PSE PO LIHEN TË LIRË KRIMINELËT QË E SHËMTUAN KOSOVËNE DHE I NJOLLOSËN SHQIPTARËT

PSE KRASNIQI DHE THAÇI NUK KËRKOJNË ZBARDHJEN E ATENTATEVE NDAJ PRESIDENTIT RUGOVA?

 

Edhe pse është e njohur veprimtaria kriminele e SHIK-ut të LPK-PDK-së nga faktori ndërkombëtar dhe ai i vendit, edhe pse njihet babai i kësaj krijese të shëmtuar, edhe pse njihen, me emra dhe mbiemra, kryekriminelët e kësaj qendre të krimit të organizuar që dhanë urdhra për të bërë krime të llojllojshme, drejtësia e Kosovës dhe ajo ndërkombëtare, nuk po bëjnë asgjë të rëndësishme për ta kryer detyrën që ua kanë besuar institucionet e vendit dhe ato ndërkombëtare për ta luftuar krimin e organizuar, që aq shumë e ka shëmtuar Kosovën, që aq shumë i kanë njollosur shqiptarët si popull dhe si komb.

 

Siç dihet, menjëherë pas luftës  SHIK-u i PDK-së vriste në pikë të ditës, me maska e pa maska, veprimtarë të shquar të Kosovës dhe të LDK-së,  ndërsa shqiptarët e gjorë që i kishin parë dorasit nuk guxonin  të jepnin informata dhe as të dëshmonin  për dorasit, pasi që argatët e babait të SHIK-ut, e ringjallën sistemin e UDB-së së Beogradit. Këto krime zgjatën derisa i likuiduan të gjithë kundërshtarët e tyre politik, për të mos u brengosur se  pushtetin e kanë në rrezik për ta humbur. 

Policia e UNMIK-ut burgoste persona të dyshuar që kishin bërë krime të luftës, por opinioni ynë nuk e përkrahte burgosjen e tyre për të bërë hetime, me faktin se ata gjatë luftës, apo pasi përfundoi lufta, ishin dukur në opinion të veshur me  uniformën e UÇK-së, apo ishin vetëgraduar me grada ushtarake, për t’u përgatitur për ta rrjepur Kosovën. Pra, uniforma ishte alibi për RTK-në,  gazetat e kontrolluara nga PDK-ja, gazetarë sahanlëpirës dhe analistët kakuda, që të gjithë së bashku (siç veprojnë bretkosat në moçale), kërkonin nga ,,përkrahësit’’ e UÇK-së t’i bllokonin rrugët e Prishtinës dhe të qyteteve tjera të Kosovës, për të  kërkuar lirimin e ,,çlirimtarëve’’. Nga kjo situatë e tendosur që krijohej nëpër rrugët dhe qendrat e qyteteve të Kosovës, veçmas në Prishtinë,  për t’i përkrahur ,,çlirimtarët’’ e dyshuar për krime të luftës, apo për krime tjera, UNMIK-u zgjodhi të keqen më të vogël për ta. Ua la shqiptarëve të lirë dorasët e vrasjeve politike, dhe as që i gjurmoi urdhëruesit e atyre vrasjeve, për të pasur siguri dhe qetësi  për jetën e tyre personale. Pra nuk e ,,futën therrën në këmbë’’  për një popull që nuk donte të sundonte ligji i shtetit ligjor, por e donte sundimin e xhunglës.

Fatkeqësisht, e njëjta gjë po përsëritet edhe sot, kur Policia e EULEX-it burgos persona  në bazë të fakteve të organeve përgjegjëse, për krime politike apo krime ekonomike, mjetet e opinionit publik të  kontrolluara dhe të korruptuara nga pushtetarë, së bashku me gazetarë sahanlëpirës dhe analistë kakuda, kundërshtojnë burgosjen e tyre, ndërsa qeveritarët nëpërmjet mekanizmave të ndryshëm shtetërorë bllokojnë dhe pengojnë zhvillimin e hetimeve.

