DREJTËSIA E KOSOVËS GJENDET PARA NJË SPROVE TEJET SERIOZE

Para sa kohësh, pushtetarët e Shqipërisë e detyruan Prokurorinë e vendit të ngre padi kundër analistit të shquar Mere Baze, i cili po bën një punë të vlefshme, duke i ndriçuar shumë afera të pista të pushtetarëve të sotëm të Shqipërisë. E njëjta gjë po përsëritet edhe në Kosovë. Kryepehlivani i Nanosit,  Xhavit Haliti, që ka zënë pozitë udhëheqëse në Parlamentin e Kosovës, e ka bindur Prokurorinë Komunale të Prishtinës për të ngre padi për ,,shpifje’’ kundër redaktorit të kombëtares ’’Bota sot’’, Bajrush Morinës, gazetarëve dhe bashkëpunëtorëve të gazetës, zotërinjve: Myftar Halili, Nefail Maliqit dhe Shefqet Jashari-Strofcit. Pra, sipas padisë së prokurorit komunal del se Bajrush Morina, Shefqet Jashari-Strofci, Myftar Halili dhe Nefail Maliqi, e paskan ,,shpifur” Xh. Halitin dhe e paskan ,,dëmtuar” autoritetin e tij para opinionit të gjerë.
Shtrohet pyetja: 1.  Ka pasur apo nuk ka pasur arsye të ngre padi në Prokurorinë e Prishtinës Xhavit Haliti ? 2. Ka pasur apo nuk ka pasur fakte Prokuroria e Prishtinës të ngre padi kundër gazetarëve dhe bashkëpunëtorëve të ’’Botës sot’’?  3. Pse në seancën gjyqësore të 24 majit avokati Tomë Gashi dhe klienti i tij Xhavit Haliti, e tërhoqën padinë kundër Myftar Halilit, Nefail Maliqit dhe Shefqet Jashari-Strofcit ? 4. Dhe, së fundi, a thua drejtësia e Kosovës do ta ruaj pavarësinë e saj, duke mos rënë në ndikimin e pushtetarëve, apo do të bjerë në provimin e pjekurisë, duke rënë në ndikimin e tyre?
Sa i përket pyetjes së parë, Xh.Haliti ka ,,arsye’’ për t’i vënë në veprim të gjitha mekanizmat mbrojtës, ka ,,arsye” të forta për t’u ,,mbrojtur” me të gjitha mënyrat dhe mjetet për t’ua ndërprerë hovin kritikave dhe akuzave që po adresohen në emrin e tij, jo vetëm nga opinioni ynë, por edhe nga ai ndërkombëtar, për rolin përçarës dhe antishqiptar që luajti sa ishte anëtar i udhëheqjes së ngushtë të LPK-së dhe, në veçanti pasi i përvetësoi njësitë guerile të Republikës së Kosovës, në saje të ndihmës së pakursyer të Nanosit dhe Klosit § Compani. Opinioni ynë nëpërmjet intervistave të Xhavit Halitit dhe ,,dëshmive’’ të bashkëpunëtorëve të tij, ka mësuar se ai ishte ’’krijuesi’’ i UÇK-së, ishte krijuesi i Drejtorisë Politike dhe i SHP të UÇK-së. Xhavit Haliti ishte po ashtu udhëheqësi (personi numër një) i logjistikës së UÇK-së. Këto konstatime Xh. Halitin, pas çlirimit të Kosovës, e quan në ’’pyka’’, por tash kur po dalin në shesh shumë keqpërdorime dhe vepra kriminele të komandantëve të vetëshpallur të UÇK-së, që ishin në komandën e shtabit të tij që quhej SHP i UÇK-së , dhe të Drejtorisë Politike, që e udhëhiqte argati i tij H. Thaçi, Xh. Haliti po mundohet dalëngadalë të zbres nga ,,pykat” dhe, si duket, do të shtrihet për tokë, duke shpresuar se në këtë mënyrë do të lirohet nga përgjegjësia që ka, për veprimtarinë e tij antikombëtare dhe të komandantëve që ishin bërë argatë dhe rrogëtarë të klanit të tij. Plotësisht ia kuptoj hallet Xhavit  Halitit, por nuk ia pëlqej mënyrën se si do t’i tejkalojë ato halle dhe gajle të mëdha që po ia rëndojnë kokën çdo ditë e më tepër. Por, po shihet se ai nuk është edhe aq i padijshëm sa paraqitet. E dinë Xhaviti se mbrojtja më e mirë është sulmi. Por taktika dhe strategjia e sulmit të tij janë të pasuksesshme. Janë të pa suksesshme, sepse i mungojnë faktet dhe argumentet, për t’i hedhur poshtë kritikat dhe akuzat që po ia ngarkojnë në shpinë shokët e tij, opinioni ynë dhe ai ndërkombëtar.

