LETËR E HAPUR 2

  • KRYETARIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, DR.IBRAHIM RUGOVA
  • KRYEMINISTRIT TË QEVERISË SË KOSOVËS, Z. BUJAR BUKOSHI
  • KRYETARËVE TË PARTIVE POLITIKE SHQIPTARE TË KOSOVËS DHE VISEVE TJERA SHQIPTARE QË I KANË DEGËT E PARTIVE TË TYRE JASHTË ATDHEUT

 

            Ju njoftojmë zotërinj se ne mërgimtarët e Kosovës, Viseve tjera shqiptare dhe bashkëkombësit nga shteti amë, vendosëm ta formojmë Këshillim themelues për formimin e Bashkësisë Shqiptare në Zvicër. Përpjekjet tona do të drejtohen në të mirë të çështjes sonë kombëtare, duke mos i njohur ndasitë në baza partiake dhe regjionale. Nuk do ta njohim copëtimin e trojeve tona nga kasapët e Kongresit të Berlinit e të Konferencës së Londrës dhe as copëtimin e Viseve tona nga kasapët sllavë.

            Duam, që sa më parë partitë politike shqiptare të Republikës së Kosovës dhe Viseve tjera shqiptare, që i kanë degët e tyre në diasporë, ta shuajnë veprimtarinë e degëve të tyre, për të kaluar në një organizim të mirëfilltë gjithëkombëtar, duke e formuar Bashkësinë (Komunitetin) Shqiptar në çdo vend ku gjenden shqiptarët jashtë atdheut.

            Duam, që organizimi ynë të jetë më i mirë dhe diaspora shqiptare të luaj atë rol me rëndësi që i takon për të mirë të çështjes sonë kombëtare.

            Bashkësia Shqiptare do t`i bashkojë të gjithë shqiptarët jashtë atdheut, pa marrë parasysh se a i takojnë Gjysmës së Shqipërisë së lirë, apo asaj Gjysmës tjetër të robëruar. Pa marrë parasysh se çfarë bindje politike dhe besimi fetar kanë.

            Duam t’i bashkojmë të gjitha forcat intelektuale, njerëzore dhe financiare të diasporës, për tu bërë një krah i fortë i Kosovës, Viseve tjera shqiptare dhe Shqipërisë, për arritjen e aspiratave shekullore të popullit tonë për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtarë.

            Mos t’i përsërisim gabimet e së kaluarës, që punët t’i lëmë përgjysmë në kohën më vendimtare që vendoset për fatin e atdheut tonë.

            Mos të harxhojmë kohë dhe energji, duke u marrë me vetveten, por të harxhojmë atë për të mirën e atdheut tonë.

            Të mos mbesim ne edhe fëmijët tanë përgjithmonë nëpër rrugët e metropolet e  botës, pa atdhe, pa dinjitet dhe pa krenari kombëtare, kurse Viset tona të shkrumbohen e të dergjen nën robërinë serbo-sllave.

            Duam, që menjëherë të fillohet me riorganizimin e diasporës shqiptare, nga organizimi regjional e partiak, në atë thjeshtë kombëtar, për ta krijuar Lobin shqiptar, si të vetmin subjekt shqiptarë në diasporë.

            Duam, që menjëherë të bëhen përgatitjet e duhura për t’u dalë zot trojeve tona të shenjta, me të gjitha mënyrat dhe mjetet që disponon populli ynë.

            Me organizimin e mirëfilltë kombëtar të diasporës, me formimin e Qeverisë së Shpëtimit Kombëtarë të Kosovës, me institucionalizimin e UÇK-së, t’ua bëjmë me dije okupatorëve tanë dhe qendrave të vendosjes ndërkombëtare, se nuk duam lëmoshë por drejtësi, dhe po që se ato nuk janë në gjendje t’i shlyejnë krimet dhe padrejtësitë ndaj popullit tonë, ne do t’i përdorim të gjitha mjetet dhe mënyrat për realizimin e aspiratave dhe  përpjekjeve shekullore të popullit tonë për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar.

 

 

Më, 17.10.1998

 

Këshilli Themelues i Komunitetit  Shqiptar për Zvicër - Bern
Shefqet Jashari, kryetar