BABAI I SHIK-UT XHAVIT HALITI, ËSHTË KALLAUZI I TË GJITHA TË LIGAVE QË E SHËMTUAN KOSOVËN DHE POPULLIN E SAJ

Nuk ka dyshim se Kosova gjendet në një krizë shumë  të thellë politike, ekonomike, sociale  dhe morale, pa një perspektivë të daljes  prej saj, përderisa nuk krijohet një Qeveri e aftë në pikëpamje profesionale, me personalitete të pa korruptuara,  që kanë autoritet në vendin ku punojnë dhe jetojnë dhe janë atdhetarë të dëshmuar. Por ata duhet ta kenë edhe guximin qytetar jo vetëm t’i numërojnë shkaqet që e quan në këtë gjendje të mjeruar Kosovën e pasluftës, por që kanë dije, mençuri dhe trimëri për t’i luftuar deri me një të gjitha shkaqet dhe bartësit e atyre shkaqeve të shëmtuara që e katandisën Kosovën në këtë kaos që mbretëron ligji i ,,të fortit’’, e jo ligji i arsyes dhe ligji i shtetit ligjor.

Një qeveri e tillë, nëse donë All-llahu, Zoti i Plotfuqishëm, Kosova do ta ketë pas zgjedhjeve nacionale që do të bëhen sivjet, apo në vitin e ardhshëm. Se a do të krijohet një Qeveri e tillë, varet prej shumë faktorëve, por ne do t’i përmendim disa prej tyre:

a. Qysh tash, mjetet e opinionit publik duhet demaskuar këtë klasë politike, në krye të së cilës gjendet  Xhavit Haliti & kompani, të cilët që nga largimi i ushtrisë dhe policisë serbe nga Kosova,  që i përzuri NATO-ja, e zëvendësuan robërinë serbo-jugosllave me robërinë e tyre, e cila u tregua se është shumë herë më e rëndë dhe më e vështirë se ajo e Kasapit të Ballkanit. Kjo dorë e zgjatur e Serbisë, punoi për t’i vërtetuar Serbisë shpifjet e saja shekullore se ,,shqiptarët nuk janë popull shtetformues, se janë hajna dhe kriminelë e mafiozë, destabilizues të vendit të tyre dhe të regjionit’’. A thua nuk i përdorë Serbia, si fakte, këto të zezat që ia sollën Kosovës kasta e Xhavit Halitit & kompani, nëpërmjet kanaleve të saja diplomatike, por edhe  nëpërmjet mjeteve të opinionit publik.

b. Faktor tjetër me rëndësi, i dorës së parë, është të demaskohet SHIK-u i Xhavit Halitit, për veprimtarinë kriminele të tij, duke ua mbushur mendjen kryefamiljarëve, apo personave që janë dëmtuar nga SHIK-u, që t’ua afrojnë faktet organeve kompetente të EULEX-sit, për kërcënimet, rrahjet, dhunimet dhe vrasjet që i bënë pjesëtarët e SHIK-ut ndaj të dashurve të tyre. Vetëm duke ua ofruar faktet e pamohueshme EULEX-it për krimet e SHIK-ut, do ta shpëtojmë Kosovën dhe qytetarët e saj nga katastrofa që po ia përgatisin argatët e Serbisë. Mjetet e opinionit të bëjnë presion në organet kompetente të policisë dhe të drejtësisë, veçmas të EULEX-it, që të merren seriozisht me luftimin e krimit të organizuar, duke filluar nga ,,koka’’ e SHIK-ut  e jo nga ,,bishti’’. Të kërkohet me ngulm që EULEX-si të bëjë hetime të plota: Si u themelua? Për çfarë arsye u themelua dhe  kush e themeloi? Kush e financoi dhe  kush e drejtoi? Kush dha urdhra për krime dhe kush i kreu urdhrat,  kur veç dihet se babai i  kësaj qendre të krimit të organizuar është Xhavit Haliti? 

c. Duhet ta bindim opinionin tonë dhe faktorin ndërkombëtar, se pa shkatërrimin e qendrës së krimit të organizuar - SHIK-un e Xhavit Halitit - PDK-së, nuk ka përparim, zhvillim, demokraci  dhe as qetësi në Kosovë dhe as në Evropën Juglindore. 

ç. Opozita, pa marrë parasysh dallimet e saj organizative apo programore, patjetër duhet të bashkohen për ta larguar me mjete paqësore, me votën e qytetarëve, këtë kastë politike të Xhavit Halitit, po që se ia donë të mirën vendit, qytetarëve dhe pasardhësve  të tyre. Vetëm atëherë kur populli t’i rreh me dajakun e votës së tyre këta mafiozë dhe plëngprishës faqezi, do ta  ndajnë  pushtetin në bazë të votave të fituara nga elektorati i secilit subjekt politik, që ka kontribuar në rrëzimin e klanit të Xhavit Halitit & kompani.

d) Patjetër të ndryshohet reforma zgjedhore, me të cilën pamundësohet vjedhja apo blerja e votave prej skamnorëve nga bajraktarët e farës ruse, nanoistët e çartur për pushtet dhe ,,pionierët e Enverit”, siç ka ndodhur në të gjitha votimet e deritashme lokale dhe nacionale që u zhvilluan në Kosovën e pasluftës.