 

XHAVIT HALITI KUNDËRSHTON SHKUARJEN NË KOSOVË TË FEHMI LLADROFCIT, ME ARSYETIM SE ''KY NJERI DHE SHOKËT E TIJ JANË KARRIERISTË''

Me siguri se Xh. Haliti po të kishte fakte për t’i hedhur poshtë kritikat që po bëhen në emrin e tij, ai nuk do të parashtronte padi në Prokurorinë e Prishtinës kundër gazetarëve dhe bashkëpunëtorëve të ,,Botës sot’’, por do ta mbronte vetveten e tij me shkrime si i ka hije personit publik, ashtu siç veprohet në shtetet e Bashkësisë Evropiane dhe në SHBA-të. Duhet ta ketë ditur Xhavit  Haliti, por edhe institucionet e drejtësisë në Kosovë, se personaliteti publik në Evropën Perëndimore, po qe se akuzohet nga mjetet e opinionit publik për ndonjë gjë, ai e ka për detyrë, në afatin sa më shkurtër, të pranojë apo të mohojë kritikën në formën në të cilën është akuzuar. (me mjete të shkruara apo mjete elektronike). Po që se personi i akuzuar me fakte i mohon kritikat, autoriteti i tij nuk bie në opinionin publik por rritet. Dhe e kundërta, po që se nuk ka fakte për t’i hedhur poshtë akuzat e opinionit publik (të gazetarit apo institucionit), jep përgjegjësi morale dhe ligjore dhe shkarkohet nga posti që e mban. Siç dihet, Xhavit Haliti nuk është kritikuar dhe akuzuar vetëm nga gazetarët dhe bashkëpunëtorët e ,,Bota sot”, por ai është kritikuar dhe akuzuar shumë ashpër prej anëtarëve të kryesisë LPK-së, ku edhe ai bënte pjesë në atë kryesi. Po ashtu Xh. Haliti, H. Thaçi dhe partia e tyre është kritikuar dhe akuzuar shumë rënd edhe nga mjetet publike të opinionit ndërkombëtar, ndërsa Zvicra ia ka ndaluar Xh.Halitit t’ia shkelë territorin e shtetit të saj.
Duhet theksuar se kritikat dhe akuzat e para kundër Xhavit Halitit kanë rrjedhë prej bashkëpunëtorëve të tij që e përbënin udhëheqjen e ngushtë të LPK-së. Muhamet Kelmendi në librin e tij ,,Pse nuk u ndërtua Fronti për Çlirimin e Kosovës”, e akuzon Xh. Halitin për veprimtari destruktive, përçarëse dhe antikombëtare. Po citojmë: ,,Në vitin 1996, shqyrtuam kërkesën e Fehmi Lladrofcit, të cilën e paraqiti Ali Ahmeti (Ditari i M.K.). Ai kishte kërkuar lejen nga Kryesia për të shkuar brenda vendit për vete, për bashkëshorten e vet dhe më se 10 shokë. Ne si Kryesi e kishim shqyrtuar këtë kërkesë disa herë, por kundër shkuarjes së grupit të Fehmi Lladrofcit brenda vendit ishte kryesisht Xhavit Haliti dhe Azem Syla, me arsyetimin se ky njeri dhe shokët e tij janë karrieristë, njerëz që shkojnë atje për të udhëhequr luftën e jo për të luftuar (Deklarata në Kryesi e anëtarëve të Sektorit të veçantë). Ky bllokim kuptohet se bëhej në emër të Shtabit Qendror të UÇK-së, duke kërcënuar e lëshuar mbledhjen. Deri në maj të vitit 1997 e bllokuan vendimin e dërgimit të Fehmi Lladrofcit me shokë’’. Zotëri Kelmendi vazhdon : ’’ Por, e përbashkët është se , përkundër dobësimit të radhëve të ushtrisë me bllokimin e vullnetarëve e kuadrove, u veprua edhe kundër kërkesave të shokëve të tjerë të Kryesisë a të KP të Degës j. v. të cilët e shprehën gatishmërinë për të shkuar brenda vendit. Çdo kërkesë që bëhej në Kryesi, nga dy anëtarë të sektorit (Xhavit Haliti dhe Azem Sylës) u refuzua kategorikisht në emër të UÇK-së, e, gjoja se nuk kishin nevojë, ndërsa dërgonin persona të tjerë, anëtarë që i kishin nën kontrollin e tyre. Këtë e refuzonte Ali Ahmeti, duke treguar se ato nuk ishin vendime të UÇK-së (Ditari i M.K.)’’. Muhamet Kelmendi shpjegon se gjatë periudhës prill-qershor të 1998, ’’…u bllokua edhe dërgimi i kuadrit politik e ushtarak, përveç atyre që vinin në shërbim të tyre, apo që kishin lidhje të ndryshme, krahas atyre familjare dhe shoqërore me këta anëtarë. Askush nuk mund të depërtonte në radhët e UÇK-së pa u vënë në shërbim të klikës, ose pa pasur lidhje individuale me zonat në vend.’’

