KUSHTET

Përveç kuqkaloshëve shqiptarë, në konkurs mund të marrin pjesë edhe vëllezërit proletarë të PKK-së së Kurdistanit; evrokuqaloshët dhe gjelbëroshët e Gjermanisë, Italisë, Francës dhe Greqisë dhe sorrosët e globit tokësorë, që me paratë e tyre Shoqata jonë po mbahet në këmbë.

            Të gjitha punimet që nuk pasqyrojnë jetën dhe veprën e bujshme të Kryekuqkaloshit kosovar, veçmas mundin e pa kursyer për të patur sukses të plotë,,revolucioni i vonuar demokratik’’ i vitit 2007, do të hedhen në shportë të bërllokut dhe në mënyrë solemne do t`i kallim për festen e Një Majit në Vlorë. Pra, është shumë me rëndësi të vihen në dukje në mënyrë artistike meritat e mëdha që i ka Kryekuqaloshi ynë kosovar, për ngadhënjimin e ,,revolucionit të vonuar bolshevik” të Shqipërisë dhe krijimin e kushteve për fillimin edhe të një revolucioni të ngjashëm në Kosovë. Të spikatet puna e tij e madhe që i ‘‘bombardoi’’ pa ,,rahmet’’ me gogësima dhe teshtima, me vrer-vjellje dhe pështymë të gjithë kundërshtarët e tij profesional. Veçmas u tregua i pa mëshirshëm me ndëskamca e kurrtha ndaj kolegëve të tij ,,donzhuanë’’që bënë çmos   atij shumëfish t`ia tejkalojnë. Sidomos, aktivizimi i tij politik ,,mu në kohën e duhur”, për ta formuar ,,Gjarprin me Shumë Kokë”, kur Kosova kallej flakë, kishte për qëllim mbrojtjen e UÇK-së të mos bie në ndikimin e kundërshtarëve të tij politikë. Të mos mbetet pa u  shënuar një fakt me shumë rëndësi, se Holbruku qe ,, urdhëruar’’ të shkonte në Junik për t`i takuar ata të UÇK-ës nga Kryekuqkaloshi i kuqkaloshëve kosovarë, dhe pastaj qe,, detyruar’’ për ta lexuar të gatshme atë çka ai ia kishte shkruar në  fletë për UÇK-në. Mos të harrohet sakrifica e tij që pranoi të dalë në fotografi me hasmin e tij politik për hir të  «qëllimeve të larta kombëtare». Për strategjinë dhe taktikën e përpunuar mirë nga ai dhe Kryekuqkaloshi i kuqaloshëve të Shqipërisë, për të mos e nënshkruar Marrëveshjen e Rambujesë me kohë, mund të shkruani apo edhe të mos shkruani fare në punimet e dërguara për Konkurs, sepse edhe ,,zogjtë e malit’’ e kanë të qartë ,,suksesin’’ e shtyrjes së nënshkrimit të saj për tri javë, kur dihet se sa shumë harxhime ka bërë Serbia gjatë asaj kohe për ta mbushur Kosovën me armatime të rënda, tanke dhe ushtarë. Dhe pastaj, pati humbje edhe më të mëdha kur nga NATO-ja ajo kapitulloi, pasi që u detyrua gjithë atë armatim dhe ato mjete të luftës t`i kthej mbrapa. Sa benzinë harxhuan?! Çfarë dëmesh të rënda rrugët e tyre pësuan?! Sa ditë pune i humbën ushtarakët dhe ushtarët e saj duke i kthyer tanket e rënda  në Serbi?!etj. Ja pra, këto merita dhe shumë merita të tjera të dy Kryekuqkaloshëve tanë, që janë të lidhur me Qendren Komanduese në Kretë me kokë dhe me këmbë, (edhe pse njëri jeton në Prishtinë e tjetri në Tiranë), a ka birë lokje që me fakte bindëse meritat, mundin dhe argatin që ia bën Qendrës t’ua mohojë?!

Të spikatet jeta dhe vepra e tij e duarduarshme dhe ,,madhështore’’, që për 40 vjet nuk bëri as më të voglin gabim, që do ta rrezikonte atë fizikisht apo ta dëmtonte materialisht, siç i pat qitur disa në ,,kokërr të shpinës’’ më ’58, ‘64, ‘68, ‘81 dhe ‘90, sepse është i zgjuar dhe ka mend shumë dhe se është kalkulues i mirë edhe pse matematikën fare nuk e din. Ka ditë të orientohet  me përpikëri, ashtu siç orientohet saktë peshku në det dhe uri nën dhe, duke bërë tunele zik-zake pa ndërpre.

Ata që kanë vendosur të shkruajnë drama, apo tragjedi-komedi, janë të obliguar që kryeprotogonisti i veprave të tyre të mishërojë jetën dhe veprën e Kryekuqkaloshit tonë në tërësi, pa lënë mangu asgjë nga jeta dhe vepra e tij. Të vihen në dukje,, aftësitë’’ e tij prej ,,artisti’’ me famë, që e tregoi talentin e tij në intervistën e fundit në TVK, ku  në mënyrë të natyrshme, pa u skuqur fare para teleshikuesve të shumtë, i demantoi të gjitha ato që i pati thënë para dy vitesh për vetveten:,, se nuk mundej të kyçet në jetën politike të Kosovës’’ për shkak se ai nuk është ,,njeri i karrierave partiake” se ai ,,nuk do pozita politike ’’, se ai do të jetë ’’roje e demokracisë” etj. Sa mirë u shpjegoi teleshikuesve me pak fjalë të thjeshta dhe të sinqerta, se nuk ishin ato shkaqet që i kishte numëruar para dy vjetësh, që nuk është  kyçur në jetën politike të Kosovës, por ishin arsyet dhe shkaqet tjera, se atëherë ende nuk dihej se kush do të humb e kush do të fitojë. A nuk ishte i rreptë dhe kategorik kur i hodhi poshtë ,,spekulimet” se Kryekuqkaloshi kosovar ,,shumë vonë është kyçur në jetën politike të Kosovës”? Ato ,,shpifje” i bëri të pavlerë  kur Kryekuqkaloshi tha se ishte ,,mu atëherë momenti i duhur” kur e formoi ,,Gjarprin me Shumë Kokë”, sepse atëherë veç dihej me siguri se kush do të humbë dhe kush do të fitojë, pasi që, kur një punë e merr Amerika në dorë, nuk e len pa e kryer siç ajo dëshiron.