dh. Edhe veprimtarët e dikurshëm që ia bënë nga një argat çështjes madhore kombëtare, e të cilët me vetëdije apo pa vetëdije u bënë argatë të Xhavit Halitit dhe pionëve  të tij, duhet të reflektojnë, për veprimtarinë e tyre. Po që se dëshirojnë që të mos shkojë huq veprimtaria e tyre në dobi të çështjes kombëtare; po që se donë që Kosova të mos përmeçatet duke ecur zhagas, por të ngrihet në këmbë për të ecur përpara; po që se dëshirojnë që t’i qesin në ujëra të zeza shpifjet e serbëve se ’’shqiptarët nuk janë popull shtetformues’’, se ’’nuk dinë të bëjnë shtet ligjor’’, se janë ,,hajna dhe kriminel e mafiozë’’ dhe ,,destabilizues të vendit të tyre dhe të Ballkanit’’, që deri me një i vërtetuan me veprimtarinë kriminele qeveritë e Xhavitit, që i drejtoi pioni i tij Hashim Thaçi, është më se e domosdoshme, të kontribuojmë në rrëzimin e kësaj klike që e pruri në këtë gjendje të mjeruar Kosovën, duke i njollosur shqiptarët si popull dhe si komb në mënyrën më të ligë.

e. Edhe EULEX-i, i cili në bazë të autorizimit të organeve përgjegjëse vendore dhe atyre ndërkombëtare, ka pranuar ta luftojë krimin e organizuar, nuk guxon të bie në ndikimin e kriminelëve, se atëherë do të konsiderohen ortak me kriminelët e Kosovës. Ata duhet ta konsiderojnë Kosovën me autorizimin dhe zotimet që e kanë marrë për ta luftuar krimin e organizuar në Kosovë, sikur të ishte vendi i tyre. Prandaj, kanë përgjegjësi morale dhe ligjore ta luftojnë krimin e organizuar me përkushtim dhe vendosmëri, mu ashtu sikurse do ta luftonin këtë të keqe të Kosovës, po të ishte paraqitur në vendin e tyre.

ë. Edhe drejtuesit e institucioneve shtetërore të hetuesisë, policisë dhe të drejtësisë të Republikës së Kosovës, kanë obligim moral ta luftojnë krimin e organizuar, në radhë të parë, duke i ndriçuar vrasjet e SHIK-ut, që u bënë gjatë luftës dhe pas luftës në Kosovë dhe në Shqipëri.

 

Shqiptarët duhet të vetëdijesohen se Kosova do të mbetet pikë e zezë e rruzullit tokësor, qendër e krimit të organizuar për krejt Evropën, mjerim për shumicën e qytetarëve të saj, po që se nuk i largojnë nga skena politike kriminelët me kravata kuq e zi, që kanë zënë pozita udhëheqëse në institucionet shtetërore dhe subjektet politike të Kosovës, të cilët duke u mbështetur në parimin se ’’qëllimi i arsyeton mjetet’’ bënë dhe po bëjnë krime të llojllojshme, që ata dhe pasardhësit e tyre të mbesin pronarë të përjetshëm të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

 Në bazë të fakteve të shumta dhe të pakontestueshme, vërtetohet se babai i SHIK-ut të LPK-së-PDK-së, është Xhavit Haliti. Ai me ndihmën e Fatos Nanos dhe ekspertëve të Sigurimit të Enver Hoxhës, në krye me Shaban Brahën, e krijoi këtë krijesë të shëmtuar, që Kosovën e shkretoi, duke ia vrarë veprimtarët e devotshëm, ndërsa shumë nëna i veshi në të zeza dhe shumë fëmijë u lanë jetimë, për të vetmin qëllim që bajraktarët e ,,farës ruse’’, ,,pehlivanët’’ e Nanosit dhe ,,pionierët e Enverit”, ta bëjnë Kosovën pronë të tyre personale, kurse qytetarët e saj,  robotë (pa gojë dhe pa zemër, pa vesh dhe pa sy).

 

SI ARRITI XHAVIT HALITI TË BËHET NGA STUDENT VETERAN I UNIVERSITETIT TË PRISHTINËS, PERSONI MË I FUQISHËM I LPK - PDK-së

Në bazë të të dhënave që na i jep Xhavit Haliti në intervistën e tij të botuar në ,,Zëri’’ më 5 - 16 shkurt të vitit 2001, shihet se ai  ishte student veteran i Universitetit të Prishtinës në vitet e ‘80-ta. Në demonstratat e 26 marsit të vitit 1981, gjatë demonstratave një shok i tij, Mehmet Bislimi, duke e parë veprimtarinë e tij destruktive, e godet në kokë Xhavit Halitin duke e quajtur spiun. Që nga ajo ditë, Xhavit Halitit i ,,del boja’’ dhe ju prish ,,shtufullogu’’në Universitetin e Prishtinës. Por Xhavit Haliti  nuk ndenji duar kryq. Donte që ,,gradat’’ që ia qepi në kraharor  dhe në ballë shoku i tij i vjetër, t’i largojë me mjeshtri. Ai gjatë vitit 1984-85, në saje të aftësisë propaganduese të tij, por duke shfrytëzuar edhe sinqeritetin dhe mos përvojën  e disa ish-të burgosurve politikë, ua mbush mendjen për ta formuar bashkë  një organizatë ilegale, që do të lunte rolin e një Qeverie në ilegalitet. Ai thotë: ,,Në Kosovë vepronte Komiteti Organizativ, si organ politik. Diku në fillim të vitit 1985 u mur vendim që të formohej ’’Byroja Ekzekutive, e cila në një mënyrë  do të luante rolin e një farë qeverie ose organi ekzekutiv, me të gjitha segmentet, me të gjitha funksionet që mund të ketë një qeveri në ilegalitet.’’

Zëri: Kush ishte në Byronë Ekzekutive?

Haliti: Ka qenë Hilmi Reçica, por edhe Xhabir Morina, Bashkim Mazreku, Xhavit Haliti  dhe Fehmi Lladrofci.

Zëri: Cili ishte roli i juaj?