AVOKATI TOMË GASHI ME KËTË PROCES GJYQËSOR, NUK KA MUNDËSI TA PASTROJË KLIENTIN E TIJ NGA MËKATET E SHUMTA

Të shikojmë tani se çka na thotë për punën dhe veprimtarinë e Xh. Halitit, Ramush Haradinaj, në librin e Bardh Hamzajt ,,Rrëfim për luftën dhe lirinë (Dialog me komandant Ramush Hajradinaj)”. ’’ Në logjistikë, rol dominues kanë pasur Xhavit Haliti e Azem Syla, ndërsa në terren Xheladin Gashi – Plaku, që ishte përgjegjës i bazës në Cahan’’. Ramush Haradinaj vazhdon: ’’Xhavit Haliti dhe Azem Syla të cilët kanë menduar se në Kosovë gjithçka duhet të shkojë sipas mendimit të tyre, shumë herë veprimet e veta për të ndihmuar furnizimin, i kanë kushtëzuar me dëgjueshmërinë tonë ndaj tyre. Në pyetjen që Bardh Hamzaj ia shtron Ramush Haradinajt, se në çka ka konsistuar kjo kërkesë për dëgjueshmëri, R. Haradinaj përgjigjet: ,,Ka konsistuar në faktin që veprimet dhe deklarimet të bëhen vetëm në formën që ata e konsiderojnë të arsyeshme, të mos u nxirrnim telashe në organizimin e Shtabit të Përgjithshëm, por t’i lëmë aty satelitët e tyre. Domethënë, është kërkuar të ishim të dëgjueshëm ndaj argatëve që i kishin Azemi dhe Xhaviti në terren dhe të pranonim se ekziston një Shtab i Përgjithshëm, e faktikisht nuk ekzistonte, nuk ishte i kompletuar. Kërkohej të vepronim në bazë të urdhrave të ,,shokëve’’, që nuk dihej se kush janë. Na thoshin: ,,Kanë thënë shokët, kanë thënë shokët!’’, aludohej në Shtab të Përgjithshëm. Në fakt, kjo ishte një mënyrë për mbajtjen e mekanizmit ushtarak nën kontroll me diçka të ,,hijes’’, të ,,nëntokës’’, me diçka misterioze.’’ Në pyetjen tjetër të Bardh Hamzajt se a kanë shkuar këto kërkesa deri në masën që ka mundur të nënkuptojë ndërrimin e karakterit të luftës;  Haradinaj përgjigjet: ’’Kërkesat e tyre kanë qenë mirë të definuara dhe kanë pasur prapavijë të fuqishme. Them mirë të definuara, sepse e kanë ditur mirë se çka po kërkojnë për vete. Mendoj se dëshira e tyre ka qenë që lufta të identifikohet me këta. Pra, lufta të vazhdojë, por të identifikohet me këta persona-kjo ka qenë ajo më konkretja. Kjo logjikë, pastaj, në terren është manifestuar në atë mënyrë që më të rëndësishme të konsiderohen lidhjet me ndonjë anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm sesa me komandantët e zonave.’’ Mendoj se është e tepërt çfarëdo komenti përkitazi me pohimet e Ramush Hajradinajt dhe të Muhamet Kelmendit, kur dihet se deklaratat e tyre janë të mbështetura në bazë të fakteve të shumta, që ata i kanë përkitazi me veprimtarinë e Xhavit Halitit dhe të Azem Sylës, të cilët në bazë të përkrahjes së madhe që e kishin nga Nanosi dhe Sigurimi i Shqipërisë, por edhe me ndihmën e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit që u bënë argatë të tyre, arritën t’i përvetësojnë njësitë guerile të Republikës së Kosovës që udhëhiqeshin nga Adem e Hamzë Jashari dhe Zahir Pajaziti, me mjetet e marrjes së kalasë nga brenda.
