NUK DO TË SHKOJNË GJAKHUMBUR AZEM HAJDARI DHE AHMET KRASNIQI

Atentatet që i organizuan agjenturat serbo-ruso-greke, me ndihmën e pehlivanave të Nanosit dhe bajraktarëve të ,,farës ruse”, më 12 dhe 21 shtator të vitit 1998 në Tiranë,  për t’ua shuar jetën dy Burrave të fortë të Shqiptarisë, Azem Hajdarit dhe  Ahmet Krasniqit, paralajmëruan se shqiptarët do të përballen me krimin e organizuar që drejtohet prej tyre, dhe se lufta e filluar në Kosovë për realizimin e aspiratave shqiptare, nuk do të përfundojë siç planifikonin këta Atdhetarë trima të kombit Shqiptar.

Sot, pas tri vitesh, kur po i përkujtojmë me respekt heronjtë kombëtarë Azem Hajdarin dhe Ahmet Krasniqin, të gjithë e kanë të qarë, përpos qyqarëve naivë, se për çfarë arsye dora e zgjatur e armiqve tanë e ngrehu gishtin e krimit kundër tyre.

Siç dihet, Azem Hajdari ishte Lideri i Lëvizjes Antikomuniste Studentore të dhjetorit të vitit 1990, që arriji të  shembi piramidën e krimit të ngritur me kujdes nga Enver Hoxha, që ishte Babai i ,,farës ruse”.  Ai u bë simbol i demokracisë, i lirisë dhe i çlirimit dhe bashkimit kombëtarë, pas ardhjes në pushtet të PDSH-së. Por, ai ishte  edhe luftëtar i pathyeshëm në  demaskimin e spiunëve serbo-grekë, që kishin zënë pozita udhëheqëse në institucionet shtetërore të Shqipërisë, me ndihmën e kriminelëve grekë, stalinistëve, hajnave dhe rrugaçëve shqiptarë, pasi e veshën në të zeza Shqipërinë më 1997, kur e rrëzuan pushtetin demokratik të PDSH-së. Ja pra, ku ishte shkaku që i shtyri agjenturat serbo-greko-ruse ta  vrasin këtë Burë të Madh të Kombit.

Po Ahmet Krasniqi, çfarë rreziku paraqiste ai për interesat serbo-greko-ruse në Shqipëri, Kosovë dhe Ballkan ? Si ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, me përkushtim punoi për bashkimin e faktorit politik dhe ushtarak të Kosovës. Dhe vetëm pas përpjekjeve të mëdha, Ahmet Krasniqi dhe Adem Demaçi arritën  një fitore të rëndësishme kombëtare, kur në takimin e Oslos, që u mbajt në maj të vitit 1998 e arritën  marrëveshjen për bashkimin e UÇK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes në një subjekt të vetëm ushtarak, që do të quhej Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK). (Ky subjekt ushtarak, sipas Marrëveshjes, do të përbëhej nga këto njësi : Njësitë Operative të Ushtrisë  Çlirimtare të  Kosovës, Njësitë e  Aviacionit Luftarak, Njësitë e Mbrojtjes Territoriale dhe 4. Njësitë e Ministrisë së Brendshme). Në bazë të kësaj marrëveshje, Ahmet Krasniqi e krijoi Pjesën e SHP të FARK-ut në Tiranë. E krijoi Qendrën  për Rekrutim, Stërvitje dhe Përgatitjen e Kuadrit Ushtarak në Vuqidol afër Tropojës dhe krijoi qendra tjera  për stërvitjen e ushtarëve  në afërsi të kufirit shqiptaro-shqiptar. I formoi brigadat e para operative të UÇK-së, dhe i përcolli në mënyrë solemne në formacion luftarak për në Kosovë. Krijoi brigada tjera dhe përgatiti kuadrin ushtarak për njësitë ushtarake që ishin krijuar në Kosovë. Kontraktoi armatim dhe mjete luftarake moderne për njësitë e FARK-ut. Vuri kontakte me kreun ushtarak të disa shteteve mike, lidhi marrëveshje dhe siguroi ndihma ushtarake prej tyre. Bëri plane dhe përgatitje për thyerjen e kufirit që ia vuan shqiptarëve çakajtë e Ballkanit në mes të  kurrizit të Atdheut, me ndihmën e Rusisë dhe aleatëve të saj etj. etj. Ndërsa ushtaraku madhor Tahir Zemaj, e realizoi marrëveshjen e Oslos në praktikë, kur në Prapaqan, afër Deçanit, e formoi Komandën e Zonës së Tretë Operative të  Rrafshit të Dukagjinit nga ushtarakët e njësive operative të UÇK-së, Brigadave : 134, 131, 133 dhe nga kuadri komandues i njësive territoriale që i komandonte Ramush Hajradinaj. Me një fjalë, u formua ushtria e Rregullt e Republikës së Kosovës dhe kështu u krijuan  kushtet për institucionalizimin dhe profesionalizimin e UÇK-së.