Haliti: ’’Si anëtarë i Byrosë Ekzekutive, unë isha ngarkuar të krijoja lëvizjen guerile në Kosovë’’?! (...) por ,,me burgosjet e nëntorit të atij viti, ndikuan në një farë forme që të pushojë së  funksionuari organizata jonë për një kohë...’’.

 Se Xhavit Haliti u tregua ,,pehlivan’’ i vërtetë, dëshmojnë faktet. Ai edhe pse zbulohet siç u zbuluan të gjithë shokët e tij, për dallim prej tyre, ai nuk burgoset. Policia, siç thotë ai, i paskan ,,trokitur’’ në derën e banesës së tij, por ai nuk ua kishte  hapur derën. Nga ballkoni i katit të tretë zbret në ballkonin e katit të dytë, pasi i bie ndërmend se e ka harruar pasaportën,  prapë ngrihet lart në ballkonin e banesës së tij, si të ishte një ketër e shkathtë, hyn në banesë për ta marrë pasaportën dhe prapë zbret teposhtë dhe bie në tokë si një pehlivan i vërtet!!!

 Si duket Xhavit Haliti atëherë paska pasur aftësi parapsikologjike, pasi që i pati ,,hipnotizuar’’ policët jugosllavë, sepse fare nuk i vërejtën  lëvizjet e tij poshtë e përpjetë, edhe pse ndërtesa ku jetonte ishte e vëzhguar nga policë të shumtë. Pastaj shkon në  Postën kryesore të Prishtinës, pa ju trembur syri se policia mund ta arrestonte,  për të bërë ca telefonata me shokët e tij  për të kuptuar se kush është burgosur. Pasi i kreu bisedat me shokët e tij,  pa iu trembur syri se policia mund ta arrestojë, në rrugë e sipër ,,hetohet’’ nga policia në lagjen ’’Aktash’’ të Prishtinës, e ’’rrethojnë’’, por ai me pistoletë në dorë e ’’qanë rrethimin’’, duke e ’’plagosur’’ një polic, dhe pastaj, ,,pa i hyrë asnjë therë në këmbë’’ i kalon disa kufij shtetërorë  dhe arrin në Zvicër për të kërkuar strehim politik!!!

            Xhavit Haliti nuk kishte dalë në Zvicër për të fituar kafshatën e gojës, se edhe kur ishte ’’student veteran’’, kurrë nuk i mungonin të hollat. Qëllimi i tij ishte t’i hiqte ,,gradat’’ që ia dha shoku i tij Mehmet Bislimi,  por  edhe për  ta ndihmonte LPK-në,  me përvojën dhe dijen e tij për ta ’’luftuar’’ Titon dhe titizmin dhe revizionizmin jugosllav, e për ta përkrahur Enver Hoxhën dhe Internacionalizmin proletar. Këto ishin synimet e tij të deklaruara të ,,studentit veteran’’.

 

KUSH ËSHTË BABAI (KRIJUESI) I SHIK-UT TË LPK-PDK-SË DHE KUSH ËSHTË PËRGJEGJËS PËR KRIMET E TIJ

Në bazë të  biografisë së ,,përpunuar’’ dhe të ,,përmirësuar’’ që ia kishin dokumentuar kolegët e tij në Prishtinë, Kryesia e LPK-së e pranuan me gëzim të madh Halitin në radhët e saj.  Haliti pastaj i mbushur plot ide dhe plane operative që i kishte sjell nga Kosova, ia  mësyu Shqipërisë. Atje vepronin shokët e shokëve të tij, për ta ndihmuar Fatos Nanon dhe komunistët shqiptar, (që brenda një nate u bënë ’’socialistë’’), për t’ia marr pushtetin Sali Berishës, se ishte ,,malok’’?!  Xhavit Haliti, me ndërmjetësimin e kolegëve të tij nga Prishtina, u takua me Fatos Klosin, të parin e SHIK-ut të Shqipërisë. Në bazë të bindjeve politike, shpejt u bënë shokë të pandashëm. Klosi ia organizoi takimin me Ramiz Alinë e me Fatos Nanon.

Xhavit Haliti, në intervistën e tij dhënë gazetës ,,Zëri’’, me titull: ,,Xhavit Haliti, themelues i UÇK-së ’’ të datës 6 shkurt 2001, pranon se në takimin që ai e pati më 1990 me  Ramiz Alinë, Presidentin e Shqipërisë, kishte marrë këto premtime prej tij për ta ndihmuar LPK-në. Citojmë:  ''Kur kemi shkuar në Shqipëri 1989-90, kemi biseduar me, në atë kohë Presidentin Ramiz Alija, i cili ngarkoi një strukturë nga Shërbimi informativ Shqiptar dhe ngarkoi këshilltarin e tij të parë ushtarak, Adem Çopanin, që të merrej me ne''.

 Se çfarë raportesh kanë ekzistuar në mes Xhavit Halitit  dhe Sigurimit të Shqipërisë, na tregon vet Xhavit  Haliti, kur thotë:'' Adem Çopanin në një farë mënyre,  e kam pasur mentor dhe jam takuar me të sa herë që kam kërkuar unë.’’

 Xhavit Halit na japë të dhëna dhe fakte të rëndësishme se ai është krijuesi i SHIK-ut të LPK-PDK-së. Të shohim se çka thotë Xhavit Haliti në intervistën e dytë dhënë ''Zërit'' (mars-prill, 2003).  Haliti tregonse ai kishte për qëllim qysh në vitet ‘90-ta, të ndërtonte një shërbim informativ në Kosovë: '' Ne synonim që të kishim në Kosovë një strukturë, ku të ndanim njerëz të veçantë për të krijuar një gardë, një shërbim informativ, një ushtri...'' (Shiko: ,,Zëri’’, më 26 mars 2003).