Opinioni ynë është i njohur edhe me kritikat që ia kam bërë unë Xhavit Halitit në librin tim’’ Pse jemi kështu siç jemi’’, por deri më tash Xh. Haliti nuk i ka kundërshtuar, së paku me një shkrim gazete, asnjë akuzë që ka rrjedhur nga unë, shokët e bashkëpunëtorët e tij, dhe as të opinionit vendas dhe atij ndërkombëtar. Kjo do të thotë se Xhavitit i mungojnë faktet për t’u mbrojtur, prandaj e ka zgjedhur mënyrën dhe mjetet që nuk i takojnë një personi publik siç është ai. Kjo mënyrë për t’u mbrojtur i takon qytetarit të zakonshëm, kur një qytetar tjetër ia thyen derën e shtëpisë apo ia uzurpon pasurinë. Avokati Tomë Gashi është i vetëdijshëm se me këtë proces gjyqësorë që e ka kurdisur kundër redaktorit të ’’Botës sot’’ Bajrush Morinës, nuk ka mundësi ta pastrojë nga mëkatet e shumta klientin e tij, por ai shpreson se me këtë proces gjyqësorë do të arrijë së paku të zvogëlohen kritikat dhe akuzat kundër klientit të tij Xh. Haliti, sepse  edhe ai është i vetëdijshëm se një ditë kur drejtësia e Kosovës do të arrijë të jetë plotësisht e pavarur prej faktorëve politikë dhe kur Kosovës t’i njihet pavarësia e shpallur, klienti i tij do të japë llogari që u vu në shërbim të politikës antikombëtare të Nanosit dhe Klosit, dhe kështu veprimtaria e tij dhe e shokëve të tij i solli shumë të liga dhe vështirësi Luftës Çlirimtare të popullit tonë për çlirim dhe bashkim kombëtar.
Sa i përket pyetjes së dytë, mund të thuhet me plot të drejtë se Prokuroria Komunale e Prishtinës ka rënë nën ndikimin e faktorit politik që e kontrollon Xhavit Haliti & Compani. Organet e drejtësisë së Kosovës duhet ta kenë të qartë se personi dhe personaliteti publik në sistemet demokratike, për kritikat që i vijnë nga opinioni nuk e ka mbështetjen nga organet e drejtësisë, përderisa ai nuk i hedh poshtë kritikat dhe akuzat në bazë të fakteve dhe argumenteve të pamohueshme, me anë të mjeteve publike me të cilat është kritikuar apo akuzuar. Siç dihet, Xhavit  Haliti deri tash me asnjë shkrim nuk i ka hedhur poshtë kritikat dhe akuzat që janë drejtuar në emrin e tij nga opinioni i gjerë i vendit dhe ai ndërkombëtar. Shtrohet pyetja: Pse atëherë Prokuroria Komunale e Prishtinës nuk e hodhi poshtë kërkesën e Xh. Halitit dhe të T. Gashit për të ngre padi kundër gazetarëve dhe bashkëpunëtorëve të ’’Botës sot’’, të cilët, siç dihet, kanë bërë një punë shumë të vlefshme për të dalë në dritë shumë të vërteta.
Sa i përket pyetjes së tretë, përgjigjja është e qartë dhe e thjeshtë. Tomë Gashi dhe klienti i tij Xhavit  Haliti, edhe pse kanë pasur sukses për ta bindur Prokurorinë Komunale të Prishtinës për të ngre padi kundër gazetarëve dhe bashkëpunëtorëve të ,,Botës sot’’, me kalimin e kohës, janë vetëdijesuar se nuk do ta kenë lehtë për ta bindur trupin gjykues, siç e bindën Prorukorinë Komunale, sepse duhen shumë fakte dhe prova gjyqësore për një gjë të tillë, e që ato iu mungojnë. Prandaj T. Gashi dhe XH. Haliti që në fillim të seancës gjyqsore të 24 majit, luajtën një lojë jo serioze dhe qesharake, duke u mbështetur në tregimin popullor: ,,Tre qetë dhe ujku’’, por nuk iu piu ujë. Avokati i Xh. Halitit, Tomë Gashi, e tërhoqi padinë ndaj Myftar Halilit, Shefqet Jasharit-Strofcit dhe Nefail Maliqit dhe kërkoi që për të gjitha këto lëndë të ngarkohet me përgjegjësi Bajrush Morina. Në arsyetimin e tij, avokati Gashi tha se Bajrush Morina është redaktor përgjegjës i gazetës ,,Bota sot’’ dhe ai mban përgjegjësi edhe për shkrimet e autorëve tjerë.’’ Siç njoftojnë mjetet e opinionit publik, kryetari i  trupit gjykues, gjyqtari Hamdi Ibrahimi, me plotë arsye dhe kompetencë e hodhi poshtë arsyetimin e Tomë Gashit, duke sqaruar se ’’në bazë të Kodit të ri penal të Kosovës, botuesi, kryeredaktori, ose redaktori përgjegjës i gazetës mbanë përgjegjësi vetëm për artikuj që botohen pa emër në gazetë (janë artikuj anonim), por jo edhe për artikujt që nënshkruhen.’’ Shtrohet pyetja se pse Tomë Gashi e mbështeti arsyetimin në Kodin penal të ish-Jugosllavisë(Serbisë), e jo të Kodit të ri penal të Kosovës ?!!! Është fjala për mosdijen profesionale të tijën, apo është fjala për manipulim dhe demagogjia për ta fituar besimin e klientit të tij, apo për ta provokuar kryetarin e trupit gjyqësor. Unë nuk mund të jap përgjigje të sigurt, por kjo tregon se kemi të bëjmë me një avokat joserioz dhe manipulues të shkathët.
