PSE PO KEQPËRDORET EMRI I KADRI LIMAJT NGA KRERËT E PDK-SË

  Javën që e lamë pas, në Kosovë ndodhën shumë ngjarje ndjellakeqe, që në të ardhmen jo të largët do të zhvillohen si procese me pasoja të rënda për Kosovën dhe qytetarët e saj,  po qe se nuk ndërmerren hapa të duhur nga forcat demokratike për pengimin e tyre. Nuk do të kem mundësi t’i përthekoj të gjitha ato ngjarje me një shkrim gazete, por e shoh të udhës që ta preku njërën nga më të rëndësishmen prej tyre.

Fatkeqësisht, edhe pse Kosova u çlirua, ajo edhe më tutje po rrjepet në shumë mënyra nga kopilat e Serbisë, pehlivanët e Nanosit dhe nga vet Serbia,  përderisa shtresat e gjera të popullsisë po varfërohen çdo ditë e më shumë. Në veçanti janë të rrezikuar invalidët dhe jetimët e luftës, familjet e dëshmorëve dhe familjet e të masakruarve. Por, në anën tjetër, po lulëzon pasuria dhe begatia tek një numër i konsiderueshëm i ish-komandantëve të  vetëshpallur të UÇK-së, shokët dhe argatët e tyre dhe ,,afaristët’’  që i morën krahët gjatë kohës sa ishte në pushtet kasapi i Ballkanit.  Dhe, si pasojë e gjithë kësaj po lulëzon krimi i organizuar, prostitucioni, dhe mafia, që udhëhiqen nga sigurimi i fshehtë serb nëpërmjet linjës së drejtpërdrejtë Beograd-Prishtinë-SHIK dhe linjës së tërthortë Beograd-Tiranë-Prishtinë-SHIK.. (organizatë gjysmëilegale e krijuar nga ish-Qeveria Thaçi)  Në këto rrethana shumë të vështira njerëzit zemërgjerë kanë krijuar shoqata të ndryshme humanitare për t’i ndihmuar  shtresat më të rrezikuara të shoqërisë shqiptare. Fatkeqësisht, fondet e tyre janë të thata, se ata që kanë zemër të madhe nuk po kanë as për veti, ndërsa ata që kanë përvetësuar  pasuri shoqërore dhe po merren me punë të pista dhe janë bërë pasanikë të Kosovës, kanë qëlluar zemërgurë apo kriminelë. Fondi i dikurshëm i Qeverisë së Kosovës u bë fond privat i Bukoshit (dhe njerëzve të tij). Ndërsa fondi i dikurshëm i Xhavit Halitit dhe i Ibrahim Kelmendit, që quhej fondi ,,Vendlindja thërret’’ më nuk ekziston, nga shkaku se u arritën qëllimet e atyre që e krijuan atë fond. Por lufta e mafiozëve të Kosovës për t’i rrjepur shqiptarët mendjeshkurtër ende po vazhdon. Menjëherë pas luftës, argatët e kryepehlivanave të Nanosit e krijuan fondin ’’Miqtë e TMK-së’’. Opinioni nuk ka kurrfarë të dhënash se në xhepat e kujt po futen paratë e atij fondi dhe për çfarë qëllimesh u shpenzuan ato. Por, si duket, ai fond as për së afërmi nuk i arriti sukseset e fondit ,,Vendlindja thërret’’, prandaj mbetën të parealizuara shumë projekte dhe plane të tyre sekrete. Dhe nuk është çudi që këto ditë krerët e PDK-së e promovuan me shumë bujë fondin më të ri të tyre,  që pritet se do ta zëvendësojë me sukses fondin e mëparshëm ,,Vendlindja thërret’’. Fondin e quan ,,privat’’ dhe e pagëzuan ,,Fondi Kadri Lima’’. Pra, fondi e mori emrin e babait të  F. Limës. Sipas Hashimit  dhe propaganduesve tjerë, të hollat që do të derdhen në atë fond do të përdorën për mbrojtjen e të akuzuarit të parë kosovarë nga Gjykata e Hagës, Fatmir Limës. Është për t’u habitur që propaganduesit e këtij fondi nuk dhanë kurrfarë shpjegimesh se kush do të qeverisë me mjetet e këtij fondi, dhe kush do t’i kontrollojë ato mjete, kur, siç dihet, mjetet e fondit të dikurshëm ,,Vendlindja thërret’’ edhe pse janë  grumbulluar në emër të  UÇK-së, më së paku janë përdorë për ato qëllime. Po ashtu dihet se mbrojtja e Fatmir Limës (me avokat) nuk do të kushtonte më tepër se  1% e mjeteve që do të grumbullohen në Zvicër nga naivët, mendjeshkurtrit dhe argatët e PDK-së. Sipas informatave të sigurta,  krerët e PDK-së para disa muajsh ua kanë vu për detyrë rrogëtarëve të tyre në Zvicër për  grumbullimin e ,, 1 milion frangave  për mbrojtjen e F. Limës’’. Dihet se krerët e PDK-së janë mjeshtër të vërtetë për shfrytëzimin e rasteve të ndryshme të fatkeqësive familjare për përfitime personale dhe partiake. Këtë radhë krerët e PDK-së arritën ta keqpërdorin dhe ta shfrytëzojnë emrin  e babait të F. Limës, zotëri Kadri Limës,  dhe në saje të propagandës së fuqishme të lavires së kryekuqaloshëve kosovarë,  që po shtiret (po krekoset çdo mbrëmje) se është i pavarur, e krijuan fondin e tyre në Kosovë dhe në shumë vende të Evropës ku jetojnë dhe punojnë shqiptarët. Është për t’u habitur se krerët e PDK-së u ndihmuan në krijimin e këtij fondi edhe nga dy personalitete të rëndësishëm të politikës së Kosovës, që në asnjë mënyrë nuk kanë guxuar të bien në grackën e krerëve të PDK-së. 