 XhavitHaliti dëshmon se për krijimin e Shërbimit Informativ të LPK-së është konsultuar me ekspertë të Sigurimit të Shqipërisë: ,,Më pas jam konsultuar me njerëz që marrin vesh nga këto punë, të cilët ishin kryesisht ekspertë shqiptarë si Adem Çopani, Shaban Braha e disa të tjerë. Është biseduar në vazhdimësi me oficerë të karrierës, që e njihnin artin ushtarak, si dhe mënyrën e organizimit të shërbimeve informative.''(...)

,,Në qoftë se nuk je i përgatitur  t’u shmangesh kurtheve, atëherë pësimet bëhen shumë të mëdha. Jemi përpjekur që t’i absorbojmë mësimet dhe përvojat e të tjerëve dhe t’i aplikojmë ato në praktikë''. (Shiko: ’’Zëri'', më 29 mars 2003).

            A nuk e shfrytëzoi përvojën dhe praktikën e Sigurimit të Enver Hoxhes  dhe të UDB-së Jugosllave Xhaviti me argatët e tij, jo vetëm  gjatë luftës, por edhe  pas luftës e deri më sot?! Edhe ,,cërna ruka’’ serbe nuk do të dinte ta shkatërronte arsimin, shëndetësinë dhe ekonominë e Kosovës në këtë mënyrë siç e katandisi SHIK-u i PDK-së në krye me Xhavit Halitin. Edhe atentatet i bënë, tamam ashtu siç i bënte ’’cërna ruka’’ serbe, me kurthe dhe tradhti.

Siç po shihet, këto janë fakte të pamohueshme, që i zbulon vet Xhavit Hali, me të cilat vërtetohet se ai, dhe askush tjetër, është  babai  i SHIK-ut të LPK- PDK-së. Pra është themeluesi i  qendër së  krimit të organizuar, asaj qendre e cila gjatë luftës dhe pas luftës, u bë  arma sekrete e tij, e argatëve të tij dhe e PDK-së, për t’i eliminuar nga skena politike me atentate dhe  me kërcënime  veprimtarë të dalluar të Kosovës, mu ashtu siç veproi Sigurimi i Enver Hoxhës i krijuar nga OZN-a e Jugosllavisë, për ta pastruar Shqipërinë nga nacionalistë dhe intelektualë të vërtetë. Pra, Xhavit Haliti e krijoi këtë krijesë të shëmtuar, që Kosovën e shkretoi duke ia vrarë veprimtarët e devotshëm, ndërsa shumë nëna i veshi në të zeza dhe shumë fëmijë u lanë jetimë, për të vetmin qëllim që bajraktarët ,,farës ruse’’, ,,pehlivanët’’ e Nanosit  dhe’’pionerët’’ e Enverit  ta bëjnë Kosovën pronë të tyre personale, kurse qytetarët e saj rrogëtarë, ,,pa gojë’’, ’’pa sy’’, ,,pa zemër’’ dhe’’ pa vesh’’.

Se sa i fuqishëm u bë Xhavit Haliti me përkrahjen e SHIK-ut të Shqipërisë, (Klanit që punon për interesa serbo-sllavo greke, i instaluar nga OZN-a jugosllave) tregon gazetari  Bledi Fevziu, në një artikull të tij të botuar në revistën ''Klan'', me titullin. ,,Zeka, kosovari misterioz''. Ai na japë një biografi të shkurtër të Xhavit Halitit, dhe na shpjegon se çfarë ndikimi dhe çfarë lidhje të forta ka pasur me pushtetarët e Shqipërisë.

 

NDËRGJEGJJA E VRARË, PËR VRASJEN E ALI UKËS

Është e njohur se ditën që është vrarë Ali Ukaj, gazetari i parë që ka shkruar për UÇK-në, është burgosur edhe Hashim Thaçi, si i dyshimtë për atë vrasje, i cili banonte me te në një banesë, por me intervenimin e Xhavit  Halitit, ai u lirua në mbrëmje po të asaj dite. Shih si na shpjegon këtë ngjarje gazetari Fevziu: '' Vetëm se ishte një kohë e keqe dhe një ditë të tillë, më 1997, Hashim Thaçi u arrestua në Tiranë. ...Atëherë(Xhavit Haliti v.j) i telefonoi Adem Çopanit dhe në mbrëmje Thaçi u lirua. Tek dera e rajonit, shefi i policisë i përsëriti një frazë që Kryeministri i ardhshëm nuk do ta harronte kollaj: ''ti djalë, ose ke miqë të fortë, ose ke paguar shumë para''  
Shiqo:http://www.klan.albnet.net/arshiv2/149/005.asp

Edhe pse gazetarët e ,,Bota sot”, kishin fakte se ekziston SHIK-u i PDK-së, dhe me kohë patën shkruar për veprimtarinë e tij kriminale, udhëheqja e PDK-së nuk pranonte në asnjë mënyrë se kanë ndonjë Sigurim të  fshehtë. Xhavit Haliti duke ditur se ç’far rëndësie kanë mjetet e opinionit publik për realizimin e planeve të tij, që robërinë serbe ta zëvendësoj me robërinë e tij dhe klanit të tij, ai nëpërmjet SHIK-ut të tij, i përvetësoi dhe i robëroi të gjitha mjetet e opinionet publik në Kosovë, përpos gazetës kombëtare ,,Bota Sot”.

