MARRËVESHJA E PRIZRENIT NË MES RAMËS DHE THAÇIT E DËMSHME PËR KOMBIN SHQIPTAR

Është e njohur se stalinistët e Shqipërisë dhe enveristët e diasporës shqiptare, më 1993, në Zurich e patën nënshkruar marrëveshjen për bashkëpunim dhe ndihmë reciproke në mes PSSH-së dhe LPK-së, për realizimin e synimeve të tyre politike. Fatos Nano kishte për qëllim rrëzimin e Sali Berishës nga pushteti, për ta marr vet atë pushtet mbi shqiptarët e Shqipërisë. Edhe LPK-ja kishte të njëjtat synime, largimin e Dr. Ibrahim Rugovës nga skena politike dhe shkatërrimin e LDK-së që ata të bëhen pari e Kosovës. Marrëveshja parashihte që LPK-ja, ta ndihmonte me mjete financiare Fatos Nanon dhe PSSH-së.  Në anën tjetër, Fatos Nano me  kompani, u zotuan se pasi të vijnë në pushtet, do ta ndihmojnë LPK-në dhe forcat e majta të Kosovës për t’i realizuar synimet e tyre në Kosovë.

Siç dihet, komunistët e Shqipërisë më 1997, i realizuan synimet që i parashihte marrëveshja e Zurich-ut. E rimorën pushtetin, duke e kallur Shqipërinë dhe i shkatërruan institucionet shtetërore të saj, duke e shndërruar kështu Shqipërinë në koloni greke.

Edhe dy bishtat e Partisë Socialiste të Shqipërisë,  PDK-ja dhe AAK-ja, që i polli LPK-ja pas luftës, i realizuan shumicën e synimeve të tyre. Ndaj Presidentit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës, i banë dy atentate të pasuksesshme. LDK-në edhe pse nuk e shkatërruan, e dëmtuan shumë, duke ia vra veprimtarët e dalluar që ishin burra të fortë të shqiptarisë. Nuk i njohën institucionet (sistemin paralel të Kosovës) shtetërore të Republikës së Kosovës, pasi që Beogradi nuk i njihte, dhe pastaj i shkatërruan ato institucione të krijuara me mund e gjak.  E rrjepën Kosovën, atë që mbeti pa u rrjepur nga paramilitarët e Arkanit dhe arkanëve të tjerë serbë. E vodhën dhe e përvetësuan pasurinë shoqërore të Kosovës, që u krijua me djersë e mund për një gjysmë shekulli nga qytetarët e saj. E shkatërruan shëndetësinë, arsimin, trashëgiminë kulturore. I bënë edhe shumë të zeza të tjera gjatë luftës dhe pas luftës, që tashmë dihen.

Edhe pse NATO na i largoi forcat serbe nga Kosova, patriotët e Serbisë në krye me Xhavit Halitin dhe pionët e tij: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Qosjen, Adem Demaçin, Jakup Krasniqin, Fatmir Limajn, Rexhep Selimi e shumë të tjerë,  Kosovën pothuajse e shndërruan në  koloni serbe, siç ishte edhe më parë, duke e bërë Kosovën treg të sajin për t’i shitur mallrat e dyshimta me euro, të prodhuara posaçërisht për shqiptarë. Ua lanë kriminelëve serb ta qeverisin Kosovën Veriore, në bazë të një marrëveshjeje që u lidh në mes popëve serbë dhe UNMIK-ut në njërën anë, dhe Thaçit dhe Qosjes në anën tjetër, me qëllim që t’ua mundësojë kriminelëve serbë dhe parisë së dy bishtave të Partisë Socialiste të Shqipërisë, PDK-së dhe AAK-së, të bëhen pasanikë ’’sa qel e mëshel sytë’’. Dhe, së fundi, Thaçi pasi u  shantazhua nga Sigurimi serb, me marrëveshje dhe pa marrëveshje, i bëri ortak kriminelët serbë të Kosovës Veriore në qeverisjen e Kosovës.