Duhet cekur një fakt, se me rastin e burgosjen së  F.  Limës krerët e PDK-së  u zotuan se do t’i mbulojnë të  gjitha harxhimet përkitazi me mbrojtjen e tij. Shtrohet pyetja - Çka u bë me atë zotim? I ,,hëngrën” fjalët shokët e F. Limajt, apo mbrojtjen e tij e kanë menduar në bazë të interesit reciprok, siç vepruan këto ditë kur e formuan fondin në emër të babait të F. Limës?! (Ku me siguri do të kenë përfitime të dy palët).  

Njeriu që i ka dy kokrra mend, do të pyeste - A thua vallë,  ka qenë e arsyeshme të hapej një fond ,,privat’’ në nivel kombëtarë, me përkrahje të fuqishme të mediave elektronike dhe të gazetave leckë të Kosovës, si dhe me përkrahjen pa rezervë të Qeverisë dhe Parlamentit të Kosovës, kur, siç dihet, Kosova ka nevojë shumë herë më të mëdha  për shërimin e plagëve të rënda të luftë,  me ndihmën vëllazërore të të  gjithë shqiptarëve kudo që gjenden ata. Shqiptarët është dashur ta krijojnë qysh moti një  fond të tillë, siç e krijuan krerët e PDK-së,  por jo në emër të personaliteteve të gjalla apo të vdekur, por   në emër të Zotit, për t’i  ndihmuar invalidët e luftës, fëmijët jetimë, familjet e të masakruarve, njerëzit pa kulm mbi krye dhe varfanjakët. A thua vallë është e arsyeshme të bëhet problem numër një i Kosovës, mbrojtja e një personi nga akuzat e një gjyqi shumë autoritativ ndërkombëtar, Gjyqit të Hagës, kur dihet se ai gjyq pa prova shumë të sigurta, nuk lëshon fletarrestim ndaj të dyshuarve për krime të luftës, dhe as që shpall fajtor dikë pa prova të forta gjyqësore. A thua ka pasur nevojë të formohet një fond në nivelin kombëtarë për mbrojtjen e një personi (F. Limës) që i akuzuari,  krerët  i PDK-së dhe disa persona që ju prijnë institucioneve të Kosovës ,,garantojnë’’ dhe përbehen në ,,çka kanë të gjallë dhe të vdekur’’ se Fatmir Limaj është ’’i pafajshëm’’ ?!. Pse atëherë mërziten kaq shumë krerët e PDK-së, kryeministri i Kosovës dhe kryeparlamentari i Parlamentit të Kosovës dhe persona tjerë për mbrojtjen e Fatmir Limës, kur janë aq shumë të sigurt se ai është i pafajshëm dhe  kur dihet se Gjyqi i Hagës e ka ekipin e avokatëve shumë të aftë, të cilët veçmas  merren me mbrojtjen e të akuzuarve?! Po që se krerët e PDK-së dhe disa krerë të institucioneve të Kosovës janë të bindur se mbrojtja e një të ,,pafajshmi’’, në këtë rast të Fatmir Limës, nga akuzat e Gjyqit të Hagës, mund të bëhet vetëm në saje të një aksioni gjithëpopullor për tubimin e shumave të mëdha të hollash, atëherë çfarë gjyqi qenka ai,  kur vetëm paraja mund ta shpëtojë një të ,,pafajshëm’’ shqiptar që të mos shpallet fajtorë ?! Opinioni ynë e ka të qartë, në bazë të procedurave gjyqësore që i ka përcjell gjatë marrjes në pyetje të kryekasapit të Ballkanit dhe dëshmitarëve të shumtë, se ky gjyq shumë hollë i tjerr gjërat,  dhe çdo dëshmitar qe shoshitur mirë e mirë nga gjyqi, prokuroria, i akuzuari dhe ekipi i avokatëve  që janë caktuar nga vet gjyqi për mbrojtjen e të akuzuarve.  