Do t’i lusim dramaturgët tanë të mos i harrojnë vuajtjet dhe përjetimet e hidhura që i pati Kryekuqkaloshi ynë në Bllacë, që sillej e pështillej sikur të ishte i ngratë, qyqe i vetëm, kur pa pritur e pa kujtuar altoparlanti përmendi me të madhe emrin dhe mbiemrin e tij, duke e lutur t`i afrohet doganës se po e presin kuqkaloshët e Shkupit, shokët e tij të vjetër. Të gjithë sa ishin në Bllacë, burra e gra, u habitën pa masë kur e panë Kryekuqkaloshin në zë, pa mjekër, pa qallëm, pa pispillosje e tij të zakonshme dhe pa kravatë! Mos të mbesën pa  u cekur vuajtjet e tija sa ishte në Shqipëri, kur u detyrua të vetëburgosej e të mos ndihej gjëkundi gjallë, sepse duhej t`i rritej mjekra, t`i vijë hijeshia dhe ora e,, intelektualit të pavarur’’, por mos të thuhet me mjetet artistike se ai  ka ndenjur duarkryq, duke bërë pallën e sefasë nëpër vilat e Xhaxhait. Jo, jo, ai kreu punë të mëdha e me rëndësi, pasi që jepte urdhra, i këshillonte përfaqësuesit e Pararojës staliniste që ishin shtalb për të dredhë e për të zhdredhë dhe në dukje e sjellje shumë axhami. I mësoi se cilët poteza të lojës për pushtet duhet  t`i luajnë për fillim, cilët pak më vonë, kur është ujami më i mirë për ta shpallur të zgjedhur ,,qeverinë”, kur duhet për  t`i deshur dhëmbët e kur për t’u mërrolur, kur duhet të shpifin ,,tradhtinë”, kur duhej të bëjnë kërcënime, e  kur të bëjnë kafshime.

            Më në fund Kryesia e Shoqatës së Intelektualëve Kuqkaloshë të Llumperproletariatit Shqiptar i përshëndet me përshëndetjen proletare, me grushtin e ngritur lart, të gjithë kuqkaloshët shqiptarë dhe të gjithë llumperploretariatin ndërkombëtarë! Të tregojmë para botës se jemi të bashkuar si mishi me thoin, se jemi një fis dhe kemi një  farë, se kemi kryer të njëjtën shkollë, atë shkollën e bolshevizmit dhe të marksizëm-leninizmit, që na mëson ta shkatërrojmë botën e vjetër dhe në vend të saj një të re ta ndërtojmë. Nuk kemi nevojë për komb dhe as për  shtet  se  ju ka dalur boja e do t`i shkatërrojmë me njeriun e ri që do ta krijojmë me shumë mjeshtri, i cili do të udhëhiqet me parimin se ,,qëllimi e arsyeton mjetin”.  Do t’i lusnim nacionalistët të mos organizohen për të na i prishur planet tona, se nuk i durojmë, shpurthim e kërcejmë përpjetë si pula pa krye dhe nuk lamë pa ju,, çakatë’’ besa edhe të ,,kafshojmë’’.  Prandaj do t`i këshillonim të na kritikojnë sa të duan, besa edhe të na shajnë, se ne nuk hidhërohemi dhe as ua kemi mëni për fjalët që i merr era, se fytyra e jonë është sa një tepsi, kemi mjaft fytyrë ne, nuk jemi si baballarët  tanë,, naiv’’që  kishin vetëm dy gishta fytyrë. Neve na ka munguar pasuria, duam t`i zëmë kolltuqet e të komandojmë. E për të arritur ato që na duhen,  na duhet  terri, kaosi dhe mjegulla, se ashtu na mëson ,,dietari i dietarëve’’ Makjaveli, me parimin e tij të njohur se ,,qëllimi i arsyeton mjetet...’’.  ... Duhet pra  ta kuptoni mirë se nuk e lejojmë askënd të na i hedhë në ,,plehrat e historisë’’ idhujt tanë: Leninin, Stalinin, Enverin, Polpotin, Dimitrovin, Popoviqin e Mugoshën, Kryekuqkaloshin e Prishtinës dhe Kryekuqkaloshin e Tiranës, se jemi azgana e trima me fletë, pra mblidhni mend e mos e harroni sundimin tonë 50-vjeçarë dhe përvojen që e fituam për atë kohë. Ndërsa sundimi ynë i dytë që filloi në vitin 1997-2000 na bëri edhe më fortë e më të fuqishëm se më parë, se përpos miqve të vjetër që na i krijoi babëloku Enver, krijuam edhe shumë të tjerë duke ua shpërla trunin me duke u bërë ,,më katolik se Papa’’ në teritë e rendit shoqërorë të sistemir shumëpartiak-pushtetit demokratik.

 

 

Shkruar më, 10. 11. 1999 (I pa botuar)