EDHE SA KOHË DUHET TA PRESIN DËNIMIN KRIMINELËT QË E VRANË AHMET KRASNIQIN

Për pak javë mbushën plot nëntë vjet që kriminelët ia shuan jetën, ashtu siç deshi  Beogradit,  në qendër të Tiranës, kolonel Ahmet Krasniqit, njërit ndër ushtarakut  më të zotë që i kishte kombi ynë, ministrit të Mbrojtjes dhe Komandantit të FARK-ut,  Burrit të fortë të shqiptarisë, Atdhetarit të shquar të Kosovës, i cili u vra në vlugun e punëve,  që kishte për qëllim bashkimin e faktorit politik dhe ushtarak të Kosovës, çka ishte parakusht për formimin e ushtrisë më të madhe dhe më të fuqishme të Gadishullit Ilirik, punë kjo  që do t'i paraprinte çlirimit të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare.

Siç dihet, pehlivanët e nanosit dhe bajraktarët e farës ruse, të komanduar nga qendrat antishqiptare, e penguan realizimin e këtij qëllimi, i cili  ishte amaneti më sublim i burrave të fortë të kombit shqiptar, që punuan sa ishin gjallë me të gjitha mundësitë për realizimin e këtyre synimeve. Vrasja e tij,  siç po shihet tash së fundi edhe prej argatëve të argatëve të Nanosit, që i ka lëshuar pija e egjrës komunisto-staliniste, pati pasoja tepër të rënda për UÇK-në, pati dhe do të ketë edhe më tutje pasoja shumë të rënda për Kosovën dhe çështjen madhore kombëtare.

Vrasja e Ahmet Krasniqit u parapriu shumë vrasjeve të tjera politike që ndodhën gjatë luftës dhe pas luftës në Kosovë. E kuptojmë hallin e familjeve, shokëve dhe dashamirëve të tyre dhe të të gjithë qytetarëve të Kosovës që kanë ndie dhimbje për këta burra të fortë të shqiptarisë, të cilët  u vranë në mënyrë të ligë, pas shpine dhe me tradhti. Duhet shpresuar se së shpejti do të vijë dita kur drejtësia e Kosovës do të aftësohet, ndërgjegjësohet dhe të trimërohet për të bërë hetime të tërësishme dhe serioze për t'i ulur në bankën e zezë kriminelët që i bënë këto krime të rënda,  duke i vrarë këta veprimtarë të shquar të Kosovës, siç ishin: Ali Ukaj, Ahmet Krasniqi, Ilir Konushefci, Enver Maloku, Xhemajl Mustafa, Ismet Raci, Ekrem Rexha (Komandant Drini), Smajl Hajdaraj, Shaban Manaj, Tahit Zemaj, me të birin Enisin dhe Hasan Zemajn, Rexhep Luci, Besim Dajaku, Bekim Kastrati, Bardhyl Ajeti, Shefki Popova. Po ashtu  do të dënohën edhe kriminelët që dhanë urdhër të vrahet Ukë Bytyçi. Nuk vjen në pyetje amnistimi i  kriminelëve që i plagosën rënd Sabri Hamitin, Gani Gecin, Fetah Rudin, Agim Veliun, Ejup Visokën, Sejdi Kocin e shumë të tjerë që u vranë në mënyrë të njëjtë me atentate, numri i të cilëve e kalon numrin treshifror.    

Sa i përket vrasjes së Ahmet Krasniqit, edhe pse është njëra ndër vrasjet më të rënda, është vrasja që më së lehti mund të ndriçohet nga organet e drejtësisë të Shqipërisë, kur dihet se Prokuroria e Tiranës e ka dosjen e gatshme për këtë vrasje, të cilën  ia kanë dorëzuar kompetentit e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës. Opinioni ynë është i njohur me deklaratën e magjistër Januz Tërstenës, ish-ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Republikës së Kosovës, i cili në një tubim që e pati me shqiptarët me qëndrim dhe punë në Austri,  pati thënë: ''Ne e dimi saktësisht se kush e ka vrarë kolonel Ahmet Krasniqin. Ne i kemi ofruar Prokurorisë së Tiranës të gjitha të dhënat e sakta për personat që kanë gisht në këtë vrasje, por kjo Prokuroria ka pezulluar hetimet rreth kësaj vrasjeje. Dhe, ne e dimë pse janë pezulluar këto hetime, sepse prapa këtij akti terrorist fshihet një klan i madh politik shqiptar në Shqipëri dhe në Kosovë''. (Shiko: ''Bota sot'', 22 qershor 1999.)

Pra, siç po shihet, në vrasjen e Ahmet Krasniqit kanë marrë pjesë edhe një numër i caktuar i politikanëve të Kosovës dhe të Shqipërisë. Në bazë të  deklaratës së zotëri Tërstenës, nuk e kemi të qartë se në dosjen për  vrasjes së Ahmet Krasniqit a ka të dhëna se në vrasjen e tij kanë gisht  edhe disa kolegë dhe ''shokë'' të tij që kishin zënë pozita të larta në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Shtabin e FARK-ut. Ne do t'i cekim disa fakte që dëshmojnë atë që e thamë më parë për kolegët e tij.