Pra,  krerët dhe anëtarët e PDK-së, si dhe disa krerë të institucioneve të Kosovës,  mos t’iu shkojë mendja dhe të mos mërziten as një fije se Gjyqi i Hagës do ta shpall fajtor F. Limajn  po që se nuk është fajtor. Siç dihet, një shqiptar u lirua nga burgu i Gjyqit të Hagës po sa u vërtetua se është i pafajshëm(është marr gabimisht në vend të tjetërkujt). Edhe Limaj do të lirohej sikur ai, po që se  vërtetohet me fakte bindëse se është i pafajshëm. Do të bënin mirë krerët e institucioneve shtetërore që po e përkrahin fondin e PDK-së të ashtuquajtur ,,Fondi i Kadri Lima’’ që  t’i analizojnë qëndrimet e përfaqësuesve të organeve të sigurisë ndërkombëtare në Kosovë dhe qëndrimet e  Gjyqit të Hagës në lidhje me rastin F. Limaj, që mund të përmblidhen në disa pika:  1. Fatmit Limaj nuk ka qenë korrekt ndaj mediave, pasi që e ka mashtruar opinionin kur pati deklaruar me rastin e lëshimit të fletarrestimit nga ana e Gjyqit të Hagës, se ai gjendet në Austri, edhe pse ai nuk ishte në Austri, por ishte në Slloveni. 2. Fatmir Limaj nuk është dorëzuar vullnetarisht në organe të policisë sllovene, (siç patën deklaruar jaranat e tij, v. ime),  por është arrestuar prej policisë së atij vendi, në bazë të fletarrestit që e ka lëshuar Gjykata e Hagës.  3. Organet ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë dëshmojnë se me burgosjen e Fatmir Limajt në Kosovë është bërë një atentat (fatmirësisht) i dështuar kundër një dëshmitari që është caktuar të dëshmojë për ndriçimin e të zhdukurve shqiptarë, për të cilët akuzohet F. Limaj. Këto organe po ashtu pohuan se prezenca e F. Limajt në Kosovë, gjatë kohës që po zhvillohen hetimet kundër tij dhe të tjerëve,  do ta pengonte procedurën  hetimore  të Gjyqit të Hagës. Dhe, së fundit, deklarojnë se gjendja e sigurisë në Kosovë, nuk ua mundëson atyre mbikëqyrjen e F. Limës dhe ekziston mundësia që ai të mos i përgjigjet thirrjes së organeve të drejtësisë ndërkombëtare që të marrë pjesë në seancat gjyqësore për të ndriçuar rastin e zhdukjes së civilëve shqiptarë.

Krerët e institucioneve shtetërore të Kosovës, të cilët treguan se janë shumë të brengosur me ,,rastin F. Limaj’’, duhet të brengosen shumë më tepër për të masakruarit dhe të zhdukurit shqiptarë. Ata  e kanë për detyrë të kërkojnë prej organeve ndërkombëtare, të atyre serbe dhe të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, të bëjnë hetime dhe të japin përgjigje të plotë dhe të saktë për çdo individ që është kidnapuar nga organet e policisë dhe ushtrisë sere, por, fatkeqësisht edhe nga ,,Beretat e Kuqe’’ dhe ,, Këmishëzitë’’ e UÇK-së .

Zotërinj të PDK-së dhe ju krerë të institucioneve shtetërore që aq shumë po mërziteni për ,,rastin Limaj’’, duhet ta kuptoni mirë e mirë se  e vërteta është si dielli. Ajo nuk mbulohet dhe as nuk zhduket. Ndodhë që për pak kohë të errësohet, siç errësohet ndonjëherë edhe dielli nga dukuritë atmosferike (mjegulla, furtunat, shiu dhe breshëri), por janë të përkohshme. Pra, edhe drejtësia është si dielli.  I Madhi Zot ka garantuar , se ,,kriminelët në këtë botë do t’i poshtëroj’’, ndërsa në boten tjetër të amshueshme ,,do t’i dënojë me dënimin më të rënd,  me zjarrin e xhehnemit’’. Pra, disa krerë të institucioneve të Kosovës  që aq shumë i kanë dhënë zjarr aksionit për t’i rrjepur shqiptarët e lodhur nga skamja, varfëria, krimi i organizuar, dyfytyrësia dhe demagogjia e ,,patriotëve”’ të hershëm dhe të vonë, që u bënë pasanikë të Kosovës ’’për një natë’’, le të kujdesen dhe brengosen për pengimin, zvogëlimin dhe zhdukjen e dukurive të shëmtuara që po përhapen dhe po rritën në Kosovë, siç është krimi i organizuar, varfëria, prostitucioni dhe pasiguria etj., e të mos brengosen për individët e akuzuar nga Gjyqi i Hagës për krime të luftës kundër shqiptarëve.