 Të shohim si na e shpjegon këtë veprimtari kriminale të Xhavit Halitit zotëri Skënder Buçpapaj, ish kryeredaktor i ,,Bota sot’’,  në kohen kur është bërë përpjekja për ta përvetësuar gazetën: Zotëri Buçpapaj në shkrimin e tij, ’’Gjarpri’’i tregon prapë dhëmbët Skënder Buçpapajt’’, në mes tjerash shkruan:''...Xhavit Haliti telefonon botuesin e ''Bota sot'' dhe i kërkon largimin tim dhe të tre kolegëve kryesorë të gazetës në mënyrë ultimative, çka kuptohej se, nëse nuk e zbatonte urdhrin, atëherë i dilte punë drejtpërdrejt atij me Halitin. Telefonata përkonte me një kohë kur ai kishte mbaruar punë me personelin (përbërjen kadrovike, siç thuhej në Jugosllavi) e shtypit në Kosovë dhe tash kërkonte të kryente punë edhe me atë në perëndim. Këtë ide ma përforcoi edhe një deklarim krejt i freskët i 4 shtatorit, i ish- botuesit të ''Rilindjes'' Avni Spahiut, i cili thotë  se unë dhe të gjithë të tjerët, jemi larguar nga shtypi me vulën e Thaçit (të dërguarit të Halitit në krye të QPK-së) dhe të gjitha emërimet e reja janë bërë po me vulën e Thaçit. Ai pohon, madje, se një cenzurë dhe një terror i tillë i mendimit, si ai që po ushtron Thaçi, nuk ka ekzistuar as edhe në periudhat më të errëta që ka kaluar Kosova nën pushtim.'' (Shih: ,,Bota sot”, më 6 shtator 1999). Këtë kërcënim e kanë  të incizuar botuesi i gazetës dhe Policia Federale e Zvicrës.  

Gazetari i ’’Bota sot’’, Bardhyl Ajeti, jep të dhëna të sakta për SHIK-un. Ai në shkrimin e tij të 1 prillit 2005, dëshmon: ’’...SHIK-u është shërbim informativ i PDK-së, i cili udhëhiqet nga këta tre persona, me nofkat: ’’Luli’’ dhe ,,Petriti’’, ndërsa ,,Zeka’’ është lider shpirtëror i saj. Ky shërbim informativ, i cili ka lidhje të forta dhe mbështetje me disa nga zyrtarët e lartë të PDK-së, ka punuar pa ndërprerë për rrënimin e demokracisë në Kosovë dhe likuidimin dhe kërcënimin e njerëzve më të devotshëm të çështjes sonë kombëtare...’’(...) ’’Sot, SHIK-u duhet ta thotë të vërtetën, sepse ata kanë thirrur në biseda ’’informative’’ shumë aktivistë të LDK-së, shumicën e të cilëve i kanë dërmuar së rrahuri, kanë thirrur shumë vajza të bukura dhe të reja po ashtu në ’’biseda informative’’...’’

Një muaj pas publikimit të këtij shkrimi, më 3 qershor 2005, Bardhyl Ajeti goditet me plumba  për vdekje  ,,nga persona të panjohur’’ në magjistralen Prishtinë - Gjilan. Atentatin e pati dënuar, përpos ,,Bota sot”, edhe ’’Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve’’. Gazetat që botoheshin në Prishtinë, i përvetësoi Xhavit Haliti, nëpërmjet SHIK-ut të tij. Gazetarët e tyre fare nuk protestuan dhe as nuk e dënuankëtë krim ndaj kolegut të tyre. Edhe pse Bardhyl Ajeti kishte njoftuar administratën e OKB-së, UNMIK-un për ,,kërcënimet që i bëheshin  pas një shkrimi të botuar për veprimtarinë e SHIK-ut’’, ato nuk reaguan fare. Kjo tregon se SHIK-u ka pasur, dhe ende e ka përkrahjen e qarqeve të caktuara ndërkombëtare që sot janë të instaluara  në Kosovë.
Shiqo: www.ifj.org/default.asp?Index=378&Language=EN

Edhe opinioni ndërkombëtar ka pasur dhe ka  të dhëna të sakta për SHIK-un, themeluesit e tij dhe bartësit e krimit të organizuar në Kosovë e më gjerë.

Është i njohur shkrimi i gazetarit dhe analistit të mirënjohur Christ Hedges, të botuar në ,,New York Times”, më 25 qershor 1999. Artikullin e tij e kanë botuar shumë gazeta të Amerikës dhe të Evropës. Edhe ,,Bota sot” e pati botuar, më 28 qershor 1999.

 Chris Hedges dëshmon se të dhënat për shkrimin e tij i kishte marrë nga  ushtarët e  UÇK-së, kur ai ishte në  Drenicë dhe Shqipëri. Ai dëshmon: ,,Dy ish-komandantë të UÇK-së, dhe një ish-oficer i Policisë shqiptare thonë, se aktualisht Xhavit Haliti, i cili zyrtarisht është ambasadori i Thaçit në Tiranë, ndodhet në Kosovë me 10 agjentë të policisë sekrete të Shqipërisë, për të formuar një rrjet të sigurimit të brendshëm në Kosovë, që ta përdorë për të eliminuar disidentët në Kosovë. Zotëri Thaçi ka caktuar qeverinë e tij, duke u vetemëruar kryeministër i saj dhe, nga ana tjetër, e ka denoncuar zotëri Ibrahim Rugova për metodat e tij Gandiste.’’

Se Xhavit Haliti është në krye të krimit të organizuat jo vetëm në Kosovë, por në gjithë hapësirën tonë kombëtare, dëshmojnë edhe shumë institucione autoritative botërore që merren me zbulimin e krimit të organizuar. Po ashtu edhe mjetet e opinionit ndërkombëtar, si dhe shumë sigurime sekrete, dëshmojnë se Xhavit Haliti është koka e krimit të organizuar në të gjitha trevat shqiptare. 

