-s t’i dalin në krah UÇK-së dhe popullit të shumëvuajtur shqiptar të Kosovës,  për t’i larguar nga toka e tij e shenjtë okupatorët e Beogradit.

Kosova, populli dhe institucionet e saj shtetërore dhe jo shtetërore kanë shumë punë për të kryer, por, mbi të gjitha, duhet të përkujdesen shumë për heronjtë, dëshmorët dhe martirët e kombit dhe familjet e tyre.

Harresa në periudha të shkurtra,  për të mos vlerësuar punën dhe mundin e veprimtarëve që kontribuuan në shtyrjen e proceseve përpara për çlirimin e Kosovës është njerëzore, por nuk guxojnë organet kompetente të Kosovës t’i anashkalojnë familjet  që të dashurit e tyre u vranë në frontin e luftës, apo u pushkatuan nga Sigurimi i fshihet i Beogradit,  dhe ende të mos u njihet statusi i Dëshmorit apo i Heroit të popullit të dashurve të tyre, siç u veprua me Musa Hotin dhe familjen e tij. Musa Hoti ka merita të posaçme që krismat e plumbave të tij ua futën frikën në palcë kriminelëve të Beogradit, por, në anën tjetër, u dhanë zemër, trimëri dhe shpresë popullit të shumëvuajtur e të maltretuar të Kosovës,  se Liria po ecën përpara me hapa të shpejtuar drejt dyerve të çdo shqiptari të robëruar nga serbo-jugosllavët. Musa Hoti ishte veprimtarë i orëve të para, ngase punën kurrë nuk e ndali për të realizuar synimet madhore kombëtare. Ai posa zuri vend në Belgjikë, u inkuadrua në Lëvizjen ilegale të shqiptarëve. Kontributi i tij në LNÇKVSHJ është botërisht i njohur. Me një fjalë, ai i përdori të gjitha mjetet e luftës (legale dhe ilegale), kundër armikut të popullit dhe vendit të tij të dashur.

 Zoti i Plotfuqishëm e shpërbleftë me Xhenetin e Firdausit Musa Hotin dhe të  gjithë ata burra dhe vasha që punuan  dhe u sakrifikuan për çlirimin e Kosovës. 

 

 

Zvicër, Le Locle, më 18.12. 2011