Të gjitha këto suksese që i arriti Ahmet Krasniqit me ushtarakët  trima të FARK-ut,  bënë që të alarmohen qendrat antishqiptare: Beogradi, Athina dhe Moska, nga frika se Ahmet Krasniqi me ushtarakët e FARK-ut do t’ua prishin atyre  planet  që i kishin  për zgjidhjen e çështjes shqiptare ashtu siç ua donte interesi i tyre kombëtarë, po që se do të lejohej  të vepronte edhe më tutje ai në Tiranë. Largimi i Ahmet Krasniqit nga skena ushtarake dhe politike e Kosovës nuk ishte punë e vështirë nga armiqtë tanë, kur spiunët dhe vasalët e tyre kishin zënë pozita udhëheqëse  në subjektet shtetërore  të  Shqipërisë. Kjo ishte një punë e lehtë për Nanosin dhe Klosin, pasi që pehlivanët e tyre i kishin futur argatët e tyre në SHP të Pjesës së FARK-ut në Tiranë, për ta penguar dhe për ta vëzhguar për së afërmi Ahmet Krasniqin për punët që po i kryente. 

Në anën tjetër, karrieristët e sëmurë për pushtet të LBDK-së, kishin tëholla të mjaftueshme nga fondet e emergjencës për t’i paguar kriminelët, që do të merrnin pjesë në përgatitjen e atentatit dhe në ekzekutimin e pushkatimit të Ahmet Krasniqit. Siç dihet, pushkatimi është kryer nga tre kriminelë profesionalë, mu afër ,,Shtëpisë së Partisë’’, aty ku ishte mbjellë ,,fara ruse” me rastin e krijimit të  Partisë  Komuniste Shqiptare nga M. Popoviqi, D. Mugosha dhe Enver Hoxha & Kompani. Me këtë vrasje armiqtë tanë arritën shumë objektiva, por njëri ndër ta ishte për tua bërë me dije shqiptarëve kudo që jetojnë, se popoviqët dhe mugoshët janë të gjallë dhe shumë të fortë në Shqipëri. 

Me vrasjen e Ahmet Krasniqit, armiqtë e kombit tanë arritën të pengojnë realizimin e planeve strategjike që i kishte ai për çlirimin e Kosovës, si fazë të parë; çlirimin e viseve tjera shqiptare nën okupimin serbo-jugosllav, si fazë e dytë, dhe çlirimin e Shqipërisë nga vasalët dhe spiunët serbo-grekë, si faza e tretë.  Do të krijohej një realitet i ri në Ballkan, që do të qonte në realizimin e aspiratave shekullore të popullit tonë.

   Vitet po shkojnë, krimet po rriten dhe zgjerohen në gjithë hapësirën tonë kombëtare. Ne po mbajmë tubime përkujtimore për Dëshmorët dhe Heronjtë e Kombit, që u vranë në frontin e luftës apo na i vranë pas shpine dhe me tradhti veglat e armiqve tanë.  Po vallë, a parandalohen krimet dhe dënohen kriminelët, me retorikë dhe  me fjalë të thata, në vend se të bashkëpunojmë me Policinë e  UNMIK-ut dhe me  Policinë e Kosovës, për t’ua dorëzuar të dhënat dhe faktet që i kemi për shqiptarët e gjorë, që  kanë bërë krime ndaj atdhetarëve, fqinjit,  bashkëkombësit, njeriut të pafajshëm, kur të gjithë po e dimë se krimet janë bërë dhe po bëhen nga një Qendër komanduese, e krijuar nga bajraktarët e ,,farës ruse’’, që lëshon vendime ,,në emër të popullit’’ për shpifje, kërcënime dhe pushkatime, ndërsa argatët e pehlivanëve të Nanosit   i gjejnë mjeranët nga radha e hajnave, rrugaçëve dhe mendjeshkurtërve kokëkrisur për të ngrehur gishtin e krimit për një kompensim të vogël në të holla.

Shpresojmë se bijtë më të mirë të kombit, siç ishin  Azem Hajdari dhe Ahmet Krasniqi, që u vranë me tradhti nga dora e zgjatur e armiqve tanë shekullorë, nuk do të shkojnë gjakhumbur. Shqipnija e Vjetër dhe Kosova Martire do të jenë nën mbrojtjen e të Madhit Zot, përderisa do të ketë burra të fortë që dinë t’i dalin zot Atdheut me penë dhe me pushkë, siç ishin Azem Hajdari dhe Ahmet Krasniqi dhe shumë burra dhe burrëresha tjerë që u flijuan për Atdheun dhe Kombin.

I Madhi Zot  i mëshiroftë Heronjtë dhe Dëshmorët e  Kombit  dhe të gjithë   të masakruarit nga dora katile serbe.

 

 

Botuar në ,,Bota sot’’ më 25. 09. 2001