Fillimi i  shtatorit të vitit 1998 për Ahmet Krasniqin dhe një numër të konsiderueshëm të oficerëve që ishin nën komandën e tij, ishte i mbushur me aktivitete të ngjeshura ushtarake, sepse bëheshin përgatitjet përfundimtare për të hyrë në frontin e luftës në Kosovë. Derisa  Ahmet Krasniqi dhe njerëzit e tij përgatiteshin  për të hyrë në Kosovë me brigadat e tyre, edhe armiqtë e shqiptarëve dhe veglat e tyre bënin përgatitje të përshpejtuara për vrasjen e tij, që të pamundësohet hyrja e tij dhe e njësive operative të UÇK-së në Kosovë. Dihet se hyrja e tij do të ndërronte raportin e forcave në të mirë të shqiptarëve, në të mirë të UÇK-së dhe në të mirë të Kosovës. Në anën tjetër, disa nga kolegët dhe ''shokët'' e tij, siç  thonë ata ''për shkaqe sigurie'' ia ndërruan banesën Ahmet Krasniqit, që e kishte në qendër të Tiranës, menjëherë pas Piramidës, me një banesë tjetër që ishte në një rrugicë të ngushtë, e pa ndriçuar me drita, në lagjen e ''Shtëpisë së Partisë'' .

 Arsyetimi i kolegëve të tij për ndërrimin e banesës është i paarsyeshëm dhe i palogjikshëm,  kur dihet se të vritet njeriu në qendër të Tiranës, është punë më e vështirë për kriminelët, sepse është e  pamundur të mos shihen kriminelët së paku nga këmbësorët e rastit, kurse atje ku ia siguruan banesën Ahmet Krasniqit, ''shokët'' dhe   kolegët e tij siç thonë ata, ,,për shkaqe sigurie'', ishte vendi ideal për kriminelë për zënien e pritës, sepse ishte larg qendrës së Tiranës dhe ndërtesa gjendej në thellësi të një  rrugicë  të ngushtë, që ishte e paasfaltuar,  njëkahëshe dhe pa drita, vend shumë i përshtatshëm për kriminelët për ta kryer  krimin pa pengesa.

   Se nuk i është ndërruar banesa Ahmet Krasniqit ,,për shkaqe të sigurisë'', është i mjaftueshëm ky fakt, edhe pse ka edhe fakte të tjera. Ai është lënë pa rojën e tij personale nga përgjegjësit e Ministrisë. Siç dihet nga opinioni,  në mbrëmjen e 21 shtatorit të vitit 1998, Ahmet Krasniqi organizoi darkë pune me ushtarakët më të shquar të  Ministrisë së Mbrojtjes Salih Çekun, Agim Ramadanin e të tjerë, qëllimi i të cilit ishte për ta marrë pëlqimin e tyre që,  në afatin sa më të shkurtër,  të dërgohen në frontin e luftës në Kosovë kuadri komandues dhe brigadat të cilat i kishin kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme për të kryer detyra operative në Kosovë. Atë natë u vendos që brenda një jave të realizohet plani për hyrje në Kosovë. Përfundimi i atij takimi ishte i suksesshëm, por armiqtë e kombit tonë i kishin bërë përgatitjet e fundit që të pamundësohet realizimi i atij plani. Atë natë,  në vend se të bëhet mbrojtje e posaçme për Ahmet Krasniqin, kolegët dhe  ''shokët '' e tij e kishin lënë pa rojën e tij personale. Pasi u shpërndan ushtarakët, secili nëpër banesat e tyre, Ahmet Krasniqin e shoqëronin për në vendin e krimit shoferi i automjetit dhe një ushtarak, i cili po ashtu banonte në ndërtesën ku banonte edhe komandanti i tij. Pra vetëm tre veta, pa asnjë armë, pa as një mbrojtje. Pra ky është një fakt i fortë që i akuzon tepër rënd shokët dhe kolegët e tij.

Më në fund, duhet cekur se  Shqipëria, organet e Drejtësisë dhe, veçmas kryeministri i Qeverisë së Shqipërisë, zotëri Sali Berisha, ia ka borxh Kosovës, ua ka borxh qytetarëve të saj, ua ka borxh familjarëve  të të vrarëve, veçmas familjes së Ahmet Krasniqit,  t'i zbulojnë dhe t'i dënojnë të gjithë kriminelët që patën gisht në vrasjen e Ahmet Krasniqit, Ali Ukës dhe të Ilir Konushefcit. Atë ditë që do të ndriçohen  vrasjet e këtyre personaliteteve të shquara të kombit tonë, do të zhvillohet lëmshi i të gjitha vrasjeve tjera politike që u bënë në Kosovë gjatë luftës dhe pas luftës.

Pra Shqipëria e ka për detyrë ta japë kontributin e saj të pakursyer për zhdukjen e krimit të organizuar, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë dhe Viset tjera shqiptare, sepse e kanë një qendër komanduese dhe kanë synime të njëjta. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë dhe kushtet që atë rrënjë të keqe ta shkuli nga hapësira jonë kombëtare, që   rrënjët e saj t'i thajë dielli, që kurrë më të mos zënë vend dhe të mos forcohen në tokën shqiptare.

 Fatkeqësisht, pasojat e këtyre vrasjeve do të vazhdojnë deri atëherë kur Kosova dhe Shqipëria të bëhen shtete ligjore. Vetëm atëherë kur organet e drejtësisë të shtetit të Kosovës dhe të Shqipërisë ta fitojnë betejën kundër kriminelëve me damkë, (që sot po iu shkon fjala), të cilët nuk lejuan bashkimin e faktorit politik dhe ushtarak të Kosovës, dhe bënë shumë punë të liga në dëm të Kosovës dhe qytetarëve të saj, mund të shpresohet se shqiptarët do të ecin përpara në rrugën e të Madhit Zotë, çka  do t'u sjellë shqiptarëve paqe,  qetësi shpirtërore dhe përparim e suksese në të gjithë lëmenjtë e jetës.

 

 

Botuar në ''Bota sot'', më 25 gusht 2007.