Për Xhavit Halitin, Berna zyrtare, bashkë me mediat zvicerane, kanë njoftuar se ''ky person është i rrezikshëm për paqen dhe stabilitetin në Kosovë, për shkak se ai është i implikuar në krimin e organizuar’’.

Në njoftimin e Bernës thuhet: ,,Këshilli Federal, sipas nenit 184, paragrafi 3 i Kushtetutës federale,  ka marrë masa kundër Xhavit Halitit, të cilit i ndalohet hyrja në Zvicër.'' Në bazë të atij vendimi, Policia  Federale e Zvicrës ia ka ndaluar hyrjen në territorin e Zvicrës Xhavit Halitit pa autorizimin e organeve kompetente për një kohë të pacaktuar. ,,Haliti është i implikuar në strukturat e krimit të organizuar në gjithë territoret shqiptare'' (Haliti est cependant largement impliqué dans les structures de la criminalitée de souche albanaise. Bern, le 3 juillet 2001)’’. Pra që nga 3 korriku i vitit 2001, këto masa të Qeverisë zvicerane ende vazhdojnë të jenë në fuqi kundër Xhavit Halitit'', i tha kombëtares ''Bota sot'' znj. Daniele Bersier, zëdhënëse e zyrës Federale të Policisë(OEP) në Bern.

Shih: http://internet.bap.admin.ch/f/archiv/berichte/BISS2001 leicht NEU f.pdf)

 

KUSH E KONTROLLON KONTRABANDËN E ARMËVE, DROGËS, NAFTËS E DUHANIT!

Edhe shkencëtari i njohur Xavier Raufer, që është drejtor në Qendrën Universitare për zbulimin e krimit të organizuar në Paris, në librin e njohur ''La mafia albanaise'' (Mafija shqiptare)  Une menace pour l’Europe të autorve: Xavier Raufer, Stéphane Quétré,  të botuar më vitin 2000 në Lausanne, na japin  të dhëna të rëndësishme për krimin dhe bërësit e krimit të organizuar në Kosovë. Zotëri Raufer akuzon Hashim Thaçin për implikimin e tij në të gjitha trafiqet e mundshme. Deri tash, thotë zotëri Raufel, ''drejtësia nuk është marr me të, pasi që Bernard Kushner ka vendosur që të gjitha akuzat ndaj tij t'i ndalë''. Ky njohës i mirë i mafisë shqiptare flet edhe për rolin e Xhavit Halitit në mafinë shqiptare, veprimtarinë e të cilit e konsideron ''mafioze'', ndërsa roli i tij cilësohet si ''shef i mafisë shqiptare''. Zotëri Raufer dëshmon se '' ... shefat e UÇK-së pas largimit të forcave serbe, më 10 qershor 1999, janë zhdjergur nga malet me kallashët e tyre për të përfituar të mira materiale. Shefat e UÇK-së kontrollojnë transportin e petrolit, duhanit, drogës, prostitucionit etj. Në Kosovë nuk ka ekzistuar shtet ligjor sa ishte Miloshoviqi, por pas ardhjes së UNMIK-ut, shteti ligjor nuk funksionon fare''. Pastaj vazhdon: ''Tre trafikantë tëkalibrit të madh janë Xhavit Haliti, Midhat E. dhe Hasan H.  Xhavit Haliti, njëri nga shefat e UÇK-së, është një ish oficer i shërbimit sekret të regjimit komunist të Shqipërisë. Zotëri Raufer para komisionit hetimor të Institutit Kriminologjik të Parisit, jep një deklaratë për veprimtarinë kriminele të Xhavit Halitit dhe pionit të tij Hashim Thaçit. Ndërmjet tjerash, ai  thotë: ,,Në kohën kur është mbajtur Konferenca e Rambujesë, me një letër i kam njoftuar organet kompetente të Francës, se në delegacionin e Kosovës merr pjesë një trafikantë i kalibrit të madh që mund të krahasohet vetëm me Toto Rina, që quhet Xhavit Haliti''. '' Pas përfundimit të Konferencës së Rambujesë, Xhavit Haliti është ndalë në Kosovë, në kohën kur Bernard Kushneri ishte shef i UNMIK-ut në Kosovë. Në veturën e tij janë gjetur shuma të mëdha parash në DM. dhe disa kg heroinë, por ai është liruar, sepse ishte ambasador i Thaçit në Tiranë''. '' Hashim Thaçi edhe pse ishte shef i UÇK-së që mori pjesë në Rambuje, ai ishte vetëm një pion i Xhavit Halitit''.

Ndërsa BND-ja gjermane (Shërbimi Federal Informativ i Gjermanisë) jep të dhëna të rëndësishme për Xhavit Halitin dhe Hashim Thaçin.  Gazeta autoritative zvicerane ,,DIE WELTWOCHE”, me titullin ,,Reshtsstaat? Liber nicht!”, duke u mbështetur në të dhënat e Shërbimit Federal Informativ të Gjermanisë,  pasi i njofton lexuesit e saj për biografinë e shkurtër të  Hashim Thaçit, Ramush Hajradinajt dhe të Xhavit Halitit, të cilët një kohë të gjatë kanë jetuar në Zvicër, thotë: ''...Hashim Thaçi i njohur me nofken ,,Gjarpëri”, është kryetar i PDK-së. Po që se i besojmë BND-së gjermane, ai sot kontrollon një pjesë të rëndësishme të aktiviteteve kriminele në Kosovë.'' ''Thaçi është piun i Xhavit Halitit, të cilët e kanë një klient me mrin Afrim, vrasës profesional, që bien mbi të më së paku 11 vrasje.''