Edhe avokatët shpirtshitur-kriminelë, në bashkëpunim me  gardianë-robotë të burgjeve, që nuk kanë as erë njerëzie, po e pengojnë zhvillimin e hetimeve, për t’i bërë të pa vlefshme faktet, duke ua mundësuar të dyshuarve që janë në hetime të komunikojnë në mes tyre për  t’i pëlqyer fjalët, me qëllim që t’i bëjnë të pavlefshme faktet që janë kundër tyre. E vetmja gjë që sot ndryshon nga epoka e UNMIK-ut, është se përkrahja e ,,përkrahësve’’ të UÇK-së mungon. Rrugët dhe qendrat e qyteteve janë të qeta, nga se tani manipulimeve iu ka kaluar koha, sepse  edhe ,,zogjtë e malit’’ e kanë kuptuar se kush punoi për Kosovën dhe kush punoi për grazhdin e tij. Sot është e qartë si drita e diellit, se Kosova e gjorë, menjëherë pas luftës me të madhe u rrjep dhe po rripet me mija herë më tepër nga bajraktarët e farës ruse, pehlivanët e Nanosit dhe ,,pionierët e Enverit’’ (plangprishësit e Kosovës), se në kohen kur atë e sundonin  kukullat e Beogradit, që nga epoka e Ali Shukriut e deri te epoka e Azem Vllasit.

            Se institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës dhe opinioni i gjerë (gazetat dhe kanalet TV të kontrolluara nga Qeveria e Xhavit Halitit), nuk po e përkrahin EULEX-in në detyrën që iu ka besuar, dëshmojnë këto fakte:

a. Rasti i ndërgjegjësimit të ushtarit të UÇK-së, Nazim Bllaca. Ky rast në vend se të trajtohej drejt e mirë nga mjetet e opinionit publik, duke e përgëzuar Nazim Bllacën për guximin qytetar, që po e thotë të vërteten e hidhur për veti, kolegët dhe eprorët e tij, të cilët gjatë luftës dhe pas luftës ishin manipuluar nga themeluesit e SHIK-ut të LPK-PDK-së, të cilit iu kishin dhënë detyra për përgatitjen e atentateve ndaj personave dhe personaliteteve të caktuar të LDK-së, apo të subjekteve tjera të Kosovës.

Opinioni ynë është dashur ta shfrytëzonte rastin Bllaca dhe ta  bënte aktuale zbulimin e dorasëve dhe urdhëruesve të krimeve politike që u bënë gjatë luftës dhe pas luftës. Atë punë nuk e kryen mjetet e opinionit publik, sepse shumica prej tyre kontrollohen prej Qeverive të Xhavit Halitit, që e shëmtuan Kosovën dhe qytetarët e saj në mënyrën më të pamëshirshme. 

b. Rasti i ndërgjegjësimit të zotëri Agim Hotit, i cili ka kuptuar se ka qenë i manipuluar nga babai i SHIK-ut, Xhavit Haliti dhe argatët e tij: Artan Nimani e Agron Haradinaj, të cilët e kanë urdhëruar t’i bëjë dy atentate ndaj Kryetarit të parë të Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Institucionet kompetente të Kosovës dhe të  EULEX-it, po e shuajnë këtë rast. Kjo tregon se SHIK-u ende vepron në Kosovë, gjë që dëshmon se nuk është aspak e vërtet se ai e ka shuar veprimtarinë e tij kriminale.

Pse nuk flet Jakup Krasniqi dhe Hashim Thaçi për këto raste, duke kërkuar nga organet kompetente të bëhen hetime për dy atentatet e lartpërmendura, nuk është për tu habitur, ngase është në pyetje Xhavit Haliti, ai  i cili si njërin si tjetrin i ,,rriti’’ në pyka  dhe i bëri faktor që të ju ,,shkojë fjala’’. Pra këta dy jarana të Xhavitit nuk duhet  t’i mundojmë duke kërkuar prej tyre ta prishin jaraninë dhe besën që ia kanë dhënë Xhavitit. Neve na bënë të habitem me Kryetaren e Kosovës, zonjen Jahjaga, e cila ,,i ka shti veshët në lesh’’ dhe nuk po bëzanë fare për këto raste. Me siguri ka të dhëna se SHIK-u ende punon, prandaj edhe frikohet, apo  do ta kullotë edhe ajo Kosovën siç e kullotën dhe po e kullosin langprishësit e Kosovës, së bashku me argatët e tyre pseudointelektualë, që u bënë dekor në qeverisjet e  Xhavit Halitit dhe kukullave të tij Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Azem Sylës e Bajram Rexhepit etj.