Opinioni ynë nëpërmjet gojës së F. Limës, është njoftuar se ai është trajtuar dhe po trajtohet shumë mirë nga administrata dhe gardianët e Burgut të Hagës, se i ka të gjitha kushtet që i duhen për të komunikuar me personat që ai dëshiron, se është i kënaqur me kushtet që i ofron burgu etj. etj. Prandaj familja e tij, farefisi dhe shokët dhe miqtë e tij të ngushtë të mos brengosen se F. Limaj do të shpallet fajtor po që se është i pafajshëm. F. Limaj nuk ka nevojë për avokat, se ,,gjuha i punon sakicë’’ . Opinioni ynë i ka të freskëta qëndrimet e tij shumë të ashpra kur quhej ,,komandant çeliku’’, por edhe kur u bë anëtar i Parlamentit të Kosovës. Dhe, gjithmonë ka treguar, me fjalë dhe me punë, se shumëfish më tepër është partiak sesa kombëtar. Shtrohet pyetja se si u bë tash që fondi në emër të babait të tij, të shpallet ,,zyrtarisht’’ fond ,,privat’’, ndërsa sipas krerëve të PDK-së, krerëve të disa institucioneve shtetërore dhe analistëve ,,kakuda”, u kërkua nga  qytetarët e Kosovës dhe shqiptarët jashtë atdheut të trajtohet si fond gjithëkombëtar. Duhet ta kenë të qartë përkrahësit e këtij fondi se, në qoftë se F. Limaj shpallet fajtor për zhdukjen e civilëve shqiptarë nga Gjyqi i Hagës, atëherë ata e kanë për detyrë publikisht të distancohen nga Fatmir Limaj (ashtu siç e përkrahën publikisht atë.). Por ndaj tij duhet të distancohen edhe organet shtetërore dhe partiake të Kosovës, rrethi më i ngushtë i miqve, familja dhe opinioni i gjerë. Përndryshe,  shqiptarët nuk kanë të drejtë të kërkojnë drejtësi dhe as dënimin e kriminelëve serbë, po që se i mbrojnë kriminelët e tyre, nga shkaku se e flasin gjuhën shqipe. Kriminelët janë kriminelë, pa marrë parasysh se cilën gjuhë e flasin. Ne shqiptarët jemi  në provim para të Madhit Zot. Po që se nuk e përkrahim dhe nuk e mbrojmë drejtësinë, që na e ka bërë obligim ta mbrojmë  i Madhi Zot, pason ndëshkimi. Pra, ta adhurojmë Zotin e jo njeriun! T’i frikohemi Krijuesit të  gjithësisë, Krijuesit të njeriut dhe Krijuesit të të  gjitha krijesave, e jo njeriut! Ne shqiptarët deri para çlirimit të Kosovës, jemi diferencuar dhe njollosur zi e më zi  nga armiqtë tanë shekullorë. Po sot kush po na diferencon dhe kush po na njollos ?! A nuk po e diferencojmë ne shqiptarët vetveten me punë konkrete dhe po tregojmë se kush dhe çka jemi ?! Çka u bë me ne ?! Sa vrasje politike i bëri regjimi i Titos në kohë paqe në Kosovë dhe viset tjera shqiptare,  e sa i bënë ,,patriotët’’ e dikurshëm dhe  nanoistët  e sotshëm në Kosovë dhe Maqedoni?! Kush vrau më shumë Burra të Dheut pas shpine, a vrau më shumë ,,Cërna ruka’’ serbe, për  një shekull, apo vranë më shumë këlyshët e Nanosit për disa vjet (1997-2003) ?!  Ka ardhur koha që shqiptarët të mos i vlerësojnë më njerëzit në bazë të asaj se çka thonë e  flasin,  por në bazë të asaj se çka punojnë. Përndryshe do të na përsëritet historia dhe do të na përsëriten  dështimet.

 

 

Botuar në ’’Bota sot’’, më 5 shtator 2003