Ndërsa për Xhavit Halitin thuhet: ,,Nëse i besojmë KFOR-it, ai është '' një figurë kriminele, i njohur në trafikimin e armëve dhe të drogës.'' Në raportin e BND-së (Shërbimi Federal i Informatrave të Gjermanisë), thuhet se  ai është i përzier edhe në ''pastrimin e parave, kontrabandë të drogës, armëve, personave dhe të karburantit, grave prostituta dhe është i rënditur në rrethin e ngusht të mafisë.

'' Shih: Surse: Die WELTWOCHE Ausgabe 48/05 http:www.weltwoche.ch/articel/?AssetID=12373&CategoryID=73

 

Edhe më herët cekëm se për ekzistimin e SHIK-ut të LPK-PDK-së, me kohë ka informuar ,,Bota sot” dhe mjetet e opinionit ndërkombëtar. Siç dihet, edhe pse gazetarët e ,,Bota sot’’, kishin fakte se ekziston SHIK-u i PDK-së, dhe shkruanin për veprimtarinë e tij kriminale, menjëherë pas përfundimit të luftës, udhëheqja e PDK-së nuk pranonte në as një mënyrë se ekziston SHIK-u. Tek në korrikun e vitit 2005, Jakup Krasniqi dhe më vonë edhe udhëheqës tjerë të SHIK-ut, pranojnë se SHIK-u ekziston  dhe kërkojnë që ai të institucionalizohet. Po të ishte krijuar SHIK-u për qëllime ,,patriotike’’ për ta ,,mbrojtur’’ Kosovën dhe veprimtarët e saj  nga ,,spiunët serbo-jugosllave’’, siç arsyetohen në kohën e fundit udhëheqësit e tij, nuk do ta mbanin të fshehur krijimin e tij, por do të pranonin pa hezitim, se ai është formuar dhe punon për interesa të Kosovës, duke treguar me fakte se kur dhe ku e shpëtuan Kosovën dhe qytetarët e saj nga spiunët serbo-jugosllavë. Si u bë të bëhen gjithë ato atentate kundër veprimtarëve të shquar të Kosovës, veçmas të LDK-së, ndërsa kundër veprimtarëve të LPK-së që ishin argatë të Xhavitit, nuk u bë asnjë atentat. A thua nuk e dinte Sigurimi sekret  serb se ku gjendej  Shtabi i Xhavit Halitit, i përbërë nga pionët dhe argatët e tij, që ai e quante SHP i UÇK-së. A thua nuk kishte mundësi policia serbe me disa helikopterë të mbushur me policë, t’i zinte rob, për t’i dërguar në Burgun Qendror të Beogradit pionë dhe argat e Xhavit Halititit, që i kishte graduar me gradat e anëtarit të SH të UÇK-së, dhe anëtar të Drejtorisë Politike të UÇK-së! Po, kishte mundësi ta realizonte lehtë dhe shpejt. Por paria serbe nuk ishte çmendur ta shkatërronte aleatin e tyre më të fuqishëm, i cili ishte më i fuqishëm se armata dhe policia e tij, që ishte më i fuqishëm se aleati i saj tradicional Rusia cariste-komuniste, me përçarjet që i mbollën, duke mos lejuar bashkimin e faktorit politik dhe ushtarak të Kosovës në një front të përbashkët lufte, ndihmë kjo kolosale që iu dha Serbisë, për t’i realizuar lehtë dhe pa harxhime të mëdha financiare qëllimet e saj për pastrimin etnik të Kosovës, siç edhe e realizuan mu në saje të ndihmë së cekur më lart të Xhavit Halitit & kompani dhe argatëve dhe pionëve të tyre.

Jakup Krasniqi, sekretar i PDK-së, i cili në intervistën e tij të botuar në ''Epoka e re'', më 28 korrik 2005, me titull: ,,Krasniqi: Po, ka SHIK... dhe ai duhet të institucionalizohet’’,  na i jep ca të dhëna të rëndësishme për këtë Qendër të krimit të organizuar. Ai  dëshmon: ''Po, ka SHIK…dhe ai duhet të institucionalizohet''dhe se ai ''zë fill diku në mesin e dekadës së dhjetë  të shekullit të 20-të''.

 

KUSH ËSHTË VRARË DHE KUSH ËSHTË PLAGOSUR NGA KRIMINELËT E SHIK-UT

Në pyetjen e gazetarit se ''nga i dini ju gjitha këto të dhëna për SHIK-un?''

Krasniqi përgjigjet, se '' kam qenë i kyçur edhe në radhët e UÇK-së, dhe po ashtu kam qenë anëtarë i SHP, i cili e ka pasur SHIK-un….''. 

Pra,  Krasniqi vërteton se SHP i UÇK-së e ka pasur SHIK-un ''. Krasniqi vazhdon: '' PDK-në dhe SHIK-un e lidh e kaluara e përbashkët - çlirimi i Kosovës. Pas luftës çlirimtare, PDK-ja e ka filluar veprimtarinë e vet politike,  kurse SHIK-u e ka vazhduar veprimtarinë e vet në shërbim të informimit''. (...)

,,Epoka e re”: z. Krasniqi, jeni politikani i parë që keni deklaruar që SHIK-u ekziston dhe po ashtu keni kërkuar që ai të institucionalizohet?

Krasniqi: ’’Po, unë kam thënë se SHIK-u ekziston, është legal, e ka selinë e tij dhe bashkëpunon me shërbime informative të fuqishme që veprojnë në Kosovë, prandaj edhe kam kërkuar që të institucionalizohet’’.

Siç po shihet nga dëshmia e zotëri Krasniqit, SHIK-u ka bashkëpunuar edhe me Sigurimin  serb, ngase dihet se ai sigurim i okupatorit jo vetëm që nuk e ka ndërprerë veprimtarinë e tij kriminele në Kosovë, por ai e ka shumëfishuar dhe fuqizuar veprimtarinë e tij gjatë luftës dhe pas luftës jo vetëm në Kosovë, por në gjithë hapësirën tonë kombëtare. 