             Është më se e sigurt se EULEX-si ka të dhëna të mjaftueshme për veprimtarinë kriminele të personave që e krijuan, e udhëhoqën dhe ende po e udhëheqin  SHIK-un, këtë  qendër  komanduese të krimit të organizuar në Kosovë. Pse nuk po marrin masat e duhura  prokurorët e EULEX-it, që këtë qendër të krimit të organizuar ta shkatërrojnë, është e qartë.

Si ta luftojnë SHIK-un, kur ai është bërë  shtet mbi shtet! Babai i tij, Xhavit Haliti, si babaxhan e ka zaptuar Kuvendin e Kosovës. Pionit të tij më të besueshëm, Hashim Thaçit,  ia ka dorëzuar dizginat e Qeverisë, për ta bërë zap Kosovën, duke i futur kuadrot e larta të SHIK-ut në të gjitha institucionet shtetërore dhe jo shtetërore të saj. Ndërsa lidershipi i saj po përkrahet nga qendrat e vendosjes ndërkombëtare, se fjalët: jo, nuk bën, nuk ka mundësi, i kanë harruar. Gjuha nuk ua thotë, prandaj po i përkëdhelin dhe po i lavdërojnë,  se me ta shumë lehtë po kanë të bëjnë eksperimente të llojllojshme me Kosovën e me shqiptarë, tamam ashtu siç bëjnë mjekët eksperimente me mijtë e bardhë.

Edhe pasurinë e Kosovës, të cilën qytetarët e saj me djersë e gjak e krijuan, i përvetësuan pehlivanët e Nanosit, bajraktarët e farës ruse dhe ,,pionierët e Enverit’’ në forma dhe mënyra të ndryshme. Edhe kjo që ka mbetur, së shpejti do të përvetësohet prej tyre dhe, pastaj edhe nëse e lëshojnë pushtetin formalisht me vetëdëshirë, se askush nuk mund t’ua merr, ata prapë me pasurinë që e kanë grumbulluar, (e pakta që dihet dhe e shumta që nuk dihet) do ta sundojnë Kosovën pa u lodhur, nga se argatët e tyre, SHIK-istat  që janë futur në institucionet shtetërore dhe në subjektet politike opozitare të Kosovës,  për të luajtur rolin e ,,Kalit të Trojës’’,  do të dirigjohen prej tyre, për t’i shkatërruar nga brenda kundërshtarët e tyre politikë. Siç po shihet, pasuria e përvetësuar e Kosovës po luan rol me rëndësi për t’u bërë hajnat dhe kriminelët e Kosovës të paprekshëm nga organet e drejtësisë. A nuk dëshmon kjo se paraja i qel të gjitha rrugët e suksesit, por edhe të faqeve të zeza dhe turpit?!

Duke i marrë parasysh të gjitha këto fakte, EULEX-i nuk e ka lehtë t’i ,,gjuhet në shpinë’’ mbretit të mafisë së Kosovës, sepse ai është babai i SHIK-ut,  pronar i PDK-së, krye qeveritar i Kosovës, edhe pse kumonat ia ka vënë në qafë Hashimit, ,,çobani’’ i tij është Xhaviti, i cili gjithë këtë fuqi e ka arritur në saje të veprimtarisë kriminale të SHIK-ut të tij dhe përkrahjes pa rezervë të Fatos Nanos dhe Sigurimit të Enver Hoxhës, që ishte Degë e OZN-UDB-së të Beogradit. 

 Por EULEX-i duhet ta ketë të qartë se pa burgosjen e kriminelëve që e krijuan dhe e komanduan SHIK-un, për të dhënë llogari për krimet e bëra,  nuk kanë kurrfarë mundësie ta luftojnë krimin e organizuar dhe as të krijojnë shtet ligjor. Në  Kosovë edhe më tutje  do të sundojë ligji i xhunglës, ligji i të fortit, ligji i kriminelëve, hajnave dhe mafiozëve. Pra, Kosova me SHIK-un e pa shkatërruar, do të bëhet qendra e  krimit të organizuar për tërë Evropën. Ndërsa Kosova edhe  më tutje do të jetë  utrinë katundi për ta kullotur thiu e i biri thiut, qytetarët e saj (një pjesë prej tyre) edhe më tutje do të jenë robotë të plëngprishësve të Kosovës, ndërsa shumica e popullsisë do të përmeçatet për të siguruar ekzistencën fizike me mund dhe sakrifica të mëdha.

 

 

Botuar në ,,Bota sot’’, më 19 dhjetor 2012