Shtrohet pyetja se a nuk është qesharake padija e Xhavit Halitit dhe avokatit të tij Tomë Gashit, kundër Bajrush Morinës, padi kjo që mbështetet në një shkrim të tij, i cili shtron një pyetje, që është e zakonshme për analistët, kur dihet se veprimtaria politike, për dallim prej veprimtarive tjera, nuk fillon nga besimi, por nga dyshimi. Politika nuk është matematikë - shkencë, ajo është art i të së mundshmes. Prandaj edhe çdo analistë për të ardhur deri tek e vërteta duhet të shtrojë pyetje të llojllojshme, që pastaj në bazë të informatave, të japë vlerësimet për një ngjarje që është në proces të zhvillimit apo që ka përfunduar. Prandaj, profesioni i gazetarit dhe analistit nuk mund të ushtrohet pa shtrimin e pyetjeve të ndryshme për të ardhur deri tek informatat e nevojshme, që do të hyjnë në punë për konstruktimin e mozaikut të ngjarjeve që është i interesuar të dijë opinioni.
Duhet ta ketë të qartë Xhavit Haliti dhe mbrojtësi i tij Tomë Gashi, se po të vepronin sikur ata të gjithë personat dhe personalitetet publike në Kosovë, duke i paditur gazetarët dhe analistët për pyetjet që i shtrojnë në shkrimet e tyre, apo për kritikat që ua bëjnë personave publik, organet e drejtësisë së Kosovës nuk do të mund të kryenin asnjë lëndë tjetër gjyqësore, përpos lëndëve që do të vijnë nga paditë e personave publikë. Xh. Haliti është dashur të dijë një gjë të thjeshtë, se prej asaj dite kur ai ka filluar të merret me veprimtari publike, nuk mund t’u shpëtojë kritikave publike. Po që se ai nuk është në gjendje t’u përballojë kritikave që i vijnë nga opinioni publik, le të japë dorëheqje nga postet që e ka zënë dhe le të kryejë punën e bujkut në tokat që i bleu pas çlirimit të Kosovës, apo le të kryejë punën e nëpunësit në pishinën shumë moderne që e ndërtoi në vendlindjen e tij. Por, Xh. Haliti dhe avokati i tij duhet të jenë të vetëdijshëm se një ditë kur të piqen kushtet, një komision parlamentar do t’i shtrojë Xh. Halitit pyetje për të treguar se ku i mori gjithë ato të holla që u bë pasanik i fuqishëm i Kosovës. Ai me siguri do të detyrohet të tregojë saktë dhe drejt pa i dhënë lak të vërtetës, ndërsa avokati T. G. nuk do të ketë mundësi aspak t’i ndihmojë.
Sa i përket pyetjes së fundit, jam plotësisht i bindur se trupi gjyqësor i Gjyqit Komunal të Prishtinës, që po e shqyrton padinë e T. Gashit dhe klientit të tij Xhavit Halitit kundër zotëri Bajrush Morinës, nuk do të bie në ndikimin e faktorëve politikë, por do ta hedhin si një leckë e pavlerë atë padi, duke u treguar qendrave të vendosjes ndërkombëtare, opinionit tonë dhe atij ndërkombëtar, se gjyqësia e Kosovës është e zonja të qëndrojë në këmbët e veta, drejt dhe fort, pa pasur nevojë që dikush nga jashtë ,,ta mbaj dubë’’ apo ta kontrollojë.

 

Botuar: ''Bota sot'', më 26 dhe  28 qershor 2004