Dhe, tani, pasi që argatët dhe vasalët serbo-sllavo-grekë u bënë pushtetarë në Shqipëri dhe Kosovë, për ta festuar fitoren e marrëveshjes-aleancës së Zurihut, (20 vjetorin e nënshkrimit), vendosën ta festojnë jo në Zurih, ku ishte miratuar marrëveshja e arritur në mes Xhavit Halitit dhe Fatos Nanos, dhe as në Tiranë që ishte motori i asaj aleance të shëmtuar, por në Kosovë, në qytetin historik të shqiptarëve, në Prizrenin legjendar, për ta keqpërdor dhe për të manipuluar me përpjekjet e popullit tonë për çlirim dhe bashkim kombëtar, për arritjen e synimeve të tyre të liga kundër shqiptarëve.   

Se komunistët shqiptarë janë mjeshtër të manipulimeve, ustallarë për përvetësimin e synimeve, ideve-idealeve dhe veprimtarisë së veprimtarëve të dalluar të kombit, kanë treguar më shumë se një herë. Por mbajtja e një mbledhjeje të përbashkët të dy qeverive, të Shqipërisë dhe të Kosovës, në kryeqendrën e ardhshme të Shqipërisë etnike, duke e  lavdëruar Rama Thaçin, e Thaçi Ramën, si pulat që kokorizen kur bëjnë vezë, për të bëmat e tyre të deritashme apo për ’’synimet’’ e tyre ’’për përmirësimin e jetës’’ së qytetarëve të tyre, tregon më së miri se janë në hall për ta ngritur  autoritetin e tyre të rrëzuar për toke, si pasojë e veprimtarisë së tyre antikombëtare.  A nuk tregoi Edi Rama me rrugaçët e mbledhur rreth tij, gjatë mandatit të fundit të qeverisë së Sali Berishës, duke e nxirë Shqipërinë dhe qytetarët e saj me veprimtarinë e tij destabilizuese dhe kriminele, me çka i bindi  qendrat e vendosjes ndërkombëtare se shqiptarët ,,nuk janë popull shtet-formues’’, përralla këto të serbo-sllavo-grekëve, që i kanë shpërnda nëpërmjet shumë kanaleve dhe në shumë mënyre në katër anët e botës, duke u mbështetur  në veprimtarinë antishqiptare të pionëve dhe vasalëve të tyre, që me ndihmën e tyre janë ngjitur në krye të organeve shtetërore dhe në krye të  subjekteve politike të Shqipërisë, të Kosovës dhe të Maqedonisë.

Po pionët dhe argatët e Xhavit Halitit:  Rexhep Qosja, Fatmir  Limaj e të tjerë, së bashku me kompaninë tjetër, vëllezërit Haradinaj, vëllezërit Bujaj, Bujar Bukoshi etj. me kompani?! A nuk bënë edhe ata të njëjtën gjë me Kosovën gjatë luftës dhe pas përfundimit të luftës siç banë stalinistët e Shqipërisë me Shqipërinë?! Po të njëjtën gjë e bënë. Bile u treguan  edhe më të shtirë e më xhahila se ata shumëfish.

 Se takimi i tyre nuk do t’i sjellë Shqipërisë, Kosovës dhe viseve tjera shqiptare asnjë të mirë, por vetëm të zeza, gazep, vuajtje, varfëri për shumicën e qytetarëve shqiptarë, nuk ka dyshim, po që se forcat demokratike dhe qytetarët që dinë të mendojnë, nuk ua japin dajakun e merituar me votën e tyre në zgjedhjet e ardhshme nacionale.

Dihet se ’’ujku qimen e ndërron, por adetin nuk e harron’’. Kush do t’ju besonte fjalëve  të Edi Ramës dhe Hashim Thaçit, se ’’do të punojnë në fushën e drejtësisë, proceset e reformimit të shtetit të së drejtës, shkëmbimin e informacioneve në luftën kundër krimit, trafiqeve dhe korrupsionit’’, kur  dihet se ata janë në kupolën e krimit të organizuar. A thua cila forcë i paska detyruar Edi Ramën dhe Hashim Thaçin që brenda një dite,  apo brenda disa orëve sa ishin në mbledhje, të ’’vendosin’’ ta ’’ndërrojnë lëkuren’’. Dihet se ,,gjarpri lëkuren e ndërron, por zakon se harron’’, është tinëzar, kafshimi i tij është vdekjeprurës.