''Epoka e re'': Pse?

Krasniqi: ’’Kosova duhet të ketë një SHIK të institucionalizuar, në mënyrë që t'i mbrojë frytet e luftës dhe ta mbrojë Kosovën nga ndërhyrjet e mundshme qëllimkëqija. Duke u nisur nga kjo, shtrohet si domosdoshmëri institucionalizimi, edhe për faktin se SHIK-u zë fill diku në mesin e dekadës së dhjetë të shekullit XX dhe ka kryer punë të mëdha në shërbim të Kosovës edhe para luftës, por edhe gjatë dhe pas luftës, (...) Në fakt, në kohën e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, kur është bërë publike njohja e Qeverisë, në bazë të marrëveshjes ndërmjet delegacionit shqiptar në Rambuje, është shpallur edhe SHIK-u, bile atëherë ka qenë shpallur edhe drejtuesi i SHIK-ut. Ndërsa, edhe pas luftës, në kohën e funksionimit të Qeverisë së Përkohshme, SHIK-u ka qenë një segment i institucioneve të Kosovës dhe e ka vazhduar veprimtarinë e vet në rrethana të reja të krijuara jo dhe aq të lehta, por, megjithatë, ka vazhduar bashkëpunimin e fuqishëm me shërbime të huaja, ku edhe kuadrat e tij janë trajnuar dhe në një formë apo tjetër është një shërbim profesional që i duhet Kosovës''.

 Nga shpjegimet e Jakup Krasniqit shihet se SHIK-u është formuar në vitin 1995. Ky fakt po përputhet plotësisht me dëshmitë e Xhavit Halitit, i cili në intervistat e tija  të botuara në ,,Zëri’’, na jep të dhëna se ai ka filluar që nga viti 1990 të punojë në themelimin e SHIK-ut.

Nga këto shpjegime të zotëri Krasniqit,  Xhavit Haliti dhe argatët e tij duhet të merren në hetime për të dhanë shpjegime se kur,  ku dhe me ndihmën e kujt e formuan SHIK-un. Pa tjetër duhet ta zbulojnë strukturën komanduese, rrjetin e  bashkëpunëtorëve, pastaj  të japin të dhëna se kush e ka financuar, kush ka dhënë dhe kush i ka kryer urdhrat, kush është vrarë dhe kush është plagosur prej kriminelëve të SHIK-ut, kë e kanë kërcënuar dhe kë e kanë blerë pas shantazheve, si bagëtinë në treg, ku e kanë arkivin e dosjeve të krimit të organizuar. Veçmas duhet të japin shpjegime të sakta se në cilat fusha kanë bashkëpunuar me Sigurimin serb. Kush nga kriminelët e SHIK-ut është trajnuar dhe ku është trajnuar etj. etj. 

Sipas Jakup Krasniqit, SHIK-u paska kryer ,,punë të mëdha në shërbim të Kosovës gjatë luftës dhe para luftës’’. Po që se është ashtu siç thotë zotëri Krasniqi, atëherë le të na dokumentojë me fakte veprimtarinë e tij që paska bërë ,,punë të mëdha për Kosovën. ’’ Po që se arkivi i SHIK-ut nuk është i ruajtur i tëri, por vetëm pjesërisht, kjo dëshmon se nuk ka kryer punë të mëdha në shërbim të Kosovës’’, por ka kryer punë të mëdha në dëm të saj dhe popullit të saj. Pasi që zotëri Krasniqi dëshmon se SHIK-u ka ’’bashkëpunuar me shërbime informative të fuqishme që veprojnë në Kosovë’’, ai ka obligim ligjor dhe njerëzor të na  tregojë se çfarë bashkëpunimi ka pasur SHIK-u i Xhavit Halitit  me Sigurimin serb, pasi që është e ditur se shërbimi sekret i Serbisë nuk e ka ndaluar veprimtarinë e tij në Kosovë gjatë luftës dhe pas luftës, përkundrazi e ka rritur dhe e ka fuqizuar edhe më shumë se para luftës. Po që se Krasniqi nuk guxon të japë të dhënat e bashkëpunimit të SHIK-ut me Sigurimin serb, organet e drejtësisë janë të obliguara ta detyrojnë zotëri Krasniqin të dëshmojë për atë bashkëpunim, por njëkohësisht ta bëjnë dëshmitar të mbrojtur siç po e mbrojnë Nazim Bllacën, ndërsa Xhavit Haliti menjëherë duhet të burgoset, për të dhënë llogari për të gjitha krimet që i bëri SHIK-u i tij.

Pasi që EULX-i, ka marr autorizimin nga faktori ndërkombëtar dhe ai i vendit për ta luftuar krimin e organizuar në Kosovë, me qëllim që Kosova të bëhet shtet ku do të sundoj ligji i shtetit ligjor, e jo ligji i xhunglës, ligji i mafisë, që sot po mbretëron në Kosovë, duhet të jetë i përkushtuar për ta kryer pa taktimizime, përndryshe, do të dështojë ai si institucion, së bashku me BE-në, por do të dështojë edhe Kosova.

Qytetarët e Kosovës i kanë drejtuar sytë dhe mendjen tek  EULEX-i, duke shpresuar se Kosovën do ta shpëtojnë nga kthetrat e SHIK-ut, i cili i ka kapur për fyti të gjitha institucionet shtetërore dhe jo shtetërore, të gjitha institucionet, arsimore, shëndetësore, ekonomike dhe politike. Me një fjalë,  SHIK-u është bërë shtet mbi shtet.

 

 

Botuar në ,,Bota sot”, 6 shkurt -11 shkurt 2013