ËSHTË KOHA E FUNDIT QË PDK-JA TË BËJË NDRYSHIME RRËNJËSORE

Këto ditë, nanoistët e Kosovës, në krye me Xavit Halitin, do ta mbajnë kongresin e partisë së tyre. Se çfarë rruge dhe çfarë drejtimi do të marrë  kjo parti ''e dalë nga lufta'' varet nga shumë faktorë. Por, njëri ndër faktorët  më të rëndësishëm do të jetë përbërja e delegatëve pjesëmarrës të atij kongresi. Po që se padroni i PDK-së  Xhavit Haliti,  ka arritur që nëpërmjet  pionit dhe kryeargatët e tij  H. Thaçit, t'i bëjë delegatë kongresi rrogëtaret dhe pionët e tij,  që i ka futur në të gjitha degët dhe pipat e PDK-së,  me siguri kjo parti nuk do të bëjë kurrfarë ndryshimesh, dhe kështu, edhe më tutje do ta vazhdojë  politikën e deritashme destruktive, kriminele dhe antikombëtare.

 Po që se zgjedhjet për delegatë kongresi nëpër degët dhe pipat e kësaj partie kanë qenë demokratike, (mundësitë janë shumë të vogla)  fitorja e Xhavit Halitit me kompani nuk është e sigurt, kur dihet se në radhët e kësaj partie, përpos enveristëve axhami, nanoistëve dredhagji dhe anëtarëve të regjur të ish- sigurimit serbo-jugosllav, të cilët si kusht për t’ua ,,zbardhur” biografinë e tyre, u detyruan tu nënshtrohen urdhrave të policisë sekrete të ish-UÇK-së (që udhëhiqej nga Xhavit Haliti) për të bërë krime të llojllojshme. Është edhe rryma tjetër që përbëhet nga ish- të burgosur politikë dhe qytetarë të ndershëm profesionesh të ndryshme, të cilët qenë manipuluar me parulla ''patriotike'' gjatë kohës së luftës dhe pas luftës nga "trojka": "Haliti-Thaçi-Krasniqi'' dhe rrogëtarët e pionët e tyre, por që sot e kanë kuptuar veprimtarinë e tyre kriminele.

Është shumë e arsyeshme që këto dy rryma (rryma antikombëtare dhe rryma demokratike)  ta luftojnë njëra-tjetrën. A do të fitojë Xhaviti me pionët e tij, për ta vazhduar edhe më tutje veprimtarinë e deritashme ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj, apo do të fitojnë forcat demokratike, që do të punojnë për të mirën e vendit dhe qytetarëve të saj, së bashku me forcat tjera demokratike të Kosovës, do ta shohim. Por, duhet shpresuar se kjo kategori e njerëzve të manipuluar gjatë luftës dhe pas luftës me mjete dhe mënyra të ndryshme, e që sot janë forcat demokratike të kësaj partie,  nuk do të pranojnë në asnjë mënyrë, që  edhe më tutje të mbesin dekor partie, dhe  as  të burgosurit e  saj, por do të bëjnë përpjekën me të gjitha mënyrat për të bërë ndryshime  të rëndësishme dhe rrënjësore në këtë parti. Pra, do të ishte në të mirë të Kosovës dhe qytetarëve të saj, të  PDK-së dhe aleatëve të saj, po që se forcat demokratike që gjenden në PDK, të fitojnë në këtë kongres, ndaj forcave të djallit të mallkuar, forcave të së  keqe e të së shëmtuarës, forcave të  krimit të organizuar.

 Duhet cekur se  Xhavit Haliti dhe klani i tij është dobësuar shumë pas rrëzimit të Fatos Nanosit nga pushteti dhe bandës së tij kriminele.  Veçmas pas aferave të ndryshme, që ai dhe argatët e tij janë nën hetime, apo po dënohen për krime të shumta dhe të llojllojshme. Pra, ky  është një tregues i mirë se epoka e rrahagjyksave, kriminelëve, hajnave, përvetësuesve të pasurisë shoqërore dhe private, falsifikuesve të historisë,  po perëndon.

Xhavit Halitin dhe argatët e tij po i  pret dënimi!  Përfundim i keq po i pret!

 

 

 Botuar në ,,Bota sot’’, më  24 janar 2013