Sa habi e madhe kur kupton se mafiozët bëjnë përpjekje të bëhen ’’atdhetarë’’ të kulluar, që zemra, shpirti po ua ’’donë bashkimin kombëtar’’, por ’’besën’’ që ua paskan dhënë SHBA-së dhe Bashkësisë Evropiane, nuk bënë ta shkelin. Po që se ndodh  me ia mbush djalli mendjen për ta shkelur atë ’’betim’’ dhe atë ’’besë’’ Edi Ramës, do të bëhet Shqipria etnike?! Sa punë e thjeshtë qenka kjo puna e krijimit të Shqipërisë Etnike! A nuk tregon kjo se këta dy bajraktarë të ’’farës ruse’’ janë në hall për autoritetin e tyre të rrëzuar për tokë. A thua do të gjejnë ende mendjeshkurtër, që do t’u besojnë kopallave të tyre se gjëja tash e tutje nuk do të jenë më patriot të Serbisë e të Greqisë, por do të jenë ’’patriotë’’ të shqiptarisë.

Edhe vendimi i dy qeverive për t’i ’’ndihmuar’’ tri komunat shqiptare të Kosovën Lindore me 100.000 €, (shifër kjo që ua tregon fytyrën e vërtet të argatëve serbë para qytetarëve shqiptar dhe para botës), pa folur as një fjalë për të drejtat e njeriut dhe të drejtat  kombëtare të shkelura nga shteti dhe pushtetarët serb, dhe as kërkesa për respektimin e marrëveshjes së Ohrit nga pushtetarët sllav të Maqedonisë, por duke u dhënë garanci çakajve të Ballkanit dhe miqve të tyre evropian, se kufiri në mes Shqipërisë dhe Kosovës është i ,,pacenueshëm’’ dhe i ,,patjetërsueshëm’’, tregon se Edi Rama, Hashim Thaçi dhe argatët e tyre që po e luajnë rolin e ,,ministrave’’ në kabinetin e tyre qeveritar, janë pionë të tyre, janë gazi i botës, janë vegla të armiqve tanë shekullorë, janë  e zeza e kombit shqiptar!

Dy bajraktarët e ’’farës ruse’’, Edi Rama dhe Hashim Thaçi, pas përfundimit të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive të tyre, e lajmëruan opinionin e gjerë se ata e kanë nënshkruar ’’deklaratën e përbashkët për bashkëpunim e partneritet strategjik në mes Kosovës dhe Shqipërisë’’. Po ashtu ata pranuan se ,,dy qeveritë do të angazhohen me fuqizimin e dialogut ndërqeveritar për çështjet me interes të ndërsjellë’’. Dëshmuan po ashtu se ’’do të bashkëpunojnë në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë. Po që se e lexojmë deklaratën e tyre në mes rreshtave, do të kuptojmë se dy kryeministrat janë marr vesh për ta ndihmuar njëri-tjetrin për ta vazhduar qeverisjen e tyre në një kohë të pacaktuar. Deklarata e Thaçit se ’’qëllimi i këtij takimi ka qenë zbatimi i marrëveshjeve të mëparshme dhe forcimi i marrëdhënieve tona’’, dëshmon se marrëveshja e Ramës dhe Thaçit në Prizren është bërë që t’i zgjatet jeta së paku edhe për 20 vjet marrëveshjes së Zurihut.

Siç dihet, marrëveshja e Zurihut është nënshkruar herën  e parë nga Xhavit Haliti dhe kryesia e Degës së LPK-së në Zurih, në njërën anë,  dhe  Fatos Nanos me lidershipin e PSSH-së, në anën tjetër. Në atë kohë Edi Rama dhe Hashim Thaçi nuk kanë qenë faktorë të vendosjes në ato subjekte të komunistëve shqiptarë, por pasi që këta pionë të Nano-Milo-Majkos dhe të Xhavit Halitit, janë vënë në krye të bajraktarëve të ’’farës ruse’’, të nanoistëve të çartur për pushtet dhe ’’pionierëve’’ të Enverit, e kanë paraparë ta përtërijnë vet atë marrëveshje-aleancën e Zurihut, që edhe më tutje të jetë e plotfuqishme për ta ndihmuar njeri-tjetrin në mënyra dhe forma të ndryshme që të mbesin në pushtet, në Shqipëri dhe në Kosovë edhe për disa mandate, po që se arrijnë t’u qesin ,,pluhur në sy’’ shqiptarëve.

 

 

Botuar në ,,Bota sot’’, më 15. 01. 2014